1 Shkurt, 2023

Disa libra interesantë dolën nga botimi gjatë muajit janar 2023. Kjo është një përzgjedhje e librave të rinj nga Shtëpia e Librit.

Lepurushi i mallkuar, Bora Chung

Shkrimtarja dhe aktivistja koreanojugore Bora Chung befasoi botën letrare gjatë vitit 2022 me këtë përmbledhje tregimesh që sfidon kategorizimin duke mjegulluar vijën ndarëse mes realizmit magjik, horrorit dhe fantashkencës.

Fabula surreale, drithëruese që sfidojnë patriarkatin, kapitalizmin dhe mbretërimin e teknologjive të mëdha, me humor absurd.

Nga një shkrimtare e pabotuar më parë në Shqipëri, “Lepurushi i mallkuar” është unik dhe plot imagjinatë, përzien horrorin, fantashkencën, përrallat dhe trillimin spekulativ, në tregime që sfidojnë kategorizimin. Njëherë provokues e njëherë të neveritshëm, përbindëshat këtu marrin format e krijesave me gëzof të pyllit dhe rreziku fshihet në cepat e papritura të godinave të zakonshme. Por në këtë përmbledhje të paharrueshme, universi absurd dhe përndjekës i Chung-ut mund të jetë i yni, duke hedhur dritë mbi të këqijate shoqërisë bashkëkohore. Mund ta porosisësh këtu:

Onufri, 256 f., 1,000 lekë

Gjinj dhe vezë, Mieko Kawakami

Historia e tre grave, shkruar nga një shkrimtare që vlerësohet prej Haruki Murakami-t si romancierja bashkëkohore më e rëndësishme e Japonisë, FITUESE E ÇMIMIT AKUTAGAWA.

Kawakami ka sfiduar çdo paragjykim për rrëfimin dhe stilin e prozës, ka përzierë satirën me thellësinë përfshirëse emocionale dhe sot është një nga shkrimtaret më të rëndësishme e të shitura të Japonisë. Ajo u shfaq në skenën kulturore fillimisht si muzikante, më pas si poete dhe blogere e njohur, ndërsa tani është romanciere, fituese e disa çmimeve.

Tregon historinë e tre grave: tridhjetëvjeçares Natsu, motrës së saj më të madhe, Makiko, dhe vajzës së Makiko-s, Midoriko. Makiko ka udhëtuar për në Tokio, në kërkim të një operacioni të pakushtueshëm gjoksi. Ajo shoqërohet nga Midoriko, e cila së fundmi është bërë më e heshtur dhe e ka të vështirë të shprehë presionet e paqarta dhe të papërballueshme që lidhjen me rritjen. Heshtja e saj shërben si katalizator për secilën grua që t’u bëjë ballë frikërave dhe shqetësimeve që ka.

Dhjetë vite më vonë, në një tjetër ditë të nxehtë vere, Natsu, gjatë një udhëtimi drejt vendlindjes, lufton me identitetin e saj të paqartë, ndërsa përballet me ankthin që po plaket e vetmuar dhe pa fëmijë. Mund ta porosisësh këtu:

Botues: Onufri, 456 f., 1,500 lekë

Dita e shtatë, Yang Fei

“Dita e shtatë” – një udhëtim në ferrin e kohëve moderne, ku na udhëheq Yang Fei, heroi kryesor i romanit, që vdes papritmas në moshën dyzetenjëvjeçare. Duke mos pasur truall për varr, atij i duhet të endet pa pushim në botën e përtejme, pa një qëllim të caktuar. Gjatë harkut kohor të shtatë ditëve (koha që iu desh Zotit të krijonte botën), heroi ynë takon shpirtrat e njerëzve që ka humbur në jetë dhe kupton se bota e përtejme ngërthen të gjitha fatkeqësitë e epokës moderne: shitës organesh, të rinj që kanë vrarë veten, të dënuar pa faj etj.

Teksa Yang Fei u rikthehet çasteve kryesore të jetës së vet, ne do të njihemi me disa personazhe të jashtëzakonshme: babanë birësues, ish-bashkëshorten e tij që ka vrarë veten, fqinjët që kanë vdekur në gërmadhat e shtëpive që ua shembën, e me plot personazhe të tjera. Rrugëtimi i personazhit kryesor ravijëzon hartën e këtij kombi të madh: absurditetet, dhimbjet dhe shpirtin e tij. Mund ta porosisësh këtu:

Botues: Albas, 232 f., 1,000 lekë

Në shtëpi, Toni Morrison

Ky roman rrëqethës i shkrimtares së madhe amerikane Toni Morrison, na zbulon një njeri në dukje të mposhtur, i cili arrin të gjejë burrërinë, por, në fund, edhe shtëpinë, vendin të cilit i përket.

Frenk Moni, një ish-ushtar amerikan në Luftën e Koresë, ku ka përjetuar traumë në front, vraja e së cilës është jo vetëm trupore, kthehet dhe, mes zemërimit dhe ndjenjës së neverisë për veten, përballet me një Amerikë raciste. Vendi që la, shtëpia ku ka jetuar më parë, mund të mos jetë më siç e mban mend ai, por Frenkun e nxjerr nga apatia paralizuese nevoja për të shpëtuar motrën e vogël, që ka pësuar dhunë mjekësore, dhe për ta shpënë në qytezën e shtetit të Xhorxhias, ku janë rritur – një vend të cilin e ka urryer me gjithë zemër. Tek u kthehet kujtimeve të fëmijërisë dhe të luftës – prej të cilave fillon të vërë në dyshim kthjelltësinë e mendjes – Frenku gjen një guxim të pabesueshëm. Mund ta porosisësh këtu:

Botues: Dudaj. 122 f., 900 lekë

Pasi dielli bie, Jonas Eika

Pasi dielli bie hap dyert e realiteteve tona më të reja, duke përndjekur periferitë e një bote të globalizuar e cila është njëkohësisht në mënyrë brutale, transnacionale. Letërsia e Eikas sjell personazhe shumë të largëta ndërsa ato takohen në një frymë të vetme. Duke mbivendosur bukurinë magjepsëse me groteskun, duke balancuar hiperealizmin me fantastiken – “a thua se bota që ai po përshkruan po shikohet përmes një filtri ultraviolet,” ai ka shpikur mënyra të reja të rrëfimtarisë për një epokë kur mënyrat e vjetra nuk janë më të mjaftueshme.

Nën qiellin e kaltër të Kankunit, një djalosh punëtor plazhi vendos në hartë dëshirat e turistëve, duke parë thellë nën barkun e botës. Një takim enigmatik rastësor në Kopenhagë dërgon një konsulent IT-e tëposhtë gropës së lepurit, në një spekulim që rezulton edhe më joshës se sa vetë seksi. Kolapsi i një tekëndëshi dashurie në Londër sjell një fiksim hipnotik të rrezikshëm. Ndërsa në shkretëtirën e Nevadës një burrë në vajtim përpiqet të ringrihet me një makineri nga jashtë kësaj bote. Mund ta porosisni këtu:

Botimet Berk, f.140, 1,100 lekë

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>