Kryqtari i fundit: kronologji analitike e mendimit dhe veprimit politik të Gjergj Kastriotit

2
768

Përshëndetje miq të librit,

Virgjil Kule (foto)Falë kontaktit dhe bashkëpunimit me autorë të ndryshëm, kemi kenaqësinë që herë pas here të shqyrtojmë tituj që presin të dalin në botim. Ndër më të fundit që kemi në dorë është edhe një kronologji analitike e mendimit dhe veprimit politik të Gjergj Kastriotit që do të botohet së shpejti nga publicisti Virgjil Kule.

Më poshtë do të gjeni një shtjellim më konkret të veprës si dhe një fragment nga vetë libri. Me këtë rast jeni të ftuar të jepni sugjerimet, komentet dhe përshtypjet tuaja të cilat më pas do t’i kalohen vetë autorit.

Në bazë të dokumentacionit historik, autori e ndjek hap pas hapi heroin tonë kombëtar duke dhënë të plota shkaqet dhe pasojat e çdo veprimi të tij.  Libri nuk ka as prognoza dhe as digresione, karakteristika  këto të monografive të tipit klasik që e vështirësojnë  të kuptuarit për lexuesin e thjeshtë.  Megjithëse  një vepër  e  mirëfilltë shkencore, ajo i jep mundësi  lexuesit të  shijojë  një narracion të rrjedhshëm, gati artistik,  mbi veprimtarinë e Skënderbeut  nga muaji në muaj e nga viti në vit.  Duke e ngërthyer veten brenda  rrjedhës së natyrshme të kohës, autori përballon me guxim të papriturat dhe  kthesat  që marrin ngjarjet historike duke  argumentuar  me dokumentacion  dhe konkluzione analitike thuajse  në  “real time” çdo veprim të heroit. Ndoshta për herë të parë e shohim Gjergj Kastriotin si nxitës të ngjarjeve dhe jo si viktimë e tyre. Ndoshta për herë të parë e shohim atë si një mjeshtër të madh të diplomacisë së shfrytëzimit të konflikteve, po aq politikan e diplomat sa edhe luftëtar. Me siguri për herë të parë e shohim heroin tonë kombëtar si një njeri të zakonshëm,  por me një projekt të madh politik që e zbatoi në mënyrë gjeniale deri në fund të jetës së tij. Si dhe pse u kthye në atdhe? Si u vu brenda një kohe rekord (4 muaj) në krye të princërve egoistë shqiptarë? Çfarë iu premtoi atyre? Si manovroi mes fuqive më të mëdha të kohës, Venedikut, Mbretërisë së Napolit, Papatit dhe Perandorisë Osmane? Si arriti të emërohet komandant i Kryqëzatës së papës Piu II? Si mundi të qëndrojë aktiv në politikën ndërkombëtare për 25 vjet?.. Pse nuk ka tragjizëm në historinë e tij? Si e mbrojti realisht krishterimin?…

Përveç interpretimeve befasuese për momente historike të pathëna më parë ose deri tani të kaluara shkarazi nga historiografia, vepra ofron këndvështrim krejt të reja edhe ndaj  ngjarjeve të njohura. Në shumë raste lexuesi mrekullohet nga fakti se shumë gjëra që, për tradicionalizëm,  i dinte ashtu siç i ka ditur, dalin se janë ndryshe. Virgjil Kule ka dhënë  një Skënderbe që, ndonëse krejtësisht  me  “këmbë në tokë”  paraqitet  shumë më  madhështor  nga sa e njohim deri më sot.  Është një libër me interes si për lexuesin e nivelit akademik ashtu edhe për lexuesin e zakonshëm. Pas leximit të tij gjithkush është në gjendje të flasë për heroin tonë kombëtar jo vetëm me krenari e  pasion, por  edhe me kompetencë të plotë shkencore.

Sfond për fragmentin nga libri

Krishtlindjet e vitit 1466 e gjetën Skënderbeun në Romë. Më 24 dhjetor, ai merr pjesë në një ceremoni madhështore në katedralen e Shën Pjetrit ku i dorëzohen nga papa Pali II shpata dhe kësula, dhurata këto simbolike për ata prijësa të krishterë që dalloheshin në mbrojtjen e kauzës së madhe të krishterimit.

Për rrethanat në të cilat Skënderbeu u gjend në Romë në fund të vitit 1466 dhe në fillim të vitit 1467  mund të mësohen hollësira nëpërmjet një fragmenti të botuar në janar 2011 në suplementin “Milosao” të Gazetës Shqiptare. Fragmenti zë fill mbas multibetejave për mbrojtjen e Krujës në rrethimin e dytë të saj nga ushtritë osmane, kur Venediku ngul këmbë që Kastrioti t’ia japë atij eksklusivitetin e bashkëpunimit dhe të  distancohet nga Mbretëria e Napolit. Si e zgjodhi ai këtë situatë të vështirë?

Fragment nga libri

 

Viti 1466 (Nëntor)

…Hija e rëndë e luanit të Shën Markut dhe sulmet otomane po e asfiksonin. Mjeshtri i diplomacisë së  shfrytëzimit të konfliktit duhej të gjente një zgjidhje të shpejtë. Nuk do të linte pa përdorur asgjë nga ajo që kishte ndërtuar me durim gjatë gjithë karrierës se tij kryqtare. Vendosi të ndërmerrte një turne tjetër në Itali për t’i parë nga afër se çfarë mund të shfrytëzonte nga kontradiktat që zienin atje.  Nga bregu tjetër i Adriatikut do të përpiqej ndërtonte një pol të ri presioni ndaj Sinjorisë në mënyrë që ajo të kristalizonte dy gjëra: e para, se sa e vështirë ishte të mbronte Arbërinë venedike pa prezencën e Gjergj Kastriotit dhe, e dyta, se duhej ta paguante të plotë çmimin juridik për ta “bindur” atë që të distancohej nga mbretëria aragoneze për çështjen e mbrojtjes së Krujës.

