nga Admin

26 Janar, 2010

Romani Romani “Kloroform” i autores Klara Buda na bën të besojmë se romancieret shqiptare janë fenomeni më i fundit premtues i ringjalljes së letërsisë së vendit të vogël ballkanik. Tek lexon këtë roman, nuk ke se si të mos kujtohesh për librat e Kunderës a për “El seor Presidente” të Migel Angel Asturias.

Është autopsia e një sistemi totalitar, dhe vetë libri riprodhon një realitet të vrazhdë që shkon herë-herë deri në makabritet. Por, realiteti totalitar i përshkruar nga një femër është një grafikë që fsheh nënshtresat e ngjyrave të ngrohta të impresionistëve. Është një roman që lexohet me një frymë, ngase ndjehet se është shkruar me një frymë. Është një roman, të cilit lexuesi i beson, ngase është shkruar nga një autore që vetë i beson asaj çka shkruan.

Dhe sinqeriteti në letërsi nuk është kategori morale: është stil, është ritëm, është sintaksë, është strukturë.
Klara Buda duket se i përket atyre shkrimtarëve që nuk kanë ndërmend ta lajkatojnë lexuesin.

Ajo flet vrazhdë, me një butësi bindëse, ajo shkruan një prozë me skena makabre, duke përdorur penelata poetike. Vete romani titullohet “Kloroform”. Por lënda e tij është një kloroform që jo vetëm nuk të përgjum, por, në të kundërt, përmes forcës së gjuhës dhe imagjinatës, zgjon kujtesën e amnestizuar, duke i folur lexuesve të një realiteti që është pushtuar nga amnezia.

Për të gjitha këto arsye romani “Kloroform” është një libër që i ka munguar deri më tash letërsisë shqipe.

Marrë nga Gazeta Shekulli.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>