nga Admin

12 Tetor, 2009

Prezantohet në Tiranë libri i shumëdebatuar i Presidentit çek kundër teorisë së ngrohjes globale

Vaclav KlausKryefjala e vizitës së Presidentit të Republikës Çeke në Shqipëri, Vaclav Klaus, gjatë dy ditëve të fundit, duket se ishte “biznes”, por edhe “integrim europian”. Por pasioni i tij më i madh dhe më i debatuar në të gjithë botën, u krye pa shumë vëmendje mediatike të hënën në darkë, kur në Tiranë u prezantua i botuar në shqip nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare libri “Planeti Blu në Vargonj të Gjelbër.”

Libri i përkthyer nga Adriatik e Maksen Shino, dhe i redaktuar nga ambasadori shqiptar në Çeki, Qazim Tepshi, është një pamflet politik që irriton deri në vdekje shumicën dërrmuese të ambientalistëve në të katër anët e botës.

Vizita në Tiranë

Presidenti Klaus vizitoi Shqipërinë gjatë dy ditëve të fundit, i shoqëruar nga një numër i madh kompanish çeke, pothuajse të gjitha të lidhura me sektorin e energjisë. Disa prej këtyre kompanive, të cilat prodhojnë pajisje elektrike si matësit e energjisë etj., kanë ardhur sepse furnizojnë CEZ në vendin e tyre dhe e ndjekin këtë kompani në vendet e tjera. CEZ pritet të investojë rreth 200 milionë euro në vitet e ardhshme për rinovimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri dhe kjo do të thotë se për kompani të tjera çeke do të ketë mundësi joshëse për biznes. Presidenti çek foli në Tiranë edhe për kundërshtitë e tij ndaj Traktatit të Lisbonës. Në fakt, e gjithë Europa po pret firmën e tij për ta kthyer BE-në në një entitet politik me ndikim botëror, por Klaus po i lë të presin. Më herët, Klaus thuhet se ka komentuar para disa diplomatëve amerikanë se BE-ja është “një entitet i dështuar dhe i falimentuar”.

Klaus i shumëdebatuari

Presidenti i Çekisë është angazhuar në debate të ashpra në shumë çështje, përfshirë edhe Kosovën. Një ekonomist liberal i shqetësuar shumë për rreziqet që i kanosen lirisë, ai njihet si euroskeptik dhe si njeriu që iu bashkua të paktëve politikanë të votës kundër projektit të Kushtetutës Europiane kur ajo u votua për herë të parë në Irlandë, në vitin 2008. Klaus njihet gjithashtu si mik i Rusisë dhe i Serbisë, si një politikan që kundërshtoi shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar atë si “hapjen e kutisë së Pandorës” që mund të zhysë Europën në kaos. Pavarësisht kundërshtimeve të Presidentit Klaus, Çekia e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Heretiku” Klaus

Pjesa më e debatuar e aktivitetit politik të Presidentit Vaclav Klaus janë kritikat ndaj lëvizjeve politike dhe shoqërore botërore që promovojnë idenë e rreziqeve që na kanosen nga ngrohja globale dhe efekti serë. Sipas tij, një kërcënim i tillë nuk ekziston ndërsa lëvizja botërore për ndalimin e ngrohjes globale përbën një rrezik serioz për vetë lirinë.

“Liria, jo klima është në rrezik”, shkruante ai në një editorial të publikuar në gazetën ekonomike angleze “Financial Times”.

Pak më vonë, kjo ide e tij u botua në formën e një libri. Fillimisht, botimi në anglisht u shit për 45 dollarë. Por botimi në shqip filloi të shitej për 500 lekë.

Libri argumenton se teoria e ngrohjes globale dhe fundit të botës që mund të vijë prej kësaj, është një teori aspak shkencore, bazohet në argumente të paqena dhe në një farë mënyre, është një komplot. Sipas Klaus, ish-komunistët pasi humbën luftën për një botë më të drejtë me demaskimin e realitetit komunist, kanë gjetur një ideologji të re, ngrohjen globale, e cila në thelb synon të krijojë një sistem planifikimi global.

