nga Admin

9 Nëntor, 2013

Në vitin e largët 1963, një ish i burgosur politik u lejua të publikojë një novelë të thjeshtë për një ditë në jetën e një të burgosuri në Gulag. Libri konsiderohet sot si pika e kthesës drejt rënies së Bashkimit Sovjetik

Dita e Solzhenicinit

Steve Rosenberg, BBC

Aleksandr SolzhenitsynNjë Ditë në Jetën e Ivan Denisoviç, romani klasik i Aleksandër Solzhenicinit u publikua afro pesëdhjetë e një vjet më parë. Një tregim i shkurtër dhe i thjeshtë mbi një të burgosur që po përpiqet të mbijetojë në Gulag – sistemi sovjetik i kampeve të punës – tashmë shihet si një nga librat më të rëndësishëm të shekullit të njëzetë.

Qe ende errësirë, megjithëse drita e jeshiltë po shkëlqente në lindje. Një puhi e hollë dhe hileqare po frynte nga i njëjti drejtim. Nuk ka çast më të keq sesa ai kur del për marshimin drejt punës në mëngjes. Në errësirë, të ftohtë ngrirës, me stomak të uritur dhe me të gjithë ditën përpara. Këtu humben fuqinë për të folur…

Në nëntor 1962, një tregim tronditi Bashkimin Sovjetik.

Aleksandër Solzhenicin përshkroi një ditë në jetën e një të burgosuri, Ivan Denisoviç Shukhov.

Personazhi qe imagjinar. Por qenë miliona si ai – qytetarë të pafajshëm, të cilët, si edhe vetë Solzhenicini, qenë dërguar në Gulag gjatë valës së terrorit të Jozef Stalinit.

Censura dhe frika pati ndaluar çdo informacion mbi të vërtetën se çfarë ndodhte në kampe, por kjo histori ia doli të shtypet. Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike nuk qe më kurrë i njëjtë pas botimit.

“Ne qemë absolutisht të izoluar nga informacioni dhe ai filloi të hapë sytë tona”, kujton shkrimtari dhe gazetari Vitali Korotiç.

Jeta nëpër kampe qe diçka e tillë “qe e pamundur edhe të mendoje për të”, thotë ai. “Unë lexova dhe rilexova librin dhe thjesht mendova se sa i guximshëm qe ai. Ne kishim shumë shkrimtarë, por nuk kishim pasur kurrë një shkrimtar të tillë me kurajë”.

3. Hekurudha e Siberise e ndertuar me pune te detyruar nga te burgosurit. I mori jeten mijera njerezve
Hekurudha e Siberise e ndertuar me pune te detyruar nga te burgosurit. I mori jeten mijera njerezve

Qe udhëheqësi sovjetik, Nikita Krushov, i cili urdhëroi publikimin e romanit të shkurtër të Solzhenicinit gati një dekadë pas vdekjes së Stalinit. Duke lejuar një libër mbi Gulagët, mendoi ai, puna për të rrëzuar kultin e personalitetit të Stalinit do të ndihmohet. Gjithsesi, kjo histori solli shumë më tepër se kaq.

“Pasi u publikua, qe i pamundur që të ndalohej”, rikujton Korotiç. Menjëherë filluan shumë publikime ilegale. Shumë njerëz që patën qenë nëpër burgje filluan të kujtojnë se çfarë kishte ndodhur.

“Nuk qe koha e kompjuterëve apo printerëve. Librat shtypeshin në letra cigaresh, qe mënyra e vetme për të prodhuar më shumë kopje. Dhe Bashkimi Sovjetik u shkatërrua nga informacioni, vetëm nga informacioni. Dhe ky shkatërrim filloi nga Një Ditë e Solzhenicinit”.

