VDEKJA E LABIRINTHIT
– Ëndërr sipas Borgesit –
Pavarësisht se askush nuk mundi ta vinte re se pështyma e tij kishte një strukturë si të e fjalëve, sesa të prej të lëngtës që ndodh të kollitet përherë që prej njeriut të parë, Labirinthi e kolli këtë farë pështyme mbi të kaftën e dheut. Asiçastit shqoi për të parën herë se në pështymën e tij kishte fetuse papagajsh. Labirinthi i dha vertebrës trajtën e një kose, për të parë më mirë, dhe aty ndjeu se në lugth i qe mbledhur një komb pikësimi që ia shponte së brendshmi lëkurën e kuqe. U drejtua dhe vazhdoi përpara, ndërkohë që një mendim donkishotesk e truante të luftonte pështymën e vet, duke e zhveshur prej përmbajtjes dhe duke i lënë fetuset e papagajve t’i gëlltiste nembroti i një ambicieje tjetër. Gjuha brenda gojës së tij ishte sistemi i ri totalitar. E nxorri gjuhën dhe e preku, e kapi me dorë dhe e shtypi me gishtërinj, për të matur temperamentin e turmës. Por turma nuk reagoi, ajo thjesht lëshoi prej poreve të gjuhës jargët e saj të pohimit; Labirinthi mund ta përdorte mukozën e saj për të rrëshqitur këmbën e hirushtë në pantoflat e libidos së tij. Por tashmë ishte disi vonë…
Mbreti po e zbrazte qumështin e seksit të tij në bimsën e organit të saj, por ajo e kish mbushur dingazi me një qumësht shkronjash të një gjuhe të re, të një gjuhe së cilës askush s’mund t’ia zhdërjendte gjëagjëzën, pasi ishin shkronjat e një demi. Pështyma e Labirinthit kish ruajtur disa karakteristika gjenetike të veçanta prej këtyre shkronjave. Por Mbretëresha nuk e dha veten, ndonëse brenda seksit të saj një zhurmë e mbytur s’linte shumë dyshime se në të ngjisheshin dhe goditeshin pellgjet e ligjërimit. U ngrit prej shtratit, veshi këmishën e natës dhe mbeti shtatzënë. Mbreti punësoi mijëra e mijëra muratorë, për të cilët vendosi se duhet t’ua priste kokat e t’i kthente në zgjoje bletësh. Dhe kjo pasi të përfundonte së ndërtuari Labirinthi i mbarsur në barkun e Mbretëreshës.
Labirinthi ndiente t’i vinte një tjetër pështymë dhe mendoi për fetuset e papagajve që do t’i rrëfenin si është bota në stomakun e tij; ato do t’i spiunonin në veshë drojet e stomakut. Stomaku, dhe jo zemra, prodhon impulset e ndjenjave. Ndjenjat: hija e tepërt që tejzgjat trupi i shqisave. Zuri buzët me duar dhe mendoi se si dikur puthte. Buzët e saj ngrinin një betejë dhe shembnin institucionin e buzëve të tij; kaq lehtë, sepse buzët e saj ishin diçka krejt tjetër – buza e sipërme ishte një jago, ndërkohë që e poshtmja ishte një othello. Mukoza e gojës së tij ishte turma, mukoza e seksit të saj pushteti.
Por ja që sërish e jashtëmgryku pështymën dhe mungesa e drejtpeshimit e bëri që ta shkelte. Prej fetuseve të papagajve dolën rropullitë e fjalëve, dhe ja tek u dukën barbarët. Labirinthi zu të rendte dhe ndjeu gjuhën t’i rrëshqiste poshtë, nëpër flautin e grykës; në themelin ku qe lënë fli koka e një dashi. Po kështu kish rrëshqitur nëpër mitrën e së ëmës kur muratorët po i vendosnin gurët e fundit. Gjuha ra poshtë në stomak, bëlldum, dhe nga krahët zu t’i binte pluhuri i rrënimit. Flokët i ranë, vertebrat iu kërrusën. Sepse burri dëshiron të zbërthehet sërish, sikur kraharori të ishte kafazi që ka ndrynur brenda bishën…
Labirinthi u shemb përdhe dhe në rrënjët e tij bisha gjerb me gjuhë rrëfimin…
© Të drejtat e autorit janë të rezervuara.Ky fragment botohet me lejen e botuesit, Arka e Noes. Ripublikimi nuk lejohet pa lejen paraprake të mbajtësit të të drejtës së autorit.