nga Admin

26 Qershor, 2015

Mihal Luharasi: “Roli mesianik i shqipes” Petro Zheji

Ledi Shamku: “Ndërgjegjja e Zenos” Italo Zvevo

Aleksandër Meksi: “Prralla Kombëtare“, At Donat Kurti; “Proverba”, Sotir Kolea; “Ushtari i mirë Shvejk“, Jaroslav Hashek

Albatros Rexhaj: “Platforma“, Michel Houbellebecq

Ilir Kerni: “Mëngjese në kafe Rostand“, Ismail Kadare; “Rrugët e Lirisë, Mosha e arsyes“, Jean – Paul Sartre

Laert Vasili: “Kain dhe Abel” Jeffrey Archer; “Klounët që sollën lot”, Johannes Mario Simmel

Mirush Kabashi: “Gruaja në pasqyrë“, Eric – Emmanuel Schmitt; “Odiseja nga Bagdadi“, Eric – Emmanuel Schmitt

 

Librat që duhet të merrni me vete në çantën e pushimeve, sipas Aleksandër Meksit, Mihal Luharasit, Ilir Kernit, Ledi Shamkut, Rudina Xhungës, Mirush Kabashi, Laert Vasilit dhe Albatros Rexhajt

leximet e veres (1)Është si një kthim në kohët e fëmijërisë shfletimi i librit “Prralla Kombëtare” për ish-kryeministrin Aleksandër Meksi. Një libër që qëndron bri librave të tjerë në Bibliotekën e madhe që ka zënë gjithë faqet e murit në zyrën ku kalon orët e punës.

At Donat Kurti i mblodhi përrallat prej gojës së popullit, me një punë këmbëngulëse i bindur se këto rrëfenja kaq domethënëse nuk duheshin humbur. Ati, që kishte kaluar rininë duke ecur rrugëve të Romës (pasi studioi atje ku mori dhe titullin “Doktor i shkencave”), pëlqente të mbante shënime për çdo histori që linte gjurmë tek ai. Me një jetë të trishtuar, pasi regjimi komunist e dënoi me vdekje e më pas me burgim të përjetshëm, ai mund të quhet sot “Anderseni” shqiptar. Gjithë jetën e tij pas lirimit nga burgu ia kushtoi mbledhjes së rrëfenjave që françeskanët do t’i botonin pas vdekjes së tij në dy vëllime. Leximi i këtyre rrëfenjave për Meksin është i rëndësishëm në çdo kohë. Pasi përrallat kanë aftësinë e magjishme të ndërgjegjësimit. Vetëm duke lexuar ato mund të kuptosh më së miri shpirtin e këtij vendi. Një tjetër libër që Meksi e veçon mes dhjetëra librash që kalojnë çdo ditë në duart e tij është ai me aforizma i Sotir Kolesë.

Aforizmat, ashtu si përrallat, kanë një rol edukues tepër të nevojshme për shoqërinë tonë. Borghesi vazhdon të mbetet një poet i dashur për të, një autor që lexohet në çdo kohë dhe ka atë aftësinë për të depërtuar në shqisa. Një libër me biseda me Borghesin është një tjetër vepër që ai e rekomandon mes librave që i shërbejnë një shoqërie të shëndoshë, që mund të lexohen pse jo në këto ditë vere.

Shvejku, ky personazh kaq frymëzues për shqiptarët, vazhdon të mbetet një libër që nuk duhet humbur, por që mund t’i rikthehesh edhe në këto ditë vere, për të kuptuar thelbin e jetës. Hashek e krijoi Shvejkun, duke i vënë emrin e një deputeti çek, i njohur për gomarllëqet që nxirrte nga goja, por që duket që kaq vite më pas ky personazh vazhdon të ngjasojë me personazhe të politikës. Humori i këtij libri ka të vërteta brenda, që pavarësisht kohës kur është shkruar, i flasin realitetit të sotëm.

