nga Admin

1 Tetor, 2010

Markus Dohle, shefi i Random House

Shefi i njërës prej shtëpive botuese më të mëdha dhe të fuqishme të botës “Random House”, Markus Dohle, rrëfen planet e ardhshme të shtëpisë që ai drejton në epokën e librave elektronikë dhe arsyet se përse libri në letër do të vazhdojë të mbijetojë.

Markus Dohle, shefi i Random HouseDohle, ju jeni në krye të shtëpisë botuese më të madhe në botë që prej dy vitesh. Fillimisht emërimi juaj u pa me mosbesim, duke qenë se ishit një “i jashtëm” dhe nuk kishit të bënit me familjen që drejtonte deri pak kohë më parë biznesin. A e mbani mend pritjen që iu bënë në zyrat qendrore në Nju Jork, menjëherë pas emërimit?

Le të themi se komuniteti të cilin unë tani drejtoj ishte pak i befasuar nga emërimi im dhe në njëfarë mënyre edhe unë. Por menjëherë fola dhe kontaktova me të gjithë njerëzit që më rrethonin dhe pak nga pak mosbesimi edhe në rrethet intelektuale u zhduk. Gjatë karrierës sime kam takuar dhjetëra autorë librash të suksesshëm dhe kam një përvojë në industrinë e librit dhe ambientin shumë kreativ të kësaj industrie. Në fund të fundit, edhe pse shumë intelektual, bëhet fjalë për një biznes, çka do të thotë që duhet të kesh kulturë, por edhe nuhatje për tendencat dhe kërkesat e tregut.

Si botues, cili ka qenë autori që keni takuar për herë të parë, kuptohet në pozicionin e ri të shefit?

Dan Brown.

Autori i famshëm, që përbën edhe një nga sukseset tuaja dhe përfitimet më të mëdha në shkallë botërore.

Takimin me Dan e bëra ditën e parë të fillimit të punës së re. Isha në zyrë në orën 08.00, kur na i ra derës në orën 10.00. Ai ishte në qytet dhe me këtë rast kërkoi të më takonte. Me fjalë të tjera autori e mirëpriti emërimin tim dhe unë e vlerësova miqësinë e tij. Që nga ajo kohë kemi një marrëdhënie shumë të mirë.

Në ato momente shtëpia juaj botuese kishte kohë që ishte në pritje të librit të fundit të Dan Brown, “Simboli i humbur”, i cili u publikua në vitin 2009, duke shënuar një sukses të madh si për autorin edhe për ju.

Kjo ishte arsyeja që unë e konsiderova atë vizitë si një shenjë të mirë. Me fjalë të tjera ai po më thoshte që libri nuk do të vononte dhe pikërisht kështu ndodhi. “Simboli i humbur” doli në vitin 2009 dhe pati shumë sukses.

E shihni më shumë veten tani si një botues, apo si një menaxher?

Unë e shoh veten si dikush që duhet të gjejë dhe në fakt e kam gjetur balancën mes kreativitetit dhe përfitueshmërisë financiare. Sigurisht që sot lexoj shumë më tepër se sa zakonisht dhe kjo është arsyeja se përse kam gjithmonë libra me vete, kudo që shkoj dhe jo vetëm libra të printuar, por edhe në format e-book. Lexoj sapo kam një minutë kohë të lirë, edhe sikur të jetë në 12.00 të natës.

Kur shihni njerëz që lexojnë në trena, çfarë mendoni se do të ishte më mirë për ta, një lexim i librit me fletë, apo iPad?

Më pëlqejnë të dyja mënyrat..

Sepse bëni para me të dyja mënyrat?

Po, për ne është një mundësi më shumë. Më vjen mirë të shoh lexues që lexojnë në iPad, apo në Kindle. Pa këto mjete ndoshta nuk do të kishim mundësi që të ishim me njeriun në çdo moment, sepse ndodh që një person e lë librin në shtëpi, ndërsa iPad-in e ka me vete dhe mund ta lexojë librin në çdo moment që të dëshirojë.

Dukeni entuziast

Po. Unë jam rritur me letrën e shtypur, por më duhet të pranoj se jam befasuar se sa shpejt biznesi dixhital është duke u rritur, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, libri i shtypur, pra ai tradicional, ende do të dominojnë për një kohë të gjatë biznesin që unë bëj.

Ç’pjesë e fitimit tuaj vjen nga e-books?

