nga Admin

14 Mars, 2014

At Gjergj Fishta

Jasques Bourcart/ Një ushtarak francez në Shqipërinë e viteve 1913, bën një studim mbi letërsinë shqipe të atyre viteve… Vite më vonë, në rolin e akademikut, ai do t’i kujtojë vitet në Shqipëri si më të bukurat

(AL) Noli at League of Nations“Si mund të ketë lëvizje letrare në Shqipëri?” Jasques Bourcart, akademik francez, e nis me këtë pyetje studimin e tij “Lëvizja letrare në Shqipëri” botuar më 1921 në Paris. Duke folur mbi mendimin e nxituar të linguistit gjerman Gustav Majer dhe propagandës së vendeve fqinje me Shqipërinë, të cilët gjithnjë kishin synuar ta ndanin këtë vend të vogël, përmes një raporti të studiuar me kujdes, Bourcart kërkon t’i tregojë lexuesit francez të kundërtën. “Letërsia shqiptare ekziston”, shkruan ai. Pas misionit ushtarak në Marok, gjatë kohës së luftës së madhe, dhe pas takimit me gjeologun e madh francez Lui Zhentilin, Jasques Bourcart do të gjendet në regjimentin francez, në të cilin ishin rreshtuar edhe spahinjtë marokenë në Shqipërinë mesdhetare në Korçë dhe Pogradec.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, edhe pse në mision ushtarak, Bourcart shkeli çdo pëllëmbë të vendit, i mbrojtur ashtu siç shkruan edhe vetë nga “besa shqiptare”. Ishte vetëm 25 vjeç kur u end qyteteve të Shqipërisë për të kuptuar më shumë vendin, ku natyra ishte kaq e ngjashme me njerëzit. Pas kthimit në Francë, ai do vazhdonte karrierën akademike si anëtar i Akademisë Franceze dhe shef i Katedrës së Gjeologjisë në Sorbonë.

Për të mbërritur te lëvizjet e para letrare në vend, Bourcart bën një vështrim historik të së shkuarës për t’u ndalur më pas te gjuha. “Gustav Majeri, një ndër gjuhëtarët e parë që është marrë me gjuhën shqipe, ka ngulmuar te pesha që kanë huazimet e fjalëve nga gjuhë të tjera dhe ‘bastardimet’ e formave autoktone të saj. Ky opinion u përhap me shpejtësi dhe përsëritej deri edhe në mbledhjet e komitetit të studimeve të Traktatit të Versajës. Megjithatë statistikat e Majerit kanë pak vlerë bindëse, sepse numri i fjalëve të gjuhës shqipe që mblodhi ai është shumë i vogël. Për më tepër përfundimet e tij mbështeten në mënyrë të thatë vetëm në shifra. Unë vetë, bie fjala, kam qenë dëshmitar i zhdukjes dhe zëvendësimit të natyrshëm të shumë fjalëve turqisht, që ky dijetar i kishte vënë re në gjuhën shqipe”, shkruan Bourcart. Por gjuhëtari danez, Holger Pedersen, është i një mendimi tjetër. Sipas tij, gjykimi i Majerit është shumë sipërfaqësor. Pederseni mendon se për të provuar diçka duhet që më parë të kesh mbledhur të gjithë fjalorin e gjuhës shqipe dhe se as kjo nuk do të mjaftonte. “Asnjë prej atyre që janë familjarizuar me gjuhën e gjallë shqipe dhe që zotërojnë njohuri shkencore për strukturën e saj, nuk mendon se ajo është gjuhë e përzier. Ashtu si të gjitha gjuhët e botës edhe ajo ka thithur një sasi fjalësh të huaja. Por gjuha shqipe ka pësuar një zhvillim të vetin, të mirëfilltë, që e ka bërë atë të jetë sot një gjuhë e bukur, plot mundësi dhe që duhet të bëjë krenari për ata që e flasin, duke qenë se instrumenti i shenjtë i kulturës së kombit shqiptar”, shkruan Jasques Bourcart.

