nga Admin

12 Nëntor, 2012

Libri 

“Meshari” i Gjon Buzukut ka mbërritur dje në Tiranë. Libri i vitit 1555, i pari në shqip, del për herë të parë nga biblioteka e Vatikanit dhe kthehet pas gati pesë shekujsh në Shqipëri. Prej ditës së djeshme është vendosur nën masa sigurie në Bibliotekën Kombëtare, ku do të ekspozohet për publikun në orën 18:00 në një ceremoni të veçantë e do të qëndrojë deri më 28 Nëntor. Që nga botimi e deri me 1740-n, gati dy shekuj, “Meshari” ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740-n, atë e zbuloi në Bibliotekën e Propaganda Fides, afër Romës, ipeshkvi i Shkupit, Imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova. Libri mendohet të jetë shtypur në Venedik me alfabetin latin, duke shtuar disa shenja cirilike për tingujt në shqip. Ky zbulim mbeti në heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909-n, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194. Më 1932 libri u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të cilat gjendet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Më 1968-n, gjuhëtari i shquar shqiptar, Eqrem Çabej, botoi studimin shkencor të veprës së Buzukut të shoqëruar me studimin për gjuhën dhe meritat e autorit. Ashtu siç është sot, ka 188 faqe, i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa të tjera në mes.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>