Mira Meksi, kandidate për çmimin “Balkanika

0
719

Mira MeksiMira Meksi do të përfaqësojë Shqipërinë në çmimet “Ballkanika” me romanin e saj “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”. Meksi do të garojë me emra të njohur të letrave ballkanike si Svetla Georgieva (Bullgari), Christos Chryssopoulos (Greqi), Stefan Agopian (Rumani), Dimitrie Duracovski (Maqedoni), Yigit Bener (Turqi), Filip Devan (Serbi). Juria shqiptare këtij çmimi, e përbërë nga prof. Jorgo Bulo (kryetar), prof. Ali Aliu, si dhe Piro Misha, Diana Çuli, Preç Zogaj e Sonila Kapo e argumenton përfaqësimin e Meksit në këtë garë me motivin se “Romani i Mira Meksit ‘Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë’ – një rrëfim midis historisë dhe legjendës, në një sfond jo vetëm gjeografik por dhe kulturor-mitologjik iliro-helenik, ka një përmasë mesdhetare ballkanike që e bën konkurrent në një ballafaqim veprash që pretendojnë çmimin ‘Ballkanika’. Ndarja e madhe e çmimeve të këtij viti do të bëhet në Sofje nga data 2-4 tetor. Kjo ceremoni përkon këtë vit me 20-vjetorin e themelimit të Fondacionit Balkanika dhe do të kremtohet në prani të mjaft personaliteteve të fushës së letërsisë të ftuar nga e gjithë bota.

Kryetari i jurisë së këtij viti është prof. amerikan Andrew Wachtel. Çmimi letrar “Balkanika” është më i rëndësishmi çmim letrar për rajonin e Ballkanit. Fondacioni që jep këtë çmim është themeluar në vitin 1995 me iniciativën e botuesit Nikolay Stoyanov në Bullgari. Anëtarë të këtij Fondacioni janë shtatë shtëpi botuese nga më të rëndësishmet e vendeve ku zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe që përfaqësojnë Bullgarinë, Shqipërinë, Maqedoninë, Greqinë, Turqinë, Rumaninë dhe Serbinë.

Ky është edicioni i 18 i këtij çmimi. Më parë atë e kanë fituar David Albahar nga Serbia, Anton Donchev nga Bullgaria, Nikos Bakolas nga Greqia, Vasile Andru nga Rumania, Venko Andonovski nga Maqedonia, Fatos Kongoli nga Shqipëria, Ayfer Tunç nga Turqia, Dimitar Shumnaliev nga Bullgaria, Maro Douka nga Greqia, Tahsin Yücel nga Turqia, Vladislav Bajac nga Serbia, Sema Kaygusuz nga Turqia, Ismail Kadare nga Shqipëria, Aleksandar Prokopiev nga Maqedonia dhe Nedim Gürsel nga Turqia dhe Zdravka Evtimova nga Bullgaria. “Balkanika” është një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të rajonit të Ballkanit, që vitet e fundit po evidentohet si një lloj çmimi “Nobel” në letërsinë ballkanike. Shkrimtari që e fiton këtë çmim letrar bëhet i njohur menjëherë në Ballkan në bazë të një marrëveshjeje, sipas së cilës ai duhet të përkthehet brenda një viti në të gjitha gjuhët ballkanike. Hapja e dyerve prej shtëpive më të mëdha botuese të Ballkanit i hap më pas dyert edhe në Europë. Prandaj “Balkanika” konsiderohet si çmimi më i rëndësishëm letrar që jepet në rajon për disa arsye.