nga Admin

10 Shtator, 2012

Libraria "Shtepia e Librit" (foto)

Autore: Aida Tuci (MAPO)

Libraria "Shtepia e Librit" (foto)Libri është në krizë. Faktorët që kanë ndikuar në zbrazëtinë e librarive të kryeqytetit janë shumë. Disa prej librashitësve (që më së shumti janë femra) thonë se kjo vjen për shkak të nivelit ekonomik. Një tjetër faktor sipas tyre është interneti, që ka larguar gjithnjë e më shumë lexuesin nga libri, politikat e shtetit për librin, gjithashtu, por sidomos në rënien e tregut të librit ka ndikuar shkatërrimi i bibliotekave dhe librarive pas viteve ’90. Vitet e fundit, në fakt biznesi duket se e ka kthyer vëmendjen edhe tek libri. Janë hapur disa librari luksoze me botime gjithashtu gjithnjë e më luks, shitëse të veshura uniform, kryesisht femra të reja e të bukura, që të shoqërojnë në çdo stendë me sy dhe buzëqeshje. Por pavarësisht imazhit, shumica e lexuesve-klientë të librarive, shohin, shfletojnë, admirojnë buzëqeshjen dhe bukurinë e shitëseve dhe dalin pa blerë asnjë titull. Arsyeja: Libri është shumë i shtrenjtë.

Florita Bardhi ka 43 vjet që si profesion ka shitjen e librit. Qoshja e saj që njihet si Libraria e Librit Universitar vizitohet çdo ditë e më pak. “Tregu i librit është shumë i pakët, sepse libri është shumë i shtrenjtë për nivelin ekonomik që ka lexuesi. Libri, për shumë lexues është luks i tepërt. Një libër kushton mesatarisht nga 800-2.000 lekë, dhe nuk është pak”, – thotë Florita. Ky është shkaku kryesor sipas Floritës që libraria e saj, dhe jo vetëm, vizitohet pak nga lexuesit. Përjashtim nga rregulli bëjnë shumë pak tituj, që edhe pse të shtrenjtë shkojnë tek lexuesi pak si dhunshëm prej “bombardimit” mediatik. “Disa shtëpi botuese por dhe vetë autorët e parapërgatisin tregun para se libri të vijë në librari, duke shfrytëzuar mediume të ndryshme. Kjo sigurisht që ndihmon në shitjen e librit”, – vëren Florita. Libraria e saj në fakt ka mbetur si dikur. Lexuesit pak mundësi i ofrohet për ta prekur librin. Ai që hyn në atë librari duhet ta dijë se çfarë kërkon. Krejt ndryshe ndodh te libraria “Albania”, e ngritur vitet e fundit, me hapësira të konsiderueshme ku librat janë renditur sipas autorëve dhe zhanreve dhe ku lexuesit i krijohet mundësi që të jetë sa më pranë librit. Por dhe në këtë librari moderne vizitorët janë shumë të paktë. “Nuk mund të thuash që libri është biznes fitimprurës sidomos në Shqipëri, sepse libri është i shtrenjtë për xhepat e njerëzve, por pavarësisht kësaj, dikush që e do librin nuk kursen për të”. Tatjana Vani, librare tek “Albania”, sapo ka përcjellë dy lexues-klientë që dolën pa blerë asnjë titull. Madje, një djalë solli te banaku një nga librat për ta blerë, por sapo pa çmimin dhe kuletën e tij, ktheu mendje. Shumica e njerëzve që frekuentojnë libraritë janë studentë dhe pensionistë, të cilët nuk kanë kuleta të fryra. Ka dhe një kategori lexuesish që librin e kanë jo vetëm pjesë të jetës së tyre, por kanë edhe mundësi ta blejnë atë. Falë kësaj kategorie, edhe pse e pakët në numër, mbijetojnë dhe ato pak librari në kryeqytet.

 

Shumë libra… Pak librari

Dikur librat që botoheshin ishin të zgjedhur. Përktheheshin kryesish kryeveprat botërore dhe libri shkonte në çdo qoshe të vendit. Florita Bardhi ka 43 vjet që merret me shitjen e librit. Dikur libraria e saj (që njihet si Libraria e Librit Universitar) shiste vetëm libra shkollorë dhe saktësisht librat universitarë, sot e detyruar nga tregu, në librarinë e saj (ndër të vetmet e mbetura si relikte e librarive të vjetra) mbizotëron libri artistik. “Është e vetmja librari në qendër të Tiranës dhe që i ka mbijetuar dy periudhave; asaj para ’90-ës, dhe pas ’90-ës, sigurisht me disa ndryshime”, – thotë Florita. Raftet modeste janë tejmbushur nga botimet dhe pjesa më e madhe e titujve janë vendosur në tokë.

