nga Admin

2 Shkurt, 2015

Vera Bekteshi/ Vetëm një javë më parë, shkrimtarja prezantoi librin “Vila me dy porta” në gjuhën italiane. Një rrëfim për të shkuarën dhe të tashmen, të cilën ajo ka zgjedhur ta bëjë përmes librave… dhe kujtimet e një dite që do të ndryshojnë përgjithmonë fatin e Bekteshëve

Alda Bardhyli

Vera Bekteshi“Edhe liria pati peshën e saj të rëndë dhe ne u përpoqëm me të gjitha forcat ta përballonim. Nga mungesa totale e lirisë, ne e provuam shijen e saj, si i mbylluri në një bodrum pothuajse të errët, që del papritmas pa ndonjë paralajmërim në diellin verbonjës mesdhetar”. Me këto fjalë të romanit “Vila me dy porta” të shkrimtares Vera Bekteshi, gazetari dhe shkrimtari italian Alessandro Leogrande, nis shkrimin e tij për këtë libër në gazetën “Corriere Della Sera”. “Totalitarizmi shqiptar ka qenë më mizori, më i zymti, më terroristi i të gjitha regjimeve komuniste të Europës Lindore. E gjithë kjo ndodhte vetëm pak milje larg nga brigjet tona, e megjithatë, për vite me radhë, këtë izolim e ndoqëm me heshtje, me vëmendje të pakët, me shpërfillje. Për shumë dekada, mungesa e një dialogu serioz mes dy brigjeve të Adriatikut ka qenë pasojë edhe i mosvëmendjes”, shkruante ai, duke vazhduar pak më poshtë se “nuk ka tjetër rrugë për të kuptuar realisht se ç’do të thotë mungesa e lirisë, frika e spiunimit prej miqve dhe të njohurve, autocensura, terrori i sigurimit, trysnia e burokratëve. Veçanësia e diktaturës së Enver Hoxhës, në ndryshim me vendet e tjera të Lindjes, qëndron në faktin se gulagu, internimi, kulti i individit, shtypja e çfarëdo forme të “revizionizmit” vazhduan deri në fund të viteve tetëdhjetë, duke prodhuar një përjashtim irreal nga bota”. Të gjitha këto i kishte gjetur në romanin e Bekteshit, botuar së fundmi në gjuhën italiane. Vetëm një javë më parë, shkrimtarja ishte në Itali për të prezantuar librin. Një roman që mban brenda jo vetëm historinë e saj, por historinë e një Shqipërie të trazuar në një kohë fatale për të. E një Shqipërie që ata e kanë parë nga larg përtej Adriatikut, pa mundur të shohin tablonë më të trishtë të shekullit XIX që ndodhte në hapësirën e saj.

Keni pak ditë që jeni kthyer nga Italia, ku keni prezantuar librin tuaj të parë “Vila me dy porta” në italisht nga shtëpia botuese “Besa”. Si shkoi?

Si për herë të parë, mendoj se shkoi mirë. Mbase do të zgjatem pak me këtë pyetje edhe për të treguar një eksperiencë të huaj. Isha në merak të madh se ç’do t’u thosha lexuesve italianë, edhe për faktin se italishtja ime është një gjuhë e mësuar në mënyrë pragmatike. Po ata më ndihmuan me qëndrimin, pyetjet apo heshtjen e tyre, madje edhe me lotët e tyre. Kisha paraprakisht një mbështetje të madhe nga botimi në “Corriere della Sera” të një recense për librin nga Alessandro Leogrande, gazetar dhe shkrimtar i njohur, pikërisht një ditë para promovimit. Prezantimi i parë u mbajt në librarinë Feltrineli në Leçe më 11 dhjetor. Ishin të ftuar miq e të njohur, por edhe të tjerë të tërhequr ndoshta nga anunçimi i bërë për ditë me radhë nga shtëpia botuese “Besa”. Thjesht, por i organizuar mirë. Në sallën e prezantimit ishin të ftuarit, në sallën e leximit poshtë transmetohej me zë. Debatin për librin e drejtoi shkrimtarja dhe redaktorja e shtëpisë botuese Luisa Ruggio. Qe një prezantim prekës për mua, por edhe për publikun. Një profesor, sociolog, s’më kujtohet emri i tij për fat të keq, theksoi po atë fakt që e shpreh edhe Leogrande në artikull se “’Vila’ është një roman autobiografik që ndihmon për të kuptuar përsenë e arratisjes së 20 mijë shqiptarëve në vaporin ‘Vlora’. N’atë kohë vëmendja u përqendrua në pushtetin tërheqës të shoqërisë italiane dhe të televizioneve të saj; shumë më pak në errësirën e ‘nëndheshme’ në të cilën një popull i tërë ishte mbyllur për disa dhjetëravjeçarë”. Gazetat lokale po ashtu e pasqyruan këtë prezantim. Në datën 14 dhjetor u bë prezantimi në panairin “Citta del libro 2014” në qendrën e panaireve në Campi Salentina të Leçes. Në fakt, unë dhe shkrimtarë nga Ballkani ishim të ftuar nga organizatorët e panairit ku u zhvilluan aktivitete në datat 11-14 të dhjetorit të shkuar. Në prezantimin e dytë ishin dy debatues, Luisa Rugio dhe Mimo Rampin, avokat, dhe e pata më të vështirë se sa në të parin. Ajo që binte në sy ishte një padije lidhur me periudhën tonë të diktaturës dhe mendimi i përgjithshëm, që kishte brenda një lloj ndjese, qe se: E gjithë kjo ka ndodhur vetëm pak milje larg nga brigjet tona, e megjithatë ne, për vite me radhë, këtë izolim e ndoqëm me heshtje, me vëmendje të pakët, me shpërfillje. Për shumë dekada, mungesa e një dialogu serioz mes dy brigjeve të Adriatikut ka qenë pasojë edhe e mosvëmendjes sonë.

