nga Admin

3 Prill, 2013

Dje, Dita Ndërkombëtare e Letërsisë për Fëmijë/ Gaqo Bushaka, babai i “Çufos” në një rrëfim për personazhin më të dashur të letërsisë shqipe për fëmijë. Që prej botimit të tij të parë në 1970-n e deri më sot libri me 5 vëllime i Çufos ka shkuar në 300 mijë kopje

Gaqo BushakaKur Gaqo Bushaka krijoi “Çufon” nuk mund ta mendonte se historitë e derrkucit që po hidhte në letër do të ktheheshin në historitë që do t’i mësonte përmendësh çdo fëmijë këto 40 vitet e fundit në Shqipëri. Në kohën kur “Çufoja” doli në treg, në fillim të vitit 1970, letërsia për fëmijë po kalonte një kohë krize, dhe dalja e një personazhi që do të bëhej kaq shpejt shumë popullor do ta kthente sërish vëmendjen  e kritikës nga kjo letërsi. Bashkë me “Çufon” e Bushakës, lindën personazhe të tjerë të dashur për fëmijët, nga një kastë e rrallë shkrimtarësh si Dionis Bubani, autor i Çapaçulit, Odise Grillo, Bedri Dedja… të cilët i dhanë jetë kësaj gjinie letrare edhe pse nën kushtet e një censure. Personazhet e krijuara prej tyre, ishin e vetmja dritare për fëmijët e atyre viteve, përmes së cilës imagjinata e tyre mund të fluturonte larg. Çufoja ishte ai që i merrte për dore në çdo faqe libri, duke i ftuar në një botë aventurash, ku jeta jetohej si të vinte. “Çufoja është një libër që më ka kushtuar 20-23 vjet të jetës sime. Jam përpjekur të bëjë një libër që të pëlqehet nga fëmijët, që duke e lexuar atë të gëzohen dhe jo të mërziten. Por, në të njëjtën kohë të japë edhe ide. Për mua një libër për fëmijë nuk do të kishte vlerë, nëse ai nuk do të përcillte disa ide që do ta ndihmonin fëmijën, botën e tij”, thotë Bushaka, tashmë për “Shqip” 40 vjet më vonë. “Në këtë libër jam përpjekur që humori të mos jetë thjesht humor, por të jetë në funksion të një problemi jetësor. Në funksion të idesë që pavarësisht se ne qeshim, e mira duhet të fitojë gjithnjë”, thotë Bushaka. Me një karrierë të gjatë në fushën e letrave, ajo çfarë e bën të veçantë letërsinë e Bushakës, përveç imagjinatës, është dhe kujdesi që ai ka për gjuhën. Për të çdo libër është një leksion i madh gjuhe. Pavarësisht mjeteve të shumta të informacionit që kanë hyrë në kohën që jetojmë, libri do të mbetet gjithnjë parësor, pasi në asnjë vend nuk mund të marrësh kënaqësinë që të jep libri. “Libri është një mënyrë e mirë për të mësuar gjuhën shqipe. Nëse fillon e gjymtohet gjuha e një kombi, gjymtohet një gjë e rëndësishme e identitetit që nuk mund të zëvendësohet me gjë tjetër”, thotë ai. Por ndërsa rikthehemi te Çufoja, Bushaka thotë se zgjedhja e një derrkuci dhe jo e një kafshe tjetër si personazh për këtë libër nuk ishte e qëllimshme. “Në atë kohë u tha se ariu ishte në modë. Unë e hoqa ariun dhe vendosa një derrkuc, duke thënë se nuk ka rëndësi se cilën kafshë do të merrja e do ta vendosja si personazh në libër, por ideja që do të përcillja. Emri Çufo, doli si imitim i sirenës së trenit e cila ia bënte çuf-çuf”, kujton Bushaka. Që momentin që libri doli në treg e deri sot kur po arrin të 70-t, Çufoja është një personazh që identifikohet me të. Të gjithë e njohin Çufon, e nëse personazhe të tjerë pas viteve ‘90 patën fatin të humbin për shkak të botimeve të reja nga bota, Çufoja duket se do të mbetet gjithnjë me fatin e tij, me humorin që e bën të jetë në duart e çdo fëmije. “Më vjen mirë kur dëgjoj nëna që i thërrasin me përkëdheli fëmijëve të tyre Çufo. Ndihem mirë që ky personazh është pranuar dhe nga prindërit, pasi nëse një libër nuk u pëlqen prindërve, ai është i destinuar të humbë”, thotë shkrimtari. Dhe me Çufon prindërit janë treguar dorëlëshuar me fëmijët. Që prej botimit të tij të parë në 1970-n e deri më sot libri me 5 vëllime i Çufos ka shkuar në 300 mijë kopje. Libri ka fituar çmimin e Republikës dhe është libri i parë në gjuhën shqipe që është bërë pjesë e Bibliotekës Botërore për Fëmijë. Bushaka kujton se është ftuar të marrë pjesë në Kongresin që mban kjo bibliotekë, por për shkak të mungesës së financimit nuk ka shkuar. Në shtëpi ruan letrën e shkruar me superlativa të shkruar nga presidentja e Bibliotekës, ku e cilëson Çufon si një personazh të rrallë. Çufoja është botuar në disa gjuhë të huaja, në gjermanisht nga Robert Shvarc, greqisht, frëngjisht e tashmë është përkthyer në anglisht e pritet së shpejti të dalë në treg. Por si mundi Çufoja, ky personazh me kaq shumë fantazi t’u shpëtonte kritikave të kohës?