Aktualisht, dhe flas vetëm për Shtetet e Bashkuara, bëhet fjalë për 8% që përfaqëson një rritje shumë të madhe. Mund të imagjinoj se vitin e ardhshëm shifra do të kapë 10%. Sjelljet e reja teknologjike janë shumë të rëndësishme dhe e kanë transformuar shumë mënyrën e marrjes dhe të tretjes së informacionit. Për shembull, ka libra kuzhine që në versionin e tyre në iPad shpjegojnë edhe me pamje filmike se si mund të përgatitet një gjellë, ose jepen për shembull receta të personalizuara. Megjithatë, ende nuk e dimë mirë nëse është kjo ajo çka duan me të vërtetë njerëzit. Këtë do ta tregojë koha dhe e ardhmja dhe është ende herët për të dhënë statistika të sakta. Vetëm mund të them se gjërat po ecin mirë, por është një bashkëpunim i saponisur dhe si çdo gjë në hapat e parë do kohë për t’u konsoliduar.

Deri më sot, shumë botues e kanë konsideruar veten si përcjellës të vlerave më të mira përmes letrës, pra librave me cilësi dhe jo përmes aparateve multimediatikë.

Sigurisht, por gjërat edhe ndryshojnë dhe ato do të funksiononin nëse botuesit do të fillonin që të investonin edhe ata në teknologji dhe do ta kishin në qendër të vëmendjes këtë gjë.

Ju jeni duke u përballur me një konkurrencë të ashpër nga ana e “Amazon”, që ka përfunduar së qeni thjesht një shitës online prej një kohe të gjatë dhe tani ka marrë edhe rolin e botuesit. Një numër i madh shkrimtarësh po i drejtohen tani “Amazon”, duke e parë si më të besueshme dhe më të zhdërvjellët në biznesin e botimeve.

Si në çdo biznes, edhe në botime ka rreziqe, por për sa i përket kompanisë sime unë jam plot vetëbesim. Jemi të bindur se era e re dixhitale dhe një bashkëpunim i të resë me tradicionalen, nëse do të bëhet në mënyrën e duhur do të sjellë patjetër rezultat pozitiv, por sigurisht do të fitojë kush është më i miri dhe kush ia del më mirë mbanë që të ruajë balancat.

Çfarë metodash përdorni për t’u siguruar që shkrimtarët t’i mbeten besnikë kompanisë suaj dhe të mos zgjedhin një tjetër?

Besimi luan një rol shumë të rëndësishëm dhe sigurisht që durimi është gjithmonë pjesë e suksesit. Një botues i mirë i njeh mirë ciklet e biznesit dhe është shumë mbështetës për klientët e vet edhe në raste vështirësisë dhe madje në disa raste duhet kuptuar që të bësh presion është në të keqe të punës, sepse libri është një produkt që kërkon kohë dhe shpesh jo kohë të përcaktuar për t’u shkruar.

A mendoni se biznesi juaj do t’i mbijetojë më mirë dixhitalizimit se sa i mbijetoi të themi industria e muzikës?

Ne jemi në një pikë kur industria e muzikës ka kaluar në një fazë të re, në atë fazë me të cilën po përballen aktualisht gazetat dhe revistat. Në këto momente po hidhen bazat dhe themelet për të ardhmen dhe po zhvillohen modelet e reja të biznesit. Është detyra jonë që të transferojmë biznesin e printuar në atë të botës dixhitale, me një përfitim të të gjitha palëve, duke filluar që me autorët, botuesit, agjentët e shitësit.

Po rreziku i piraterisë?

Edhe ai është një rrezik, por ne veprojmë duke e pasur parasysh një gjë të tillë, ndryshe nga industria e muzikës që pati shumë probleme me piraterinë, sepse ishte duke operuar në një fushë të panjohur. Pirateria është një faktor shumë i madh në treg dhe ne duhet që gjithmonë të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm. Si gjithmonë kujdesi në industrinë e botimeve si në çdo industri tjetër nuk është kurrë i tepërt.

Marrë nga: Gazeta Shqip

  • Per zonen e Gjirokastres libri eshte nje thesar per te kaluaren tone ,por deri tani eshte folur (ne librin e Prof Ferit Duka ,shekujt osmane )vetem per dropullin dhe bregdetin ,kurse per Laberine dhe Lazaratin qe komshijt perpiqen ti paraqesin grek ose ti helenizojne me eurot dhe ndrimin e emrave akoma ska gje ne drite .Dalja e pjeses tjeter do kete te dhena tju heq ate keqkuptim apo ate tendence per tu helenizuar shume njerzve .Verej se ne shkrimet historike qe shume nuk jane historiane ne kurvelesh mbeshteten te historiografie greke e cila qysh na formimi shtetit grek ne shpjegimet historike hedh helmin e se keqes.ne e falenderoj zotin Ferit Duka dhe i lutem te nxjere sa me shpejt pjesen tjeter.

  • {"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
    >