Librat tuaj duken një lloj autobiografie. Rikthimi tek e shkuara duket sikur vazhdon të nxjerrë histori të patreguara. Në fakt çfarë është e shkuara për Verën?

Libri i parë për të cilin po flasim është roman autobiografik, domethënë i tëri autobiografi e imja dhe familjes sime. Libri im i dytë “Një det i moçëm” mund të ketë aty-këtu ndonjë element të tillë po s’ka të bëjë më me biografinë time. Nga 20 tregime shumica ka të bëjë me vitet pas ’90-s, përgjithësisht me problemet e tranzicionit dhe ngjarjet e mëdha që ndodhën tek ne. Aty gjen futjen në ambasada në 1990, vaporin “Vlora” duke u mbushur me shqiptarë para se të nisej për brigjet e Puglias në 1991, ke zullumet e 1997-s te “Pranverë e ndalun”, ke vrasjet e 11 janarit në një tregim grotesk, ku gjenerali lutet të dënohet për atë që bëri (e kundërta e së vërtetës) e plot ngjarje të përditshme qesharake apo të dhimbshme që ne po provojmë që prej 24 vjetësh. E shkuara, për mua, si për çdo njeri, është burim kujtimesh të mira e të liga pa të cilat nuk bëjmë dot. E dini se ç’thotë Pascal Quignard në esenë e tij HIJE QË ENDEN lidhur me të kaluarën? Problemi i çdo kohe është gjithnjë: Çfarë mund të përsëritet nga e kaluara në ditët e sotme?!

Duke u ndalur tek e shkuara, le të kthehemi pas në kohë…Çfarë gjeni kur ktheheni në kohë?

Gjej ngjarje pafund. Së pari më kujtohet fëmijëria ime e bukur dhe ajo e tim biri e trishtuar, e dhimbshme. Kujtoj shkollën. Në fakt, për shkollën kam kujtimet më të bukura, sepse kam qenë e gëzuar në shkollë. Kujtoj gjimnazin “Petro Nini” ku kishte aq mësues dhe nxënës të mrekullueshëm, kujtoj shoqet dhe shokët e mi prej të cilëve disa, ndoshta më të mirët nuk janë më, si Vladimir Shehu, Serxho Kajana, Vladimir Suljoti, Etleva Pepo, dhe sot u nda nga ne Tamara Gjoka Eftimi, një pedagoge, arkitekte, mike, nënë dhe grua e rrallë. E kujtoj shkollën, sepse të mësuarit më ka tërhequr gjithnjë sa që edhe sot përpiqem çdo ditë për një gjë të re edhe për faktin se punoj me 30-vjeçarë dhe s’dua të mbetem pas tyre. Mbase ky është një nga sekretet e jetës. Për këtë e kujtoj aq shpesh Fakultetin e Shkencave që më ka dhënë aq shumë, midis të tjerash dhe një miqësi të përjetshme me shokët e shoqet e kursit, si dhe me pedagogët tanë. Kujtoj ndonjë lidhje të shkurtër, sepse ato të gjatat gjithnjë përfundojnë jo aq mirë, kujtoj aksionet ku lodheshim aq shumë, po qeshnim edhe më shumë, zboret me gjithë rregullat e tyre të ngurta, kujtoj lindjen e djalit, punën në Institutin Hidrometeorologjik dhe atë në Fakultetin e Shkencave apo atë më pas në F.SH.ZH. Udhëtimet brenda apo jashtë shtetit i kujtoj shpesh, por mbi të gjitha miqësitë e vjetra dhe të mëvonshme që i ruaj me fanatizëm.

Shumë njerëz vazhdojnë t’ju kujtojnë si vajzën e bukur të Tiranës së rinisë suaj… Si ishte jeta në bllokun e asaj kohe?

