Kuteli botohen tregimet e “luftës”

0
667

Mitrush Kuteli/ Vijnë në një libër shënimet e “luftës“. Koha që shkrimtari kaloi në Ukrainë dhe akuzat për pjesëmarrje në “Gardën e hekurt” rumune, që mbase e çuan drejt burgosjes në vitin 1947. Në libër, edhe dy letra drejtuar Lasgush Poradecit nga Rumania

Mitrush Kuteli“-Ti që ku e di këtë këngë? – e pyeta Nadia-n, atje në Ukrainë ku pata filluar të mbledh, në ato qëndrimet e shkurtëra të marshimeve, fije këngësh popullore moldave, të cilat më patnë tërhequr me njomësinë e tyre dhe më fort të dhembjeve që përmbajnë. Këtë pyetje e pata bërë sepse m’u pat dukur si i ndryshmë fjalori dhe përmbajtja e këngës që më pat thënë, gjë që e largonte nga këngët e tjera të atij vendi. Nadia Verzar, ky ish emri i asaj zonjës së re, baloshe me sy të kaltër që dinte të përdorë fort mirë pushkën edhe mitrolozin, si mori frymë ngadal, se nuk kish shumë ditë që ish ngritur nga lëngata e tifos, më foli kësilloj…”.

Këto rreshta janë shkëputur nga shënimi me titull “Këngët i sjell era” që Mitrush Kuteli e shkroi vite më parë, atëherë kur teksa endej nëpër Ukrainë përpiqej të kuptonte shpirtin e këtij vendi. Teksti i kësaj kënge ishte i një vjershe të poetit Mihail Eminesku (Ti pse nuk vjen) i ndryshuar pak sipas idiomit të vendit, duke u kënduar si këngë popullore. “Kënga s’ka kufire që ta ndalojnë. Ajo lindet diku edhe, në qoftë se përmban brenda sa do-një thërrime arti të vërtetë, shkon gojë pas goje në krahët e erës”, shkruan Kuteli.

Netë moldave“, është libri më i ri i një prej penave më të rëndësishme të letrave shqipe, i përgatitur për shtyp nga familja e tij. Një libër që të kujton që në kopertinë se do të të çojë në një kënd gati-gati të panjohur të jetës së shkrimtarit, për të çuar lexuesin drejt një ëndje ku ka dëshirë të qëndrojë gjatë. Një i ri, me një kapele në kokë, dhe me vështrim të thellë, i veshur me xhaketë e shall, të njeh me Kutelin në vitet e rinisë. Foto e cila duhet të jetë bërë gjatë kohës kur ai ka shkruar materialet që janë në këtë libër. Çdo botim i një autori si Kuteli është një ngjarje për letrat shqipe, aq më tepër kur ato janë pothuajse të reja për lexuesin si pjesa më e madhe e tregimeve në këtë libër, edhe pse janë botuar në mënyrë sporadike në shtypin e kohës në vitet 1943-1944. Veç tregimeve, episode dhe përjetime në tokën e Ukrainës gjenden mes faqeve të disa shënimeve, paraqitjeve e portreteve letrare, në formë kornize apo digresioni. Pjesë e këtij botimi janë dhe dy letra dërguar bashkëvendasit të tij, poetit Lasgush Poradeci. Në të parën në maj të vitit 1941, Kuteli shkruan se ka ndër mend të kthehet në vendlindje. Nga e dyta, në janar 1942, mësojmë se ka qenë i mobilizuar por tashmë ndodhej në Bukuresht. “Asnjë nga tregimet dhe shënimet e këtij libri nuk u përfshi në përmbledhjen me pesë vëllime të viteve 1988-1990. Madje as ‘Parvera në Transilvani’ ku përmendet vetëm shkarazi beteja e Stalingradit”, shkruajnë në parathënien e këtij botimi dy fëmijët e shkrimtarit Atalanta dhe Pandeli Pasko. Tregimi që i jep dhe titullin librit “Netë moldave” është botuar së pari në mars të vitit 1944 në revistën “Kritika” të Arshi Pipës.