Në fillim të nëntorit Kastrioti ndodhej në Raguzë. Që aty fusta (lloj anijeje me vela) mori detin për te Ferdinandi i Aragonës. Aty do të informohej e pastaj do të kuptonte më qartë se çfarë po ndodhte midis shteteve italike dhe se çfarë peshe reale kishin iniciativat kryqtare të papës Pali II. Do të bënte përditësimin e situatave që i mungonte prej kohësh. I angazhuar në luftime taktike lokale në funksion të luftës së madhe turko-venedikase, kishte ndjerë se po i errësohej roli i protagonistit. Veprimtaria e tij diplomatike me drejtim përtejdetin ishte tkurrur thuajse fare. Pal Engjëlli rrinte në Venedik, i angazhuar gjithë kohës me sigurimin e bashkëpunimit me Sinjorinë, kurse ai vetë, në mobilitet taktik, po i zbehte lidhjet me jashtë. Përveç kësaj, nga raportet e diplomatëve, në Romë e gjetkë qe krijuar përshtypja sikur Kastrioti ishte në dëshpërim shumë të madh dhe se e kishte humbur toruan.  Në kuptimin politik të gjërave, kjo do të thoshte se ai po dilte pak sa “jashtë loje”. Korrespondenca diplomatike mes oborreve të perëndimit po ia hante hakun dhe po ia zbehte personalitetin, madje po e raportonte të rrënuar e të mjeruar. Sinjoria ia kishte bërë të vetat lavditë pa ia “ratifikuar” titujt as Skënderbeut dhe as të birit. Nuk kishte më vlerë ta qortonte Sinjorinë nëpërmjet komunikimeve bilaterale. Duhej vetëm t’i qëndronte asaj fort në një shesh më të gjerë lufte diplomatike.

Plani i punës gjatë këtij udhëtimi ishte kompleks. Mori detin jo vetëm për të çmitizuar rolin “absolut” të Venedikut në tërheqjen e Sulltanit nga Kruja, por dhe për t’iu rikujtuar të gjithëve rrezikun osman për Italinë si dhe kontributin e tij të pazëvendësueshëm në përballimin e këtij rreziku. Në lidhje me këtë Paolo Giovio shkruan kështu: “…Gjergji, për ta zgjuar (Papën) me gojëtarinë e tij…dhe për t’i kujtuar Kolegjit të Kardinalëve shëndetin e Krishterimit, prishi tërë terezinë e vet dhe shkoi në Romë duke u dhënë të kuptonin atyre njerëzve injorantë e të paaftë se nuk mund t’i qëndrohej babëzisë së shfrenuar dhe guximit të barbarëve në rast se nuk do të merreshin vesh së bashku fuqitë e gjithë Europës”. Gjithashtu ky Gjergj do të kumtonte sa më botërisht se kishte ndërmend të fillonte një ofensivë të madhe kudo që otomanët ishin shfaqur në zotërimet e tij.  Kush nga aleatët dëshironte të ndihmonte, ishte i mirëpritur.

Kumtin do ta lëshonte nga Roma.

Ferdinandi e priti ngrohtë, por gjërat që mori vesh prej gojës së tij ishin të acarta. Papa kishte pasur një ftohje shumë të madhe me mbretërinë aragoneze. Në atë kohë kohe Pali II ia kishte shtënë syrin kështjellës së Tolfës, e cila dominonte zonën e minierave te fosfatit. Kundër këtyre synimeve të Papës, Ferdinandi kishte bërë aleancë me familjen Orsini (më pas do të kishte edhe një luftë të armatosur për këto miniera). Pali II përkrahte në heshtje përpjekjet e Venedikut, dukateve të Ferrarës e Savojës që në fronin napoletan të vinin anzhuinët. Ferdinandi  bashkëpunonte me Firencen dhe me Dukën e Urbinos për të zgjeruar influencat në Toskanë duke shpallur se do të impononte vullnetin e tij në gjithë Italinë (daria ley a tota Italia). Gadishulli Apenin ishte bërë lëmsh.  Interesat partikulariste e kishin kthyer në më pak se retorikë idenë e kryqëzatës. Tendenca dominuese për t’iu qasur rrezikut osman ishte sigurimi i paqes me Portën e Lartë. Venedikut sapo i ishte refuzuar nga Sulltani një kërkesë e tillë.  Ushtritë osmane kishin mbërritur përballë Puljes.

Tani e kishte Ferdinandi urgjencën për të arritur paqen me Sulltanin. Në shkurt ai planifikonte pritjen e një delegacioni nga Ballaban Badera. Në atmosferën paqësore që deshte të krijonte me otomanet, Ferdinandi mund të angazhohej me Skënderbeun në kuadrin e marrëdhënieve të vasalitetit.  I tha Kastriotit se do të provonte të bisedonte me otomanët që këta të fundit të mos ia preknin interesat që ai, si suzeren i Skënderbeut, kishte në Arbëri. Teorikisht kjo nënkuptonte lënien në qetësi të vasalit të Napolit, Skënderbe, në rast se ky i fundit nuk ngacmohej vetë. Madje, mirë do ishte që ai të niste një proces shkëputjeje nga Sinjoria dhe Krujën mos t’ia linte asaj, por napoletanëve që ta mbronin. Sa për fatin e Republikës së Shën Markut, Ferdinandit nuk i bëhej vonë. Ajo kishte qenë tepër negative për interesat e Mbretërisë së Napolit, aq më tepër që po sabotonte krijimin e Ligës Italiane. Mbase Skënderbeu mund të hetonte te Papa ose edhe në Venedik nëse po lëvizte ndonjë gjë në lidhje me këtë të fundit…Megjithatë, Ferdinandi do të bënte presion pranë papës me aq sa kishte mundësi. Ai venecian koprac (sipas Ferdinandit) mund dhe duhet të jepte diçka nga fondet që kishte mbledhur për kryqëzate…Më tutje, me të parë e me të bëre…, por ama Skënderbeu nuk duhej ta humbiste besimin tek biri i tij, Ferdinand…

Të tilla gjëra dëgjoi Skënderbeu gjatë ditëve që ndejti në oborrin aragonez. Mbreti ishte futur thellë në labirintet e dominimit në politikën italike. Ajo ia kishte mjegulluar largpamësinë ndaj rrezikut otoman për Evropën. Tani po mundohej ta tërhiqte edhe Skënderbeun në këtë krah, duke i premtuar mbrojtje për të dhe familjen në rast se Ferdinandi nuk do të arrinte të negocionte me sukses paqen me Sulltanin. I thoshte mendja se Sulltani mund ta linte Skënderbeun të qetë për hir të paqes me Ferdinandin dhe …t’u binte vetëm zotërimeve venedikase në Arbëri!?