Sipas dosjes së tij, Shukhov qe dënuar për tradhti. Ai e pati pranuar fajin gjatë hetimeve – po, ai qe dorëzuar në mënyrë që të tradhtonte vendin e tij dhe u rikthye nga një kamp të burgosurish lufte me një mision për llogari të shërbimeve sekrete të Gjermanisë. Se çfarë qe ky mision, aq vetë Shukhov dhe as hetuesit e tij nuk e merrnin me mend. Ata e lanë me kaq – thjesht “një mision”. Çunat e kundërspiunazhit e patën rrahur deri në palcë për të nxjerrë informacion. Zgjidhja qe shumë e thjeshtë: mos firmos dhe vish një pallto druri, ose firmos dhe jeto pak më gjatë…

1. Tom Kurtenai (Tom Courtenay) interpretoi Ivan Denisovicin ne adaptimin ne film te romanit me 1970
1. Tom Kurtenai (Tom Courtenay) interpretoi Ivan Denisovicin ne adaptimin ne film te romanit me 1970

Komunistët e vijës së ashpër u përpoqën ta fusnin djallin prapa në shishe. Dhe Nikita Krushov u rrëzua, de-stalinizimi u ndalua e më 1974, Solzhenicini u arrestua dhe u përzu nga vendi.

Kjo nuk e shpëtoi Bashkimin Sovjetik. Dhe sapo BRSS u rrëzua duke u copëtuar, shkalla e plotë e krimeve të Stalinit u bë e njohur për botën.

Në periferi të Moskës, Anatoli Mordashev më tregon 13 varre masive që zgjaten për më shumë se 1 kilometër përgjatë një fushe. Ajo që ndodhi këtu në poligonin e qitjeve Butovo u mbajt sekret për më shumë se gjysmë shekulli.

Mes gushtit 1937 dhe tetorit 1938, 20,760 të burgosur u sollën në këtë vend dhe u ekzekutuan nga policia sekrete e Stalinit. Njerëzit që jetuan aty pranë morën me mend se të shtënat qenë thjesht pjesë e stërvitjeve të zakonshme.

Të vrarë këtu qenë fshatarë dhe punëtorë sovjetikë, shkencëtarë, sportistë, inxhinierë dhe punonjës zyrash. Ata qenë deklaruar armiq të popullit. Dhe kjo qe vetëm një nga shumë fushat e vrasjeve masive nëpër të gjithë Bashkimin Sovjetik të kohës së Stalinit.

vendi i ekzekutimeve ne Butovo, ku mijera humben jeten
vendi i ekzekutimeve ne Butovo, ku mijera humben jeten

Mordashev më thotë se tashmë Rusia e di të vërtetën, por nuk duhet të harrojë kurrë çfarë ndodhi. Pavarësisht kësaj Rusia sakaq ka filluar të harrojë.

Unë vizitoj një shkollë në Moskë për të folur me disa studentë 16-vjeçarë. Ata nuk kanë kaluar ende te pjesa e Stalinit në librat e historisë. Një Ditë në Jetën e Ivan Denisoviçit është pjesë e kurrikulës së shkollës, por vetëm tre nga të 21 nxënësit e kanë lexuar atë. Pra çfarë dinë ata mbi Stalinin?

“Unë nuk mund të them e pëlqej apo jo sepse nuk di shumë gjëra për të”, pranon një nxënës.

“Në kohën e Stalinit njerëzit qenë të sigurt se kur mbaronin universitetin mund të gjenin një punë dhe mund të jetonin”, thotë një tjetër. “Por sot njerëzit nuk janë fare të sigurt për këtë, ata nuk e dinë nëse do të mund të gjejnë punë apo jo”.

Një student i tretë më thotë: “Jam disi i sigurtë se Stalini me të vërtetë dëshironte ta bënte Bashkimin Sovjetik një vend të madh që kishte ndikim mbi çdokënd. Ai qe një figurë e madhe. Por ngjyra e personalitetit të tij është disi e errët”.

Në bashkëbisedimin tim me studentët, ndihet sikur ata po diskutojnë mbi një figurë të largët historike, të ndarë nga e tashmja nga shumë shekuj, – ndonjë udhëheqës si Oliver Kromuelli (Cromwell) apo Ivani i Tmerrshëm. Por Stalini vdiq vetëm 60 vjet më parë.

