nga Admin

17 Tetor, 2012

Daut Gumeni

Daut GumeniDoli në treg romani me shënime historike i autorit Daut Gumeni “Shënime nga shkolla e partisë”. Ndonëse libri kategorizohet si roman, për nga forma e vetë artistike, ai është njëherësh edhe një përshkrim historik, mbushur me shënime mbi ngjarje dhe momente reale të kohës së komunizmit që janë përvuajtuar në eksperiencën dhe memorien e vetë autorit.

Mbi librin

Satira e mprehtë dhe elegante, thellësia, pasuria e ideve, bukuria e parashtrimit dhe e shtjellimit të tyre, qartësia e gjykimeve etike, politike e filozofike, origjinaliteti i rrëfimeve, gjuha brilante aq e begatë, mendoj se e bëjnë veprën të veçantë e një ndër më të arrirat e letërsisë së sotme shqipe.

Shenime nga shkolla e partise Daut GumeniAutori na sjell të gjallë, ashtu të llahtarshëm, Ferrin që ngriti regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj të dënuarve politikë! Dhe ky Ferr, ndryshe nga Ferri dantesk, ndëshkimin e kishte si në Rrethin e Nëntë!

Libri është një dëshmi tronditëse e terrorit dhe e krimit shtetëror, por mbi të gjitha e qëndresës burrërore e heroike të atyre mijëra shqiptarëve që aspironin dhe therorizoheshin për lirinë. Autori, edhe pse është vetë në pjesën më aktive të këtyre bashkëvuajtësve, të qëndresës dhe të luftës së paepur të tyre në kampet e vdekjes, në roman ua lë shokëve vendin parësor.

Koment nga Ylli Hoxhaj

Në këtë vepër ka shumë dhimbje, shumë krime, shumë vuajtje dhe vdekje. Këto autori na i jep të gjalla e rrënqethëse. Por është liria, shpirti dhe fuqia e tyre e kjo dëshmi shkëlqen në tërë veprën. Të mahnit forca e jetës dhe triumfi i saj! Kënga, humori i jashtëzakonshëm e solidariteti njerëzor, janë armët e pamposhtura të këtyre heronjve të lirisë.

Një det me këngë e me humor nga tërë vendi, i bien kryq e tërthor gjithë veprës, duke u dhënë shpirtin e triumfit bëmave të atyre njerëzve edhe në fund të Ferrit. Kënga dhe e qeshura janë për ta armët e luftës dhe të fitores. Kënga e hap dhe e mbyll veprën si lajtmotiv i lirisë dhe i fuqisë së shpirtit njerëzor.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>