Të gjitha sa dëgjoi, Kastrioti i shkoi në sitë, por çka e bëri të vrasë mendjen shumë ishte fakti se në mungesë të ndonjë atmosfere kryqtare si në kohën e Piut II, ai mund të luante një rol negociatori në vorbullën e përplasjes së interesave të shteteve italike. Në Romë, ku do të shkonte pas pak, do të përpiqej ta fillonte lojën diplomatike me kartat anti venedikase që ia shpalosi Ferdinandi. Pastaj, pasi të kishte marrë ndonjë fond, të kthehej në atdhe për të vazhduar me planet veta për kundërofensivë.  Deri sa të realizonte një angazhim më të gjerë të Papës, Ferdinandit e ndoshta të Milanit, i mirë apo i keq, Venediku do të mbetej aleati i tij i vetëm në terren. Por këtë nuk mund t’ia thoshte as Ferdinandit, as Papës dhe madje as Sinjorisë.

Venediku e ndjeu shpejt se sa e vështirë ishte rezistenca ndaj otomanëve në Krujë e gjetkë pa prezencën e Skënderbeut. Më 29 nëntor, me gjuhë të stërholluar diplomatike, ku spikaste shqetësimi për “çështjen e krishterimit të rrezikuar në Arbëri”, në esencë Senati i kërkonte Papës që, bashkë me ndonjë ndihmë, ta përcillte sa më shpejt Kastriotin për në vendin e vet mbasi, me ikjen e tij, Kruja rrezikonte të binte në duart e Turkut.  Njoftimet që kishte marrë nga pritja e ngrohtë që Ferdinandi i bëri Skënderbeut e kishin nervozuar Sinjorinë. Kjo ishte shfryrja e parë e saj nga presioni politik që filloi të ushtronte Kastrioti prej së largu. Pas pak midis tyre do të fillonte një betejë e vërtetë diplomatike në “fushën asnjanëse” të Romës.

Në Romë Kastrioti mbërriti në dhjetor. Një pjesë e kardinalëve të vjetër, qe jetonin akoma me idenë e kryqëzatës, panë tek ai heroin e saj tradicional. Figura e Skënderbeut ngjallte shpresë. Pritjen madhështore që iu bë në Romë këtij vasali të Ferdinandit dhe tani “aleati” të Venedikut, ambasadorët e Milanit ia u komentuan me skepticizëm shefave të tyre që e urrenin Venedikun për vdekje. Ishin po këta ambasadorë që, kohët e fundit, kishin raportuar disa herë për “rrënimin e pariparueshëm të Kastriotit”, për “humbjen e krejt territoreve”, madje për “zhdukjen e tij përfundimtare” nga skena politike. Tani ata po çuditeshin edhe vetë se si ky luftëtar i sprovuar qënkish kaq në formë e kaq i mirëpritur në Selinë e Shenjtë.

Të nesërmen e mbërritjes së Skënderbeut ne Romë, më 13 dhjetor, ata i patën bërë një vizitë urgjente në shtëpinë pranë “Fontana dei Trevi”, ku ishte vendosur Kastrioti. Çfarë kishin shënuar diplomatët Lorenzo de Pesaro dhe Agustino de Rubeis nga konkluzionet e kësaj vizite?  Së pari përshtypjet nga dita e tij e parë në Romë ku “papa i kishte bërë nderim të madh duke nxjerrë për ta pritur të gjitha familjet e kardinalëve, familjen e vet, dhe të shumë prelatëve dhe oborrtareve të tjerëpër nderim dhe shoqërim ishim ftuar të gjithë ne, ambasadoret”; pastaj faktin që “Papa po ia mbulon shpenzimet e qëndrimit dhe se besohet do t’i japë ca pak para”. Dhe, më në fund, që Skënderbeu “kupton dhe flet italisht njësoj si secili prej nesh dhe që ka një shpurë prej afro 50 kalorësish shqiptarë, veçse, sipas ambasadorëve,“njerëz të shëmtuar me fytyra të këqija”. Pastaj ata (ambasadorët milanezë) bashkë me ambasadorët fjorentinë i ishin afruar dhe ia kishin” bërë lajkat dhe ofertat nga ana e Shkëlqesive tuaja (Bianca Maria dhe Galeazzo Maria Sforza), të cilat ai i kishte pranuar me mijëra falenderime…”

Përtej interpretimeve të tyre personale, ambasadorët milanezë japin, pa dyshim, tablonë e një pritjeje pontifikale të nivelit më të lartë për Skënderbeun. Mund të imagjinohet lehtë se çdo të thotë të dalë gjithë gjindja e rëndësishme e Romës për të pritur prijësin arbëror; 50 kalorës që e ndjekin pas, ndoshta në dy radhë ceremoniale me nga 25 vetë secila; dhjetëra kardinalë e prelatë të lartë të kishës me mantelet e tyre sugjestionuese, një radhë e tërë me ambasadorë, shumë  oborrtarë dhe, natyrisht, dekori përkatës me shkëlqimin e veçantë pontifikal që i rrethonte (Papa Pali II ka mbetur në histori për shpenzimet  e mëdha që bënte për të sofistikuar atmosfera ceremoniale).

Skënderbeu nuk duket aspak i hutuar, flet lirshëm në italisht me mikpritësit dhe ndoshta bën edhe ndonjë shaka të rastit. Atmosfera shtendoset dhe fytyrat “e këqija” të kalorësve të shpurës së Skënderbeut iu duken të pranishmëve krejt normale. Pastaj pritja vazhdon në ambiente të mbyllura ku shkëmbehen fjalime të mirëseardhjes dhe diskutohet programi i ditëve në vazhdim…

Një tjetër ambasador në Romë, një Giovanni Pietro Arrivabene, duke i shkruar markezes Barbara të Mantovës (Mantova shkon mirë me Venedikun) përshkruan të njëjtën tablo të pritjes, por krejt të zhveshur nga ngjyrat dhe tepër të gjymtuar nga përmbajtja: “…Z. Skënderbe…, shkruan ai, “…mbërriti këtu të premten dhe familjet e kardinalëve u dërguan për ta pritur. Është një burrë në moshë të shkuar, mbi 60 vjeç; me pak kuaj ka ardhur, si varfanjak. Me sa kuptoj, ka ardhur për të kërkuar financime…”.

