nga Admin

3 Shtator, 2013

Në 100-vjetorin e Vedat Kokonës, Biblioteka Kombëtare nxjerr nga arkivat dorëshkrime dhe libra të hershëm të botuar prej tij… Një rrugëtim në jetën e njeriut që i dha jetë në shqip Gorkit, Pushkinit, Shekspirit, Bunn, Vinogradov, Dikensit, Heminguejit, Maria Pujmanovës, Gi De Mopasanit, Zvajgut, madje dhe poezive të Mao Ce Dunit më 1957-n

Në Tiranën e sapodalë nga lufta, disa djem të rinj të veshur me xhaketa elegante, flisnin në shëtitjet e pasdites për shkrimtarë e libra të njohur, që i kishin blerë në libraritë e Parisit, apo Romës ku kishin studiuar… Duhet të kthehesh në kohë gati 80 vjet më parë për të përfytyruar ndoshta zyrën e vogël të një reviste letrare që këta të rinj realizonin të udhëhequr thjesht nga pasioni. Në 100 vjetorin e njërit prej këtyre djemve të rinj, Vedat Kokonës, një personalitet në letrat dhe mendimin shqip, Bibloteka Kombëtare ka hapur një ekspozitë me dorëshkrime, librat e hershme të botuar prej tij, gazeta me shkrime të Kokonës që në fillesat e tij të hershme. Aty gjejmë dhe dorëshkrimin e zverdhur disi nga koha të “Revistës Letrare”, kopje e 15 shkurtit 1944, botuar nga “grupi themelonjës: Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Nexhat Hakiu, Sterjo Spase”. Eshtë interesante të shohësh përkushtimin e këtyre të rinjve ndaj letrave. Në editorialin me titull “Vija të vitit letrar 1943”, shkruhet se “Viti 1942 u mbyll me një zi të rëndë jo vetëm për botën e letrave por edhe për gjithë shqiptarët. Vdiq Faik Konica, babai I prozës dhe kritikës shqiptare”. Një mendim I thënë haptas për Konicën , për të cilin vite më vonë duhet të kishte kujdes kur shpreheshe. “Librashitasit u shtuan në Tiranë”, thuhet në një fjali të kësaj gazete, e cila duket se ka qënë një tribu për zhvillimet letrare të kohës. Bri dorëshkrimeve të gazetave të vjetra, qëndron dhe makina e shkrimit ku Kokona e ri, e më pas në moshë kalonte orë të tëra për të sjellë në gjuhën shqipe kryevepra të letërsisë botërore. Shumë pranë makinës së shkrimit, ndodhen disa fletë të shkruara në frëngjisht me shënimet e autorit, të pazverdhura nga koha. Duket sikur gjithçka ka ngelur aty si vite më parë, dhe tastierën e makinës së shkrimit mjeshtri do ta prekë sërish me gishtat e tij… Kjo ekspozitë është një homazh për Kokonën, këtë mëndje të zgjuar të letrave shqipe, I cili e solli Europën dhe Perëndimin shumë lehtë në Shqipërinë komuniste me librat e tij….

Vedat Kokona (3)Gorki, Pushkini, Shekspiri, Bunn, Vinogradov, Dikensi, Hemingëay, Maria Pujmanova, Gi De Mopasan, Zvajgu, madje dhe poezitë e Mao Ce Dunit më 1957-tën. Gjithë ketë jetë e liri që vjen prej këtyre botimeve që datojnë që në vitet 40-të, ia dedikojmë Kokonës, këtij burri që na shfaqet në foto I qetë, por mbarte brënda tij një dashuri të pafundme për dijen. Kjo ekspozitë është dhe një udhëtim në rrugën e tij drejt letrave…

Në gazetën “Demokratia “ më 21 tetor 1933, kur Kokona duhet të ketë qënë vetëm 20 vjeç, është botuar novela e tij “Lutja e fundit” e cila shoqërohet bashkë me një shënim të redaksisë :”Nga novelat e paraqitura në konkursin “Letrat të Valles së Shtypit”, çmimin e parë e fitoi novela “Lutja e fundit” e z. Vedat Kokona, student nga Gjirokastra, çmimin e dytë e fitoi novela “Kështu vdesin burrat” e Z. Mazreku, student nga Shkodra, çmimin e tretë novella “Ndër zana” e z. Asim Sokoli”. Mendimi kritik I Kokonës shfaqet që në shkrimet e tij të hershmem, teksa shkruan për Naim Frashërin…Me librave të hershëm të tij, gjejmë dhe botimin e parë të “Nga Tirana në Stokholm” i shtypur nga shtypshkronja “Nikaj” më 1935-sën. Një libër i dashur ky për Kokonën, ky i shkruar atëherë kur në vitet e hershme të rinisë, vetëm 22 vjeçar, student dhe plot ëndrra, i dashuruar me jetën, realizoi një nga dëshirat e tij më të zjarrta: një udhëtim në vendet skandinave. “Në zemrën time, një dëshirë vlonte: të dilja njëherë nga Shqipëria e të shikoja dhe unë botë me sy”, do shkruante Kokona. Ky libër është dhe një paralajmërim për ardhjen e një shkrimtari dhe intelektuali në botën letrare shqiptare. Në çdo vend që shikonte Kokona kërkonte ta krahasonte me mundësitë e Shqipërisë për të qënë i tillë. “Shqipëria jonë është e bukur… mund të ndërtojmë godina ku do mblidhen nesër djemtë e katundeve e të qyteteve, që do përhapin dritën e qytetërimit. Natyra na ka dhënë më tepër nga ç’na duhet. Megjithatë kjo nuk është mjaftë. Duhet të punojmë më tepër. Vendi unë duhet të bëhet një vend ideal turizmi. Vendin tonë të huajt nuk e njohin fare si vend turizmi. Po ta njihnin jam i sigurt se do të vinin nga ana e anës për ta vizituar”, shkruan ai.

Nga Tirana në Stokholm” nuk është vetëm një përshkrim i ndjerë e plot emocion,që na sjell peizazhe dhe histori vendesh mes këtyre dy stacioneve, por është edhe një dëshmi e stilit dhe talentit të Kokonës si shkrimtar i sukseshëm i viteve 30-40-të, i cili mund të kishte vazhduar të shkruante letërsi nëse Shqipëria e tij e dashur, nuk do të ndryshonte kahet politike pas luftës. Kokona zgjodhi të fliste përmes shkrimtarëve që zgjidhte për të përkthyer, e që shpesh i imponoheshin, por pavarësisht kësaj ai nuk e tradhtoi asnjëherë gjuhën. Ai dinte të hynte thellë brenda një shkrimtari, pasi e ndjente shpejt gjuhën e tij… Bri dorëshkrimeve pafund dhe librave që janë në një farë mënyre dhe historia më e suksesshme e botimeve shqiptare në këto vite, qëndrojnë dhe fjalorët e tij, duke filluar nga i pari i botuar më 1932 dhe i fundit më vitin 1940-të. Ky 100 vjetor është dhe një ftesë për të zbuluar Kokonën, në gjithë dimensionin e tij, një pjesë e të cilit ka mbetur në arkivën e kohës…

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>