Libraret që shpërndanin libra me kuaj

0
65

Në Amerikën e viteve 1940, një grup punonjësesh bibliotekash përdornin kuaj për të shpërndarë libra në bibliotekat publike të vendbanimeve të largëta të Maleve Apalash.

Bibliotekaret me kuaj

ANIKA BURGESS, Atlas Obscura

Ato njiheshin si “gratë e librave.” Ato zakonisht çoheshin herët në mëngjes, mbushnin thasët me libra, hipnin në kuaj dhe kalëronin nëpër shtigje të vështira pavarësisht dëborës apo baltës me një synim të vetëm: të dërgonin materjale për të lexuar te bashkësitë e izoluara malore të Kentakit.

Iniciativa e Bibliotekës me Kuaj qe pjesë e një programi të nisur nga Presidenti Franklin Roosevelt, me synimin për të nxjerrë Amerikën nga Depresioni i Madh, një krizë ekonomike e gjatë dhe e vështirë e cila në vitin 1933 e ngriti normën e papunësisë deri në 40 për qind në këtë zonë malore të maleve Apalash. Synimi i programit të qeverisë qe i dyfishtë. Nga njëra anë punësonte gra si librare, nga ana tjetër, nxiste leximin mes popullsisë në një mënyrë të lirë.

Bibliotekat publike janë në gjendje të ofrojnë kënaqësinë e leximit me kosto shumë më të ulët se sa bibliotekat private. Nëse një libër gjendet në një bibliotekë publike, ai mund të lexohet nga një numër shumë i madh njerëzish të cilët e huazojnë atë dhe e kthejnë sërish pa e dëmtuar shumë.

Por iniciativa e bibliotekës me kuaj synonte të arrinte më shumë se kaq. Duke përdorur kuajt, libraret e guximshme qenë në gjendje të furnizonin me libra hua edhe fshatrat më të thellë. Librat përqendroheshin fillimisht në një bibliotekë publike në një fshat të madh apo një qytezë para se të transportoheshin me kuaj nëpër fshatrat dhe qytezat e tjera më të vogla. Shkollat e zonës ndihmuan për të mbuluar kostot e sigurimit të materjaleve për të lexuar – libra, revista dhe gazeta – të cilat u dhuruan nga banorët posaçërisht për këtë synim. Biblioteka pranoi si dhuratë çfarëdolloj libri, pavarësisht se sa i përdorur dhe i dëmtuar qe ai. Bibliotekaret i riparuan librat e dhuruara, ngjitën gazetat dhe revistat sipas profilit, – fjala vjen, revistat me receta gatimi u lidhën bashkë – dhe pastaj ia shërbyen këto materjale edhe banorëve të fshatrave më të largët. Para se t’ia shpërndanin lexuesve, bibliotekaret pajisën çdo libër me një kartolinë, me synimin që lexuesit të mos kishin nevojë të palosnin faqen si shenjë por të përdornin kartolinën si ndarëse.

Gratë bibliotekare që shpërndanë libra arritën të udhëtonin 100 deri në 200 kilometra në javë pavarësisht kushteve klimaterike. Nëse destinacioni qe tepër i largët edhe për kuaj, ato zbritën dhe vijuan rrugën në këmbë.

Nga fundi i vitit 1938 kishte 274 bibliotekare që shpërndanin libra në 29 konte. Programi punësoi në total mbi 1 mijë bibliotekare. Financimet për të u ndërprenë në vitin 1943, por një dekadë më vonë, programi u rinis, kësaj here duke përdorur makina për shpërndarjen e librave.

Përveç ofrimit të librave, bibliotekaret shërbyen edhe si zyrë koordinimi për bibliotekat e ndryshme. Ato mblodhën kërkesa nga lexuesit për libra të veçantë, njoftuan rrjetin e bibliotekave nëse i kishin librat e kërkuar dhe i qarkullonin ato te lexuesi përkatës.

Bibliotekaret me kuaj
Bibliotekaret me kuaj
Bibliotekaret me kuaj