13 Korrik, 2019

Shkrimtari polak Czesław Miłosz na jep një përballje këndvështrimesh mes botës lindore dhe asaj perëndimore në kohën e Luftës së Ftohtë.

Njeriu i Lindjes nuk mund t’i marrë seriozisht perëndimorët, sidomos amerikanët, pikërisht për arsye se pjesa e tyre më e madhe s’kanë pasur përvoja vendimtare, – nga ato që na mësojnë se gjykimet dhe zakonet tona janë relative, dhe sidomos mungesa e imagjinatës nga ana e tyre është krejt e habitshme. Meqë kanë lindur e janë rritur në një rend shoqëror të caktuar dhe në një sistem të caktuar vlerash, u duket se çdo rend tjetër është “kundër natyrës” dhe se nuk mund të qëndrojë më këmbë. Por edhe atyre një ditë mund t’u bjerë zjarri, t’i presë shpata e t’i pllakosë uria. Vështirë të besohet që, kur një pjesë e rruzullit përshkohet nga kataklizma të tmerrshme, pjesa tjetër mund të vazhdojë të jetojë në stilin e shekullit XIX dhe që, në kundërshtim me ligjin e enëve komunikuese, njeriu i Perëndimit ka për t’i njohur vetëm në filma e gazeta vuajtjet e sivëllezërve të tij të largët. Nëpërmjet shembujsh të shumtë, njeriu i Lindjes ka mësuar të jetë solidar në fatkeqësi. Dikur, banori i Varshavës apo i Budapestit i sodiste në ekran bombardimet e Spanjës dhe Shangain të përfshirë nga flakët; por më në fund mësoi se si duken “aktualitetet” kur i sheh nga afër. Ai kishte lexuar në gazeta histori të zymta mbi N.K.V.D-në; dhe ja, një ditë të bukur pati punë personalisht me këtë institucion. Ajo që ndodh diku do të ndodhë gjithkund, ky është konkluzioni që nxjerr nga vrojtimet e veta; ndërsa begatia e sotpërsotme e Amerikës nuk i ngjall kurrsesi gjë tjetër veçse një besim të lëkundur; ai është i mendimit se ato që ndodhën në vitet 1933-1945 në Evropë janë paralajmërimi i asaj çka do të ndodhë gjetiu. Në këtë aspekt evropianolindorët padyshim kanë përparuar më shumë në të kuptuarit e fakteve bashkëkohore sesa banorët e vendeve të tjera, të cilëve u mungojnë disa përvoja të caktuara.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>