nga Admin

23 Tetor, 2012

Historia e shqiptareve, Oliver Jens Schmitt, Eva Anne Frantz

Historia e shqiptarëve, gjendja dhe perspektivat e studimit” përmbledh artikuj rreth problemeve të historisë, gjuhësisë, fesë dhe letërsisë në Shqipëri, të shkruara nga autorë si: Joachim Marzinger, Stefan Schumer, Oliver Jeans Schmitt, Markus Koller, Nathalie Clayer, Bernd Fischer, Michael Schmidt – Neke, Robert Pichler, Stephanie Schwandner – Sievers, Robert Elsie, Noel Malcolm, Peter Bartl dhe Edgar Hösch.

Parathënie

Historia e shqiptareve, Oliver Jens Schmitt, Eva Anne FrantzStudimi i historisë së Shqipërisë- në kuptimin e një debati shkencor me studiuesit shqipfolës, kryesisht në Europën Juglindore- ka pas shpine një traditë prej më se një shekulli e gjysëm. Një Albanologji e prirë nga studimi i kulturës zhvillohet në shumë shtete të Evropës e të Amerikës Veriore, por rrallë është e përqendruar në mënyrë afatgjatë në institucione universitare. Jo vetëm për këtë arsye, rezultatet e këtyre përpjekjeve nuk merren gjithmonë parasysh sa duhet nga shkencat e afërta të historisë e të filologjisë. Thjesht ky konstatim do të përligjte përpjekjen për të hedhur një vështrim të përgjithshëm mbi problemet dhe rezultatet themelore të studimit të historisë së shqiptarëve.

Edhe më e rëndësishme duket një ndërmarrje e tillë, po të kemi parasysh lidhjen e ngushtë të historisë me politikën në hapësirën e sotme gjuhësore shqiptare. Historiografia shqiptare është e politizuar në shkallë të lartë. Meqenëse shkenca shqiptare, në formë të institucionalizuar, ka lindur vetëm pas vitit 1945, modelet sunduese të mendimit janë të ndikuara fort nga ideologjia nacional-staliniste e diktaturës së Enver Hoxhës, që në vitet ’70 u eksportua edhe në krahinat e banuara nga shqiptarët në Jugosllavi. Një traditë historiografike jo komuniste, apo para komuniste, mungon. Kështu shpjegohet edhe vazhdimësia, thuajse pa asnjë lloj dallimi nga më parë, e mënyrave të vjetra nacionaliste të interpretimit, edhe pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri (1990-91).

Fragmente nga libri

Faza e vështirë e tranzicionit e shënjuar nga shthurja e shtetit në Shqipëri dhe lufta në Kosovë e Maqedoni nuk ka përfunduar në hapësirën gjuhësore shqiptare. Strukturat e shoqërisë civile arritën të formohen vetëm në kushte pikënisjeje nga më modestet. Në thelb, në Shqipëri elitat e vjetra e ruajtën pushtetin e tyre. Kjo do të thotë se ato, si instrument i rëndësishëm pushteti, nuk e lëshuan nga dora as kontrollin mbi të kaluarën.

Shkenca historike shqiptare vijoi edhe tradita të tjera të epokës komuniste. Ajo nuk e merr parasysh fare ose thuajse fare shkencën ndërkombëtare, por izolohet sa mundet prej saj. Historianët shqiptarë marrin pjesë shumë rrallë në tubime ndërkombëtare.

Për këtë arsye nga ana metodike studimet kanë mbetur në pjesë të madhe në gjendjen e fillimviteve pesëdhjetë, kur studimet shqiptare u ngritën me ndihmën e Bashkimit Sovjetik; edhe më të vjetra janë metodat që etërit themelues të historiografisë shqiptare patën mësuar më së shumti në Austrinë e viteve tridhjetë.

Në përputhje me këtë, studiues të jashtëm, rezultatet e të cilëve nuk përkojnë me kuadrin nacional – stalinist të historisë, ashtu si dhe intelektualë vendas që përfaqësojnë mendime të ndryshme, përgojohen shpesh me argumente apo sajesa jashtëshkencore. Një kulturë debati shumë e dobët, shenjë e një mungese të ndjeshme të shoqërisë civile, vështirëson mjaft shkëmbimin shkencor. Kësaj i shtohet fakti që studiuesit e specializuar e kanë humbur prej kohësh epërsinë interpretuese mbi historinë. Nga revistat e pakta, që pasqyrojnë më së miri ngurtësinë mendore dhe armiqësinë ndaj diskutimit të historiografisë në masmediat dhe në forumet e internetit është depozituar debati që shpesh nuk plotëson as edhe kriteret minimale të cilësisë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>