50 kalorës që shoqëronin Kastriotin, diplomati i quan “pak kuaj”, a thua se Kastrioti kishte ardhur jo për vizitë, por për të pushtuar Romën, kurse portretet e kalorësve shqiptarë, të cilët, kolegët e tij, për të balancuar tonet e lavdishme të pritjes, i quajnë “të këqija ”, diplomati Arrivabene i ka zëvendësuar me impresionin se Skënderbeu kishte pamjen e “një varfanjaku”.

Fatkeqësisht tonet përçudnuese të raportit të diplomatit Arrivabene (ky raport është përdorur si bazë nga shumë autorë) kanë ndikuar edhe në një pjesë të gjykimeve mbi përmbajtjen reale të misionit të Gjergj Kastriotit në Romë. Ai është paraqitur si një “mission impossible”, prej të cilit Skënderbeu “i varfër e i përzhitur nga lufta” nuk përfitoi asgjë përveç disa fjalëve të bukura ngushëlluese. Në këtë konceptim semplist diçka ka ndikuar edhe Barleti që e nis heroin e tij për një udhëtim për në Napoli e Romë “të veshur me mallotë të zakonshme ushtarake dhe me rroba shumë të thjeshta” (udhëtimi ishte 4 mujor dhe, për më tepër, me një shpurë prej 50 kalorësish!!). Por Barleti e ka një problem (tashmë të njohur) prej të cilit nuk kishte pse të viktimizoheshin të tjerët pas tij. I kapur peng nga detyrimet dhe ndjenjat e tij pro venedikase, ai heziton të zgjatet tek ky turne me itinerar Arbëri-Napoli-Romë-Napoli-Arbëri, ku në plan të parë është kundërshtimi nga Skënderbeu i ekstremeve të politikës venedikase ndaj tij. Barleti i bie shkurt aspekteve politike duke kompozuar një fjalim të gjatë të heroit, nëpërmjet të cilit paraqet një lutje sa solemne aq edhe të dëshpëruar të Kastriotit për ndihmë.

Realiteti ishte shumë më kompleks…

Gjergj Kastrioti kishte ardhur në Romë si VIP i shquar kryqtar dhe ishte pritur si i tillë. Tani ai do të fillonte një sërë takimesh e bisedimesh të vështira me kardinalë, ambasadorë, zyrtarë të papës dhe me vetë Papën jo vetëm për të shkëputur ç’mund të ishte e mundur nga fondi për kryqëzatën, por edhe për aspekte me diapazon më të gjerë politik, të cilat përpiqet t’i hamendësojë diplomati Arrivabene: “Disa i japin një kuptim tjetër kësaj ardhjeje (të Skënderbeut) dhe duan të thonë se kjo është vepër e Mbretit (Ferdinandit) për ta nxitur Zotin tonë (Papën) më shumë drejt angazhimit kundër Turkut dhe ta shmangë nga ndonjë mendim për luftë në drejtim tjetër…” (p.sh. kundër Ferdinandit  për çështjen e zonës minerare të Tolfës). Hamendësimet e diplomatit mantovan rrokin vetëm një pjesë të vogël së vërtetës dhe pikërisht atë pjesë që ka të bëjë me interesat e Ferdinandit, por sidoqoftë, edhe kaq është e mjaftueshme për të dëshmuar mbi namin e shkëlqyer të Skënderbeut si negociator i pranuar mes personaliteteve më në zë të kohës. Sipas diplomatit Arrivabene, Skënderbeut iu dëgjuakësh fjala deri në mundësinë për të shmangur papën “nga ndonjë mendim për një luftë në drejtim tjetër….

Papa u mundua ta shfrytëzonte autoritetin e Skënderbeut në dobi të përpjekjeve të tij të kaherëshme për të vendosur unitet në politikën e brendshme italiane që ziente nga kontradiktat. Përballë rrezikut otoman, ai kishte kohë që mundohej të realizonte një bashkim të ri të quajtur Ligë Italiane. Duket se diçka kishte vënë në vijë, përderisa kishte mbetur pezull vetëm pjesëmarrja veneciane. Ai kërkoi angazhimin e Kastriotit për t’i komunikuar Sinjorisë se “papa nuk pranonte t’i jepte (Sinjorisë) asnjë subvencion kundër Turkut për çështjen e Arbërisë nëse nuk sheh më parë vendosjen e sigurisë në Itali, që nga kjo anë të mos ketë lufte, dhe për këtë janë dakord të gjitha fuqitë e tjera italiane, përveç faktit se venecianet dëftohen disi ngurrues. Pikërisht për këtë shkak mund të thuhet se prej tyre varet gjithçka…. Nëse kjo nuk do të ndodhë për atë arsye (mosmarrjen pjesë të Venedikut) turpi i përjetshëm do t’i mbetet asaj Sinjorie…. Dhe kështu e shkroi dhe e dërgoi Skënderbeu letrën në Venecie”, përfundon raporti i 19 dhjetorit 1466 i ambasadorëve Lorenzo da Pesaro dhe Agostino de Rubeis për shefat e tyre, dukeshën Bianca Visconti dhe dukën Galeazzo Sforza. Po pse ta ketë marrë Skënderbeu autorësinë e kësaj letre? Gjithçka ishte në funksion të presionit që ai bënte mbi Sinjorinë, e cila duhej të merrte mesazhin se çështja e marrëdhënieve me Skënderbeun nuk ishte thjesht një çështje lokale e Arbërisë venedikase, por një çështje me karakter të mirëfilltë kryqtar.

