11 Qershor, 2021

Përgjatë shumë shekujve, shkrimtarët janë detyruar të mbajnë gojën dhe të mos përdorin nëpër romane fjalë që konvencionalisht njihen si “të pista” apo ofenduese. Shumë gjëra kanë ndryshuar përgjatë dekadave të fundit deri sa sot gjërat nuk janë më aq tabu sa kanë qenë. Njihuni me strategjitë e shkrimtarëve të ndryshëm, nga Hemingway te Orwell, për të thënë fjalë të pista pa thënë fjalë të pista.

Shtëpia e Librit

Romani Për kë bie këmbana nga Ernest Hemingway ka magjepsur lexuesit për tetë dekada me rradhë që kur u botua për herë të parë në vitin 1940. Ai përshkruan një luftë guerilase të një vullnetari amerikan në Luftën Civile të Spanjës. Dhe siç ndodh në çdo luftë dhe me çdo ushtri, vështirë se Lufta e Spanjës duhet të jetë luftuar duke mos sharë me fjalë të pista mbarë e prapë. Por megjithatë, Hemingway nuk mund të përshkruante luftën në këtë drejtim. Atij i duhej të vetëcenzurohej. Një roman i botuar në vitin 1940, nuk mundej të mbante fjalë nga ato që zakonisht përdoren nëpër kazerma me tepri.

Në vend të fjalëve të pista, Hemingway përdori termat “obscenity” dhe “unprintable”, të cilat në shqip mund të përkthehen: “e pistë” dhe “e pabotueshme”. Në një rast, ai shkruan: “Agustini foli aq pistë, duke kombinuar një fjalë të pistë me çdo folje si ndajfolje, duke përdorur të njëjtën fjalë të pistë si folje, aq sa Robert Jordan po vriste mendjen nëse ai ishte në gjendje të thoshte një fjali të plotë pa sharje”.

“Kujdesu mirë për dinamitin tënd e pabotueshme”.

Ose: “Ne do ta hedhim në erë atë e pistë urë dhe pastaj do të arratisemi nga këto male e pistë.

George Orwell pati një telash edhe më të madh. Në librin e tij të parë, I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe në Londër, ai u detyrua të censurojë me — një pafundësi sharjesh të përjetuara nëpër bodrumet e hotelit ku punoi si ndihmës-skllav kur u gjend në vështirësi apo kur përshkroi gjuhën e rrugës në lagjet e varfra të Londrës.

Dekada më vonë, bota u bë më tolerante ndaj fjalëve të pista. Botimet e sotme të këtij libri mbajnë fjalët që në botimin e parë më 1933 u censuruan. Problemi me këtë libër është që dorëshkrimi i Orwell humbi. Rrjedhimisht, fjalët e pista që shfaqen në botimet e sotme janë hamendësime të asaj që duhej të kishin qenë në botimin e parë.

Natyrisht që shkrimtarët e kohës sonë nuk e kanë më këtë telash.

Mary Beard, një profesoreshë dhe historiane e Romës së Lashtë, përdor një fjalë “të pistë” në kryeveprën e saj SPQR, një histori e Romës së Lashtë si një nevojë për të shpjeguar grafitet e zbuluara rrugëve të Pompeit. Në një prej këtyre grafiteve, një banor i lashtësisë shkroi: “unë qiva pronaren”. Kjo ishte çfarë kishte shkruar banori i lashtësisë në mur, supozohet në lidhje me pronaren e një dyqani ushqimesh të gatshme. “Nëse ky është një fakt, një mburrje apo një sharje, kjo është e pamundur të mësohet,” shkruan Beard.

Njerëzit nuk skandalizohen më nga fjalë të tilla në të njëjtën masë, siç skandalizoheshin dekada më parë. Megjithatë, jo e gjithë bota ka ndryshuar. Gazeta e famshme amerikane the New York Times është një nga institucionet që ka zyrën e vet të standardeve gjuhësore dhe etike dhe ajo njihet gjithashtu për një politikë tolerance zero ndaj fjalëve të pista. Në një rast ekstrem, kjo gazetë bëri një shkrim për një grup muzikor që kishte emrin Fuck pa e përmendur fjalën në fjalë. Ajo e ka shkelur standardin e saj etik në këtë drejtim vetëm në raste të rralla, kur fjala e përdorur ka marrë kuptim të rëndësishëm historik. Për shembull, në vitin 1974, kur gazeta publikoi një transkript sekret të një debati në Shtëpinë e Bardhë ku gjuha e përdorur ishte e paedukatë, por që Times vendosi ta shkelë standardin e saj etik për shkak se fjala e pistë hidhte dritë mbi një ngjarje të rëndësishme historike.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>