“Ka shumë botime, nuk po flas për cilësinë e tyre, por dikur kishte një lloj përzgjedhjeje të librave që botoheshin. Botoheshin kryesisht vepra të zgjedhura. Gjithashtu, përkthyesit dhe redaktorët ishin shumë më profesionistë se sot. Kishte një përkushtim ndaj librit dhe vëmendje më të madhe, ndërsa tani libri merret, përkthehet dhe nxirret në shitje. Prandaj ka shumë vërejtje për librin sot, gjë që padyshim ndikon dhe në shitjen e tij”. Çdolloj libri; autor i madh apo anonim, i përkthyer mirë apo keq, botim cilësor ose jo, me ISBN ose pa, gjen një qoshe vend në librari. “Çdo libër që botohet, hyn në librari. Ka apo s’ka vlerë libri, nuk mund ta paragjykojmë. Por sidoqoftë, një libër gjithmonë ka vlera, pavarësisht se jam e vetëdijshme se shumë prej tyre lënë për të dëshiruar për sa i përket përkthimit dhe redaktimit. Ka shtëpi botuese serioze që botojnë libra cilësorë, por bashkë me këto në librarinë tonë gjen çdolloj libri, madje dhe libra që nuk përfaqësojnë ndonjë shtëpi botuese, por i sjellin vetë autorët që i kanë botuar në rrugë private. Nuk mund të vëmë kritere për librat që hyjnë në librari”,- thotë Tatjana Vani, librare në librarinë “Albania”, një ndër më të mëdhatë që është hapur në kryeqytet. Por ajo thotë se lexuesi zakonisht drejtohet tek ata libra që vijnë nga shtëpi botuese që kanë jetëgjatësi, çka kanë treguar seriozitet në treg dhe njihen nga lexuesit.

***

Shpërndarja e mangët nënkupton që librat nuk arrijnë tek të gjithë lexuesit potencialë. Libraritë që kanë qenë dikur, nuk ekzistojnë më. Ato që janë ngritur të reja, janë përqendruar vetëm në qendër. Florita, si më e vjetra në këtë “zanat” thotë se dikur libraritë ishin shumë më shumë, por sidomos i kushtohej vëmendje shpërndarjes gjeografike  “Vetëm për librin universitar ishin disa librari të ndara sipas niveleve. Po ashtu, për librin artistik librari kishte çdo qytet, me një shpërndarje gjeografike në mënyrë që libri të shkonte tek çdo lexues. Tani libraritë janë përqendruar vetëm në qendër të Tiranës. Dikur kishte librari edhe në Babrru, Laprakë e Kombinat. Shumë prej këtyre librarive të vjetra nuk ekzistojnë më. Libraria më e madhe që ka qenë përballë Bankës së Shqipërisë nuk është më, te Materniteti i vjetër gjithashtu ka qenë një librari që tani është kthyer në kafe, te shkolla ‘Petro Nini’, në dyqan veshjesh, te ‘Pazari i Ri’, te rruga e Durrësit…etj., etj. Asnjëra prej tyre nuk është më. E vetmja librari e vjetër që ka mbijetuar me shumë vështirësi është kjo e Librit Universitar”. Tatjana e “Albania”-s ka tjetër mendim për këtë. Ajo thotë se libraritë e vjetra apo libraria te qoshja e lagjes kufizohen në titujt e librave që mbajnë. “Libraritë e vjetra furnizohen në bazë të kërkesave kushtëzuar dhe nga hapësira që kanë, ndryshe nga libraritë e mëdha ku lexuesi gjen çdo gjë”. Por ajo vëren diçka, në libraritë e vjetra që i kanë mbijetuar kohës, lexuesi mund të gjejë botime të vjetra që nuk i gjen në libraritë e mëdha dhe të hapura pas viteve ’90.

 