“Ngrohja globale nuk është një teori shkencore. Ajo duhet të trajtohet nga shkencat shoqërore, është një lloj religjioni”, thotë ai.

Klaus thotë gjithashtu se njerëzit që nuk besojnë te ngrohja globale po marrin një trajtim politik në ditët tona të ngjashme me heretikët e mesjetës. “Shumë politikanë nuk e besojnë diçka të tillë, por nëse e deklarojnë, akuzohen për mungesë korrektese politike”, – thotë ai. Klaus është figura më e famshme mes një numri të vogël, por në rritje, shkencëtarësh e njerëzish të zakonshëm që po flasin hapur kundër teorisë së ngrohjes globale, e cila, deri më sot, megjithëse shumë vende kanë refuzuar ta pranojnë, sërish nuk e kanë denoncuar si të rreme. Debati u zhvillua në shkallë ndërkombëtare kur ish-zëvendëspresidenti amerikan, Al Gore, publikoi dokumentarin e tij “Një e vërtetë e paleverdishme”, ku argumentonte se bota e ka fundin të afërt në rast se nuk merr masa drastike kundër emetimit të gazrave ndotës. Sipas tij, niveli i oqeaneve do të rritet, klima do të ngrohet dhe sëmundjet tropikale që sot bëjnë kërdinë në Afrikën nën-Sahariane, do të pushtojnë të gjithë botën. Shkurt, një fund i paralajmëruar për njerëzimin. Për të shmangur këto lloj katastrofash, sipas ambientalistëve, bota duhet të ndalë industrializimin e vet, nuk duhet të djegë karburante fosile për ngrohje, etj. Ndalimi i emetimit të gazrave është kthyer ndërkohë në politikë globale, pavarësisht se disa vende të rëndësishme si Kina nuk e kanë pranuar.

Kritikët si Presidenti Klaus besojnë se një parashikim i tillë i të ardhmes së botës është thjesht një gënjeshtër. Sipas tyre, në natyrë ka forca shumë më të mëdha se sa qytetërimi ynë dhe pasojat që mund të shkaktojë qytetërimi janë të papërfillshme në krahasim me pasojat që mund të shkaktojë një shpërthim i madh vullkanik, një meteor apo një stuhi diellore. Për pasojë, të marrësh masa kundër efektit të njeriut në natyrë, është njësoj si të marrësh masa kundër njeriut.

“Asnjë ndërhyrje qeveritare nuk mund ta ndalojë botën dhe natyrën nga ndryshimi. Prandaj nuk jam dakord me projekte të tilla siç është protokolli i Kiotos dhe iniciativa të tilla, të cilat vendosin objektiva arbitrare, që kërkojnë shpenzime jashtëzakonisht të mëdha, pa perspektivën realiste për suksesin e këtyre masave”, thotë Klaus në librin e tij.

“Në qoftë se ligjvënësit do të pranojnë kërkesat maksimale ambientale, ndikimi mbi ekonominë kombëtare do të jetë shkatërrues. Kjo mbase do të stimulojë vetëm një sferë të vogël të ekonomisë, por pjesa më e madhe do të mbytej nga kufizimet e krijuara artificialisht, direktivat dhe porositë”, – vijon ai më tutje.

Liria, jo klima është në rrezik

Nga Vaclav Klaus

“Financial Times”

13 qershor 2007

Ne po jetojmë në kohë të çuditshme. Një dimër pak më i ngrohtë se zakonisht është i mjaftueshëm – pavarësisht se përgjatë të gjithë shekullit të 20, temperatura e botës është rritur me vetëm 0.6 për qind – për ambientalistët dhe pasuesit e tyre të sugjerojnë masa radikale që synojnë të ndryshojnë motin dhe i kërkojnë këto masa tani.

A është ndryshimi i klimës thjesht një propagandë?