Nuk ka asnjë dyshim se, në vazhdën e pritjes madhështore që i akordoi, gjatë diskutimeve për hartimin e letrës etj, Pali II ka bërë kauzë të përbashkët me Skënderbeun për sa i takon çështjes së unitetit ndëritalian. Gjithashtu ai i ka shpjeguar Gjergj Kastriotit edhe rrethanat e vështira në të cilat ndodhej vetë dhe, mbi të gjitha, i ka shprehur frikën që kishte nga Ferdinandi i Napolit, suzereni i Kastriotit. Kthesa e ngjarjeve, e cila rezultoi më pas në një raund tjetër takimi të Skënderbeut me Ferdinandin, mund të shpjegohet pikërisht me ndonjë kërkesë të Palit II që ai (Skënderbeu) të siguronte ndonjë mesazh sigurie për Papën nga Ferdinandi. Kësisoj, mjeshtri i vjetër i diplomacisë së shfrytëzimit të konflikteve, po angazhohej për të ndihmuar në rigjenerimin e dialogjeve të shurdhuara ndëritalike; një qasje kjo më se e goditur për zgjidhjen “nga lart” të problemeve të veta.

Kulmi ceremonial u arrit më 24 dhjetor, natën e Krishtlindjeve, kur Gjergj Kastrioti, i ftuar në Katedralen e Shën Pjetrit, mes gjithë klerit më të lartë të Romës, e shumë të tjerëve jo më pak të rëndësishëm, mori nga dora e papës Pali II një shpatë dhe një kësule, dhurata këto simbolike, jo fort të shpeshta, për ata prijës të krishterë që dalloheshin në mbrojtjen e kauzës së madhe të krishterimit. Duke i dorëzuar dhuratat, Papa e quajti Skënderbeun “Aleksandër të Epirotëve”. Pritja madhështore e Palit II u parapri nga vizita në banesën e Skënderbeut të ambasadorëve të Milanit dhe Firences, të cilët, në emër të sovranëve të tyre “bënë çdo ofertë dhe favor që kishin mundësi” (facendogli ogni oferta et favore ad nuy possible), madje sovranët u interesuan të njoftoheshin veçanërisht edhe për modalitetet e largimit të tij nga Roma” (et de la expeditione soa avisatene distintamente como lo sara facta…). Pse kaq interesim për Kastriotin edhe nga përtej Romës?  Sipas ambasadorëve, Kastrioti “kishte bërë një festë të madhe pas pritjes së Krishtlindjeve” ku iu dhurua shpata dhe kësula ceremoniale.  Mund të imagjinohet madhështia e asaj feste dhe numri i madh i të ftuarve VIP-a, por sidomos karakteri politik i bisedave të zhvilluara atje mes Skënderbeut dhe përfaqësuesve të shumë dukateve italiane.  Heroi i Barletit me siguri duhet ta ketë hequr atë “mallotë të zakonshme ushtarake” ndërsa jepte pritje kaq mondane e, pa dyshim, të kushtueshme!? Ç’bëri kështu ai “varfanjaku” i diplomatit Arrivabene?

Përtej thjeshtëzimit barletian ose përçudnimit prej ndonjë ambasadori, mund të thuhet se nata pas Lindjes së Krishtit 1466 e rikonfirmoi Gjergj Kastriotin si liderin e fundit kryqtar në terren, rreth të cilit thureshin fijet e holla të interesave dhe kundërshtive të vendeve italike në lidhje me një kryqëzatë të re në Ballkan.  Por, siç është parë edhe më herët në këtë parashtrim, llogaritë ishin llogari!

 

Viti 1467

Më 7 janar Papa mblodhi koncistorin me dyer të mbyllura ku shtroi idenë për t’i dhënë Skënderbeut 5000 dukate. Kardinalëve iu duk pak (folën për 7-8 mijë), por pastaj kjo çështje u la disi mënjanë kur, ndër të tjera, Papa shprehu hallin e tij se i duheshin para për shkak se Ferdinandi përbente rrezik imediat për Romën. Pastaj shtoi me qesëndi për Ferdinandin: “që tani e kemi mundësinë që, qoftë kapedanët, qoftë ambasadorët që ai ka në Itali, t’i tërheqim në shërbimin tonë. Mjafton të nxjerrim 100 dukate nga xhepi dhe të gjithë largohen nga ai…”. Pavarësisht pritjeve ceremoniale dhe ndereve protokollare, brenda kuzhinës politike papale, Kastrioti, si mik i Ferdinandit dhe i shoqëruar në çdo hap prej ambasadorit të Napolit, Grassia Betti, mund të klasifikohej në kategorinë e këtij grupi njerëzish që mund të tërhiqeshin në shërbimin e Papës. Kjo ishte me rrezik për reputacionin e tij kryqtar, ndaj iu desh të përpunonte me forcë mendimin se ai bashkohej me Ferdinandin, me Venedikun, me Papën e me këdo tjetër vetëm kur ishte fjala për luftë të organizuar kundër Perandorisë Osmane. Të kapej fort pas idesë së kryqëzatës në përgjithësi, pavarësisht se e kishte kuptuar se, hë për hë, ajo ngjante me një flluskë sapuni, ishte e vetmja mundësi për t’ju shmangur rënies pasive mes vorbullës së kontradiktave ndëritalike.

Sipas dokumenteve të kohës, në Romë ai foli pa doreza për Venedikun. “….Skënderbeu ankohet së tepërmi për venedikasit, dhe thotë gjithë të këqiat për ta sepse nuk i kanë dhënë çfarë i kanë premtuar…”, shkruajnë nga Roma dy diplomatët e mirëinformuar të Milanit. Kastriotit iu desh ta bënte këtë për dy arsye:  e para, në zbatim të planit për të zhbërë disi mitin e “rolit vendimtar” të venedikasve për rezistencën e suksesshme në Arbëri dhe, e dyta, për shkak se Sinjoria vazhdonte fushatën e saj çorientuese që e frenonte çdo iniciativë të Papës për ndihmë materiale. Dy diplomatët  raportojnë se Skënderbeut “… i duket se po vonojnë tepër ngase ka marrë vesh se një d. Paulo Contarino, venecian, i cili ndodhet këtu, ia ka prishur dhe vazhdon t’ja prishë mendjen Shenjtërisë e Tij të lartpërmendur duke i thënë se nuk është e nevojshme të bëjë shpenzim tjetër për t’i ardhur në ndihmë Krujës, përderisa Sinjoria e Venedikut e ka marrë në proteksion dhe do ta ruajë mirë…Si pasojë e kësaj nuk duket se Papa preokupohet shumë….

