nga Admin

5 Korrik, 2012

Historia e arkitekturës moderne nga Bruno Zevi

Artan Shkreli – Qershor 2012

Në vitet gjashtëdhjetë, i tronditur nga spekulimi ndërtimor që kishte molepsur Italinë, e i pafuqishëm ndaj vendimeve arbitrare që merreshin në urbanistikë, arkitekti i njohur Gió Ponti, i mëshonte idesë se jo vetëm administratorët apo kryebashkiakët e qyteteve, por edhe vetë qeveritarët e lartë do të duhej të qenë arkitektë a urbanistë; përndryshe të kishin së paku njohuri elementare, por të strukturuara qartë, mbi këto disiplina. I edukuar me parimet e shkollës racionaliste të Bauhausit, ai dhe një brezni e motivuar arkitektësh luftarakë nisën të ushtronin si mision shoqëror edhe publicistikën krahas projektimit. Deri më atëherë Italia, krahasuar me vendet e tjera perëndimore, e kish vuajtur kronikisht mungesën e plotë të një shtrese analistësh apo kritikësh të arkitekturës, dhe kjo zbrazëti po lëshonte pasojat e mbrapshta mu në kohën kur vendi gjendej buzë bumit ekonomik, si edhe përballë presionit nga poshtë e nga lart për të ndërtuar kudo dhe çdo gjë. Hjatusi i krijuar që para luftës, me degradimin e futuristëve të përdorur keqas nga Musolini, u shfrytëzua pozitivisht prej këtij brezi, i cili zu kësisoj të shprehte pikëpamjet e tij mbi mënyrën sesi duhej të ndërtohej në demokraci qyteti italian, si të mbrohej mjedisi unik Apenin, si të ruhej trashëgimia mbresëlënëse italike dhe si të formësohej vizioni për një të ardhme të qëndrueshme. E kjo hulli u çel me artikuj, konferenca, libra, dispensa, programe-radio, pjesëmarrje në politikë ose në forume të vendimmarrjes dhe sidomos përmes mësimdhënies.

Gjithë ky impenjim i tyre do të vizatonte kthesën e mbarë në atë kurbë të rrezikshme, së cilës i qenë nënshtruar parametrat e trajtimit urban të hapësirave qytetare në Itali. Një ndër këta zëra ishte edhe kritiku i njohur i arkitekturës, italiani me origjinë hebrenje, Bruno Zevi. Ai kishte kuptuar se prapambetja e vendit të tij në këtë fushë ishte strukturore, dhe shkëputja ndaj zhvillimeve moderne të Europës perëndimore e veriore ishte njëmend e fortë, por jo e pakapërcyeshme. Prurja e mendimit teorik e praktik perëndimor në Italinë fanfareske musoliniane kish qenë një mision i pamundur; ata pak guximtarë ose qenë zbythur nga regjimi, ballas a tërthorazi, ose qenë përthithur fatalisht prej tij. Fusha kish mbetur e mbrazët dhe opinioni shkencor gjithaq i zbrazët. I larguar Italie nga droja e ligjeve antisemite, Zevi përfundoi studimet në Harward Graduate School of Design, asokohe nën drejtimin e Walter Gropiusit, njërit prej etërve të arkitekturës moderne. Dhe pikërisht aty, në Shtetet e Bashkuara, hasi në veprën e Frank Lloyd Wrightit, njohje kjo që formësoi në thelb mendimin kritik të tij. Ky mendim më pas do të nyjëtohej vrullshëm përmes polemikës antiklasiciste dhe inkurajimit të alternativës organiciste ndaj ftohtësisë racionaliste, duke marrë dora-dorës një dimension europian.

Pedagog që më 1948-n i Historisë së Arkitekturës në Venecia e më pas profesor në Universitetin e Romës, Zevi do të themelonte më 1955-n njërën ndër revistat më të censhme të arkitekturës në Itali, L’architettura. Cronache e storia, përmes së cilës do të ndikonte jo vetëm mendimin arkitekturor e urban të vendit të tij, por do të përcaktonte standarde kontinentale për krejt kritikën e re italiane. Librat e tij Saper vedere l’architetturaStoria dell’architettura moderna apo Verso un’architettura organica, tashmë kanë fituar statusin e klasikes dhe me kohë kanë shkapërcyer kufijtë e Italisë duke u përkthyer në mbarë botën, e duke u bërë etalonë të një gjykimi të ekuilibruar, gjithnjë në favor të avangardës, në kushtet e një bote të trysnuar skajshëm nga modernia dhe globalizimi.

