Libër i ri: Historia e Spanjës, nga zanafilla deri në ditët tona

0
302

Shtëpia botuese Dituria nxori rishtazi në treg librin e radhës në kolanën me libra historik për vendet e ndryshme të botës. I fundit në këtë kolanë është edhe titulli që po ju prezantojmë sot, mbi “Historinë e Spanjës, nga zanafilla deri në ditët tona”. Këtë titull e parapriu botimi mbi “Historinë e Italisë” dhe të tjerë do vijojnë.

Historia e spanjesLibri është shkruar nga dy historianë të mirënjohur spanjollë: Fernando García de Cortázar, Josè Manuel González Vesga. Për më tepër ju ftojmë të lexoni komentet e tyre për librin.

Historia e Spanjës apo historia e spanjollëve? Për historianin e fundshekullit XX, i çliruar nga tundimet e uniformitetit të shekullit XIX, nuk është e lehtë të vendosë të zgjedhë një term të përshtatshëm për tre mijë vjetët e fundit të kronikës gadishullore.

Deri dje, termat hapësirë gjeografike, protagonistë njerëzorë, ndjenjë kombëtare dukeshin sinonimikë, ndërsa sot ndjesitë e atyre që u përfshinë në këtë komunitet të quajtur Spanjë nuk janë unanime.

Ndonjëherë, ndërgjegjja se i përket të njëjtës familje dhe lufta për ta mbrojtur atë nga i huaji imponohen mbi çdo mendim tjetër; të tjera herë, ekzagjerohen ndryshimet, duke kërkuar të këputen lidhjet e forcuara ndër vite mes kulturave gadishullore.

Me angazhimin për t’iu shmangur këtyre paragjykimeve, ky libër është një paraqitje detyrimisht e shkurtër e shekujve të historisë sonë, e krizave dhe mëdyshjeve të saj, e arritjeve social – ekonomike dhe e shpresës për ditë më të mira.

Dhe, natyrisht, Historia e Spanjës nuk do të jetë vetëm historia e mbretërve dhe heronjve, por edhe ajo e parmendës dhe e kopeve, e udhëtimeve detare dhe e burokracisë, e ligjeve dhe librave, dhe mbi të gjitha një kujtim për ata që vuajtën traumën e skllavërisë, shfrytëzimin apo dhimbjen… të cilët retorikat patriotike i kanë harruar.

Mbi autorët

Fernando García de Cortázar (Bilbao, 1942), profesor i historisë bashkëkohore në Universitetin e Deustos, Bilbao, San Sebastian, i vlerësuar më 2008 me Çmimin Kombëtar për Historinë, një nga personalitetet e shquara të kulturës spanjolle dhe autor i më shume se 30 veprave.

Josè Manuel González Vesga, historian dhe dishepull i Fernando García de Cortázar.