nga Admin

23 Gusht, 2013

Burimi: Gazeta SHQIP

Seminari XXXII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka hapur siparin e tij prej tri ditësh në Prishtinë. Studiuesi Bashkim Kuçuku flet mbi rrezikun që u kanoset shqiptarëve nga liria, ndërsa akademiku Rexhep Ismajli mbron tezën që ilirishtja është nëna e shqipes

“Shkenca deri më sot nuk ka mundur të hedhë poshtë hipotezën se ilirishtja është nëna e shqipes.” Kështu është shprehur në kumtesën e mbajtur në ditën e tretë të Seminarit XXXII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili ka hapur siparin e tij më 19 gusht në Prishtinë, ku po marrin pjesë albanologë, punonjës shkencorë dhe akademikë nga shumë vende të botës. Duke iu referuar historisë së gjuhës shqipe, për të gjetur rrënjët e saj dhe lidhjet me gjuhë të lashta, profesori dhe ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Rexhep Ismajli, ka mbajtur një ligjëratë me titull “Diskutime për prejardhjen e gjuhën shqipe”, duke iu referuar disa studiuesve që janë marrë me gjuhën shqipe dhe gjenezën e saj. Profesor Ismajli ka përmendur studiuesin italian Viktor Epizani, i cili ka thënë se shqipja mund të trajtohet si prodhim i brezave që njëri pas tjetrit kanë jetuar në trojet shqiptare. “Nuk ka elemente që do ta kundërshtonin tezën për prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe thotë se nuk e kuptonte mirë motivin për të cilin trakasit duheshin konsideruar paraardhës të shqiptarëve, sepse nuk ka burim historik që do ta indikonte këtë”, ka thënë Ismajli, duke e cituar studiuesin italian. Shumë fjalë që ka gjuha shqipe, kanë lidhshmëri me gjuhë të tjera, si frëngjishtja e gjermanishtja, me bashkëtingëllore të përbashkëta. “Dokumente për vjetërsinë e shqipes së shkruar nuk kemi, dokumenti i parë është ‘Formula e pagëzimit’ 1462, por ka mjete ndihmëse që na orientojnë, ato janë kontaktet e gjuhës shqipe me gjuhë të tjera”, është shprehur Rexhep Ismajli, i cili më tej ka përmendur një tjetër studiues, Trumani, që gjuhën shqipe e ka vendosur afër asaj latine, për shkak të fjalëve të përbashkëta që kanë. Në aspektin e parë, Trumani e ka vendosur mirë, shqipja fatmirësisht ka një numër shumë të madh të fjalëve latine. Këto huazime latine na ndihmojnë të ndërtojmë faza më të vlefshme të shqipes. Latinizmat janë të vjetra në shqipe”, ka vazhduar më tej ai. Sipas disa studiuesve të tjerë, thuhet se ka argumente të pamjaftueshme për të dëshmuar se shqipja është folur në këtë pjesë, ndërkaq me gjuhën greke, shqipja ka ngjashmëri në rreth 20 fjalë, ndërsa me atë latine rreth 90 fjalë. “Studiuesi Jokli vendin e shqipes e shihte në një mënyrë pak më të përcaktuar, jo në të gjithë truallin e sotëm shqiptar, por pak a shumë në Dardani, domethënë përjashtonte pjesën e Shkodrës, sepse thoshte se emri i saj nuk mund të shpjegohej përmes shqipes”, ka thënë Ismajli. Në mes të tjerash, në ligjëratën e tij Ismajli ka folur edhe për teorinë serbe se në mes të shqiptarëve dhe ilirëve nuk ka lidhshmëri, duke thënë se kjo është më shumë politike. Plus që, siç thotë Ismajli, nuk është teori e qëndrueshme as kah pikëpamja shkencore dhe as nga ajo politike. “Në parathënien e librit të Pupoviqit, të vitit 1961, thuhet qartë se është kundër pretendimeve të shqiptarëve se ilirët dhe dardanët janë paraardhësit e tyre”, është shprehur Ismajli. “Qofshin shqiptarët pasardhës të dardanëve, qoftë shqipja pasardhëse e ilirishtes, ajo është e kësaj hapësire, nuk ndryshon asgjë, dhe nuk ka fare rëndësi a do të krijohet sot një shtet për shkak se diku kanë qenë dardanët, diku trakasit, nëse jo për shkencën, kjo ka rëndësi për popullin vendas”, ka theksuar Rexhep Ismajli. Ligjëratën e tij gjuhëtari Rexhep Ismajli e ka përfunduar duke mbrojtur tezën se gjuha shqipe është pasardhëse e ilirishtes. “Pavarësisht se ka shumë diskutime, sepse ka vend për diskutime, ka hapësirë, ka shumë njësi për argumentime nga më të ndryshmet, le të themi se shqipja është pasardhëse, është gjuhë indoeuropiane, dhe është e tipit satem”, ka përfunduar Ismajli.