Ndonëse kthimin në atdhe e ka të ngutshëm, Gjergj Kastrioti qëndron edhe një muaj tjetër në Romë, në këtë fushë “asnjanëse”, për ta çuar deri në fund betejën e fshehtë diplomatike me Venedikun. Ndërkohë koordinonte në distancë partneritetin e rigjallëruar me princërit shqiptarë dhe veçanërisht me Lekë Dukagjinin. Atyre iu premtonte një ofensivë të madhe sapo të kthehej në atdhe. Në hallin e tij financiar Gjergj Kastrioti nuk ishte i vetëm Ndodhej i pranishëm në Romë edhe kur aty patën mbërritur ambasadorët e Mbretit të Hungarisë për të kërkuar fondin vjetor kryqtar për luftën kundër Turkut. Ndodhej gjithashtu i pranishëm edhe kur vdiq aty Kryeshefi i Urdhërit të Hospitallierëve të ishullit të Rodit, Raimondo Zakosta, i lodhur e i dërmuar nga përballimi i otomanëve dhe nga përpjekjet për të grumbulluar para me ndihmën e Papës për deficitin financiar prej 250.000 dukatësh.

Në Romë, ku të gjithë vinin për të qare hallet e tyre ekonomike, Skënderbeu këmbënguli me durim për të marrë paratë që i takonin dhe për të shkarkuar pjesën e tepërt të presionit venedikas.  Ishte një mision i vështirë.  Pritja prej VIP-i kryqtar që i kishin bërë, nuk e lehtësonte aspak barrën për të lobuar fort përballe zyrtarëve të rinj të Vatikanit (Pali II i kishte ndërruar thuajse të gjithë aparatin zyrtar të Piut II) që kishin hapur defterët e vjetër dhe bënin llogari të hollësishme mbi grantet për Kastriotin. Tashmë në ambientet romane ai nuk kishte më miq personalë të nivelit të Piut II dhe të Francesco Sforza-s.  Me Palin II sapo ishte njohur, madje jo në situata kryqtare të favorshme. Të vetmit miq të vjetër ishin disa kardinalë të shquar si Juan de Torquemada, Latino Orsini, Lodovico Gonzaga (mikpritësi i Koncilit të Mantovës më 1459), të cilët nuk e lanë pa thënë fjalën tyre pro çështjes së tij.

Para gjithë atyre që takonte, përfshi dhe Papën, Skënderbeu shprehej me bindje se ishte më se i vendosur për luftën kundër otomaneve dhe se, siç shkruajnë diplomatët e lartpërmendur, “me 4 ose 5 mijë vetë ka shumë besim se do t’i qëndrojë shumë mirë turqve në atë vend (Arbëri) dhe do të rikuperojë shumë shpejt gjithçka të humbur…” Atij i duheshin rreth 15000 dukate për të kryer një kundërofensivë të fuqishme në më pak se një muaj, madje një ofensivë thuajse të pavarur nga ndihma e Venedikut. Pak a shumë mbi këto shifra hulumtonin edhe zyrtarët e rinj të papatit që rrekeshin të llogarisnin (për t’i zbritur pastaj nga shuma që do të akordonin) ndihmat që ai i kishte marrë tashmë nga Venediku dhe çka mund të merrte prej Ferdinandit, me merakun burokratik “që shpenzimi të mos shkonte dëm (…për non zitare via la spesa…). Mirëpo Sinjoria e kishte paraqitur si shumë të madh kontributin  e saj për Arbërinë, ndaj Skënderbeu këmbëngulte në të tijën duke shpjeguar, në një rast, se, vërtet ishin deklaruar 500 kalorës dhe 500 këmbësorë nga venedikasit,  “…por ata nuk kanë dërguar veçse pak nga pak, herë 30 këmbësorë, herë 60 dhe herë 50 dhe po aq kalorës, ndaj ai nuk ka pasur kurrë 200 kalorës githë-gjithë dhe as po aq këmbësorë; dhe e ka kuptuar mirë që Sinjoria e Venedikut nuk e bënte këtë për gjë tjetër, veçse për ta drobitur e mërzitur dalëngadalë e për ta çuar deri në atë pikë sa ai të detyrohej ta jepte në duar të tyre Krujën…” Kështu shkruanin në raportin e tyre dërguar Sforza-ve të Milanit ambasadorët Da Pesaro dhe De Rubeis. Në një tjetër raport ata vazhdonin: “…Skënderbeu qartësisht e kupton qëllimin e asaj Sinjorie për ta përvetësuar atë tokë, por thotë se më parë do t’ia japë atë dhe kusurin e saj Turkut…”

Për vetë pozicionin që kishte si kryekryqtar, teorikisht Papa nuk e projektonte të ardhmen e Skënderbeut nën ombrellën absolute të Sinjorisë, por të tijën, të kryqëzatës. Ai e dinte pozicionin që kishte pasur Kastrioti në kryqëzatën e dështuar të Piut II. Mirëpo, në fazën e tanishme, VIP-i nga Ballkani ishte ulur në tryezë me ekspertët financiarë të një pape shumë të okupuar me problemet italike dhe gati-gati të rehatuar me idenë se, në ndërkohë, Sinjoria nuk po i mbronte keq interesat e saj në Arbëri (për pasojë edhe ekzistencën e Skënderbeut).

Me se ishte i preokupuar Papa në Itali?

