nga Admin

14 Maj, 2013

[callout]David Foenkinos/Një nga shkrimtarët më bashkëkohorë sot në Francë tregon lidhjen e tij me të shkruarin, Parisin, krizën e leximit sot, dhe kritikën agresive franceze…[/callout]

Alda Bardhyli (SHQIP)

David FoenkinosNga dritarja e apartamentit të tij në Paris, David Foenkinos duket se gjeti subjektin e romanit të tij të ardhshëm. Një grua që puth papritur një burrë, do ta frymëzonte shkrimtarin që po i afrohet të 40-ave të shkruante romanin që do ta kthente në autorin më të shitur në Francën e sotme, “Delikatesa”. Prej kohësh ai mendonte të shkruante një histori për kthimin sërish në jetë, pas një ngjarjeje që mund të na e ketë errësuar atë… Dhe ajo puthje aq e beftë e asaj gruaje të panjohur, sikur i dha zgjidhjen dilemës së tij… Kështu lindi personazhi i tij kryesor, Natalia, gruaja që jetonte një martesë të përkryer me Fransuain deri në ditën që ai papritur vdes. Tashmë vejushë, ajo i ka ngritur një mur emocioneve të saj, ku nuk mund të hyjë askush. E dërrmuar shpirtërisht, ajo kalon disa vite e zhytur mes dosjeve, deri sa një ditë gjithçka ndryshon… Një subjekt në dukje i thjeshtë, por i shkruar me stil nga Foenkinos, do të kthehej në një nga librat më të shitur në Francë. I përkthyer në tridhjetë e pesë gjuhë të botës, këtë vit ai ka ardhur në shqip nën përkthimin e Edmond Tupes. Fitues i dhjetëra çmimeve, në vitin 2001 libri u kthye në film me të njëjtin titull, ku interpretojnë aktorë të njohur francezë si Audrey Tautou dhe François Damiens. Nesër autori do të udhëtojë drejt Tiranës për të qenë i pranishëm të enjten në një mbrëmje letrare në librarinë “E Për7shme”, ora 18:00 për një bisedë me lexuesit dhe shkrimtarët shqiptarë, i ftuar nga ambasada franceze dhe botimet “Pegi”. Foenkinos shkruan thjesht, por si një francez eleganca ndihet nga një faqe libri te tjetra. Kritika e huaj, sidomos ajo amerikane, është treguar e ndjeshme ndaj librave të tij, duke e përshkruar si “shkrimtarin që di të ndezë zemrën e një gruaje”. Më poshtë David Foenkinos vjen në një bisedë për gazetën “Shqip”, mbi letërsinë dhe gjërat që e shtyjnë drejt saj…

 

Le ta nisim bisedën nga romani juaj “Delikatesa”, një roman i botuar dhe në gjuhën shqipe, por që ka sjellë një kthesë në jetën tuaj si shkrimtar për vetë suksesin që ka pasur. Si lindi “Delikatesa”?

“Delikatesa” është një roman që lindi nga një skenë e shpirtit tim. Skena e një gruaje që puthte papritur një burrë. Përveç kësaj, është një roman mbi kthimin sërish në jetë, pas një ngjarjeje të hidhur që mund të kesh pasur. Një rilindje pas një drame, me idenë që jeta mund të jetë vërtet befasuese.

 

Duket një histori mes dashurisë dhe dhembjes… A është tani koha e dashurisë?

Ekzaktësisht. Në çdo çast jeta mund të marrë të përpjetën. Doja të shkruaja një histori dashurie me dramë, natyrisht, por edhe plot humor. Heroina kryesore e këtij romani herë pas here mbart dhe ndjenja që edhe ajo vetë nuk i kupton.

 

Ju keni studiuar muzikë. Sa ka ndikuar kjo në shkrimet tuaja?

Muzika dhe e shkruara ndonjëherë më duken njësoj. Unë isha një muzikant para se të nisja të shkruaja dhe të punoja me instrumentin tim ashtu siç tani punoj me fjalët. Secili prej nesh duhet të gjejë një mënyrë të përshtatshme të të shprehurit, mes gjërave që dëshiron të bëjë. Si përfundim, unë zgjodha fjalët.

 

Vini nga një vend si Franca, e cila ka një letërsi të madhe. Cilët janë shkrimtarët që ju kanë frymëzuar në rrugën tuaj drejt shkrimit?

Janë shumë shkrimtarë! Por sidomos ata të Lindjes, si Milan Kundera dhe Dostojevski. Në letërsinë amerikane më ka frymëzuar Philip Roth, por janë dhe shumë të tjerë që kanë ndikuar me librat e tyre tek unë.

 

Çfarë është të shkruarit për ju?

Është një fiksim. Një lidhje fizike. Pothuajse si një dashuri.

 

Flitet gjithnjë e më tepër për një mungesë të letërsisë së vërtetë dhe një lulëzim të librave bestseller apo rozë. Si e shihni këtë raport?

Jo, mendoj se duhet të mos u besojmë fenomeneve. Nuk duhet të përgjithësojmë. Do të ketë gjithmonë romanë befasues, të zgjuar.

 

A është letërsia sot në krizë?

Nuk besoj. Të paktën në Francë vazhdon të jetë i njëjtë numri i librave të botuar. Ndoshta ka një krizë të lexuesve. Është e trishtë të shohësh kaq pak të rinj nëpër librari. Isha shumë i lumtur që “Delikatesa” që u kthye në fenomen në Francë me më shumë se një milion kopje të shitura, u lexua shumë edhe nga të rinjtë.

 

Dhe pse kemi një rënie të kritikës, në Francë ajo vazhdon të jetë agresive?

Me lindjen e internetit sot të gjithë janë bërë kritikë. Lexuesit u referohen faqeve ku secili mund të japë opinionin e tij. Ajo që ka më shumë rëndësi janë fjalët që thuhen midis miqve e të njohurve. Më vjen keq që në Francë kritika është tepër agresive. Më pëlqen kritika që është edhe konstruktive për autorin.

 

Si është jeta juaj në Paris? Çfarë po shkruani tani?

Unë udhëtoj shumë dhe gjatë kthimeve në Paris, më pëlqen të rri në shtëpi. Jam i lumtur të gjej sërish apartamentin tim dhe tim bir. Ne jetojmë bashkë dhe bëjmë një jetë të thjeshtë. Tani po punoj mbi një roman të ri dhe një film të ri, gjithashtu. Ishte e mrekullueshme të realizoja filmin “Delikatesa” me aktoren e njohur Audrey Tautou. Prandaj po shkruaj, për të xhiruar sërish një film me një tjetër aktore të bukur.

 

A keni lexuar shkrimtarë shqiptarë?

Duhet të pranoj që jo. Njoh Kadarenë natyrisht, por nuk e kam lexuar. Prandaj jam shumë i gëzuar që do të vij në Shqipëri, që të zbuloj disa shkrimtarë. Dhe gjithashtu shqiptarët, dhe shqiptaret natyrisht!

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>