Vitin e kaluar, i ashtuquajturi “dokumentar” i Al Gore u shfaq nëpër kinematë në të gjithë botën. As më shumë e as më pak, në Britaninë e Tony Blair, u publikua raporti Stern. Raporti i katërt i Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimin e Klimës, u vendos në tryezën e bisedimeve të grupit të tetë vendeve më të industrializuara të botës, duke kërkuar që të bëhet diçka për këtë çështje. Njerëzit racionalë dhe ata që dashurojnë lirinë duhet të reagojnë. Diktati i korrektësisë politike është tepër strikt për të lejuar të vërtetën të dalë në shesh dhe kjo gjë nuk ndodh për herë të parë në historinë e njerëzimit. Gjithçka tjetër është e denoncueshme.

Michael Crichton e ka thënë qartë: “Sfida më e madhe me të cilën përballet njerëzimi është sfida e dallimit të realitetit nga fantazia, së vërtetës nga propaganda”. Ndjehem në këtë mënyrë për shkak se histeria e ngrohjes globale është bërë një shembull i qartë problemit të së vërtetës kundër propagandës. Kërkon kurajë që të përballesh me të vërtetën “që ka zënë rrënjë”, megjithëse shumë njerëz, – përfshirë edhe shkencëtarë të famshëm – e shohin problemin e ndryshimeve klimaterike krejt ndryshe. Ata protestojnë kundër arrogancës së atyre që mbrojnë hipotezën se ngrohja globale lidhet me aktivitetin e njeriut.

Si dikush që ka jetuar nën komunizëm për pjesën më të madhe të jetës, ndjehem i detyruar të them se shoh një kërcënim të madh për lirinë, demokracinë, ekonominë e tregut dhe mirëqenien për shkak të asaj që sot nuk është më komunizmi, por ambientalizmi. Kjo ideologji dëshiron të zëvendësojë evolucionin e lirë dhe spontan me një lloj planifikimi qendror (tani edhe global).

Ambientalistët kërkojnë veprim të menjëhershëm politik, për shkak se nuk besojnë në efektin pozitiv afatgjatë të rritjes ekonomike dhe injorojnë njëkohësisht progresin teknologjik, që brezat e ardhshëm pa dyshim që do t’i gëzojnë, ashtu edhe faktin e provuar se sa më e lartë të jetë mirëqenia e një shoqërie, aq më e lartë është edhe cilësia e ambientit ku jetojnë. Ata janë pesimistë Malthusian.

Shkencëtarët duhet të na ndihmojnë nëse marrin në konsideratë pasojat politike të opinioneve të tyre shkencore. Ata kanë detyrimin të deklarojnë politikën dhe vlerën e supozimeve të tyre dhe se sa shumë janë ndikuar këto supozime e interpretime nga politika.

A ka ndonjë kuptim të flitet mbi ngrohjen në Planet kur ne e shohim atë në kontekstin e evolucionit të planetit tonë përgjatë qindra milionë viteve? Çdo fëmije i mësohet në shkollë mbi luhatjet e temperaturës, mbi epokat e akullit, mbi klimën shumë më të ngrohtë të mesjetës. Të gjithë ne e kemi vënë re se edhe gjatë jetës sonë, temperatura ndryshon, si në ngritje, si në rënie.

Për shkak të zhvillimeve në teknologji, rritjes së pasurisë së disponueshme dhe nacionalitetit të institucioneve apo aftësisë së vendeve për të organizuar veten, përshtatshmëria e shoqërisë njerëzore është rritur në mënyrë radikale. Ajo do të vijojë të rritet dhe do të zgjidhë pasojat e ndryshimeve të vogla të klimës. Jam dakord me profesor Richard Lindzen nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets, i cili tha: “Gjeneratat e ardhshme do të habiten dhe gajasen kur të shohin se si ndodhi që në fillim të shekullit të 21, bota e zhvilluar hyri në një panik histerik për shkak se temperatura mesatare globale u rrit me pak të dhjetat e një grade të vetme dhe në bazë të ekzagjerimeve të stërmëdha me projeksione shumë të pasigurta kompjuterike, imagjinoi një seri pasojash zinxhir dhe u ankua për epokën e industrializimit”.

Çështja e ngrohjes globale është më shumë problem që i takon shkencave shoqërore se sa atyre natyrore dhe është më shumë e lidhur me njeriun dhe lirinë e tij se sa ndryshimeve klimaterike reale.

Autor: Gjergj Erebara (Gazeta Shqip)

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>