7 Korrik, 2020

A mundet të promovosh liberalizmin dhe të pranosh ndihmën ekonomike në rast pandemie?

Ayn Rand

Instituti që promovon kapitalizmin laissez-faire të shkrimtares Ayn Rand, romanet e të cilës Revolta e Atlasit dhe Burimi i Jetës prezantuan filozofinë e objektivizmit për miliona lexues në të gjithë botën, aplikoi dhe mori 1 milionë dollar kredi nga Programi për Mbrojtjen e Punësimit në SHBA, në atë që konsiderohet një ironi e madhe letrare.

Ayn Rand i la trashëgim botës një numër romanësh të shumëshitur në shumë vende (përfshirë edhe Shqipërinë) si dhe një sistem filozofik që promovon individualizmin dhe hedh poshtë ndihmën shoqërore si skllavëruese ndërsa Instituti Ayn Rand, emri zyrtar i të cilit është Qendra për Përparimin e Objektivizmit në Santa Ana, Kaliforni, funksionon për të promovuar filozofinë e kësaj shkrimtareje që u nda nga jeta në vitin 1982.

Por ndryshe nga filozofia që promovon, instituti aplikoi dhe mori një kredi nga qeveria e Shteteve të Bashkuara me synimin e ruajtjes së 35 vendeve të punës së stafit të saj.

Në një ese të vitit 1962, Rand shkroi mbi disa biznesmenë të shekullit të shtatëmbëdhjetë: “Ata e dinin se ‘ndihma’ e qeverisë për biznesin është po aq shkatërrimtare sa edhe persekutimi nga qeveria dhe se e vetmja mënyrë se si qeveria mund të vihet në dispozicion të mirëqenies kombëtare është që të mbajë duart larg biznesit”.

Pyetur nga agjencia Reuters, instituti referoi një blog të shkruar nga një nga anëtarët e bordit të vet, Harry Binsëanger, i cili shpjegoi se pse instituti vendosi të pranojë ndihmën shtetërore. “Ne do ta marrim pa kërkuar ndjesë për shkak se parimi këtu është: drejtësia.” Sipas tij, “qeveria nuk ka pasuri të vetën… ajo vetëm sa mund të rishpërndajë pasurinë e të tjerëve.”

Rand (1905-1982) është një filozofe dhe shkrimtare ruse e natyralizuar amerikane që nga viti 1926.

Argumenti i dhënë nga Instituti Ayn Rand për marrjen e ndihmës nuk është në fakt i ri.

Në historinë e Romës së Lashtë tregohet se si tribuni popullor Gaius Grakus, i cili realizoi një plan për të ndihmuar popullsinë e Romës me drith falas, debatoi mbi këtë ide veccanërisht ashpër me një ish-konsull të pasur, Lucius Kalpurnius Piso Frugi.

Ky i fundit, kur Gaius, i cili fitoi betejën për ligjin, filloi të shpërndajë drithin për popullin, u vu në radhë për të marrë edhe ai drithë falas. I parë në mënyrë pyetëse nga Gaius, ai u përgjigj: “Unë nuk jam i lumtur që ti po shpërndan te të tjerët pasurinë time, por për shkak se ti po e bën sakaq, unë  natyrisht do të rri në radhë për të marrë hisen time”.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>