nga Admin

1 Shtator, 2012

Përgatiti: Dr. Sonila Kora

Në epokën postmoderne, aq shumë e dëshiruar të jetojë të tashmen duke harruar rrënjët e saj, historia e kishës dhe e krishterimit, dhe e ndikimit që ato kanë pasur në histori, meriton një vend të veçantë. Kjo ka qenë bindja që ka frymëzuar librin Historia e krishterimit, shkruar nga Gian Luca Podestà, profesor i Historisë së Krishterimit në Università Cattolica i Milanos, autori i pesëmbëdhjetë kapitujve të parë, dhe nga Giovanni Vian, profesor i historisë së kishave të krishtera në Università Ca’ Foscari i Venecias, autor i shtatë kapitujve të fundit.

Pasi bëjnë të qartë se nocioni i “historisë së krishterimit” nuk është i njëjtë me atë të “historisë së kishës”, sepse përfshin brenda tij edhe përvoja që janë lëvruar përtej kontekstit të sferave ngushtësisht kishtare, autorët vënë në dukje se vepra ka për qëllim të japë një sintezë (që në fund të çdo kapitulli shoqërohet nga një shënim bibliografik i ndarë në paragrafë), e cila nxjerr më në pah figurat dhe etapat më të rëndësishme të kësaj historie: papati, murgjëria, format e organizmit dhe besimi i jetuar nga populli, liturgjia dhe format e devocionit, modelet e shenjtërisë dhe temat e pastorales, shkollat teologjike dhe sferat e arsimimit dhe të edukimit.

Vepra e merr fillesën te jeta dhe mësimet e Jezuit, dishepujt e të cilit janë shumë të vetëdijshëm në lidhje me risinë e besimit të tyre dhe që në fillim duke mbajtur qëndrim të hapur ndaj “xhentilëve”, domethënë ndaj njerëzve që nuk kishin origjinë hebraike, mveshin mënyra jetese dhe sjellje karakteristike të “të krishterëve”, duke shënuar në këtë mënyrë fillesën e shkollave të para teologjike dhe duke përcaktuar kanonin e Shkrimeve, domethënë tërësinë e teksteve që pasqyrojnë Zbulesën Hyjnore. Më pas përshkruhet përhapja e mesazhit ungjillëzues në pellgun e Mesdheut dhe përtej tij, deri në Indi dhe Etiopi. Një përhapje kjo që karakterizohet nga valë persekutuese dhe qëndrime pranuese, deri kur në shekullin IV perandorët romakë, Kostandin dhe Teodos, fillimisht u njohin të krishterëve lirinë e kultit dhe më pas e shpallin krishterimin fe të Perandorisë. Shumë shpejt marrin trajtë të qartë profilet e kishave që po lindnin, diferencimi gjithnjë në rritje i institucioneve dhe kulturës së Lindjes e Perëndimit, përhapja e murgjërisë, rëndësia gjithnjë e në rritje e peshkopëve në mbrojtjen e popullit përballë dekadencës së pjesës perëndimore të Perandorisë, afirmimi i primatit të peshkopit të Romës dhe lindja e trashëgimisë së Shën Pjetrit, zhvillimi i koncileve të para ekumenike që bëjnë të mundur përcaktimin e rreptë të ortodoksisë dhe formimin e një gjuhe (fjalori) të veçantë teologjike.

Me dyndjen islamike (që në harkun kohor ndërmjet shekujve VII dhe VIII modifikoi në mënyrë të thellë peizazhin kishtar) dhe lindjen e Perandorisë së Shenjtë Romake, vepër e Karlit të Madh në vitin 800, trajtesa e veprës përqendrohet kryesisht në perëndimin europian, duke pasur si qëllim të depërtojë edhe më thellë në sferat që paraqisnin më tepër interes për lexuesin, të cilit i adresohet vepra. Duke u përpjekur të bëjnë dallimin ndërmjet hierarkisë, klerit e popullit, ndërmjet priftërinjve, murgjve e laikëve dhe ndërmjet burrave e grave, autorët pasqyrojnë strukturat kishtare dhe kulturën fetare mes shekujve IX dhe XI; skizmën përfundimtare me Kishën greke në vitin 1054, konsolidimin e papatit dhe konfliktin me perandorët (e ashtuquajtura Luftë për investiturë) që u mbyll me konkordatin e Wormsit më 1222; përhapjen e krishterimit në pjesën qendrore dhe lindore të kontinentit. Në shekujt XI dhe XII, Mesdheu islamik bëhet sërish zotërim i krishterë, Papa bën thirrje për kryqëzatë, fillon përsëri ungjillëzimi i kontinentit dhe lindja e ngujimeve eremite dhe murgjërore, si dhe e urdhrave endacakë, në mënyrë të veçantë e françeskanëve dhe domenikanëve, më pas themelimi, si iniciativë kishtare, i universiteteve të para, në kuptimin tipik mesjetar, të bashkimit të mësuesve dhe studentëve të një qyteti, të mbledhur sipas një modeli korporativ (f. 227).