Nuk e di si më kujtojnë, por me siguri nuk më kujtojnë vetëm si të bukur. Do doja të më kujtonin si një vajzë e emancipuar, e lirë, dashamirëse, ndoshta e zgjuar, dhe mbi të gjitha me dinjitet, kjo e fundit bile më duket më e rëndësishmja. A e keni menduar ndonjëherë se sa njerëz me dinjitet njihni? Unë nganjëherë e fal ligësinë e kryer në kushte dinjiteti! Jeta në bllok? Nuk më duket se përbën ndonjë interes të veçantë për publikun kjo gjë dhe pasi kam dhënë ndonjëherë ndonjë shpjegim të vogël, tashmë e quaj pavlerë të shprehem më tej.

Arrestimin e babait, e kujtoni? Çfarë ndryshoi tek jeta juaj?

Arrestimin e babait e kujtoj sikur të ketë ndodhur dje. Ishte një ditë shtatori dhe e kam përshkruar me hollësi tek “Vila”. Tronditja qe aq e madhe, sa për një muaj s’më pushoi hemorragjia dhe u dobësova aq shumë, saqë nuk shihesha me sy. Gjithë familja u mbyll brenda për tri ditë gjatë të cilave nuk blemë asnjë ushqim, as bukë. Pas një viti, na lejuan për të komunikuar me letra, por për ta parë, u lejova pas shtatë vjetësh, vetëm atëherë kur erdhi për vizitë kryetari i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, Perez dë Quelari në Shqipëri.

Përballja me internimin duhet të ketë qenë e trishtë…si ia dolët?

Nuk qe e trishtë, ishte pak a shumë e tmerrshme, sepse ishe krejtësisht pa shpresë, por çdo gjë kalohet nëse i vë vetes qëllim të mos dorëzohesh. E gjitha kjo gjë dhe çdo tjetër e ngjashme me të kalohen nëse zgjedh të mos humbësh dinjitetin çfarëdo që të ndodhë dhe çfarëdo që të kërkohet. Gjithë puna është të mos thyhesh, sidomos fillimi është i rëndësishëm, rrugës mëson dhe kalitesh. Këtë gjë e kam shprehur disa herë dhe është edhe një nga pyetjet që m’u bë nga publiku italian. Prandaj unë i vë aq rëndësi këtij tipari njerëzor sepse më ka ndihmuar më shumë se sa dëmtuar.

E provokoi kjo lloj jete të shkruarën. Apo ishte gjithnjë në mendjen tuaj?

Mendoj se janë të dyja, por mbasi kjo ka ndodhur, dua të them internimi, kjo më jep mundësinë që këto lloj temash të rëndësishme të së kaluarës të kem mundësi t’i shkruaj mirë pasi i kam provuar në lëkurë.

Ka një tendencë tani për të shkruar për komunizmin. Plot libra me kujtime…i keni lexuar? Ç’mendoni? Mendoni se po abuzohet me kujtimet e asaj periudhe?

Lidhur me dëshmitë e të dënuarve, kam përshtypjen se jo vetëm që tregu nuk u tejmbush, por në të vërtetë ka një boshllëk të madh, sidomos në shkrim librash. Nëse vuajtësit janë me dhjetëra mijëra, shkrimet janë me një ose dy dhjetëshe. Kam lexuar disa prej tyre dhe më janë dukur me shumë vlerë, ndërkohë që ka edhe dëshmi nga persekutorët apo lakenjtë e tyre. Këto lloj librash nuk më duken se i pëlqejnë kujt, përveç kastës së tyre apo ndonjë të indoktrinuari të pashëruar ende. Mendoj se nuk përbëjnë ndonjë vlerë, e para se s’janë aspak të sinqertë, e dyta në vend që të kenë një “mea culpa” sado të vogël, aty gjen lloj-lloj sofizmash për të justifikuar bëmat. Pastaj është edhe pjesa tjetër e vuajtësve që do të rezultojë nga hapja e dosjeve. Këto plagë do ngacmohen sërish dhe ndoshta do jenë “kallximtarët” që do flasin apo shkruajnë. Do thonë edhe ata vuajtjet e tyre se si janë detyruar të firmosin e të kallëzojnë miqtë e tyre, apo ndoshta dhe familjarët. Kjo më duket një gjë interesante për t’u ditur dhe për të ndihmuar shoqërinë të çlirohet disi. Keni parasysh filmin rus “Të djegur nga dielli” që është i bazuar mbi një libër? Spiuni që çoi në vdekje ish të dashurën dhe të shoqin e saj, pret damarët pasi kryen misionin. A kemi pasur ne të tillë? Me siguri, po askush nuk i di. E shkuara e hidhur që ka marrë apo dëmtuar shumë jetë njerëzore, prandaj duhet shkruar e rishkruar, sepse harrohet dhe zë vend përsëri në forma të tjera edhe më të sofistikuara. Kam ndjekur përvjetorin e Holokaustit në televizionet italiane dhe çdo vit ata japin për një javë të tërë emisione, filma, kujtime nga dëshmitarë të ndryshëm. Dhe mos harroni që hebrenjtë në Itali janë një pakicë. Po ne që kemi një popull të tërë të prekur direkt apo indirekt nga kjo diktaturë, pse duhet të stepemi? Mendoj se kemi shumë për të bërë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>