Këshilla: Si të zgjidhni librin e duhur të gatimit?

0
1000

Liber gatimi (imazhi)Kur filloni të kërkoni për një libër gatimi, duhet më së pari të kuptoni se çfarë nevojash konkrete keni ju apo personi për të cilin po e blini librin. Këto janë disa sugjerime praktike se si mund të bëni zgjedhjen e duhur.

 

Formati i librit
Aktualisht shumica e librave që ofrohen në tregun shqiptar janë të printuar si çdo libër tjetër, gjë që e bën të kollajtë kur je duke i lexuar por jo aq praktik kur je duke gatuar dhe të duhet ta mbash librin të hapur mbi tavolinë. Kështu që një libër që mund të hapet kollaj, mund të jetë disi më praktik për nevojat tuaja gjatë procesit të gatimit.

Përmbledhja e recetave
Moria dhe gama e recetave është pothuajse e pafundme, dhe ju mund të gjeni libra që kanë dhjetra por edhe qindra receta të ndryshme. E rëndësishme është që të orientoheni nga nevoja dhe preferencat tuaja ushqimore. P.sh. nëse preferoni ushqime djegëse, atëherë mbase do ishte me e praktike të zgjidhnit një libër me receta të tilla. Por mbi të gjitha zgjidhni një libër me receta të cilat ju do ti përdorni, pasi ndryshe edhe funksioni i librit do mbetet thjesht dekorativ!

Prezantimi i recetave
Shumë prej librave që ofrohen aktualisht duken mjaft tërheqës nga kopertina dhe madje kanë edhe figura, por testi i vërtetë është lehtësia e ndjekjes së udhëzimeve për gatimin e recetave që ofrohen. Mbi të gjitha duhet të niseni nga niveli juaj i eksperiencës dhe nevoja për udhëzime të qarta kur jeni duke i gatuar. Nëse jeni një person që keni gatuar gjithë jetën tuaj, atëherë një libër gatimi me udhëzime të detajuara mund t’ju bezdisë, ndërsa kur jeni fillestar një libër i tillë mund t’ju ndihmojë shumë.

Recetat e ilustruara
Librat e ilustruar nuk janë vetëm për fëmijët. Një libër gatimi me foto dhe ilustrime të qarta e bën procesin e gatimit dhe rezultatin final edhe më të lehtë. Është gjithnjë më e lehtë të gatuash diçka që e ke parë më parë se si duhet të duket kur ka mbaruar. Fotot dhe madje edhe ilustrimet me figura janë një ndihmesë tjetër që duhet konsideruar kur zgjidhni librin e duhur.

Aspekte të tjera
Aspekte të tjera me interes mund të jenë tabelat e konvertimit të sasisë së përbërësve nga sistemi metrik në atë amerikan, apo mënyrat të tjera të matjes së përbërësve që ju nevojiten, etj.

 

Përfundimi
Mbi të gjitha, mos u bazoni vetëm te kopertina kur zgjidhni librin e gatimit!

Nëse keni sugjerime të tjera si dhe tituj konkret librash gatimi që ju kanë pëlqyer, atëherë ju ftojmë të jepni kontributin tuaj këtu poshtë te komentet.