nga Admin

6 Nëntor, 2014

Shtëpia botuese “Saras”, me botimin “Ali Pasha – Krime famëkeqe”

Bajram Peçi

Është një fat i madh i historiografisë shqiptare që të ketë studiues e lëvrues të saj krijuesin e famshëm të letrave franceze, Aleksandër Duma. Lexuesi ynë ka njohur prej këtij kolosi të letërsisë fillimisht shqiptaren Haide, bukuroshen e virtytshme që hyri në jetën e Edmond Dantes te vepra e shumënjohur, “Konti i Monte Kristo”. Libri, kjo portë e botës, siç e ka cilësuar Stefan Cvajg (Stefan Zweig), i rivë shqiptarët në qendër të vëmendjes, përmes romanit historik të Aleksandër Duma. Për lexuesin tonë, kjo vepër historike hidhet në treg nga shtëpia botuese “Saras”, e përshtatur në shqip nga Blendi Lami dhe e redaktuar nga Alda Bardhyli. Pasi e lexon, shpejt arrin të kuptosh se porta, që askush si ai nuk ka arritur dot ta hapë, të çon te më e arrira në morinë e veprave për këtë figurë të famshme shqiptare, me ndikim përcaktues në fatet e Perandorisë Otomane dhe historinë e rajonit të çerekut të parë të shekullit XIX.

Forma kronologjike e shtjellimit të historisë së Ali Pashë Tepelenës krijon mundësinë e ndjekjes funksionale, në ngjashmëri me një kronikë monografike. Që në krye, libri të bën të vetëdijshëm se kemi në dorë një nga historitë më të besueshme për Ali Pashën e Janinës, të zhveshur nga glorifikimet dhe sidomos stisjet për ta hijeshuar me petkun e atdhetarit të kombit shqiptar. Vetëm nga krijimtaria e një gjeniu si A. Duma, figura e tij merr vlerat e vërteta dhe shndërrohet në një shikim real të stofit që e vesh atë. I venitur apo jo, arrijmë ta kuptojmë Ali Pashain dhe ta vlerësojmë veprimtarinë e tij më me qartësi. Autori, kur ka zgjedhur që emrin në titull ta ngarkojë me përcaktimin analitik, “Krime famëkeqe”, është i bindur, pavarësisht ndonjë kritike se “ka tejkaluar caqet”. Na vjen mirë apo keq nga ky përfundim, vetëm kur lexon librin kupton një gjë të sigurt: lënda nga vjen shtjellimi, burimi i informacionit, referimet e bashkëkohorëve të Ali Tepelenës dhe kujtimet e shkruara që vijnë nga një varg bashkëkohësish, nga ambasadori përfaqësues pranë Pashait, Pukëvijit, Lord Bajronit, Felicien Mallefille, Hughes dhe Uilliam Plomer, janë të mjafta për ta pranuar si titullin ashtu dhe jetëshkrimin, si më të saktin për jetën e tij. Adhurimi dhe përjetësimi nga shërbëtorë e bashkëluftëtarë, çka vihet re në një sërë botimesh, pasi lexon Duman, kupton se u përkasin bindje individësh thjesht vetjake dhe dalin nga domethënia e karakterit që Pashai shfaqi në jetë e në qeverisjen feude. Këtu përfshihet edhe dekori që ndërtuan historianë, studiues e shkrimtarë shqiptarë rreth rolit që luajti e fantazive të mjegullta për karakterin kombëtar të veprimeve të Ali Pashë Tepelenës. Romani i A. Duma u jep një qëndrim të prerë: sa mizor aq dhe otoman.

Ndërsa shfleton me kërshëri faqe pas faqe, zbulon te vepra e të madhit Duma tre aspekte domethënëse: së pari, se Pashai ngjiti lartësitë hierarkike si plaçkitës, se ka qenë një mizor famëkeq, dhe së treti, se Pashai i ka përkitur një kombi fisnik e trim, por jo i arrirë tërësisht e pacene. Ia vlen që lexuesit të nderuar, përkatësisht t’ua shtjellojmë.

