Mario Vargas Llosa fiton Nobelin në letërsi

0
437

Mario Vargas Llosa (foto)“Kur ma thanë, fillimisht mendova se qe shaka”, – thotë shkrimtari.

Shkrimtari peruan Mario Vargas Llosa, një nga më të njohurit e botës spanjishtfolëse sot, u shpall fitues i çmimit Nobel për letërsi për vitin 2010. Akademia Suedeze përshëndeti “kartografinë e strukturave të pushtetit” dhe “imazhet e fuqishme të rezistencës individuake, revoltës dhe disfatës,” në motivacionin e dhënies së çmimit. Llosa, 74 vjeç, është autor i më shumë se 30 romaneve, dramave dhe eseve.

Ai është shkrimtari i parë Amerikano-Jugor që fiton Nobelin që nga viti 1982, kur çmimi iu akordua kolumbianit Gabriel Garcia Marquez. Gjatë gjashtë viteve të fundit, çmimi Nobel iu akordua pesë europianëve dhe një turku, gjë që e vuri Akademinë Suedeze nën akuza për Euro-centrizëm. Nobeli shoqërohet me një pagesë monetare për autorin fitues prej 10 milionë kronor (afërsisht 1.1 milionë euro).

Peter Englund, i Akademisë Suedeze tha se Vargas Llosa është “një rrëfimtar me prirje hyjnore,” shkrimet e të cilit e kanë tronditur lexuesin.

Surprizë

Englund shtoi se shkrimtari gjendej në Nju Jork ku aktualisht jep leksione në Universitetin Princeton, dhe u njoftua përmes telefonit për vendimin. “Ai qe shumë i lumtur,” tha Englund.

Llosa i tha Radios Kombëtare Spanjolle se fillimisht kishte menduar se dikush po bënte shaka, kur mori njoftimin. “Jam shumë i habitur, nuk e prisja. Emri im as nuk është përmendur si kandidat që prej shumë vitesh. Qe krejtësisht e papritur.”

Shtepia e gjelber, Mario Vargas Llosa

Në herët, shkrimtari ka deklruar për shërbimin e BBC në Amerikën Latine se “një shkrimtar nuk duhet të mendojë për çmimin Nobel pasi nuk i bën mirë për krijimtarinë e vet letrare”.

I lindur në Arequipa, Vargas Llosa mori nënshtetësinë spanjolle në vitin 1993 – tre vjet pasi kandidoi pa sukses për postin e presidentit të Perusë. Veprat e tij janë përkthyer në 31 gjuhë, përfshirë edhe gjuhën shqipe.

Ai fitoi famë ndërkombëtare në vitet ’60 me romanin Koha e Heroit, roman që u ndërtua mbi eksperiencën e vetë autorit në akademinë ushtarake të Perusë. Romani u konsiderua si i debatueshëm në Peru dhe 1 mijë kopje u dogjën publikisht nga oficerët e akademisë.

Shtëpia e Gjelbër

Shtëpia e Gjelbër është romani i dytë i Mario Vargas Llosa dhe është botuar në shqip në vitin 2004, i përkthyer nga Nasi Lera. Romani i përket gjinisë së Realizmit Magjik.