Intervistë me shkrimtaren Brunilda Zllami: Sado të mundohet një mashkull, nuk e kupton realisht shpirtin e një femre
“Ka një paragjykim për femrat që shkruajnë …”. Brunilda Zllami, autore e disa romaneve, shprehet kështu në një intervistë për revistën letrare “Saras”, e cila këtë numër ia ka kushtuar gjinisë në letërsi.
Asnjë shkrimtari mashkull nuk do t’i kërkohej të ulej në një panel, ku fliteshin për problemet e gjinisë së tij … ndërsa mua më pyetën se si ndihesha në një panel me femra. Shkrimtarja Margaret Atwood përpiqet ta shpjegojë kështu diferencën që ndihet dhe në letërsi mes burrave e femrave …?
Ka paragjykim për femrat që shkruajnë. Paragjykim nëse pena e tyre është “penë e fortë”, nëse janë të krahasueshme me meshkujt shkrimtarë, nëse kanë target një grup të caktuar, siç është gjinia e tyre apo kanë forcën të tërheqin diçka më shumë. Paragjykime që shpesh shprehin komplekset dhe xhelozinë e atyre që i bëjnë. Fatmirësisht letërsia ka evoluar dhe ka hapur dyert e shkrimtareve femra, të cilat kanë për të dhënë ngjyrimet e tyre për jetën dhe realitetin. Por brenda këtyre dyerve ka edhe rropatje, bërryla, denigrime, vetëm për faktin se janë femra. Mua fillimisht më bezdiste një gjë e tillë, tani jo më. Nuk kam pse kërkoj falje se jam femër. Nuk kam pse kërkoj falje se me pëlqen të shkruaj. Por as bërtas që të më pranojnë në kullat e ngurta që kanë ngritur. Lidhjen time më të ngushtë e kam me lexuesin.
A mund të flasim sot për një letërsi të shkruar nga burrat dhe një letërsi të shkruar nga femrat?
Përkundrazi sot mendoj se edhe burrat po tentojnë të shkruajnë për femrat dhe si femrat, një mënyrë kjo për të tentuar të gjejnë pak vend në bibliotekën e tyre, por edhe se si natyrë femra është intriguese, komplekse, tërheqëse. Mendoj se kjo është diçka e mirë, sepse tek e fundit do të ishte një ndriçim i botës femërore nën këndvështrimin mashkullor. Kaq mund të jetë, jo më shumë, se sado të mundohet një mashkull nuk do arrinte të kuptonte realisht shpirtin e një femre, por në shkrimet e tyre ne mund të shohim se si vizualizohemi në mendjen e një mashkulli.
Femrat janë më shumë të mbrojtura nga femrat në libra apo nga burrat?
Varet nga fabula. Shkrimtaret femra, ndoshta në mënyrë të pandërgjegjshme, tentojnë të japin përshkrimin e një bote femërore që është e lidhur dhe brumëzuar nga e njëjta baltë, rrëzohet dhe ngrihet nën të njëjtin himn që këndohet nën zë, atë të mbrojtjes së femrës. Është si nevojë për të nxitur mbështetjen e njëra-tjetrës, për të kërkuar një mike edhe atëherë kur nuk e ke. Në realitet nuk ndodh gjithnjë kështu. Femrat ndonjëherë janë shumë të egra me llojin e tyre. Ndërsa meshkujt … i duam dhe i urrejmë, duam lirinë prej tyre dhe varësinë nga ata, duam të jemi si ata, në të vërtetë jemi të ndryshëm. Dhe brenda kësaj lufte të përjetshme tentojmë të gjejmë një ekuilibër. Kemi nevojë për dashurinë dhe ajo mban emrin e tyre. Vetëm shpresoj që kjo të perceptohej sadopak dhe nga ana tjetër. Një dashuri nuk është skllavërim dhe një femër nuk është aspak seksi i dobët. Shpesh është më e fortë sesa e mendon dhe vetë.
Në të gjitha kohët, letërsia ka qenë fusha e vetme kur liria e fjalës ka qenë më pak e censuruar. Megjithatë ka pasur femra që e kanë treguar censurën që në titullin e një libri që kanë shkruar, duke e vendosur emrin nën pseudonim?
Përkundrazi, letërsia ka vuajtur në çdo epokë prej censurës dhe nuk po flas vetëm për diktaturat. Shkrimin nën pseudonim nuk e kanë bërë vetëm femrat, por edhe meshkujt dhe kjo në vetvete është mënyrë për të qenë i paparagjykuar, por edhe një mënyrë për të shkruar lirshëm, pa kufizime, pa frikë. Sepse kjo është në të vërtetë arti i të shkruarit, kjo është bota që aq shumë e kërkojmë ne që shkruajmë për të qenë vetvetja. Është e trishtë kur edhe në letërsi censurohesh apo të censurojnë. Ka pasur edhe femra që kanë shkruar nën pseudonime me emra meshkujsh. Kanë qenë kohë kur mendohej se femra s’kishte të drejtë as të ëndërronte, le të filozofonte e të hidhte ide mbi letër. Nuk është rasti i parë, as i fundit, ku femrës i është dashur të prezantohet në veshjen, emrin, zërin e një mashkulli. Mund ta quajmë mbijetesë.