 

Lufta është një arsye për plaçkitje

Shpata – shkruan Duma – ishte instrumenti për të shtuar pushtetin dhe pasurinë. Në historinë e shqiptarëve kështu kishte ndodhur më parë me një tjetër Ali, me Muhamed Aliun, i cili e shndërroi pashallëkun e Egjiptit në mbretëri pasi shfarosi mamlukët; dhe historinë, që përmes këtij libri A. Duma tregon për Ali Pashë Tepelenën, Pashain e Janinës, qëndresa e gjatë e të cilit i parapriu ringjalljes së Greqisë, e shohim të ngjitet në pushtet me përdorimin pa kufizim të shpatës dhe sëpatës. Nën despotizmin otoman, blerja e posteve të çdo rangu ishte ligj perandorak. “Në këtë mënyrë – shkruan Duma – po zhvillohej një shkencë e re e administrimit dhe posti mund të ruhej vetëm kur tjetri plaçkitej sa më shpejt të ishte e mundur”.

Në shekullin kur jetoi dhe veproi Ali Pashai, Duma dallon tre grupe shoqërore: ata që përfitonin gjithçka; ata që mundoheshin të kursenin dhe ata, që pa asnjë pronë dhe pa asnjë shpresë, nuk shfaqnin pikë interesi se çfarë ndodhte. Në këtë rend jetësor kaluan përpjekjet e Aliut. Shpërthimet e energjisë në rini zunë fill me ushtrimin e forcës së banditit dhe më pas, të autoritetit duke shfarosur bandat e armatolëve ose kaçakëve. Natyrisht, plaçkiti sa për të blerë postin. Më pas e shohim në shërbim të Pashait të Negropontit si Bylykbash për rendin dhe kufijtë; vazhdoi me plaçkitje në postin e ruajtjes së rrugëve (dervenxhi pasha); u shtoi posteve në ngritje atë të sundimtarit të Thesalisë dhe pas saj, në këtë mënyrë për disa vjet, Aliu i hodhi sytë nga krahina e Janinës, e cila nuk vonoi t’i jepej si “Arpalik”, duke bashkuar kështu Pashallëkun e Janinës me atë të Thesalisë. Në gjithë këtë rrugë, armëve të ftohta, shpatës e sëpatës, u shtoi armët e zjarrit, dhe siç vë në dukje historiani Çekrezi, një nga të vetmit historianë shqiptarë që nuk e idealizoi figurën e Aliut, dinakërinë dhe hipokrizinë.

Zulmat e jetës të Aliut, autori i përcakton mjaft qartë në thënien: “I guximshëm në ide, i patundur në vendosmëri, i paepur në veprim, i pamëshirshëm në hakmarrje”.

 

 Ali Pashë Tepelena, një mizor i pandalshëm

Para së gjithash mbetet e pashlyeshme për lexuesin mënyra se si çoi drejt vdekjes të shoqen. E rendis të parën se përmes krimit në familje mund të zbulohet edhe më mirë natyra e tij e egër. Në ato kohë të largëta nuk ishte se kish ndonjë qëndrim emancipues ndaj gruas, për më tepër që në sarajet e pashallarëve ekzistonte poligamia me haremet që mbaheshin në banesat. Gjithsesi, burrat, qoftë dhe sundimtarë, gratë që ishin nëna të bijve të tyre, i respektonin dhe kujdesi mbi to ishte cilësi e përhershme. Në morinë e krimeve të përgjithshme e vetjake të Ali Pashait, vdekja e gruas zë kreun më tronditës. Martesa me Eminenë, vajza e Pashait të Delvinës, Kapllanit, por që rrinin në Gjirokastër, u bë nga Aliu me synimin e kapjes së pushtetit. “Emineja – shkruan Duma – ishte një nga gratë më të nderuara në Epir… Duket paksa e çuditshme që, në mes të kësaj tabloje të përgjakshme, të ndeshesh me këtë figurë fisnike, zemërbardhë dhe paqësore, e cila, ashtu si një oaz në shkretëtirë, të çlodh mendjen e rraskapitur me kaq shumë ligësi, pabesi e tradhti”.