Plot dhjetë ditë mbas koncistorit, ku u përmenden 5000 dukatet për Skënderbeun, me 17 janar 1467, Piero de Medici i Firences, firmosi në Romë (me dijeninë e Papës) një pakt për krijimin e një ushtrie të përbashkët me Napolin dhe  Milanin. Kjo ishte një goditje e fortë strategjike për Venedikun sepse, një nga qëllimet e ushtrisë që do të komandohej nga duka i Urbinos, ishte dekurajimi i planeve të Sinjorisë për të sjellë dinastinë anzhuine në Napoli. Megjithëse Papa nuk ishte i interesuar për kaq shumë garanci mbi sigurinë e fronit aragonez (sepse vazhdonte të trembej nga ndonjë sulm i Ferdinandit), e miratoi në heshtje paktin, duke u kënaqur me faktin se ishte një mundësi më shumë që të shtohej presioni mbi Venedikun (për çështjen e Liges). Sidoqoftë, krijimi i kësaj ushtrie do të ishte paralajmëtar i njërës prej betejave më të përgjakshme ndëritaliane të atij shekulli, ku Pali II do të luante pastaj rolin e paqëtuesit.

Gjergj Kastrioti bëri menjëherë përshtatjen e vet politike. Sapo e mësoi idenë e Palit II për të realizuar bashkimin italian, e përqafoi atë me entuziazëm duke e parë si të vetmen mundësi për të përfituar nga kryqëzata që shpresohej të vinte pas këtij bashkimi. Jo vetëm kaq, por në planin aktual, iniciativa e papës e hasur në kundërshtimin venedikas përbënte një ingredient të shkëlqyer për të kompozuar më mirë koktejin e presionit mbi Sinjorinë. Sinjoria nuk ia doli të tregohej indiferente. Duke u ndrojtur pikërisht nga kjo afrimëri ideali afatgjatë midis Skënderbeut dhe Papës, ajo bëri maksimumin për ta minuar atë.  Ambasadorët në Romë marrin vesh se “venedikasit thonë gjithë të këqijat për Skënderbeun d.m.th. se është më turk se turqit… etj. Presioni i Sinjorisë u amplifikua edhe nga ngurtësia e burokracisë papale që, me thënë të drejtën, e kishte lodhur disi Skënderbeun. Ndërkohë që ai negocionte me zyrtarët e akullt të Vatikanit, Senati i Venedikut mbante pezull një kërkesë për ndihmë të ambasadorit skënderbegas atje, duke i thënë atij se “… me parë duhet të shohin se çfarë ndihme do të jepte Papa, nëse ai do t’ia jepte paratë apo jo…”. Këtë e raporton më 23 janar ambasadori i Milanit, Gherardo de Collis, duke shtuar se ndërkohë “Ballaban beu mban të rrethuar Krujën, e cila, po nuk u ndihmua, do të humbasë brenda pak ditëve”.

Situata ishte e vështirë, por Skënderbeu nuk shkulej nga Roma pa siguruar një bashkëpunim sa më multilateral për ofensivën që planifikonte të fillonte në Arbëri. E konsideronte vetëvrasje të ngelej ekskluzivisht në vartësi të strategjive të një Venediku, i cili mund ta sakrifikonte në çdo kohë për hir të ndonjë paqeje me osmanët. Presionet e Kastriotit  dhe miqve të tij kardinalë shkuan deri aty sa më 13 shkurt u mbajt një koncistor tjetër ku, në pikat e para të axhendës, ishte vënë përsëri çështja e fondeve për të. Teorikisht shuma ishte rritur, por Papa foli vetëm për 2300 dukate në dorë dhe për pjesën tjetër të kredituar nga kardinalët, të cilëve ai do ua kthente nga të ardhurat që parashikonte të merrte prej minierës së fosfateve. Kur pa se kjo ide nuk ishte aspak tërheqëse për kardinalët, doli me një propozim tjetër. Kastrioti të kthehej sërish në Napoli dhe t’i kërkonte Ferdinandit 7500 dukate nga fondi që i takonte Papës prej tributit vjetor napoletan për kishën. Me këtë rast Pali II donte ta konfirmonte përfundimisht këtë fond, i cili, deri me tash, kishte mbetur i premtuar nga Ferdinandi, por i pa lëvruar. Kishte shpresë se Skënderbeu, me këmbënguljen dhe pozicionin e tij politik për çështjen e epërsisë në Krujë (Napoli ose Venediku) do të mund ta shkoqiste këtë punë. Ideja ishte që shuma prej 15 mijë dukate gjithsej, që i duheshin Kastriotit për ofensivë, te plotësohej nga vetë mbreti i Napolit. Nënkuptohej se, po të mos ndihmonte Ferdinandi, epërsinë në Krujë do ta kishte Venediku.

Skënderbeu pranoi, por nuk mungoi ta paraqiste udhëtimin e tij si mision në shërbim te Papës. Në një farë mënyre ai do të shërbente si kumtues i sinjaleve për një dialog për çështje shumë të rëndësishme fiskale midis Papës dhe Ferdinandit. Të dy duhej t’ia dinin për nder.

Me 2300 dukate të Papës në xhep dhe me premtimin  e tij se 2700 të tjera ai do t’ia dërgonte kur të fillonte ofensivën (Papa do t’ia dërgonte ato në 18 prill), u nis për në Napoli nga mesi i shkurtit 1467. Aty gjeti një surprizë interesante. Kishte ardhur dërgata osmane me propozimin për shkëmbim ambasadorësh midis Napolit dhe Portës së Lartë. Duke shpresuar në një paqe të zgjatur me otomanët, Ferdinandi synonte të zinte një rol imponues në politikën apenine. Madje, pretendonte edhe të dominonte në ishullin e largët të Qipros. Kjo pjesë pak i interesonte Skënderbeut, por ai me zhdërvjelltësi shfrytëzoi qëndrimin në oborrin napoletan për t’u afirmuar në sy të të dërguarve të Portës së Larte si “protégé” i dashur i mbretit ambicioz Ferdinand. S’kishte pse të mos e përdorte këtë kombinacion rrethanash për të përditësuar synimin e tij në lidhje me Krujën: nëse Venediku do të bënte paqe me osmanët, Kastriotit i jepej mundësia ta paraqiste Krujën si domen të Napolit dhe anasjelltas, nëse Napoli bënte paqe me Sulltanin, Krujën nuk do ta lëshonin venedikasit. Në funksion të këtij binomi, statusi i saj do të ishte variabël, por me një konstante: kur dy të mëdhenjtë bënin garë me njeri tjetrin se kush të arrinte më parë paqen me Portën e Lartë, konstantja e Skënderbeut ishte që Kruja në asnjë rast të mos binte në dore të osmaneve. Pjesën tjetër do të dinte ta manovronte vetë.

