nga Admin

21 Maj, 2016

salla te Akademia e shkencave (5)Akademia e Shkencave reagon ndaj fjalorit të Akademisë së Shkencave të Malit të Zi

“Malësorët janë albanizuar”, manipulim i historisë

“Malësorët janë albanizuar” – pohim i shkruar kështu si një e dhënë që u ditka!!! E që, i shtjelluar, do të thotë pa mëdyshje se Malësorët tanë në Mal të Zi, nuk ishin shqiptarë, por janë shqiptarizuar më vonë, prandaj sot folkan shqip!!”, shkruan gjuhëtarja Ledi Shamku.

Ledi ShmakuAkademia e Shkencave të Shqipërisë ka reaguar përmes një njoftimi mbi polemikat e ngritura mbi fjalorin e botuar së fundmi nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi. Zëdhënësit e këtij shqetësimi, sipas të cilëve në fjalor shqiptarët janë agresorë dhe okupatorë, i janë drejtuar edhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke kërkuar prej saj të shprehë qëndrimin e vet. “Megjithëse Akademia e Shkencave e Shqipërisë ende nuk e ka në duar fjalorin, për të gjykuar me qetësi dhe arsye, mund të pohojmë fillimisht se në zërat e cituar në asnjë rast nuk janë përdorur për shqiptarët përcaktimet agresorë dhe okupatorë. Po ashtu, në asnjë prej zërave të cituar nuk bëhet fjalë për albanizim të banorëve të Ulqinit, Tivarit, Krajës, Plavës, Gucisë, Ljarjes, Briskut e Shestanit, siç është pohuar. Polemika ka marrë shkas prej zërit albanizacija, albanizim, që shenjon proces dhe jo përcaktim etnik. Ndërsa emërtimi malësorë, sikurse dihet, nuk është ndonjë shpikje e këtij Fjalori, sepse ekziston si i tillë te vetë shqiptarët (Àtë Gjergj Fishta: Bini lekë, bini malcorë)”, thuhet në qëndrimin e ASHSH-së. Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka kërkuar të njihet me këtë botim të ri të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, që ende nuk është e qartë në është një fjalor enciklopedik apo thjesht gjuhësor”. Ajo ka kërkuar të njihet me tërë përmbajtjen e këtij botimi dhe, duke pasur një pamje të qartë e tërësore të mënyrës së paraqitjes së shqiptarëve, si dhe duke iu referuar një përkthimi profesional, do të shprehet me qëndrimin e saj. Është rasti të kujtojmë këtu se në fushë të shkencave çështjet nuk zgjidhen me retorikë dhe me flamur shpëtimtari, por në mënyrë adekuate. Pikërisht për këtë arsye kujtojmë me vlerësim se ishte një arritje e rëndësishme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, u arrit botimi maqedonisht i Historisë së Shqipërisë, me autor akademikun e ndjerë Kristo Frashëri, botim që zgjidhi përfundimisht polemikat e gjata në lidhje me Enciklopedinë e Maqedonisë”, thuhet në njoftim. Por gjuhëtarja Ledi Shamku vazhdon të mbajë qëndrime të prera për sa i përket fjalorit, duke kërkuar që ai të tërhiqet nga libraritë, duke i quajtur institucionet tona akademike si të verbuara. “Sa më shumë i shoh përkufizimet e këtij palo-fjalori, aq më fort shquaj në të shtrembërime e argumente në kurrizin tonë. Dhe nuk kuptoj si nuk kuptojnë ata që duhet të reagojnë (madje të reagonin!) të parët…Vëreni shpjegimin e “albanizirati”: do të thotë se edhe pse malësorët (malisori) janë albanizuar, e folura e tyre dallohet shumë nga standardi i gjuhës shqipe. Ky përkufizim ka dy tehe brenda, që edhe qorri i sheh! Kjo fjali ka dy pjesë: Pjesa e parë: Pohimi “malësorët janë albanizuar” – pohim i shkruar kështu si një e dhënë që u ditka!!! E që, i shtjelluar, don të thotë pa mëdyshje se Malsorët tanë në Mal të Zi, nuk ishin shqiptarë, por janë shqiptarizuar më vonë, prandaj sot folkan shqip!!! E çfarë i bie të kenë qenë?! Sigurisht sllavë sipas tinëzisë së CANU-t. Pra “malisori” shqiptarë në trojet e veta të mbetura jashtë kufijve pas copëtimit të Shqipërisë, për këtë palo-fjalor nuk kanë qenë shqiptarë por janë shqiptarizuar me “albanizacija” më pas!!! Çka don të thotë sipas CANU-t se ato viset tona, sot masivisht të shpopulluara përdhunshëm, por që shtrihen deri ne perimetrin e Podgoricës e rrjedhën e Bunës, e që janë kryesisht malësorë, shkrelas, kelmendas dhe hotiane, gjithë ato kullota dimërore, gjithë rruga nga Ulqini ne Tivar në shpatin matanë Taraboshit dhe Krajës e deri në Tivar të vjetër, sipas Akademisë nuk paskan qenë kurrë tonat, por të banuara nga Malësorë joshqiptarë (nënkupto sllavë), të shqiptarizuar më vonë!!! Çfarë ligësie e çfarë shëmtie!!! Dhe meqë “verbum volant, scripta manent”, akademikët e dinë fort mirë se pas 200 a më shumë vjetësh, bota mund t’u referohet shkrimeve, pasi këto fjalët tona të jenë tretë nën dhè bashkë me ne që i thamë, e pasi asimilimi ynë gjuhësor në ato vise të ketë viju të bëjë punën e vet (edhe sajë moskokëçarjes sonë si shtet amë!). Akademikët e CANU-t e dinë prestigjin e dokumenteve të shkruara, këta tanët s’duan ta dinë. E kështu pra, meqë Malësorët qenkan shqiptarizuar teevona, viset e tyre s’kanë qenë kurrë të tyret! Oooooo mjerë shprehja “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca” (“dëgjova një zë të thërriste në mal në gjuhën shqipe”), e cila dokumentohet pikërisht në ato vise në korrik 1285!!! Mjerë shprehja e mjerë akademikët tanë, që e kanë recitu kaq shpesh këtë shprehje nëpër kumtesat e veta, por kësaj radhe nuk po ju kujtuaka!!!! Mjerë ne për ju e ju për vedi!!! Pjesa e dytë e këtij pohimi është po kaq marroqe dhe e pabazë: megjithëse këta malësorë qenkan shqiptarizuar, e folura e tyre dallohet shumë nga standardi i gjuhës shqipe. A njimend ky qenka ARGUMENTI?! Për shkak se e folmja e tyne qenka e ndryshme nga gjuha e sotme standard, qenka edhe kjo një provë se malsorët tanë s’kanë lidhje me ne, pra me vetveten?! Thua standardi toskë vlejtka si argument për të shkombëtarizuar malësorët gegë?! As këtë s’e kupton Akademia, po iu dashka krejt fjalori?! Po mirë, nga Shkumbini e sipër, dhe krejt diasporat tona madje, dallojnë shumë nga standardi i sotëm. Po u hesht ndaj këtij argumenti tinëzar të helmët, zëre se i shkombëtarizuam gjithë ata që nuk flasin standardin akademik. I kuptoni përmasat e këtij përkufizimi tinëzar, a po flini të madhin gjumë të arsyes?!”, shkruan Shamku, duke kërkuar që ky fjalor të tërhiqet sa më parë nga tregu.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>