Fillimisht Emineja pa se si Aliu i futi në kurth dhe i vrau babain; më pas i vrau burrin e së bijës, u bë dëshmitare e orgjive të tij seksuale. “Ajo u shkëput thuajse tërësisht nga i shoqi që i kishte duart e lara me gjak, dhe e kaloi jetën në skutat e errëta të haremit, duke u lutur si një e krishterë për vrasësin dhe viktimat e tij…Kështu Aliu humbi dashurinë e Eminesë. Deri atëherë, atë e kishte pasur si engjëll mbrojtës…”.

Mizoritë e tij e kishin mbushur kupën, deri kur Emineja një ditë, e përlotur iu përgjunj e iu mëshirua që të ndalte krimet ndaj fisit të famshëm shqiptar të suljotëve. Aliu, i tërbuar nga sa i kërkoi e shoqja, pasi i qëlloi me pistoletë për ta vrarë dhe plumbi nuk e kapi, i shkoi në mesnatë në harem. Elebetitur nga zhurma dhe pamja e të shoqit të tërbuar që shqeu derën e mbyllur, “…Eminejau përplas në tokë nga tronditja; konvulsionet nuk i ndaluan derisa dha shpirt”.

Krimet në familje përbëjnë zulmëdhatë e përhershme të sjelljes së tij mizore. Spikasin mes të tjerash vrasja e Eufrosinës, së dashurës së djalit, Myftarit, e cila refuzoi t’i jepej; përdhunimi i Zybejtes, nusja e djalit, Veliut, të cilën u përpoq ta joshte dhe ajo e refuzoi. E vuri në gjumë, e përdhunoi dhe e la shtatzënë, e detyroi të dështonte, vrau mjekun që e ndihmoi, vrau gratë e haremit që e ndihmuan për përdhunimin dhe së fundi, nuk u ndal deri sa u preu kokat edhe vrasësve në korridoret e nëndheshme.

Në popullatën e Jugut shqiptar, Ali Pashës – Luanit të Janinës, historia e A. Duma i lë mbi shpinë dy krime të pashlyeshme: shfarosja e racës së suljotëve trima, vrasja dhe shpërngulja përfundimtare nga malet e tyre, të cilat pas këtij krimi nuk e dëgjuan më tingullin e shqipes çamërishte; vrasjet e shqiptarëve të Pargës, largimi nga qyteti dhe degdisja e tyre në Korfuz, marrëveshje të cilën A. Duma e cilëson se u arrit në një darkë, (me komisionerin e lartë të Britanisë së Madhe, Sër Tomas Maitland) e arritur “…në mes të këtij harbimi pijanecësh, turku dhe anglezi ranë dakord për të ardhmen e hidhur të territorit të Pargës”. Të nesërmen, trupat e Aliut, nën udhëheqjen e Myftarit, pushtuan qytetin shqiptar të Pargës, ku çfarë gjetën i masakruan.

Krimet e vrasjet masive, djegia dhe shkrumbosja e fshatrave Kardhiq e Hormovë, renditen të fundit. Krimi ishte i përbindshëm, por, pa e marrë në mbrojtje, ai bëri atë paudhësi që i bënë shqiptarët e Toskërisë. Madje, nuk është plotësisht e sigurt në e vuri nderin në vend. Këto dy fshatra i kishin përdhunuar nënën dhe motrën. “Neroni -shkruan një ish-oficer artilerie – në krahasim me Ali Pashën, do të dukej një filantrop”.

 

Anarkinë shqiptarët e quanin krenarisht liri

Është thënie e autorit. E kam shkëputur nga teksti enkas për ta nënvizuar si shprehjen më domethënëse, që e përshkon si tipar dhe vazhdon ta ndjekë ende edhe sot e kësaj dite. A. Duma e shoqëron këtë thënie me një mori argumentesh, përmes të cilave ai zbulon se “…çdo shqiptar jetonte brenda kufijve të lirisë së tij, si në një kështjellë”.

