24 Korrik, 2020

Një vajzë e re 27 vjeçare shkoi në Spanjë gjatë Luftës Civile. Hebreje e përndjekur nga vendi i vet, ajo shkoi në vijën e parë të fronit të republikanëve për të kapur fotot më prekëse

Alison Gee, BBC

Në korrik 1937, një emigrante herreje nga Gjermania Naziste u bë femra e parë fotografe lufte që vdiq në fushëbetejë. Në moshën 26 vjeçare, Gerda Taro sapo kishte filluar të fitonte famë për veten si dhe pati ndihmuar nisjen e karrierës së të riut Robert Kapa (Capa).

Gerda Taro kaloi ditën e saj të fundit të jetës në llogoret e Brutenes, në perëndim të Madritit, krahas luftëtarëve republikanë. Qe një moment kritik për luftën civile të Spanjës – Gjenerali Franko (Franco) me forcat e tij sapo kishte pushtuar qytetin duke i shkaktuar humbje të rënda trupave më të mira të Republikanëve, të cilët tashmë qenë nën zjarr ndërsa tërhiqeshin.

Ndërsa binin bombat dhe avionët ngopnin tokën me zjarr mitralozash, Taro vijonte të bënte fotograi. Ajo po përgatitej të kthehej në Francë një ditë më pas dhe u largua nga llogoret vetëm kur i mbaroi filmi, duke ecur drejt qytezës më të afërt.

“Ajo qe e kënaqur e po thoshte se kishte kapur fotografi fantastike, unë mora shampanjë, do të bënim një festë,” thotë Xhejn Rogojska (Jane Rogoyska), autore e një libri të ri me titull: “Gerda Taro, Shpikja e Robert Kapës”.

Ajo kërceu te një makinë që po transportonte ushtarët e plagosur, por makina u përplas me një tank jashtë kontrolli dhe ajo u shtyp. Vdiq në spital nga plagët herët mëngjesin tjetër.

Fotografitë e saj të asaj dite, 25 korrik 1937, nuk u zbuluan kurrë.

Ajo pati kaluar një vit të tërë duke udhëtuar shpesh në Spanjë për të dokumentuar luftimet.

“Taro u bë shumë e përzjerë emocionalisht në luftën Civile të Spanjës… ajo qe kaq pasiononte mbi vuajtjet e popullit spanjoll,” thotë Rogojska.

Luftëtarët republikanë kishin shumë respekt për të. Në librin e saj, Rogojska citon kujtimet e Aleksandër Szurek, një adjutant pranë një gjenerali republikan: “Ne të gjithë e donim Gerdën shumë… Gerda qe imcake me sharmin dhe bukurinë e një fëmije. Kjo vajzë e vogël qe trime dhe Divizioni e admironte për këtë,” shkroi ai.

Në disa udhëtime të mëparshme, Taro qe nën shoqërinë e partnerit të saj, fotografit Robert Kapa, por në këtë rast ajo udhëtoi pa të dhe ra në dashuri me fotografin kanadez Ted Allan.

E etur për të provuar veten dhe për të kapur fotografitë më dramatike që të mundej, Taro filloi të fusë veten në situara gjithnjë e më të rrezikshme.

Kapa nuk ia fali kurrë vetes që e la atë të shkonte në front pa të, mergjithëse ai më vonë u bë i famshëm me shprehjen: “Nëse fotografitë e tua nuk janë mjaftueshëm të mira, atëhere ti nuk ke vajtur mjaftueshëm pranë.”

“Ai mallkoi veten se nuk qe atje – ai gjithmonë ndjente se kishte një farë roli protektori kundrejt saj për shkak se ndjente se ajo do të merrte rreziqe të tepruara,” thotë Rogojska.

Ai ndjehej gjithashtu përgjegjës për shkak se qe njeriu që e prezantoi Taron me fotografinë.

Të dy emigrantët hebrenj qenë takuar në Paris tri vjet më parë.