Besimi i krishterë në kontinentin europian rrënjoset edhe në sajë të konsolidimit të vëllazërive, ndërmjetëse të vërteta midis jetës kishtare dhe sociale (f. 294) dhe ura lidhëse të popullsisë së qyteteve, devotshmërisë së ripërtërirë eukaristike dhe ndaj Pësimeve (të Krishtit në kryq), falë edhe përhapjes së teksteve shpirtërore shumë të lexuara dhe, për ata që nuk dinin të lexonin, e paraqitjeve piktorike dhe imazheve në përgjithësi si mjete të edukimit fetar, edhe përmes meditimeve dhe lutjeve. Por në fund të shek. XIII dhe fillimit të shek. XIV, papati, i cili, më pak se një shekull më parë kishte arritur apogjeun e tij, hyn në krizë si pasojë e përballjes me monarkinë franceze, zhvendosjes së selisë nga Roma në Avinjon, skizmës së Perëndimit (1348-1417) dhe shfaqjes së qëndrimeve të kundërta dhe herezive.

Reforma protestante që përhapet në gjysmën e parë të shekullit XVI, e copëtuar në shumë degë, shkatërron unitetin fetar të kontinentit, por kundërreforma katolike, falë edhe mbështetjes së disa sovranëve dhe angazhimit ungjillëzues të urdhrave të rinj dhe kongregacioneve fetare (jezuitë, teatinë, barnabitë, kapuçinë, orsolinë) bën të mundur si ripushtimin shpirtëror të shumë vendeve ashtu edhe një ekspansion të madh misionarik në Botën e Re. Veprimtaria e kishës shoqërohet nga zhvillimi i artit dhe mëshirës baroke, shumë skenografike dhe me një përmbajtje të thellë pendestare, por edhe nga përhapja e formave më të ëmbla (buta) të devotshmërisë si kulti ndaj Zemrës së Shenjtë, ndaj Jezuit fëmijë dhe ndaj Engjëllit mbrojtës dhe nga lulëzimi i madh i devotshmërisë ndaj Shën Mërisë.

Paqja e Vestfalisë, që në vitin 1648 i dha fund luftës 30-vjeçare, cenoi restaurimin katolik dhe autoritetin e selisë apostolike në sferën ndërkombëtare, ndërkohë që “kriza e ndërgjegjes europiane” u hapi rrugë proceseve të para të shekullarizimit. Pavarësisht se prania e kishës në popullsinë rurale njohu një ripërtëritje të fortë, falë edhe misioneve popullore të kongregacioneve të reja (lazaristë, pasionistë dhe shpëtimtarë) prirjet juridiksionaliste të shumë sovranëve luajnë rol përcaktues në ndalimin e Compagnia di Gesù dhe shënuan fillimin e një procesi të shkrishterizimit; domethënë, Revolucioni Francez i vitit 1789 i hapi rrugën laicizimit radikal të shtetit. Ndaj kësaj valë revolucionare (në të cilën bën pjesë edhe “politika laicizuese e Italisë, e nxitur nga ideologjia e Risorgimento-s liberal si revolucion kombëtar” [f. 386]), kisha reagon me lulëzimin e kongregacioneve të burrave dhe sidomos të grave, zhvillimin dhe organizimin e laikatit dhe pontifikatet historike të Pios IX, Leonit XIII dhe të Shën Pios X që do të përgatisnin qëndresën ndaj totalitarizmave të shek. XX, kundërshtarë të ethshëm të të cilëve do të ishin sidomos papët e adhuruar Pio XII dhe Gjon Pali II.

Duke hedhur vështrimin mbi globalizimin dhe fillimin e mijëvjeçarit të tretë, përmbyllet panorama e gjerë e historisë dymijëvjeçare me disa kapituj shumë tërheqës në shtjellim, veçanërisht në pjesën e parë.

Sigurisht, feja luan një rol të rëndësishëm në jetën e shumë njerëzve në botë, aq sa për shumë individë, besimi është pjesa më e rëndësishme e jetës së tyre. Qoftë kur ai është një akt individual a një akt i anëtarëve të një komuniteti, qoftë kur është pjesë e gjerë e vëllazërive të besimtarëve, qasja ndaj besimit mbetet e njëjtë: ta shohësh dhe kuptosh fenë apo jetën fetare nga përbrenda. Por çfarë ndryshon kur qasja ndaj besimit vjen nga jashtë, në përpjekje për të kuptuar idenë e vetë fesë? Si procedojnë dijetarët në studimin e mënyrave që prekin, bashkëndajnë dhe komunikojnë përvojat fetare? Cilat janë elementet thelbësore që kanë karakterizuar vazhdimësinë e krishterimit? Si ta kuptojmë krishterimin nga pikëpamja historike? Po transformimet apo përçarjet, duke u nisur nga ajo me judaizmin dhe trashëgiminë kulturore hebraike, nga trungu i së cilës lindi dhe me zhvillimin e së cilës ka mbetur gjithmonë i lidhur, sa ngushtësisht po aq dhe në kontradiktë?
Pasi të lundroni nëpër këtë histori të koklavitur, por jashtëzakonisht të pasur, të krishterimit, çdo gjë do të marrë përgjigje dhe gjithkush do të mbetet i mahnitur. Prandaj, të pajisur me këto të dhëna që u përpoqëm t’i cekim përciptazi, nuk ju mbetet gjë tjetër, veçse të niseni, pa pasur frikë se do të zhgënjeheni, për një zbulim të gjatë të të gjithë historisë së krishterimit, që nga fillesat e deri në ditët tona.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>