Ndërsa Aliut dhe të bijve që ecnin në gjurmët e tij, nuk ua gjeje shokun sa i përket ligësisë që ushtronin për mbajtjen e fuqizimin e pushtetit, A. Duma bri tyre vendos racën nga ata vijnë, të cilët ngrihen lart në virtyte. Shfarosja e suljotëve në vitin 1803, këtij fisi madhështor malësorësh shqiptarë, në roman shoqërohet me rrëfime mbi rezistencën e qëndrimet kryelarta të tyre. Në të njëjtat vlera i sjell Duma edhe parganjotët krenarë e trima, kur në maj të vitit 1819 Ali Pashai me djemtë i syrgjynosin.

Në morinë e ngjarjeve, nuk mund të shpëtojë pa u përmendur sjellja e gardës së Pashait, që ishin tërësisht mirditorë. Kur Aliu i Janinës u kërkoi rojeve të masakronin banorët e qytezës Kardhiq, që i kishin futur bashkërisht brenda një rrethimi, ata e kundërshtuan prerë. “Atëherë, ai urdhëroi që ata t’i zhdukeshin nga sytë dhe u bëri thirrje për sulm të krishterëve mirditorë që shërbenin në ushtrinë e tij.

– Ju, mirditorë trima! – gërthiti ai. – Po ju besoj detyrën e asgjësimit të armiqve të familjes sime. Merrni hak në emrin tim dhe unë do t’ju shpërblej me pasuri që nuk e keni parë as në ëndërr…

Prijësi i mirditorëve bëri ca hapa përpara dhe hodhi pas kapuçin e pelerinës së tij të zezë.

– O Pasha! – tha ai, duke e parë Aliun gjakftohtë drejt e në sy. – Fjalët e tua na fyejnë. Mirditorët nuk vrasin të burgosur të paarmatosur. Lirojini kardhiqiotët, armatosini dhe ne do të luftojmë deri në vdekje; ne ju shërbejmë si ushtarë, jo si xhelatë”.

 Çdo shqiptar – shkruan autori – jetonte në Pashallëkun e Janinës (që në ato mote popullohej kryesisht nga shqiptarë) brenda kufijve të lirisë së tij, siç do të bënte në një kështjellë në mal. Përcaktimet në roman të A. Duma për shqiptarët ngrihen si obeliske madhështore: Hakmarrja dhe dashura janë pasionet thelbësore të shqiptarëve; Ligji i tyre është shpagimi. Ngjajnë sikur t’i ketë thënë një ditë më parë!

     *          *          *

Në romanin historik, “Ali Pasha – Krime famëkeqe”, Aleksandër Duma, për të nxjerrë në pah natyrën mizore të Pashait që qeveriste shqiptarët e Jugut për më se tre dhjetëvjeçarë, sjell rrëfenjën se si Aliu, që kishte disa karroca për vete dhe familjen e tij, nuk donte të lejonte askënd tjetër ta kishte këtë privilegj. Për të shmangur tronditjet gjatë ecjes me karrocë, ai hoqi gurët e kalldrëmeve në Janinë dhe qytetet e afërta. Kështu, në verë, pluhuri u zinte frymën njerëzve, ndërsa në dimër, mezi mund të kalohej nga balta. Në të 11 kapitujt e romanit, dy vepra bamirësie i njeh Aliut, A. Duma: Shpëtimi nga vdekja e Vasilikës së vogël me bukuri të rrallë prej trupave ndëshkimore, që masakronin popullsinë në fshatin Plikivica dhe shpërblimi që i dha plakës Nuze, e cila viteve të tij të kaçakut i ishte ndodhur t’i qepte plagët e gjakosura në trup. Edhe plakën Nuze, që ai e kish harruar, ndodhi që e takoi rastësisht vite e vite më pas. Këto dy vepra, shkruan autori, ndriçojnë për pak çaste horizontin e errët të jetës së Aliut.

“Ai do të kishte dashur – shkruan Aleksandër Duma – që askush të mos mbijetonte pas vdekjes së tij”.

Lexuesit që do të marrin në dorë këtë roman historik, kënaqësinë do t’ua japë çdo gjë që përmban ky libër, si stili i tregimtarit, rrëfenjat që shoqërojnë identitetin shqiptar, ashtu dhe përshkrimi i një figure që jep edhe sot efekte admirimi. Lexim të këndshëm!

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>