Libër i ri: Përkufizimi juridik i vdekjes, Eutanazia

0
784

Perkufizimi juridik i vdekjes, Danja SinaniPër brezin e më të vegjëlve të viteve 1990 autorja e këtij libri kujtohet si “Danja e Telebuçkos”, një prej emisioneve më të vlerësuar për kohën. Pas një roli në filmin “Bolero” dhe ndonjë angazhimi tjetër, ajo i kushtohet së ardhmes së saj: mbaroi shkëlqyeshëm shkollën e mesme në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë; konkurroi dhe fitoi regjistrimin në Universitetin “Lumière, Lyon 2” në Francë, ku përfundoi studimet universitare për të drejtë private; thelloi me rezultate të shkëlqyera studimet e shkallës Master në Universitetin Europian të Tiranës duke realizuar dhe studimin monografik “Përkufizimi juridik i vdekjes: Eutanazia”.

Mbi librin

Danja Sinani, autore e studimit “Përkufizimi juridik i vdekjes: Eutanazia“, që tashmë i paraqitet publikut si libër, na sjell një varg argumentesh të rrafshit europian dhe botëror, për të formuar bindjen se e drejta për të vdekur nuk është një atentat ndaj jetës, por plotësim përfundimtar i saj, nëse rregullohet me ligj dhe nuk shprehet në mënyrë të tërthortë, të heshtur, të nënkuptuar apo hiç fare.

Me parashtrimin e temës, të historikut të debatit mbi të drejtën e vdekjes me pasurinë e citimeve dhe referencave të larmishme; me renditjen e fakteve dhe argumenteve të shumta, duke i përqasur ato me realitetet sociale e juridike në nivel europian, por edhe shqiptar, autorja ka realizuar një monografi unike, të paktën monografi në gjuhën shqipe mbi eutanazinë. Shkurt, nga pikëpamja profesionale, tashmë lexuesi ka në dorë jo vetëm një monografi për një argument europian, por edhe një dije të standardit, metodologjisë dhe të frymës europiane.