1 Shkurt, 2017

Miti i karizmes
Titulli: Miti i karizmës (kopertina e trashë)
Origjinali: The Charisma Myth
Gjinia: Psikologji
Autori: Olivia Fox Cabane
Shqipëroi: David Hudhri
Shtëpia botuese: Minerva
Viti: 2016
Fq. 288
Pesha: 0.593 kg.
ISBN: 978-9928-4227-4-3

Marilyn Monroe donte të vërtetonte diçka.

Ishte një nga ditët me diell të verës së vitit 1955, në qytetin e New York-ut. E shoqëruar nga një redaktor reviste dhe fotografi i saj personal, Marilyn po ecte përgjatë Grand Central Terminal. Megjithëse kulmi i një dite pune dhe platforma gumëzhinte nga turma e njerëzve, askush nuk e vuri re, teksa ajo priste trenin elektrik. Pasi aparati fotografik u shkrep, ajo hyri në kabinë dhe qetësisht zuri vend në një kënd. Askush nuk e njohu.

Marilyn donte të demonstronte se, vetëm po të vendoste ajo, mund të shndërrohej në magjepsësja Marilyn Monroe apo e zakonshmja Norma Jean Baker. Në metro, ajo ishte Norma Jean. Por kur u ngjit në trotuarët e zhurmshëm të New York-ut, ajo vendosi të shndërrohej përsëri në Marilyn. Vështroi rreth e rrotull dhe e ngacmoi fotografin e saj: “A do ta shohësh atë?” Dhe nuk bëri ndonjë gjest kushedi – vetëm sa “gufoi flokët dhe mori pozën e saj.”

Me këtë ndryshim të thjeshtë, befas, si magnet, ajo tërhoqi njerëzit që e rrethonin. Sikur një aurë magjike rridhte prej saj dhe gjithçka përreth ngriu. Koha po ashtu ndaloi, sikundër njerëzit rrotull saj, të cilët u shtangën të mahnitur, kur befas njohën midis tyre yllin e kinemasë. Në çast adhuruesit u derdhën drejt Marilyn-it, dhe “u deshën disa minuta shtytje dhe frike” që fotografi ta ndihmonte t’i largohej turmës që shtohej.

Karizma ka qenë gjithmonë një temë intriguese dhe e diskutueshme. Kur u tregoj njerëzve, në konferenca apo festa, se unë “u mësoj karizmën të tjerëve”, ata menjëherë gjallërohen dhe shpeshherë, me zë të lartë, thonë: “Por unë kam menduar se karizma, është diçka e tillë të cilën ti e ke ose jo.” Disa e shohin si një avantazh të padrejtë, të tjerë janë të etur për ta mësuar, por të gjithë mahniten. Dhe me të drejtë. Njerëzit karizmatikë kanë ndikim në botë, qoftë kur nisin projekte, kompani apo perandori të reja.

E keni pyetur ndonjëherë veten si do të ndiheshit po të ishit aq tërheqës sa Bill Clinton apo magjepsës sa ç’ishte Steve Jobs? Nëse mendoni se jeni pak karizmatik dhe doni ta ngrini në një nivel më të lartë? Apo nëse keni dëshiruar në fshehtësi të kishit pak nga kjo cilësi por mendoni se nuk i përkisni tipave karizmatikë? Atëherë, kam lajme të mira për ju: karizma është një aftësi që mund ta mësoni dhe ta përvetësoni me praktikë.

(Pjesë nga hyrja)

Librin mund ta porosisni këtu.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>