27 Dhjetor, 2020

Një shkrimtare e pasur shkruan një roman për jetën e të pasurve. Ajo ofron një dritare për njeriun e zakonshëm në botën e mbyllur të shtresës së lartë, ndërkohë që shkakton neveri te disa dhe zili te disa të tjerë, duke përfituar para të majme nga shitja e librave. Njihuni me Edith Wharton, autore e romanit Mosha e pafajësisë.

Kur ajo filloi të shkruajë Mosha e pafajësisë, në shtator 1919, shkrimtarja amerikane Edith Wharton kishte nevojë për para. Telashet ekonomike të shkaktuara nga Lufta e Parë Botërore kishin ulur të ardhurat e saj vjetore me rreth 60%. Dhe ndërkohë ajo kishte blerë dhe po mendonte ta rinovonte një shtëpi në Saint-Brice-sous-Forêt, një fshat francez, ku ajo shtroi dhomën e ngrënies me mermer bardhë e zi, zëvendësoi një lëndinë “gjithë gunga” me një kopsht luksi prej tre hektarësh të kompletuar me një pellg zambakësh uji si dhe zgjeroi bahçen e zarzavateve. Dhe paralelisht me këto shpenzime, ajo po paguante një qira të majme në apartamentin e saj të stërmadh në 53 Rue de Varenne në Paris, një apartament që kishte mes të tjerash, zbukurime me dru të gdhendur dhe oxhaqe luksi.

Wharton besonte se vendi i saj ishte në majë të piramidës së super të pasurve. Shumë pranë kulmit, por kurrë në kulm. Vendimmarrja tipike e vështirë financiare për të ishte nëse ajo duhej apo jo të hiqte dorë nga dyert me hekur të rrahur në Mount, mansionin e saj në Masaçusets, ku kishte tridhjetë e pesë dhoma. Dhe nëse dëshironte të jetonte siç ishte mësuar, ajo kishte nevojë për një libër të shumëshitur. Mosha e pafajësisë, romani që Wharton shkroi përgjatë një periudhe shtatëmujore, i ofroi asaj mundësinë të bënte para duke shkruar mbi paratë – një rikthim në këtë formë pas katër vitesh rrëfenjash me luftë për të cilat, botuesit e saj ia kishin thënë copë, nuk shiteshin.

Nga bota e saj e luksit mijëra kilometra larg dyerve të mbyllura të shoqërisë së lartë të Nju Jorkut dhe duke i vendosur ngjarjet pesëdhjetë vjet më herët se sa koha e saj, Wharton ftoi njerëzit e zakonshëm për të vizituar dhomat e ndenjes së më të pasurve të Manhatanit, duke bërë diçka si exposé nga një e brendshme. “Fati më hodhi mua në Nju Jork,” shkroi ajo më vonë në kujtimet e saj “ndërsa instinkti im si rrëfimtare më këshilloi të përdorja atë material që gjendej më pranë meje.”

Revista Pictorial Review e botoi romanin me pjesë përkundrejt një pagese prej tetëmbëdhjetë mijë dollarësh; libri e pagoi veten shpejt duke shitur njëqind e pesëdhjetë mijë kopje në vitin e parë të botimit duke i siguruar Whartonit në total pesëdhjetë mijë dollarë. Wharton i përdori këto para për të blerë një shtëpi të dytë në Francë, një ish manastir me terraca të stërmëdha dhe me mure të fortifikuara në Hyères, në Bregun e Kaltër.

Ajo nuk ishte kurrë tipi që ngatërrohej me vendësit kështu që mblodhi miqtë e saj amerikanë dhe britanikë në shtëpitë e saj elegante, duke kaluar shumicën e jetës së saj në Europë. Paratë solidifikuan pozicionin e saj në shoqërinë e lartë. Ajo u bë edhe më e pasur duke i dhënë shkas njerëzve që ta neverisnin apo ta kishin zili.

Shkrimtarët para Whartonit e kishin kuptuar se rrëfimtaria është në vetvete një akt ekspozimi të fshehtash, por ajo duket se e shfrytëzoi shumë më mirë se sa të tjerët këtë. Dhe statusi i saj si shtresë e lartë e bëri romanin edhe më të besueshëm. Kur Wharton ia tregoi romanin të dashurit dhe shokut të vjetër Walter Berry, ai i tha asaj: “Është libër i mirë. Por natyrisht ti dhe unë jemi të vetmit njerëz që do ta lexojmë. Ne jemi të vetmit që kemi mbetur dhe që mund të mbajmë mend Nju Jorkun dhe Njuportin siç ishin në atë kohë ndërsa të tjerët vështirë se do të kenë ndonjë interes për të.”

Wharton shkroi më vonë se ajo ishte në një mendje me të. Por lexuesit në fakt u treguan jashtëzakonisht të interesuar.

Marrë me shkurtime nga The New Yorker

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>