17 Gusht, 2017

Si formëzoi marrëdhëniet racore të Amerikës romani “Të Vrasësh Zogun Përqeshës”.

Letërsia mund të sjellë përparimin gradual të punës për ndryshim social dhe pasojat e romanit të dashur të Harper Lee vijojnë të ndjehen edhe sot.

Titulli: Të vrasësh zogun përqeshës
Origjinali: To kill a mockingbird
Gjinia: Roman
Autori: Harper Lee
Shqipëroi: Jorgji Qirjako
Shtëpia botuese: Omsca 1
Viti: 2009
Fq. 324
Pesha: 0.39 kg
ISBN: 978-99943-41-48-1

The Economist

Më 1988 në Monroeville, Alabama, Ronda Morrison, vajza 18 vjeçare e një familjeje të respektuar të zonës, u gjet e vrarë në dyqanin e pastrimit kimik të qytezës. Kur zyra e sherifit nuk ia doli të identifikojë dhe arrestojë përgjegjësin pas shumë muajsh investigimesh, bashkësia u zemërua dhe filloi të akuzojë policinë për paaftësi. Nën presion nga kritikat, zyrtarët akuzuan Walter McMillian, një burrë të zi të zonës, marrëdhënia dashurore e të cilit me një grua të bardhë qe bërë temë diskutimesh të zjarrta në qytezë. Në mungesë të provave, Shteti detyroi dëshmitarë të dëshmonin kundër tij. Deklaratat e tyre nuk qenë në përputhje me faktet e çështjes, por kjo nuk u konsiderua me rëndësi. Nuk shërbyen as dëshmitë e tre dëshmitarëve zezakë të cilët konfirmuan se McMillian kishte qenë në një darkë me peshk të fërguar të organizuar nga kisha në kohën kur ndodhi vrasja. Ai u shpall fajtor dhe u dënua me vdekje; në fakt, ai qe vendosur në pritje të ekzekutimit që para se gjyqi ndaj tij të niste.

Monroeville është më së shumti i njohur si qyteti i Harper Lee dhe skena e romanit të saj të vitit 1960 “Të vrasësh Zogun Përqeshës“. Qyteza është mburrur me të si kampione e të drejtave që kur libri u bë i shumëshitur. Udhëheqësit vendës e kanë kthyer gjykatën e qytezës në një muze të “Zogut Përqeshës”. Një trupë teatrale me emrin “Aktorët e Zogut Përqeshës të Monroevillit” u krijua për të vënë në skenë përshtatje të veprës për turistët. Më shumë se sa një përdorim për marketing, romani u bë një burim për krenari të jashtëzakonshme për qytezën.

Kur Bryan Stevenson, një i ri i sapodiplomuar në ligj nga Harvardi vizitoi Monroevillin më 1989 për të marrë përsipër çështjen e apelimit të dënimit të MCMillian, ai u trondit nga ethet e “Zogut Përqeshës”: “A e ke lexuar librin?” e pyeti me ngulm një zyrtar atë. “Është një histori e mrekullueshme. Ky është një vend i famshëm… Kur ata e bënë film, Gregory Peck erdhi këtu”.

Por për Stevenson, vetëkënaqësia e Monroevillit për famën e vet letrare kishte një shije të hidhur. Kishte paralele goditëse mes çështjes së MCMillian dhe gjyqit të famshëm të romanit: paranoja e të bardhëve mbi marrëdhëniet ndër-racore, bërja kurban e një burri të pafajshëm të zi, një dënim i nxituar që del kundër provave të qarta dhe logjikës dhe autoritetet e një qyteti që kërkojnë me ngulm një ekzekutim. A kishte mësuar ndonjë gjë qyteza nga romani me të cilin mburrej. Në kujtimet e tij, “Thjeshtë Mëshurë,” z. Stevenson shkruan, “sentimentalizmi mbi romanin e Lee u shtua ndërkohë që të vërtetat e forta të romanit nuk zunë rrënjë.”

Walter McMillian pati një fat më të mirë se sa personazhi i romanit Tom Robinson; pas gjashtë vitesh në pritje të ekzekutimit, Gjykata e Apelit Penal të Alabamës e përmbysi dënimin e tij. Por episodi tregon barrierat e çuditshme të cilat njerëzit ngrenë në disa raste mes letërsisë dhe jetës reale. Kur shkroi gjyqin e Tom Robinson, Harper Lee në të vërtetë u mbështet mbi çështje reale gjyqësore në Alabana, në të cilat njerëz të zinj qenë dënuar në mënyrë të padrejtë dhe qenë ekzekutuar. Pothuajse tridhjetë vjet pas publikimit të romanit, gjithsesi, Alabama dhe shtete të tjera vijonin të dënonin numra rrënqethëse me amerikanë të zinj në gjyqe të mbushura me racizëm dhe pandershmëri.

Ndryshimi erdhi shumë ngadalë në Monroeville, por nuk do të thotë se romani i Lee nuk pati ndikimin e stërmadh mbi marrëdhëniet racore në Amerikë. Ky është romani të cilit i janë dhënë meritat për nxitjen e lëvizjes për të drejta qytetare, po aq shumë sa edhe romani “Kasollja e Xha Tomit,” romani kundër skllavërisë i Harriet Beecher Stowe, nxiti lëvizjen e abolicionizmit të shekullit të 19. Ai nxori në pah realitetet e shëmtuara të diskriminimit, veçanërisht në Jug. Si një punë popullore letrare nga një grua e bardhë, ajo ftoi gjithashtu lexuesit që të mendojnë mbi racën në mënyrë të tillë që traktatet apo fjalimet politike nuk janë në gjendje ta bëjnë.

Atticus Finch, avokati që mbron Tom Robinson, u bë frymëzim për gjenerata të tëra avokatësh aktivistë. Modeli i tij i rezistencës paqësore por persistente tingëllon mirë me aktivistët. Te libri “Pse ne nuk mund të presim” Martin Luther King, Jr. shkroi, “Për Negrot më 1963, si për Atticus Filch, qe bërë e qartë se rezistenca pa dhunë mund të simbolizonte medaljen e artë të heroizmit më shumë se sa pendën e lehtë të bardhë të burracakërisë.”

Në shumë mënyra, Amerika vijon të ndjejë ndikimin e romanit të Lee edhe në ditët tona – në bisedat kombëtare mbi drejtësinë penale, mbi lëvizjen “Jetët e Zeza Vlejnë”, madje edhe reformat e burgjeve të ndërmarra pak kohë më parë nga ish presidenti Barack Obama. Vitin e kaluar media u mbush me diskutime rreth publikimit të librit “Shko Vër një Roje,” një version i hershëm i “Zogut Përqeshës,” version që duket se Lee nuk pati kurrë synim ta botonte. Kjo gjithsesi nuk duhet të lë në hije trashëgiminë e “Të Vrasësh Zogun Përqeshës”. Romani mbetet një testament për mënyrat se si letërsia mund të ekspozojë mëkatet e shoqërisë, të ndryshojë ndërgjegjen dhe të nxisë ndryshimin gradual shoqëror.

 

Të Vrasësh Zogun Përqeshës” është botuar në shqip në vitin 2009 nga Shtëpia Botuese OMSCA me përkthimin e Jorgji Qirjakos.

Shko vër një roje” është botuar në vitin 2016 me përkthimin e Oriana Tamburit.

Kasollja e Xha Tomit,” nga Harriet Beecher Stowe është përkthyer nga Sterjo Spase, për fat të keq aktualisht është jashtë qarkullimit.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>