17 Mars, 2021

Marrë nga libri: “Jetë imagjinare”, nga Marcel Schwob (me përkthim nga Primo Shllaku)

Lukreci erdhi në jetë në një familje të madhe, e cila jetonte e tërhequr larg jetës qytetare. Ditët e para të jetës i kaloi nën hijen e tremes së zezë të një vile të ngritur në mal. Oborri i brendshëm i kësaj shtëpie ishte i zymtë dhe skllevërit të heshtur. Qysh në fëmijëni ai ishte i rrethuar nga përbuzja për politikën dhe njerëzit. Fisniku Memmius, që ishte moshatar me të, pësoi në pyll lojnat që Lukreci e shtrëngoi të bënte. Së bashku ata u çuditën me rrudhat e pemëve të moçme dhe ndenjën duke këqyrur fërfëllimat e gjetheve nën rrezet e diellit, si të ishte një velë gjelbëroshe drite, e mbjellë me njolla të arta. Shpesh kundronin kurrizin vija-vija të derrave të egjër që i merrnin erë tokës. Ndeshën plima zukatëse bletësh dhe varganë thneglash në ecje. Dhe kështu një ditë, në të dalë të një prozhmi, u gjendën në një lirishte të qarkuar prej qarrash të moçëm, që ishin rritur kaq afër e afër, saqë qerthulli i tyre hapte në qiell një pus kaltërsie. Prehja në këtë strehë ishte e pafund. Të dukej se ishe në një rrugë të gjerë e të pastër, e cila shkonte drejt lartësive të ajrit hyjnor. Lukreci atje u prek nga bekimi i hapësirave të paqta. Së bashku me Memmiusin ai e braktisi tempullin e qetë të pyllit për të studiuar gojëtari në Romë. Fisniku plak që kullandriste vilën në mal i vuri një profesor grek dhe e detyroi që të mos kthehej derisa të mos zotëronte artin e përbuzjes së veprimeve njerëzore. Lukreci nuk e pa më. Ai vdiq i vetmuar, duke mallkuar tollovitë e shoqërisë. Kur Lukreci u kthye, ai solli me vete te vila në mal, në oborrin e zymtë dhe në mesin e skllevërve të heshtur, edhe një grua afrikane, të bukur, barbare dhe të ligë. Edhe Memmiusi ishte kthyer në shtëpinë e etërve të tij. Lukreci kishte parë partitë të gjakoseshin me njëra-tjetrën, luftërat e partive dhe korrupsionin politik. Kishte rënë në dashuri. Fillimisht jeta e tij qe magjepsje. Gruaja afrikane mbështeste te hijezat rrëzë mureve shtëllungën e pleksur të floknajës së saj. I gjithë trupi i saj i mbulonte për së gjati shtretërit e prehjes. Ajo përfshinte me krahët e saj ngarkuar me smeralde të tejpashme krateret me verën shkumuese. Kishte një mënyrë të çuditshme për të ngritur gishtin dhe për të shkundur ballin. Buzëqeshjet e saj kishin një burim të thellë e të terratisur si vetë lumenjtë e Afrikës. Në vend që ta tirrte leshin, ajo e bënte gjithë durim flokë-flokë që fluturonin përreth saj. Lukreci dëshironte me gjithë shpirt të shkrihej me këtë trup të bukur. Ai e shtrydhte gjoksin e saj ngjyrë metali dhe e ngjiste gojën mbi buzët e saj të një mavie të errët. Fjalët e dashurisë kaluan nga njëri te tjetri, u kthyen në psherëtima, i bënë të qeshnin dhe u harxhuan. Ata prekën tisin e butë dhe të patejdukshëm që ndan dashnorët. Epshi i tyre fitoi më shumë tërbim dhe synoi të ndërronte person. Epshi arriti deri te skaji i tejmë ku ai përhapet nëpër tërë mishin, por pa depërtuar deri te rropullitë. Zemra e huaj e afrikanes u mrrudh. Lukreci u dëshpërua që nuk po mund ta plotësonte dashurinë. Gruaja u bë fodulle, e zymtë dhe e heshtur, ashtu siç ishte oborri i brendshëm dhe skllevërit atje. Lukreci filloi ecejaket në sallën e librave. Atje ai shpështolli një rrotull pergamene, në të cilën një skrib kishte kopjuar traktatin e Epikurit. Aty për aty ai kuptoi larminë e gjërave të kësaj bote si dhe kotësinë e përpjekjeve për t’u marrë me idetë. Gjithësia iu duk si ato flokët e imët të leshit, që gishtat e afrikanes i shpërndanin nëpër dhoma. Plimat e bletëve dhe varganët e thneglave, por edhe