Ajo qe Gerda Pohorille, e sapombërritur nga Lejpcigu ndërsa ai qe Andre Friedman, – një bukurosh, fotograf i çrregullt nga Hungaria.

Që të dy qenë arratisur nga persekutimi dhe po hasnin vështirësi në gjetjen e një pune.

“Takimi i tyre ndezi diçka si një kombinim të mrekullueshëm talentesh,” thotë Rogojska. “Ai i mësoi asaj fotografinë ndërsa ajo i mësoi atij si të nxirrte më të mirën nga vetja.”

Qe e vështirë për fotografët e huaj të arrinin të publikonin fotot e tyre në shtypin francez, thotë ajo. “Ata dolën me idenë e çmendur të shpikjes së një fotografi amerikan të pasur dhe shumë të suksesshëm i cili nuk kishte ardhur kurrë më parë në Europë.”

Çifti përhapi fjalë se ai kishte shumë pak kohë që kishte ardhur në kontinent dhe se kjo qe arsyeja se pse askush në Paris nuk kishte dëgjuar për të.

“Atij i duhej një emër që të tingëllonte disi si një modë ndërkombëtare, kështu që krijuan emrin Robert Kapa,” thotë Rogojska.

Plani funksionoi. Friedman veproi me emrin Robert kapa dhe filloi të vihet re. Taro mori gjithashtu emrin e vet të ri në këtë kohë.

Kur Lufta Civile Spanjolle shpërtheu më 1936, çifti kapi shansin për të rritur profilin e vet profesional dhe, njëkohësisht, të merrnin ppjesë në luftën kundër fashizmit.

Dy javë pasi filluan luftimet, çifti arriti në Barcelonë ku fotografuan luftëtarët Republikanë që po përgatiteshin për të shkuar në front.

Ata udhëtuan qindra kilometra përmes territorit republikan në Aradon, Madrit dhe Toledo e më pasj në jug te vija e frontit pranë Kordobës.

Puna e tyre u prit mirë në Paris, ku gazetat qenë shumë të interesuar për të publikuar fotografi që do të mbështesnin kauzën republikane.

Taro filloi të zhvillojë stilin e vet dhe ia doli të krijojë një karrierë duke e ngritur veten si një fotografe e rëndësishme në një periudhë kohore shumë të shkurtër, thotë Rogojska.

Sot, emri i Kapës është i njohur në të gjithë botën, por deri së fundmi, Taro qe përgjithësisht e harruar.

“Duke parë rrethanat historike, nuk është se më habit fakti që arritjet e Gerdës u harruan,” thotë Kejt Bruks, një fotogazetare amerikane që ka punuar në zona konflikti në Afganistan dhe Irak.

Ajo e shpjegon këtë harresë me “faktin se ndodhi Lufta e Dytë Botërore, sepse famija e saj vdiq gjatë Holokaustit dhe se me vdekjen e Kapës më 1954 nuk mbeti askush që të mund të ruajte kujtimin e punës së saj.”

Bruks mësoi për Taron vetëm pak vite më parë, pasi 4,500 negativë që i përkisnin Kapas, Taros dhe fotografit shok të tyre Chim, u zbuluan në Meksikë.

Kapa u përpoq por nuk ia doli t’i nxirrte këto fotografi nga Franca më 1939. Në fakt ato përfunduan në duart e ambasadorit të Meksikës, Gjeneralit Francisko Aguilar Gonzales, i cili i mori me vete në shtëpi dhe i harroi që i kishte.

Negativët mbetën në disa kuti në Meksikë, të paprekura për gjysmë shekulli. Pasi gjenerali Aguilar dhe bashkëshortja e tij vdiqën, fotografitë u morën nga një i afërm i familjes, regjisori meksikan Benjamin Tarver.

Kur Tarver kuptoi se çfarë kishte trashëguar, ai i tregoi një profesori në Nju Jork i cili foli me Qendrën Ndërkombëtare të Fotografisë në këtë qytet – themeluar nga vëllai i Kapës, Kornel (Cornell).