Kuçuku: Të pamësuar me lirinë

I ftuar për të referuar në ditën e katërt të Seminarit XXXII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, profesori dhe studiuesi i letërsisë, Bashkim Kuçuku, ka mbajtur një kumtesë me temën “Dinamika bashkëkohore e identitetit shqiptar”. Profesor Kuçuku, ndër të tjera, shpalosi edhe rreziqet e zhbërjes së identitetit shqiptar në rrethanat e sotme.
“Identiteti shqiptar në ditët e sotme është në një situatë paradoksale, tha profesori, duke shtuar se, nga njëra anë identiteti është në liri dhe, nga ana tjetër, është i rrezikuar nga disa faktorë të kësaj lirie. Sipas tij, historikisht identiteti shqiptar ka qenë i rrezikuar nga mungesa e lirisë. “Lufta e fundit në Ballkan mes shqiptarëve dhe serbëve nuk ishte vetëm thjesht një luftë politike, ushtarake dhe ekonomike, por në thelb ishte një luftë identitare”, tha profesor Kuçuku. Ai përmendi problemet dhe rreziqet e zhbërjes së identitetit shqiptar në rrethanat e sotme, duke shtuar se disa nga këto rreziqe vijnë nga integrimi dhe nga copëzimi politik. “Integrimi i shqiptarëve në BE, mundësia e punësimit dhe jetesës në hapësira të tjera, pra përhapja e shqiptarëve në mes të identiteteve të tjera, përbën një rrezik të madh. Rreziku i dytë vjen nga vazhdimi i copëzimit politik. Edhe me Kosovën e pavarur, shqiptarët etnikë vazhdojnë të jenë të ndarë politikisht dhe administrativisht në pesë shtete. Ata paraqiten në Europë dhe botë me ato identitete formale në shtetet ku jetojnë”, u shpreh Kuçuku. Përballë këtyre problemeve të trajtuara nga studiuesi, shqiptarët nuk janë të përgatitur për të pasur një strategji. “Përballë këtyre problemeve, shqiptarët nuk ndjekin asnjë politikë, as të thjeshtë as të ndërlikuar, madje shqiptarët e Republikës së Shqipërisë nuk kanë qenë asnjëherë të mbrojtur nga shteti shqiptar, të paktën me deklarata zyrtare. Janë vrarë shqiptarët, janë dhunuar, por edhe kur është bërë ndonjë vërejtje gjithmonë është pohuar zyrtarisht se kjo nuk i prish marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Greqisë”, ka vijuar Kuçuku. Gjuha dhe letërsia janë bartëset, kultivueset dhe zhvillueset kryesore të identitetit shqiptar në historinë e tij, tha profesor Kuçuku në ligjëratën e tij, duke shtuar se kjo është aparatura më e mirë që ka funksionuar gjithmonë.

 