Është një “ngjarje pa ngjarje” në dimrin e vitit 1941 kur ndodhej në Ukrainë i mobilizuar në trupat rumune që e dërguan në frontin rus. Ishte një mobilizim i detyruar, pasi Kuteli punonte e jetonte në Rumani si shtetas rumun. Në atë dimër të ftohtë ukrainas, djaloshi nga Shqipëria e jetoi gjithë këtë ndodhi të papritur që shpesh i shkaktonte dhe pasiguri mbi të ardhmen si një përvojë të pasur letrare. Me pasionin për shkrimin lindur herët tek ai, ai i shikonte ngjarjet si subjekte letrare, të cilat më pas i hodhi dhe në letër. Janë të ndjera rrëfimet që vijnë nga Ukraina, ku spikat stili dhe origjinaliteti i një shkrimtari jo të zakonshëm. Në këto tregime Kuteli është i lirë dhe të befason me gjendjet që të krijon nga një tregim në tjetrin. “Në rrugë përtej Tiraspolit”, të duket sikur të çon pas në vite dhe të bën të ndiesh atë çfarë provonte djaloshi nga Shqipëria, teksa donte t’i thoshte jo përfshirjes në luftë. Ajo çfarë është interesante është fakti që shkrimtari nuk e fshehu asnjëherë këtë pjesë të jetës së tij, dhe pse ky fakt mund të kthehej kundër tij në një tjetër kohë. Ish-drejtor i Bankës Kombëtare në Bukuresht, ai i kishte bërë rezistencë projekteve në favor të kapitalit gjerman e në dëm të pasurisë vendase në Rumani, për këtë dhe miqtë e tij i kishin thënë të bënte kujdes, mbasi i kishin hapur një skedë të zezë në Gestapon e Vjenës. Këtë detaj, Kuteli e tregon dhe në letrën dërguar së shoqes, botuar te “Hylli i Dritës”. Por kthimi në atdhe, dhe fati i keq që përndoqi një prej figurave më të mira jo vetëm të letrave por dhe të ekonomisë shqiptare nuk do të linte pa “ia kujtuar shkrimtarit”, këtë episod, duke ia servirur si “angazhim në luftë” në krahun e forcave gjermane që sulmuan Bashkimin Sovjetik. “Madje e bënë edhe pjesë të ‘Rojës së hekurt’, me të cilën Kuteli nuk kishte asgjë lidhje. Duke mos gjetur dot një element për ta fajësuar në veprimtarinë praktike si ekonomist apo si publicist e shkrimtar e sulmuan jo për një veprim të tij, por për një pësim”, shkruajnë fëmijët e shkrimtarit në parathënie. E kjo akuzë vinte nga rrethet letrare. Vetë Dh.S.SH do t’i thoshte se “nuk të duan sepse ti ke qënë në Gardën e Hekurt në Rumani”. Skënder Luarasi e ka treguar më vonë përgjigjen e shkrimtarit pasi ndodhej aty, në sallën e Institutit ku Kuteli hyri dhe u hodhi mbi tryezë një tufë gazeta dhe revista ku disa nga pedagogët e pranishëm shfaqeshin në foto të veshur me këmisha të zeza e me simbole të Musolinit tek merrnin pjesë në manifestime fashiste. “Ju nuk më doni se paskam qenë në Gardën e Hekurt në Rumani, por ju nuk kini asgjë si këto për mua!”, iu tha atyre Kuteli…Më 16 maj 1947 e arrestuan. U dënua me pesë vite si “armik i popullit” për “agjitacion e propagandë”. U lirua me falje në maj të vitit 1949.

Në historinë e letrave shqipe, Mitrush Kuteli mbetet jo vetëm një prozator i madh por dhe një personazh që i shtriu interesat e tij në shumë disiplina. Publicist, prozator, poet, mbledhës folklori, përkthyes e kritik letrar, e një ekonomist i zoti. Në vitin 1945 ai është drejtor në Drejtorinë Qendrore të Bankës së Shtetit Shqiptar. Një vit më vonë detyrohet të japë dorëheqjen, pasi ishte kundër marrëveshjes së qeverisë shqiptare me përfaqësuesit e Beogradit për kursin e këmbimit mes lekut dhe dinarit jugosllav, kurs që dëmtonte rëndë ekonominë e vendit. Në moshën 39-vjeçare ai ndërpret një karrierë të cilën e kishte bërë me plot pasion dhe i përkushtohet shkrimit. Por dhe këtu shkrimtari nuk do ta kishte të lehtë, me atë çfarë pasoi më vonë jetën e tij.

“Netë moldave” botim i “MK” është një takim i ri me Kutelin, i cili nuk duhet humbur nga lexuesit. Ukraina, ky vend që ai e pa në një kohë të trazuar ka qëndruar gjatë në kujtesën e shkrimtarit. Në hyrjen e shënimeve kushtuar këngëtarit ukrainas Taras Shevçenko, Kuteli shkruan: “Volumi i këndshëm ‘Liriche ucraine’ i Zonjushës Mlada Lipovetzka, që më ra në dorë këto ditë, ardhi e më zgjoi një varg kujtimesh nga një vënd i largë fort, nga Ukraina. Të nis e t’i shkruaj tani që të gjitha, kësaj i thonë një punë e gjërë që nuk munt t’i përvishem dot. Prandaj kufizohem vetëm në disa fije prej tyre dhe, po të jem gjallë e në jetë, do t’i plotësoj tjatër herë”….Janë të bukura rrëfimet që vijnë nga Ukraina, rrëfime që kanë qenë aty për vite të tëra në koleksionet e shënimeve të lëna nga shkrimtari tek familjarët e tij. Janë rrëfime të shkruara me dashuri për një vend e kohë që do t’i kushtonte më pas jo pak shkrimtarit, por ai nuk e hoqi nga kujtesa asnjëherë, duke e parë si një takim me një kulturë tjetër, e cila ashtu si muzika e mirë rri gjithnjë në një kënd të jetës të atij që e takon. Ky libër është një dimension i ri i Kutelit, sa njerëzor aq edhe befasues për energjinë dhe frymën moderne që shfaqet tek çdo tregim, që sot e bën më interesante kolanën e veprës kuteliane.