Ndonëse duket e pagjasë, edhe në Shqipërinë e izoluar të viteve tetëdhjetë paradigma Zevi njihej në mjediset akademike, dhe madje paraqitej e rëndësishme; në rrethet e ngushta të arkitektëve qarkullonin nën dorë e mbi dorë botimet e tij, të futura kontrabandë. Një frymë tolerance ndaj “modernes”, por natyrisht pa retorikë, ushqehej ato vite qëllimshëm në mjediset e studentëve të arkitekturës prej Vera Bushatit dhe Tamara Eftimit, çka krijonte një atmosferë të pazakontë debati “ilegal”, i cili dilte prej kornizave të ngurta teorike ku pluskonte moria e pedagogëve të ngrysur të Fakultetit të Inxhinierisë. E nëse paradite diskutohej mbi famëkeqin “Labirinte të modernizmit” të Uçit, pasdite bibliotekat private të këtyre dy zonjave të nderuara bëheshin ende më publike se fondet shkencore në universitet, duke mëkuar për ata pak syçelët nocione etike dhe estetike “jashtë programit”. Mëkat i madh që breza të tërë arkitektësh nuk patën mundësi të ballafaqonin lirshëm e të ushtronin në praktikë teoritë e arkitekturës dhe urbanistikës moderne; druaj se është mungesa e këtij ballafaqimi që sot ka sjellë si rezultat indiferencën proverbiale, për shumëkënd të pashpjegueshme, të arkitektëve shqiptarë ndaj problemeve të rënda urbane që ka shkaktuar klasa politike e vendit me injorancën dhe mosvetëdijen e saj. Aq i munguar ka qenë dhe mbetet ky debat në rrethet e arkitektëve shqiptarë, sa po të veçohen polemistët kritikë si Maks Velo apo Enver Faja, pataloku do të mbetet krejt thatë…

Ky është një ndër motivet që botimi i Zevit, por edhe i shumë e shumë librave të tjerë të munguar që trajtojnë teorikshëm arkitekturën, peizazhin apo mjedisin e ndërtuar, në vendin tonë, është më tepër se i domosdoshëm; është madje jetik. Kritika arkitekturore dhe debati urban në Shqipërinë e traumatizuar rëndshëm duhen konsideruar mision shoqëror, ashtu si lufta ndaj drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore, ashtu si lufta ndaj prostitucionit politik. Bëhet e paimagjinueshme, po e paimagjinueshme, për këdo që lexon Zevin, pastaj se si vendimet për të bërë hukubete urbane me sheshin “Skënderbej”, për të shkatërruar një paradigmë utopike si Piramida, për të zeruar Pallatin antisovjetik të Kulturës, për të denigruar arkitekturën e Muzeut Historik Kombëtar, apo për të shqyer parqet monumentalo-mjedisore të Pallatit Perandorak (Brigadave), merren nga pushtetarë që nuk mund të jenë assesi politikanë, që nuk kanë lexuar qoftë edhe një librushkë të vockël mbi arkitekturën, apo një broshurëz të hollë mbi urbanistikën.

Sot, me një vonesë të stërgjatë, Zevi e viziton Shqipërinë. Me një vonesë të pazakontë, të paktën 20-vjeçare; me një vonesë që, sa u takon gjurmëve që ka lënë në territor kritika pagojce arkitekturore, është bërë në mjaft raste fatale. Veçse në anën tjetër, që nga sot, as gja-studentë, as pedagogë gjysmakë, as kryebashkiakë hajvanë, e as drejtorë provincialë që nuk njohin gjuhë të huaja nuk mund të thonë se në Shqipëri nuk ekziston makar një libër i vetëm mbi Historinë e Arkitekturës Moderne (deri dje mund ta thoshin). Ky libër sapo ka dalë në treg nga shtëpia botuese “Dituria”, me 600 faqe të thukëta, ndarë në dy vëllime të një cilësie vërtet të lëvdueshme bibliofilike e me ilustrime origjinale zgjedhur nga vetë autori të kryeveprave moderne të arkitekturës botërore. Kushdo mund t’i studiojë e t’u referohet në kreshtën e frymëzimit a përfund krizave të shpeshta të krijimtarisë (studentë, arkitektë, kritikë e inxhinierë), po edhe përfund krizave të vendimmarrjes (kryetarë bashkish e komunash, anëtarë të këshillave bashkiakë e drejtues të tjerë). I gjithë korpusi i kritikës arkitekturore të Bruno Zevit, që përmban mbi 25 vëllime të rëndësishme, gjendet i shkrirë harmonishëm në këtë libër të tij (të rishikuar), që zë fill me William Morris për tek Alvar Aalto e me Frank Ll. Wright për te Frank O. Gehry. Kështu do të vërehet menjëherë se ndër ne jo vetëm kritika është në krizë, por krejt arkitektura, e jo vetëm arkitektura është në krizë, por krejt urbanistika, e jo vetëm urbanistika është në krizë, por krejt mendimi politik që e gjeneron urbanistikën që na rrethon: “Arkitektura është mënyra e ekzistencës së një epoke”, thoshte Le Corbusier, duke nënvizuar kështu se arkitektura dhe urbanistika janë pasqyrë e shoqërisë në çdo epokë historike, që nga lashtësia deri në shoqërinë bashkëkohore. Duke mësuar të shohim arkitekturën, mësojmë të shohim klasën drejtuese, e duke i bërë kritikë arkitekturës dhe urbanistikës, thoshte Zevi, mësojmë t’i bëjmë kritikë strukturore kësaj klase e të përmirësojmë për rrjedhojë jetën shoqërore. Parë në këtë këndvështrim, mëkëmbja e kritikës arkitekturore është një mision fisnik, ende i papërmbushur te ne, një mision i mirëfilltë shoqëror.

Burimi: Gazeta Shqip

 

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>