Seminari

Sot është dita e pestë e Seminarit XXXII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ku pritet të referojë Kujtim M. Shala me temën “Sami Frashëri – autori ynë (letërsi, identitet e ideologji). Ajo çfarë e bën të veçantë këtë seminar, përveç faktit që risjell në vëmendje çështje të ndjeshme të gjuhës e kulturës shqiptare, është edhe inkurajimi i të huajve që të mësojnë gjuhën shqipe. Ditët e këtij seminari, që do të zgjasin dy javë, fillojnë me kurset e gjuhës, të cilët sjellin në Prishtinë gjatë këtyre javëve studentë nga vende të ndryshme të botës që kanë dëshirë të mësojnë shqipen. Përveç kumtesave në orët e pasdites ky seminar u kushtohet referimeve, duke sjellë tema të larmishme. Musa Ahmeti do të sjellë të martën temën “Dorëshkrime të pabotuara të autorëve shqiptarë nga shekulli XV–XVII të ‘arratisura’ nga Shqipëria në arkiva e biblioteka të Europës”. Skënder Gashi do të sjellë temën “Autoktonia e shqiptarëve, e parë në kontekstin e panilirizmit, ilirëve të mirëfilltë dhe Dardanisë”. Abdullah Zymberi temën “Sistemi foljor në të folmen e Krajës sipas Idriz Ajetit”. Të mërkurën Aleksandar Rusakov dhe Maria Morozova do të sjellin “Korpusi elektronik i shqipes: përpunimi, përmbajtja dhe përdorimi (studimi i perfektit në shqipen e sotme)”. Prej vitesh seminari është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Prishtinë. Drejtor i seminarit, prof. Bardh Rugova, e ka quajtur seminarin një shkollë për krijimin e albanologëve, një tubim për krijimin e miqve të shqipes dhe një forum shkencor për shpalosjen e rezultateve të albanologjisë. Por, sipas tij, borxhi ndaj albanologjisë nuk mund të shlyhet vetëm me ditët e këtij seminari. “Janë edhe 50 javë në vit në të cilat albanologjia ka nevojë për përkrahje institucionale”, ka thënë Rugova. Seminari i krijuar 39 vjet më parë, ka arritur të ruajë unitetin kombëtar të shqiptarëve. Seminari është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) i Universitetit të Prishtinës. Ky seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetenjë sesione. Në vitin 1991, është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996, sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 2000, seminari vepron sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

 

 

Të rinjtë që duan shqipen

“Unë jam nga Kalabria, qyteti i Kozencës, dhe atje kam filluar studimet për gjuhët e huaja. Pastaj kam zgjedhur të mësoj gjuhën shqipe, sepse atje kemi edhe Departamentin e Gjuhës Shqipe në kuadër të studimeve për komunitetin arbëresh, që janë të shumtë në rajonin e Kalabrisë. Kam pasur interes për gjuhën shqipe, për letërsinë dhe vazhdova specializimin, ndërsa tashmë doktoraturën. Merrem me përkthime nga shqipja në italisht”. Kështu shprehej Xhovana Nançi nga Kalabria një vit më parë e ulur në auditorët e Seminarit Ndërkombëtare për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Të rinj nga Polonia, Gjermania, Franca, Italia, Rusia etj., kanë mbërritur këto ditë në Prishtinë për të ndjekur me vëmendje të gjitha orët e mësimit të shqipes.

Pasioni i tyre për shqipen ka lindur në forma të ndryshme. Dikush e mëson pasi kërkon të jetojë në të ardhmen në Shqipëri…. Dikush kërkon të bëhet përkthyes i librave të kësaj gjuhe në vendin e tij, dikush për studime e pakkush për biznes. Në të gjitha format, dëshira e këtyre të huajve që tashmë thonë vetëm disa fjalë shqip është për t’u admiruar. Ka nga ata që kanë nisur ta mësojnë shqipen në vendet e tyre, por kurset në Prishtinë i ndihmojnë më mirë me shqipen. Mes tyre ka edhe studentë që kanë një prej prindërve shqiptarë, por që nuk kanë mundur t’ia mësojnë shqipen, ndaj ata zgjedhin këtë formë për të mësuar gjuhën e origjinës. Një pjesë e këtyre të rinjve kanë nisur studimet për gjuhë në katedrat e shqipes në universitetet e vendeve të tyre, për t’u bërë kërkues shkencor të kësaj gjuhe. Pavarësisht se konsiderohet si një ndër gjuhët më të vështira për të mësuar, shqipja mbetet gjuha më e bukur, dhe kthehet në një pasion për të gjithë ata që nisin të mësojnë qoftë disa fjalë prej saj. Gjatë këtyre viteve aktivitetet që organizohen tradicionalisht çdo vit në kuadër të Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i kanë ndjekur deri më tani qindra e mijëra studentë nga Europa dhe mbarë bota.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>