11 Qershor, 2020

George Orwell

Në një ngjarje që duket se vërteton fuqinë profetike të George Orwell, kompania Amazon mësohet se ka ndërhyrë në pajisjet private të qytetarëve për aksesimin e librave elektronikë Kindle për të fshirë dy libra të George Orwell të blera më herët nga lexuesit.

Shtëpia e Librit

Në romanin 1984George Orwell, cenzuruesit e qeverisë fshijnë të gjitha gjurmët e artikujve të lajmeve që vënë në siklet Vëllain e Madh duke i dërguar këto artikuj për djegie në një pajisje të quajtur “gropa e kujtesës”.

Në atë që po konsiderohet si një vërtetim i paralajmërimit të Orwell, kompania Amazon demonstroi fuqinë e saj kontrolluese mbi përmbajtjen e bibliotekave tona elektronike duke arritur të fshijë në distancë dy libra të Orwell, 1984 dhe Ferma e Kafshëve, të shitura më herët nga një kompani e tretë në plaftormën e saj pa të drejtë autori.

The New York Times njoftoi të enjten se heqja e papritur e të dy librave nga pajisjet personale të blerësve të tyre dhe pa lejen e këtyre të fundit shkaktoi një zemërim të gjerë online nga lexuesit.

Një zëdhënës i Amazon tha se librat ishin shitur në dyqanin Kindle nga një kompani që nuk kishte të drejta autori për to dhe Amazon pati ndërhyrë pasi ishte njoftuar për shkeljen e të drejtës së autorit.

Zëdhënësi pranoi gjithashtu se fshirja e librave nga pajisjet e klientëve ishte një ide e keqe, pavarësisht se klientët ishin rimbursuar për për librat e fshirë.

Por lexuesit duket se u acaruan nga fuqia e Amazon për të ndërhyrë në pajisjet e tyre edhe shumë kohë pasi dikush ka bërë një blerje.

Shumë prej platformave të librave elektronikë ruajnë të drejtën që, ndryshe nga libri fizik, të ndërhyjnë në përmbajtjen e programit të leximit të librit edhe pasi blerësi ka paguar paratë për blerjen, gjë që nuk ndodh në rastin e librit fizik.

Një nga lexuesit, Charles Slater, i cili bleu një kopje të librit për 99 cent të dollarit një muaj më parë, pranoi se ngjarja kishte edhe një dozë të lartë ironie letrare. “Unë nuk pata imagjinuar se Amazoni ka të drejtë dhe autoritetin dhe aftësinë për të fshirë diçka për të cilën unë sakaq kam paguar.”

Bota e internetit dhe në veçanti, ajo e tregtisë elektronike është vënë në kritika të forta gjatë viteve të fundit për dhunim të të dhënave private të përdoruesve ndërsa njerëzimi po ndërgjegjësohet gradualisht për vlerën dhe rëndësinë që ka pasja e një jete private.

E drejta e autorit menaxhohet nga legjislacionet kombëtare të vendeve të ndryshme por në të gjitha vendet krijimet letrare konsiderohen trashëgimi e njerëzimit pa të drejtë autori pas një periudhe të caktuar. Në Shqipëri kjo periudhë është 70 vjet pas vdekjes ndërsa në disa vende të tjera si India apo Rusia, periudha e të drejtës së autorit të trashëguar nga pasardhësit e shkrimtarit mbaron pas 50 vjetësh. Në SHBA ndërhyrjet e herëpashershme në legjislacion kanë krijuar një sistem kompleks që nuk jep një afat të caktuar si në rastet e mësipërme.

Sipas the New York Times, e drejta e autorit për librin 1984 nuk do të mbarojë në SHBA deri në vitin 2044 ndërsa në vende të tjera si Kanadaja, Australia dhe Rusia, ajo ka skaduar. Faqet e internetit në këto vende janë të lira të mbajnë dhe shpërndajnë kopje dixhitale të këtij libri falas. Aksesimi i këtyre faqeve nga lexues në SHBA është teknikisht një shkelje ligjore.

Ky është një lajm i publikuar në The New York Times në 17 korrik 2009.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>