Gazetarja Rudina Xhunga, e lidhur me librin, thotë se ka bërë gati një çantë me libra të verdhë në italisht për t’i lexuar këtë verë. Librat e ndaluar, apo librat me detektivë apo policeskë vazhdojnë të jenë libra që lexohen me ëndje për vetë të vërtetat historike që mbartin mes rreshtash. Një sagë e tillë librash është dhe ajo shkrimtarit anglez Jason Goodwin, ku personazh kryesor është detektivi Jashim, që gjendet në të gjitha libraritë në gjuhën shqipe.

Regjisori Mihal Luharasi sugjeron për të lexuar librin e fundit të përkthyesit Petro Zheji, një libër monumental për gjuhën shqipe “Roli mesianik i shqipes”.

Gjuhëtarja dhe deputetja Ledi Shamku, zgjedh “Ndërgjegjen e Zenos” si librin që shqiptarët duhet të lexojnë këtë verë. “Kemi nevojë të shohim thellë në ndërgjegjen tonë, dhe ky libër na tregon rrugën për tek ndërgjegjja”, thotë ajo.

Për drejtorin e Teatrit të Operës dhe Baletit, Ilir Kerni, “Mëngjese në kafe Rostand” është një libër që nuk duhet humbur. Me stilin e një mjeshtri, Ismail Kadare ka sjellë një rrëfim që ta bën më ndjellës Parisin, por dhe të njeh me formën më të lartë të një esteistike. Një tjetër rekomandim i Kernit, është filozofi dhe shkrimtari i njohur francez Sartri me romanin “Rrugët e lirisë, mosha e arsyes” përkthyer në shqip nga Diana Çuli.

Për Kernin, Sartri mbetet një nga figurat më të rëndësishme të shekullit XX, i cili me librat që ka lënë pas, i ka bërë një autopsi mendjes njerëzore.

Aktori Laert Vasili zgjedh librin e shkrimtarit britanik Jeffrey Archer “Kaini dhe Abeli”. Me një titull të huazuar nga Bibla Archer sjell një dramë njerëzore përmes jetës së dy djemve që lindin në dy skaje të ndryshme të botës. “Klounët që sollën lot” nga Johannes Mario Simmel është një tjetër libër që Vasili rekomandon. Simmel përshkruan me saktësi dhe vërtetësi në këtë libër për ata që kanë kohë që përgatiten në botë për kërkimin e së nesërmes, e cila në çdo moment mund të bëhet realitet i tmerrshëm dhe për të cilën vetëm një grusht njerëzish mund të jenë në dijeni. Përmes historisë së Normës, dhe biokimistit polak Jan Varski, jepet një botë e mbushur me sekrete dhe që tregon mbi hulumtimet e reja të shkencës.

Shkrimtari nga Kosova Albatros Rexhaj rekomandon një libër që vazhdon të ngjallë debate në vende të ndryshme ku është përkthyer – “Platforma” e Michel Houbellebecq. “‘Platforma’ nuk është një ese mbi turizmin seksual. Është një roman i shkëlqyer mbi çështjen e përhershme të marrëdhënieve të komplikuara mes burrave e grave, mbi keqkuptimet e përjetshme, të mohuara një ditë nga një takim autentik, një lloj mrekullie, një revolucion intim”, shkruan për këtë libër Le Monde des Livres.

Aktori Mirush Kabashi zgjedh dy libra të autorit Eric – Emmanuel Schmitt, si libra që nuk duhen humbur “Gruaja në pasqyrë” dhe “Odiseja nga Bagdadi”. “Gruaja në pasqyrë” është historia e tri grave që jetojnë në tri epoka të ndryshme. Të ndodhura në çaste kthesash të rëndësishme të jetës së tyre, ato kuptojnë se janë dhe ndihen ndryshe nga bashkëkohëset. Ana, Hana dhe Ani janë tre personazhet qendrore të këtij romani, të cilat, mjeshtëria e autorit, i lidh me një fije fati të përbashkët në kërkim të shtegut për t’i shpëtuar vetë imazhit që u ofron pasqyra e epokës në të cilën jetojnë. Ndërsa “Odiseja nga Bagdadi” është një odise bashkëkohore e përshkruar me tone pesimiste, pavarësisht fundit që të le një shije shprese.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>