Kornel Kapa besonte se fotografitë i përkisnin dhe duhej të bashkoheshin me pjesën tjetër të arkivës së Kapas dhe Taros por Tarver nuk iu përgjigj letrave të tij.

Kjo ndodhi më 1995 dhe duhej të vinte viti 2007 që të fillonin bisedimet të cilat u përmbyllën me dorëzimin nga Tarver të asaj që njihet si Valixhja Meksikane e Qendrës Ndërkombëtare të Fotografisë.

Tri vite më vonë organizata bëri një ekspozitë të fotografive të humbura prej kohësh.

“Çdo njeri që punon si reportet lufte në çdo kohë në thelb vendos jetën e vet në rrezik duke iu afruar asaj që po ndodh,” thotë Bruks, por ajo mund të kuptojë se çfarë e motivonte Taron.

“Qëllimi i fotografimit apo i xhirimeve, është dokumentimi dhe pasja e fakteve për atë që po ndodh,” thotë ajo.

“Mendoj se është me të vërtetë shumë tragjike se përtej faktit që vdiq kaq e re ne nuk patëm mundësi se si do të mund të zhvillohej puna e saj si fotografe.”

Lufta Civile Spanjolle 1936-1939

Më 1936 ushtria u rebelua dhe rrëzoi me forcë nga pushteti qeverinë e krahut të majtë.

Së paku 350 mijë spanjollë u vranë në luftën civile që pasoi këtë grusht shteti ndërsa shumë të tjerë u ekzekutuan më vonë.

Gjenerali Francisko Franko (Francisco Franco), i cili udhëhoqi fitoren e Nacionalistëve, sundoi Spanjën si diktator deri sa vdiq më 1975.

Gjermania e Italia mbështetën Nacionalistët, ndërsa Bashkimi Sovjetik mbështeti Republikanët.

Në Spanjë luftuan edhe shumë shqiptarë.

Brugadat Ndërkombëtare qenë njësi ushtarake të përbëra nga vullnetarë nga vende të ndryshme, të cilët luftuan në krah të forcave republikane gjatë luftës civile spanjolle. Vlerësohet se numri i këtyre trupave qe mes 32 deri në 35 mijë vetë. Rreth 10 mijë të tjerë besohet se morën pjesë në role joluftuese.

Trupat vullnetare u organizuan nga rrjeti i partive komuniste në shumë shtete, ku Parisi qe pika kryesore e takimit. Shqiptarët u inkuadruan në Bataljonin Garibaldi, një batalion komunistësh italianë. Skender Luarasi, i cili njihet sot si autor monografish dhe perkthyes, ishte nje nga keto vullnetare. Petro Marko ishte nje tjeter.

Mbështetja e huaj për nacionalistët qe disa herë më e fuqishme. Vetëm Italia dërgoi mbi 60 mijë trupa të mirëpajisura me avionë, artileri, anije e nëndetëse. Gjermania dërgoi 16 mijë trupa profesionale të cilat testuan armë dhe teknika që u përdorën më vonë gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfshirë bombardimin për terror, bombardimin e qyteteve pa rëndësi strategjike ushtarake por me synimin për të demoralizuar popullsinë civile.

Fotografe në vijën e frontit

Margaret Burk-Uhajt (Bourke-White) qe fotografja e parë grua që punoi pranë trupave amerikane dhe i mbijetoi një sulmi me torpedo ndaj anijes ku gjendej në Luftën e Dytë Botërore.

Reporterja Martha Gellhorn u hoq si infermiere dhe u fsheh në banjon e një anijeje spitalore që shkonte në Normandi. Ajo njihet per disa libra me tregime te shkurtra si dhe per faktin se ka qene martuar me Ernest Hemingway.

Meri Kolvin (Marie Colvin) u vra më 2012 në Homs ndërsa ushtria e Sirisë intensifikoi sulmet kundër opozitës

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>