pëlhura lëvizëse e gjetheve, qenë për të grupëzime grupëzimesh përbërë prej atomesh. Dhe në të gjithë trupin e tij ndjeu një mizëri të padukshme dhe zevzeke grimcash, që po plasnin për të mos ndenjur bashkë. Kurse shikimet iu dukën si ca rreze më imtësisht mishtore dhe pamja e të huajës së bukur një mozaik ikëndshëm shumëngjyrësh, kështu që ai e kuptoi se fundi i lëvizjes së kësaj pafundësie ishte i kotë dhe i trishtë. Ashtu sikurse partitë që capërloheshin mes tyre në Romë, me çetat e tyre prej klientësh të armatosur dhe gojështhurur, ai kundroi vorbullën e kopeve atomike të ngjyer me të njëjtin gjak, por që mëtojnë mes vetes një epërsi të errët. Dhe pa se shpërbërja e vdekjes ishte thjesht çlirimi i kësaj turme të pështjelluar, e cila i jep shkas një mijë lëvizjeve të tjera e gjithsesi të kota. Pra, kur Lukreci i mësoi të gjitha këto nga rrotulla e pergamenës, në të cilën fjalët greqisht, ashtu sikurse atomet që përbëjnë botën, ishin endur njëra brenda tjetrës, ai doli në pyll nëpër tremen e zezë të vilës në mal të të parëve të tij. Atje prapë i zuri syri derrat e egjër me kurrizin vija-vija, që e mbanin turirin e tyre gjithnjë drejt tokës. Pastaj, ndërsa po përshkohej nëpër të prozhëm, befas ai u gjend në mesin e tempullit të qetë të pyllit dhe sytë e tij u krodhën në pusin e kaltër të qiellit. Aty ai vendosi të bënte pushim. Prej aty filloi të kundronte pamatësinë mbushulluese të gjithësisë; të gjithë gurët, të gjitha bimët, të gjitha pemët, të gjitha kafshët, të gjithë njerëzit me ngjyrat e pasionet e tyre, me veglat dhe me historinë e këtyre gjërave të ndryshme, madje edhe lindjen, sëmundjet dhe vdekjen e tyre. Dhe në mesin e vdekjes së përbotshme dhe të domosdoshme, ai shqoi qartësisht vdekjene pashoqe të afrikanes dhe qau. Ai e dinte mirëfilli se lotët vijnë nga një lëvizje e posaçme të atyre gjëndrave që ndodhen nën qepallat, dhe se këto vihen në lëvizje nga një varg atomesh që dalin nga zemra, në kohën kur vetë zemra goditet nga një rrezatim imazhesh me ngjyra, që shkëputen nga sipërfaqja e trupit të një gruaje të shtrenjtë. Ai e dinte se dashuria shkaktohet nga fryrja e atomeve që dëshirojnë të bashkohen me të tjera atome. E dinte se trishtimi i shkaktuar nga vdekja s’është tjetër veçse më i keqi nga iluzionet tokësore, pasi e vdekura pushon së qeni fatkeqe dhe nuk vuan më, ndërsa ai që e vajton atë pikëllohet për të ligat e tij dhe, kësisoj, mendon ashtu turbullisht edhe për vdekjen e vet. Ai e dinte se pas nesh nuk mbetet asnjë shëmbëlltyrë dyfishe që të derdhë lot mbi kufomën e vet të shtrirë tek këmbët e saj. Por, duke njohur me saktësi si trishtimin, dashurinë e vdekjen, dhe duke ditur se ato janë imazhe të kota kur kundrohen nga hapësira e qetë ku do të shkosh të ndryhesh, ai vazhdoi të vajtonte dhe të dëshironte dashurinë, por edhe t’i trembej vdekjes. Ishte kjo arsyeja pse kur hyri në vilën e madhe e të zymtë të të parëve të tij, ai iu qas bukuroshes afrikane, e cila, mbi një mangall, po ziente një pije në një enë prej metali. Sepse edhe ajo sakaq kishte menduar për hesapin e saj dhe mendimet e kishin çuar te burimi misterioz i buzëqeshjes së saj. Lukreci po e këqyrte lëngun e pijes që ende po vlonte. U ftillua mendërisht pak nga pak dhe u bë si një qiell i turbullt dhe i gjelbër. Kurse afrikania tundi ballin e saj dhe ngriti një gisht. Lukreci e piu pijen. Menjëherë mendja i krisi dhe aty për aty i harroi të gjitha fjalët greqisht nga gypi i pergamenës. Dhe, për herë të parë, meqë ishte krisur nga mendtë, njohu dashurinë; por gjatë natës, meqë i kishin hedhur helm, ai njohu edhe vdekjen.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>