Rrëfimi i tij për letërsinë shqipe nis nga libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe ai i Buzukut më 1555-n. Më pas, Fjalori latino-epirot i murgut Frang Bardhi. Në vitin 1525, Bogdani, kryepeshkop i Shkupit, boton “Çeta e profetëve”, që u botua në Venedik me germa latine e shenja diakritike… Poema “Lahuta e Malcisë” quhet një ngjarje për jetën letrare të kohës sipas Bourcart. “Më 1899-n, atë Fishta boton fillimin e poemës së parë me frymëzim realisht kombëtar. Poetët toskë që i kishin paraprirë atij, për shembull Naim Frashëri, kanë huazuar veçanërisht nga lirikat perëndimore, ose kanë bërë përshkrime të stërzgjatura historike me frymë romantike. Poema e Fishtës, ‘Lahuta e Malcisë’, është e frymëzuar drejtpërsëdrejti nga rapsoditë e vjetra popullore të gegëve. Nëse te kjo poemë ashtu si në të gjithë veprën e këtij shkrimtari, mund të haset ndikimi i poetëve italianë të rilindjes, veçanërisht Manxonit, ky ndikim është krejtësisht i pavullnetshëm, mes gjendjes morale të Shqipërisë së atyre viteve dhe asaj të Italisë të fillimit të shekullit XIX, ka një ngjashmëri vërtet të madhe! Për më tepër mund të thuhet se disa strofa të Fishtës janë bërë aq popullore, sa ata që i këndojnë nuk i dinë fare origjinën e tyre. Po atë vit, Fishta dhe monsinjor Primo Doçi, peshkop i mirditorëve, themelojnë shoqërinë “Bashkimi të arsimit kombëtar”. Ky grupim, që ndërkohë ka edhe një gazetë, luan rol të madh në rizgjimin kulturor të Veriut të Shqipërisë”. Një moment tjetër i rëndësishëm në lëvizjet letrare shqiptare pas 1900-s, sipas Jasques Bourcart, është dhe themelimi i revistës “Hylli i Dritës” më 1914-n nga françeskanët. Ai e quan këtë revistë një botim të dorës së parë. “Ajo është e denjë për nivelin e revistave të Europës Perëndimore dhe luajti një rol të madh si nëpërmjet botimit të analizave kritike mbi gjithçka të shkruar jashtë mbi Shqipërinë, ashtu edhe nëpërmjet studimeve filozofike letrare, si dhe botimit të veprave me përmbajtje të lartë letrare apo pjesëve të zgjedhura nga poema epike popullore…”, shkruan ai. Teksa bën një përshkrim të situatës në të cilën ndodhet vendi, ai thotë se që kur vendi ka qeverisjen e vet, evolucioni intelektual ka qenë disi i vonuar në Veri, shkaktuar prej pasigurisë që kanë krijuar disa incidente kufitare, ashtu edhe prej luftërave të brendshme politike. Në qeverinë “popullore” të Ahmet Bej Zogut, në Shkodër u hap një gjimnaz laik, gjë që në ambientet fetare bëri të shpërthejnë polemika të ashpra. Çështja klerike doli edhe në Shqipëri. Gjithashtu në Veri, ku shtëpitë janë jashtëzakonisht të shpërndara dhe ku nuk ka fshatra të vërtetë, është më e vështirë që arsimi popullor të marrë atë zhvillim që ka pasur në zonat toske. Teksa flet për kohën kur Noli ishte Kryeministër, Jasques Bourcart e quan atë një amator me ironi të hidhur në letërsi. “Ai është gjithashtu një historian i vërtetë, që ka shkruar veprën e parë sipas një metode me të vërtetë shkencore ‘Historia e Skënderbeut’. Kjo vepër shquhet për energjinë e stilit fjalëpak dhe për sa mund të gjykoj unë, gjuha e përdorur është shumë herë mjaft personale. Në tërësi, libri të jep përshtypjen se është shkruar me stil të rreptë, por shumë të thjeshtë dhe të zhveshur, me dashje nga çdo lloj retorike. Ai sigurisht që nuk e shteron dot atë temë që do të kërkojë kërkime të tjera, por vepra është e denjë për shqiptarin e madh, historinë e të cilit përshkruan”, shkruan Jasques Bourcart. Luigj Gurakuqi është për të poet, prozator, gazetar dhe përkthyes me formim kryesisht italian. “Ai aktualisht është ministër i Financave. Vepra e tij është mjaft e shpërndarë dhe e vështirë për t’u rrokur. Ai është, siç mendoj unë, nga më të mirët, e ndoshta më i miri prozator shqiptar, të paktën i dialektit gegë, një ndër ata që e zotëron gjuhën mjaft mirë e që më vonë do të bëjë emër”, shkruan ai. Të fundmit shkrimtar që përmend në studim është ai që, sipas tij, është në krye të të gjithë letërsisë shqipe, poeti Gjergj Fishta. “Poeti Gjergj Fishta, françeskan me origjinë nga një familje fshatare e Zadrimës, paraqet edhe prototipin e racës së vet, i fortë, i qeshur, i rrëmbyer me një ironi njëkohësisht të hidhur e tejet të hollë dhe në tërësi jashtëzakonisht pasionant. Unë vetëm kam mundur të ndërgjegjësohem mbi mjeshtërinë e jashtëzakonshme me të cilën ai përdor shqipen, që nëpërmjet të qenët lakonike e saktësisë së shprehjeve të veta, nuk mund të krahasohet veçse me gjuhët antike. Harmonia e vargjeve aq tingëllues, fuqia e lirizmit të brendshëm, një prirje natyrale drejt dialogut teatral, ja çfarë e karakterizon Fishtën. Libri i tij “Gomari i Babatasit”, u ble i gjithi për dy ditë. Ai është me një fjalë shqiptari i mirëfilltë, fisnik i zjarrtë, por i rrezikshëm. Frymëzimi i tij është vetëm heroik dhe në ngjashmëri të plotë me atë të rapsodive popullore, patriotik dhe fetar…”

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>