Bushaka e kujton me humor atë kohë. “Në atë periudhë punoja në një zyrë bashkë me Bashkim Shehun dhe Bujar Kapexhiun. Bashkimi mori një dorëshkrim të librit dhe ia dha të atit (Mehmet Shehut) ta lexonte. Mehmet Shehu i thotë një prej komisionerëve që do të vendosnin për fatin e librit. “Kam lexuar një Gaqo Bushaka e dini që më bëri të qesh libri i tij”. Kjo e qeshur do të vuloste dhe fatin e Çufos për të mbërritur në duart e lexuesit për të mbetur aty vite me radhë. Më pas libri u vlerësua dhe me çmimin e Republikës, çka konfirmoi vlerat e tij. Bushaka mund të flasë gjatë për Çufon dhe pse këto vite ka shkruar kaq e kaq libra të tjerë, përfshirë këtu dhe romane për të rritur. Por Çufoja do të mbetet pika e tij e dobët, si personazhi që i doli nga zemra për t’u dashur nga çdo fëmijë që do ta takonte. Bushaka thotë se nuk mund të rrijë pa shkruar. Këto kohë ka përfunduar dy romane të tjera për fëmijë “Aventura në pyllin e majmunëve” dhe “Dhe thonë se fajin e kanë përrallat” që pritet të dalin së shpejti në treg. Po kështu, një libër me ilustrime, me përralla dhe vjersha për fëmijët që përfundojnë abetaren. Si një i dashuruar me gjuhën, Bushaka thotë se e ka shkruar këtë libër për të ndihmuar nxënësit e klasës së parë me gjuhën shqipe. Por, si e sheh ai letërsinë shqipe sot? “Sot letërsinë shqipe e shoh në dy aspekte. Në aspektin e brendshëm të punës së autorëve që militojnë sot. Nuk ka autorë të rinj që merren me letërsi për fëmijë. Kjo ndoshta ndodh dhe për mundësitë që u jepen këtyre autorëve. Unë kam botuar pas vitit 1990 e deri më sot disa libra që kanë pasur sukses, po kështu autorë të tjerë si Viktor Cenosinaj, Odise Grillo, Ferid Lamaj etj., dhe nuk kam dëgjuar që ata të vlerësohen me ndonjë çmim. Madje juria ka arritur deri aty sa ka thënë se nuk ka pasur libra të denjë nga kjo letërsi për çmim. Ndërkohë, ka fituar letërsia për të rritur. Me këtë rast e përligj një artikull të zemëruar të shkrimtares Adelina Mamaqi. Ndërkohë, në librat për të rritur që kanë fituar çmime, unë kam parë se niveli i tyre nuk ka qenë në nivelin që mund të kenë pasur librat për fëmijë”, thotë Bushaka. Vlerësimi i kësaj letërsie, do të inkurajonte jo vetëm autorët tashmë të konfirmuar në këtë fushë, por edhe të rinjtë për të krijuar personazhe dhe histori të tjera interesante për fëmijë.

 

Çufoja president

Pas viteve ‘90 Bushaka iu rikthye sërish aventurave të personazhit të tij, Çufo. Ai vendosi ta bënte Çufon President, duke e sjellë në një vëllim tjetër i cili nuk ishte gjë tjetër veçse një  udhëtim imagjinar në realitetin e ditëve të sotme. Një derrkuc që kandidon për postin e presidentit, rruga dhe vështirësitë që has nuk kanë të krahasuar me ato të një kandidati të vërtetë. “Çufo President” dhe është një udhëtim imagjinar në realitetin e ditëve të sotme. Një derrkuc që kandidon për postin e Presidentit, rruga dhe vështirësitë që has nuk kanë të krahasuar me ato të një kandidati të vërtetë. Simboli i shpirtit të lirë dhe aventurier që e jetonte jetën si t’i vinte, gjithmonë gjen një zgjidhje për problemet, shpesh qesharake, por që asnjëherë nuk e linin pa gjë. Qëllimi i një letërsie si kjo e Bushakës është paraqitja e së përditshmes në të vetmen mënyrë që fëmijët kuptojnë, nëpërmjet humorit dhe situatave komike. Ai u sjell fëmijëve gjëra që atë vetë nuk mund t’i bëjnë dot, “gjërat e të mëdhenjve”.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>