Louise Glück – Poetesha amerikane fitoi çmimin Nobel në vitin 2020 me motivacionin: “për zërin e saj të pagabueshëm poetik përmes bukurisë së rreptë të së cilit ajo bën universale ekzistencën individuale.”
Glück ka lindur në Nju Jork më 1943. Eksperiencat personale kanë qenë pika të rëndësishme referimi për poezinë e saj. Fëmijëria, jeta familjare, marrëdhëniet dhe vdekja janë tema që përsëriten në përmbledhjet e saj me poezi. Glück kërkon universalen. Mitet dhe motivet klasike gjenden në shumicën e poezisë së saj. Përveç mitologjisë klasike, tradita e pasur poetike e gjuhës angleze është burimi i saj kryesor i frymëzimit. Gjuha e Glück karakterizohet nga qartësia dhe saktësia dhe është e lirë nga formalitetet poetike; ajo shpesh përdor gjuhën e të folurit të përditshëm.