Sipas një vrojtimi të kohëve të fundit, 28 për qind e rusëve sot besojnë se Stalini pati një ndikim pozitiv mbi vendin e tyre. Vetëm 22 për qind mendojnë se ai qe negativ.

E veja e Solzhenicinit, Natalia Dmitrievna, akuzon udhëheqësit e Rusisë së kohës sonë, përfshirë Mikhail Gorbaçovin dhe Boris Jeltsinin si shkaktarë të dështimit të vendit në përballjen me të shkuarën.

“Ata nuk kryen asnjë lloj de-stalinizimi”, më thotë ajo mua. “Në nivel shtetëror, askush dhe asnjëherë nuk e deklaroi komunizmin një shtet kriminel apo Stalinin një tiran që bëri luftë kundër popullit të vet. Tashmë është shumë vonë për fjalë”, thotë ajo.

“E gjithë Europa Lindore pas rënies së Bashkimit Sovjetik u përpoq t’i japë fund të shkuarës komuniste të jetesës, në Poloni, në Gjermani, gjithkund”, rikujton Korotiç.

“Por jo këtu. Ne kishim nevojë për Nurembergun tonë, si në Gjermani. Por nuk e patëm kurrë. Dhe derisa ne të fillojmë të diskutojmë problemin e komunizmit në atë nivel që Solzhenicini e filloi 50 vjet më parë, ne sërish do të vijojmë të jetojmë në këtë vend gjysmësovjetik që dëshiron të jetë pjesë e njerëzimit, por është i frikësuar nga informacioni mbi historinë e vet”.

Gulagu

Emri vjen nga inicialet e institucionit të drejtoi kampet – Glavnoye upravleniye ispravityelno-trudovykh lagerey i koloniy (Drejtoria e Përgjithshme e Kampeve dhe Kolonive të Punës Riedukuese)

Vlerësohet se 14 milionë njerëz u burgosën këtu mes viteve 1929-53, 1.6 milionë nuk mbijetuan

Kampet filluan të mbyllen pas vdekjes së Stalinit më 1953, – Gulag u likuidua zyrtarisht më 1960

Aleksandër Solzhenicin 1918-2008

Shërbeu me lëvdata në Ushtrinë e Kuqe në Luftën e Dytë Botërore

U dënua me tetë vjet punë të detyrueshme më 1945 për shkak se shkroi komente kritike mbi Stalinin

Libra të tjerë të tij janë “Pavijoni i Kancerozëve” dhe “Arkipelagu Gulag” një vepër me tri volume me bazë reale

Fitoi çmimin Nobel në Letërsi më 1970

Atij iu hoq nënshtetësia sovjetike dhe u përzu nga vendi më 1974

Jetoi në SHBA deri më 1994, kur u kthye në Rusi

Në vitet e fundit fitoi famë edhe për mendimet e tij nacionaliste, shpesh johumane. Ai mbështeti në vitet e fundit të jetës Vladimir Putinin dhe u bë kritik i ndërhyrjeve amerikane në Bosnjë, Kosovë, Afganistan e Irak.

Solzhenicin dhe politika ruse e paskomunizmit

Solzhenicin dha shumë intervista pasi u kthye në Rusi dhe sipas mendimit të tij, sundimi i Putinit qe pozitiv në zhbërjen e dëmit që i qe shkaktuar vendit nga Gorbaçovi dhe Jeltsini. Sipas tij, nën sundimin e Putin kombi po rizbulon veten si komb rusësh, megjithëse shumë probleme mbeten, si varfëria dhe hendeku mes të pasurve dhe të varfërve.
Para se të vdiste. Solzhenicini foli me ambasadorin amerikan në Moskë, të cilit i tha se i pëlqente demokracia popullore në nivel bashkish e komunash siç bëhet në SHBA, por sipas tij, ndërtimi i një sistemi shumëpartiak në Rusi “nuk qe i rëndësishëm”.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>