box

Egregio Signior Dott Lasgush Poradeci

Profesore Tirana

24 Janar 1942, Bukuresht

I dashur Llazar,

Letrën t’ënde të shkrojtur në Poradec më 23 të Korrikut 1941 e mora sot më 22 Janar 1942. S’di as unë ku munt të kish ngecur, si ngjan dendur në rethana të jashtëzakonshme, si këto t’onat. Unë jam mirë: dimëroj. T’a këndova me gëzim vjershën “Durimi”. Më pëlqen alternanca e tetë dhe pesë rrokjeve. Kjo i jep intensitet dhembjes së brendëshme. Prej shumë kohë, në arratime të reja e të vjetra, nuk pata dëgjuar e folur shqip…

Ja po të dërgoj edhe unë një vjershë t’imen. Pa fjalë se poezija nuk është fusha ime. Ti fort mirë e di. Po, janë rethana kur edhe korbi – jo vetëm bilbili – ndjen shtytjen e brendëshme, të buçasë. Se zëri i tij nuk i ngjan erës së temjanit po të katranit, kjo është e vërtetë.

VDEKJA IME” është një farë “elegjije” ose “vajë” si thua tinë. Masa: tetë e gjashtë rrokje që munt të pasqyrojë më mirë regëtimet e shpirtit.

E shkrojta në Tetor 1941, kur marshoja për në ballin e luftës (këtë punë ti lipset t’a mbash për vete, të pa thënë, – nuk është mirë t’a dijë as Nëna as Babaj, e asnjeri!).

Dy sende m’a patnë turbulluar, asohere, shpirtin: malli i tronditshëm i v e n d i t, i baltës s’onë, edhe dhembja e Nënës. Nga shtatë strofat, një është për hyrje, tri për tokën, tri për Nënën.

Ti po t’a gjesh të udhës mund t’a shtypësh pa asnjë shpjegim mi rethanat që të shkrojta.

Më duket se kam disa dorëshkrime proze, të vjetra. Po të gjej rast, do të t’i dërgoj. Dua të shtyp së shpejti (dorëshkrimi është afron gati) një volum të vogël me folklor “CANTECE SI DESCANTECE DIN MOLDOVA NICA – Transnistria” të mbledhura prej meje përtej lumit Nistër.

Edhe një herë, përsëri, të lutem që prindërit nuk lipset të dinë se isha edhe unë përtej. Tjatër herë të kam për të shkruar, ty, rethanat.

Me dashuri, yti – Dhimitraq

VDEKJA IME

Po të vdes në dhé të huaj

Shorte mërgimtari –

Të m’a bëni varrin t’im,

Ku do bje së pari

E një grusht nga balta jonë,

Dhe nga dheu i vetë –

Të më sillni e t’a vini

Drejt ne zemr e shkretë.

Do më çlodhet q’asohere

Trup i rraskapitur,

Ky trup që kaqe dëshërime

M’a patnë zhuritur.

Se kjo balt e vendit t’onë

Mallet do m’i shuaj,

S’do më duket fort i rëndë

Po ky dheu i huaj…

Pa të vini të m’i thoni

Nj’ asaj Nënës s’ime:

Zi mos qajë, zi mos mbajë

Po asnjë thërrime;

Se m’i lumtur jam i fjetur

Se sa i mërguar,

Mot pas moti arratije

Zemër copëtuar.

Pa fytyr’ e saj e tretur

Që e kam ikonë –

Lart mi varr do më qëndrojë

Sot e përgjithmonë…

Mitrush KUTELI

Ukrainë, Tetor 1941

Vdekja ime është një variant i poezisë “Po të vdes në dhé të huaj”, botuar nga Kuteli te libri “Sulm e Lotë”, më 1944.

Lasgush Poradeci

Rruga e Shëngjergjit nr 5

Tirana Albania

Bukuresht – 29 Maj 1941

I dashur Llazar,

Letrën e mora. Fort më hidhëroj pushimi i Mëmës s’ate të dhemshur. Kështu është jeta. Lotë e dhembje. Si ka qënë në fillim. Të jesh i lumtur se e pate parë shpesh në vitet e fundit. E se ka një varr ku munt të gjunjëzosh.

Jam mirë. Shkruajm në drejtimin e vjetër – pa as një titull, përveç emrit. Dëshëroj të nisem që të shoh vëndin t’im. Ç’u bë libra që pregatitnje? A munt të të dërgoj dorëshkrime nuvelash për do një të përkohëshme?

Me dashuri Kuteli