26 Qershor, 2019

Qyteti i Gjirokastrës është atipik. I ndërtuar me gur në një terren jashtëzakonisht të pjerrët, ai ofron pamje të shumta të mrekullueshme për shkak të këtij dizniveli. Në Gjirokastër prej guri nuk janë vetëm muret, materjali kryesor i ndërtimit në shumë qytete të mesjetës, por prej pllakash guri janë edhe çatitë.

Si i tillë, Gjirokastra u shpall qytet me rëndësi të veçantë në trashëgiminë botërore të njerëzimit në vitin 2005 dhe sot është një nga tre qendrat shqiptare në këtë listë. Dy të tjerat janë Berati dhe Butrinti.

Ismail Kadare ka zhvilluar disa romane mbresëlënëse me ngjarje të vendosura në qytetin e tij të lindjes, si Darka e Gabuar, por Kronikë në Gur është romani që shpreh shpirtin magjik të Gjirokastrës, përfshirë përshkrimin e personazheve të shumta të qytetit, manive të banorëve si dhe fatin e tyre gjatë një periudhe të dhunshme dhe plot të papritura si Lufta e Dytë Botërore, kur Gjirokastra dhe jugu i Shqipërisë u gjendën në vijën e frontit të Luftës Italo-Greke.

Kronikë në Gur është gjithashtu një nga romanet më të suksesshme të Kadaresë në gjuhë të huaja. Ai përshkruan një botë në të cilën njerëzit besojnë te magjia e zezë, gratë jetojnë deri në njëqind e pesëdhjetë vjeç dhe vajzat mbyten në pus nga familjet për shkak se kanë puthur një djalë.

Shkrimtari amerikan John Updike ka shkruar: “Jo vetëm një kuriozitet por një roman në tërësi magjepsës – i sofistikuar dhe i arrirë në prozën e vet poetike dhe  me shkathtësi narative, ndërkohë që është i ngjizur nga themelet e një prej shoqërive më primitive të Europës.”

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>