10 Shkurt, 2023

Në vitin 1945, shkrimtari, piktori, mjeku pa dëshirë por i shkëlqyer Carlo Levi (1902-1975), botoi kujtimet e tij të internimit. Libri Krishti është ndalur në Eboli mbart kujtimet e tij nga dy vite, të cilat u detyrua t’i kalojë në një nga fshatrat më të varfër e më të largët të jugut të Italisë. Ai u dërgua atje nga Torino, një qytet i madh industrial në Italinë e veriut, si i internuar nga qeveria fashiste. Bota e shkrimtarit dhe piktorit u zvogëlua në këtë mënyrë, fillimisht në një qytezë të vogël me një treg e ca pijetore, te një fshat edhe më i vogël i quajtur Aliano ku jeta komunitare zhvillohej rreth tre berberhaneve (dy prej të cilave me kohë të pjesshme) dhe një fjetoreje të thjeshtë. Ai e pati të ndaluar të kalonte kufijtë e fshatit që shtrihej mbi kurrizin e një kodre argjilore dhe rrethohej nga një shkretëtirë argjile me shumë pak ullinj dhe me shumë skamje.

I detyruar për të jetuar atje pa afat, Levi duket se përpiqet të ruajë shëndetin mendor duke u fshehur në një gropë në varrezë ku kishte hije, ishte fresk dhe mund të lexonte një libër rehat si dhe duke ushtruar profesionin e tij të parë, atë të mjekut, nga i cili, parësisht se ishte arsimuar, kishte hequr dorë prej shumë dhe shumë kohësh në dëshirën për t’u marrë me pikturë dhe letërsi.

Paralelisht me këto punë të vogla, ndërsa shtynte netët i vetmuar, (fashizmi urdhëronte që të internuarit të mos mund të flisnin as me njëri-tjetrin), ai shkruan atë që sheh dhe përjeton. Rezultati, libri Krishti është ndalur në Eboli është një ushtrim jashtëzakonisht delikat në balancim. Nga njëra anë duhet shkruar e vërteta, fshati është në një skamje të tmerrshme, nga ana tjetër, të shkruarit duhet bërë në një mënyrë të tillë që të respektojë dinjitetin e vendësve. Nga njëra anë duhet përshkruar tipari i jetës politike të fshatit, nga ana tjetër, nuk duhet tepruar duke marrë rolin e të bardhit që shkon të japë leksione qytetërimi në Afrikë. Nga njëra anë duhet folur për “problemin e jugut”, (një temë e gjerë diskutimi në Itali përgjatë të gjithë shekullit të njëzetë,) nga ana tjetër nuk duhet harruar se më shumë se sa “problem i jugut” në fakt ajo që duhet të diskutohet është “problemi i veriut”, i mënyrës se si pushtetarët të Romë u sollën ndaj jugut të vendit pas Bashkimit të Italisë në vitin 1871, rënies së Mbretërisë së dy Sicilive dhe trazirave politike e sociale që pasuan për dekada me rradhë, në atë që u njoh si Brigantaggio një periudhë në të cilën pushteti i Romës mbi jugun dhe Sicilinë u sfidua vazhdimisht dhe me një nivel dhune të frikshëm nga bandat e grabitësve të lirë, disa të financuar nga qeveria Burbonike në ekzil.

Periudha nga Bashkimi i Italisë deri në kohën e ngjarjeve të përshkruara në këto kujtime, ishte gjithashtu periudha në të cilën Italia e veriut vijoi të zhvillohet ndërsa Italia e jugut dhe Sicilia u zhyt vazhdimisht e më shumë në varfëri.

Ndërsa dukej se problemi ishte marrëdhënia e pushtetit mes qendrës dhe periferisë në shtetin e ri italian, fashistët duket se ia dolën të bindnin shumë njerëz se problemi mund të zgjidhej duke grabitur të tjerët, përmes ekspansionit imperialist të stilit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, duke sulmuar dhe pushtuar atë pjesë të Afrikës që nuk kishte rënë ende në duart e fuqive kolonialiste perëndimore. Por para se të bënte Luftën e Abisinisë, Musolini dhe partia e tij punoi fort për të lënë gjurmët e pushtetit dhe fodullëkut të tyre përmes ndërtesave publike të stilit të vet. Levi na shpjegon se si, në një fshat të mjerë pa ujësjellës e pa kanalizime, ai gjeti papritur një palë banjash publike moderne dhe fare të reja. Problemi i vetëm: në këto banja nuk kishte ujë sepse fshati nuk kishte ujësjellës. Fshatarët vijonin të përdornin uturakun dhe ta hidhnin gjënë nga dritarja pasi të binte nata.

Fashistët ishin të zotë për fasada, ndërsa kur vinte puna për gjëra më sistematike e më të arsyeshme, gjërat nuk ecnin dhe aq mirë. I trashur në jetën e fshatit, Levi përgatiti një raport njëzet faqësh për autoritetet se si mundej të zgjidhej problemi i malaries përmes disa masave konkrete. P.sh., nga burimi i fshatit e deri në dalje të tij duhej të hapej një kanal në mënyrë që të mos krijoheshin pellgje me ujë të ndenjur. Përgjigjja që Levi mori ndaj këtij propozimi ishte që ai ndalohej nga ai çast e më pas, të ushtronte profesionin e mjekut.

Pushtimi i Abisinisë nga Italia Fashiste në vitin 1936 nuk ndihmoi shumë për të zgjidhur “problemin e jugut”, por ama si një rrjedhojë ironike, fashizmi u ndje mjaftueshëm i fortë sa të lëshonte një amnisti për të gjithë të internuarit. Carlo Levi u lejua të kthehej në shtëpi. Ai jetoi në Romë pas Luftës së Dytë Botërore dhe shërbeu në Senatin e Italisë si kandidat i pavarur në listat e Partisë Komuniste.

Krishti është ndalur në Eboli është botuar dy herë në shqip. Në qarkullim është botimi Dudaj 2022 me shqipërimin e Diana Kastratit. Në vitin 1979, libri është botuar nën titullin e ndryshuar Tokë e mohuar me shqipërimin e Flora Kokës.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>