Kur shkruani një roman të ri, jeni e prirur të jeni në anën e femrave dhe pse?
Ndoshta instinktivisht, ndoshta sepse tek ato vetëpasqyrohem dhe instinkti bazë është të mbrosh veten. Ndoshta, sepse ka kaq shumë dhunë ndaj femrave sa rebelohem dhe më vjen të bërtas që askush nuk e vret mendjen kur çdo ditë në lajme jepet se si vriten në mënyra nga më barbaret. Nuk jam feministe, edhe pse mund të tingëllojë e tillë kur lexohen librat e mi. Por të kërkosh që femra të ketë të drejta bazike nuk do të thotë se i përket një sekti të caktuar. Janë thjesht të drejta që duhet t’i ketë çdo njeri.
Si janë femrat në letërsinë që ju shkruani, sa ndryshojnë ato nga femrat që njihni në jetën reale?
Femrat e letërsisë që shkruaj janë femra të gjalla. Marrin frymë, dashurojnë, vuajnë, jetojnë. Janë në kërkim të vetes, të dashurisë, të gjetjes së ekuilibrit të duhur për jetën e tyre dhe të familjes. Janë femra që luftojnë, që rrëzohen, por dinë të ngrihen. Femra që qajnë, por mes lotëve gjejnë edhe buzëqeshjen, femra që ndiejnë e japin emocione, femra që kujtdo shtrese sociale, profesionale i përkasin mbeten të njëjta vetëm në një gjë, duan të jenë të lumtura, pavarësisht se lumturia ka ngjyrime të ndryshme për çdo njeri.
Nëse ka një libër që ju pëlqen ta lexoni shpesh, të shkruar nga një autore femër, cili është ai?
“Shtëpia e shpirtrave” e Aljende, më pëlqen sa herë e lexoj; “Përgjithmonë Xhulia” dhe thuaj të gjitha librat e Sveva Casati Modigniani; “Krenari dhe paragjykim” e Jane Austin.
Çfarë kanë dhënë burrat për femrat në letërsi?
Një pasqyrë ku mund të shihen.
A vazhdon ende të ndihet feminizmi në letërsi?
Besoj se po. Sa të jetë në fuqi diskriminimi ndaj femrave, do të jetë edhe feminizmi në letërsi. Më vjen mirë që ka shumë femra që kanë filluar të shkruajnë. I vetmi dëshpërim që ndiej është se ndonjëherë mungon individualiteti. Çdo shkrimtar duhet të shkruajë ashtu siç e ndien, të ketë stilin e tij, përqasjen e tij me botën e artit. Shpresoj se ato që do të vendosin të shkruajnë të kuptojnë sesa e rëndësishme është të jesh vetvetja, të bësh diçka tënden, krejtësisht tënden.
Fuqi ndaj burrave apo ndaj vetes, cila duhet të jetë fuqia që kërkojmë?
Nuk besoj se ajo që një femër kërkon është fuqia. Ajo ka fuqi të jashtëzakonshme brenda vetes. E rëndësishme është njohja e vetes, njohja e dëshirave, pasioneve. Përqasja jonë me botën nuk duhet të jetë një luftë me burrat, por një udhëtim përkrah tyre. Tek e fundit, ai që dashurojmë është një burrë.
Marrë nga: www.revistasaras.al
Botimet
Brunilda Zllami ka lindur në qytetin e Bajram Currit (Tropojë) dhe është diplomuar për Mjekësi. Ka kryer edhe Fakultetin Juridik. Romanet e saj, që në fillimet e botimit prej vitit 1996, kanë gjetur lexuesin e tyre të të gjitha moshave. Fabula, tematika, stili i veçantë, mënyra e trajtimit të problematikës, zgjidhja e intrigës në një mënyrë tjetër, sinqeriteti dhe origjinaliteti i zgjidhjes së konflikteve në romanet e veta e bëjnë atë të afërt dhe të dashur për lexuesin.
Disa nga botimet e saj janë:
Dashuri apo urrejtje (1996)
Fantazmat e shpirtrave të etur (1996)
Ëndrra e papërfunduar e një gruaje (1997)
Puthja e hënës (1998)
Hijet (1999)
Labirintet e Medeas (1999)
Dinozaurët e ndërgjegjes (2001)
Çmimi i përjetësisë (2002)
Dua (2003)
Matilda (2003)
Jetoj në harresën tënde (2004)
Një tjetër (2004)
Dikur ishim bashkë (2005)
Rruga e trëndafilave (2007)
Lindur femër (2007)
Lakmia (2009)
Në shpirtin tim bën ftohtë (2010)
Ti je e nesërmja (2012)
Nuk jam engjëll (2014)