Me mprehtësinë e tyre që s’ka të sharë, që më 13 shkurt ambasadorët e Milanit ndjenë se diçka mund të kurdisej në oborrin napoletan ku do të ndodheshin kokë më kokë mbreti arragonez, dërgata osmane dhe Skënderbeu. Duke qenë të obsesionuar nga precedenti i paqes së Skënderbeut me osmanët katër vjet më parë, diplomatët nuk janë në gjendje t’i qasen së vërtetës më shumë se sa me dyshime e pa konkluzione të goditura: “Dyshojmë, shkruajnë ata më 13 shkurt”, se kur të kthejë andej (mbasi të shkojë në Napoli), bën ndonjë lojë të çuditshme me Turkun, në rast se Madhëria e Tij, Mbreti, nuk do t’i bëjë ndonjë furnizim të mirë. Për Skënderbeun, që nuk pushonte së ndërtuari variante politike “on the spot”, kësaj radhe   “loja” nuk ishte me osmanët, por me aleatët e tij.

Furnizimi nga Ferdinandi nuk qe i keq. Ai i dha Kastriotit 1000 dukate në dorë, 500 dukate për pagat e  këmbësoreve napoletanë në kështjellën e Krujës, 500 dukate  për vetë kështjellën, letra kredie për 200 + 100 qerre me  grurë, 500 dukate të tjerë përmbi shpenzimet që kishte bërë ai me të tijtë gjate kohës së qëndrimit si dhe “municion të mjaftueshëm për kështjellën”. Bashkë me këto, i dorëzoi edhe dekretin që legalizonte pronësinë kastriotase mbi Monte San’t Angelo-n dhe San Giovanni Rotondo-n. Më vonë, në vartësi të situatave, do t’i dërgonte edhe një numër këmbësorësh të tjerë.

Pavarësisht se nuk ishin shumë të mëdha, ndihmat që dha Ferdinandi e arritën efektin e dëshiruar nga Skënderbeu. Ato shërbyen si presion që në Venedik të kuturisnin se, në rast se kërkonin bashkëpunimin ekskluziv të tij, duhej ta paguanin të plotë çmimin juridik, pra t’a përmbushnin të gjithë substancën ligjore të marrëveshjes së 20 gushtit 1463. “Think-tank”-u i Sinjorisë u vu në lëvizje.

Gjergj Kastrioti ia kishte dalë mbanë me diplomacinë e tij që bazohej në shfrytëzimin e konflikteve. Kishte mundur të përfitonte edhe një herë nga kontradikta e vjetër Venedik-Napoli, madje nga i gjithë spektri i kontradiktave ndëritaliane. Realizoi presionin e duhur mbi Sinjorinë, luajti rol konstruktiv në strategjinë e Papës për bashkim me objektiv final luftën e përqendruar kundër otomanëve dhe, nëpërmjet njohjes personale me Palin II, mundi të vendoste një pishtar mbi burokracitë e akullta të shtetit papal. Midis tyre u vendos një raport mirëkuptimi e bashkëpunimi mbi bazën e idealit kryqëzatë. Pas Eugjenit IV, Nikollës V, Kalikstit III dhe Piut II, ky ishte i pesti papë që hynte në karrierën kryqtare të Gjergj Kastriotit. Po të llogaritet situata e gati e përhumbur diplomatike e tre muajve më pare, arritjet e këtij turi të sforcuar ishin të mëdha. Për sa i takon fjalëve që kishte lëshuar lart e poshtë për t’ia dorëzuar “më mirë Krujën Turkut se sa venedikasve”, se “më mirë të kishte luftuar kundër kishës se sa kundër Turkut”, “se në botë nuk mund të gjendej mizori më e madhe se ajo e këtyre priftërinjve”, etj, këto ishin fjale rutinë që, si prijës autoritar, i nuk ngurronte t’i përdorte në debat e sipër  për të forcuar emocionin dhe presionin; shfryrje prej shefi. Askush nuk i mori për më shumë se kaq.

Gjatë vizitës në Itali, Skënderbeu kuptoi atë që i interesonte më shumë se gjithçka tjetër: ndonëse në Romën e viti 1467 atmosfera e kryqëzatës mungonte, ajo mbetej si objektiv i Papës. Pali II shpresonte se së shpejti do të arrinte ta krijonte Ligën italiane dhe, pas saj, kryqëzatën. Skënderbeu duhej t’i rezistonte me çdo kusht kësaj periudhe të ndërmjetme që nuk dihej se sa mund të zgjaste. Ndërkohë, duke manovruar me interesat e palëve, e plazmoi më mirë frontin e tij të luftës si front ku ndërthureshin interesa më të gjera se sa ato vetëm venedikase. Siguroi gjithashtu kanalet e ndihmës financiare nga Papa e Ferdinandi pa e dëmtuar, madje intensifikuar, kontributin e Sinjorisë. Iniciativat luftarake që përgatitej të ndërmerrte sapo të kthehej në atdhe, do ta mbështesnin më së miri në praktikë reputacionin e tij të rimëkëmbur plotësisht…

E financuar pjesërisht nga Roma, pjesërisht nga Napoli dhe pjesërisht nga Venediku, ofensiva fitimtare skënderbegase e mars-prillit 1467 përbën një lloj sulmi kryqtar në miniaturë për të rikuperuar territoret e humbura të Skënderbeut. Nën udhëheqjen e tij, krahas shqiptarëve, luftuan me pagesë mercenarë nga kombe të ndryshme të Ballkanit dhe nga përtej detit.  Flitet për 16 mije vetë nën armë, pa llogaritur kontingjentet fshatare të armatosura të dislokuara në pritat malore. Shkalla e federimit të fisnikëve vendas ishte mjaft e lartë. Nëpërmjet kësaj ofensive, brenda pak javëve të vrullshme (aq kohë sa zotohej Skënderbeu në Romë), kryqëzata e munguar në Evropë, u projektua në Arbëri me pikë fokale federalistin e përkryer Gjergj Kastrioti.