Librare dhe shitëse, një hendek në mes

“Një lexues kur hyn në librari ka nevojë për një orientim. E kur ky orientim është i duhuri, ai do të kthehet sërish aty. Por fatkeqësisht, sot nëpër librari ka më shumë shitëse sesa librare”. Tatjana Vani sheh një hendek të madh mes librares dhe shitëses. Për të, pjesa më e madhe e librarive nuk i kushtojnë rëndësi këtij elementi shumë të rëndësishëm në shitjen e librit. “Në libraritë e mëdha gjen më shumë shitëse të bukura, të veshura hijshëm, sesa librare. Të parat nuk e orientojnë dot lexuesin tek libri, sepse iu mungojnë njohuritë rreth librit, nuk lexojnë dhe nuk e njohin pjesën më të madhe të autorëve, ndërsa librari duhet të jetë një lexues i mirë, që ka njohuritë dhe kulturën e duhur për t’i sugjeruar lexuesit letërsinë e mirë.” Florita Bardhi, sot rreth të 60-tave, thotë se dikur libraritë njiheshin më shumë me emrin e librarit sesa me emrin e tyre. “Kishte librari që e kishin humbur emrin e tyre në kujtesën kolektive dhe njiheshin, ose më saktë evidentoheshin thjesht nga emri i atij që rrinte pas banakut. Jo çdo njeri mund të punonte në librari në atë kohë. Ai që i hynte këtij zanati duhej të ishte patjetër një lexues i mirë”. E në këtë kontekst, librarët ndryshe nga shitëset arrijnë të krijojnë dhe rrethin e tyre lexues-klient. “Secila nga ne,  –thotë Tatjana,  – ka klientët e vet dhe arsyeja është se ne u kemi sugjeruar librat që duhen dhe ata nuk janë zhgënjyer”.

 

“Libraritë” e bordurave 

Zor se i gjen në libraritë e mëdha dhe luksoze kryeveprat e letërsisë botërore, të përkthyera në shqipen e mrekullueshme të Nolit, Shvarcit, Pashko Gjeçit, apo të Petro Zhejit. Por ama, botimet e para të kryeveprave “Komedia Hyjnore”, “Odisea”, “Tre shokët”, “Don Kishoti”, “Romeo e Zhuljeta”, “Lufta dhe Paqja” etj., etj., i gjen në bordura, trotuare, kryqëzime rrugësh, në mes të një bulevardi, të mbuluara nga pluhuri, me një çmim shumë më të lirë sesa në librari. Botimet e para të autorëve të mëdhenj, si të huaj ashtu edhe shqiptarë, nuk shiten më shumë se 200-300 lekë të reja. Shumica e librave që këta nevojtarë shesin nuk janë ribotuar më. Pjesa më e madhe e tyre ka qenë pjesë e bibliotekave të vjetra, të ngritura me mundim ndër vite. “Me shumë dhimbje i shesim sepse janë pasuri për ne, por e bëjmë për të mbijetuar. Vetëm pensioni 10 000 lekë në muaj nuk na del”, – thotë njëri prej tyre, të cilin gjithmonë e gjen tek “Parku Rinia”. Kjo është mënyra e vetme që i ka mbetur për të çuar një lek më shumë në shtëpi. Në “libraritë” e bordurave gjen botime të zgjedhura nga koha që nga letërsia antike, fjalorë, vepra të zgjedhura të autorëve të njohur shqiptarë e botërorë, deri dhe studime, libra shkollorë e revista të vjetra. “Këta libra i gjen vetëm në rrugë, sepse libraritë nuk i pranojnë këto botime. Furnizuesit tanë janë shtëpitë botuese dhe jo bibliotekat private të njerëzve të ndryshëm”, – thotë Florita, edhe pse nuk e mohon se disa prej librave që shiten ashtu rrugëve mund të kenë shumë më shumë vlerë se një pjesë e madhe e librave që qëndrojnë të vendosur bukur dhe me kopertina luksoze në raftet e librarive.

  • Me se e vertet,leku ka ren ne dore te atyre qe se perdorin per dije por per argetuar neper bare dhe tavernadhe,pabe dhe hareme.

  • Nuk mendoj se shitja e librit eshte ne krize.Ne krize jane vete njerzit me manite e tyre, duke mos ditur se cfare te kerojne , cfare te pelqejne, e cfare te jetojne duke sajuar e risajuar gjera te pavlera.Kur sheh djem e vajza qe ore e ore te tera i kalojne neper klube, pabe, parukeri etj fillon e dyshon tek vetja jote dhe thua me vehte : – Mos jam gje demode qe shpenzoj akoma per libra?.Sa mire ju del per keto deshira kalimtare e nuk ju dilka per te blere nje liber! Kaq te boshatisur e kane shpirtin sa e plotesojne me gjera siperfaqsore.Ku ka gje me te bukur se te mbash ne dore nje liber e ta shfletosh qe ne kapakun e tij , te shohen shtepine botuese qe e ka botuar , (qe une sot jam ne gjendje te bej dhe klasifikimin ndermjet tyre) te lexosh me kureshtje se kush e ka perkthyer kush i ka bere grafiken e kush ka dhene mendime per librin e te tjera si keto.Ku ka me bukur se muaj pas muaji bibloteka jote e vogel te mbushet me libra .Te jep nje kenaqesi te paperseritshme.Ne krize jane vete njerzit dhe eshte me te vertete nje fatkeqesi sidomos per te rinjte (jo se ne jemi moshe shume e madhe por 20 vjec nuk jemi). JU pershendes

  • Gjithe keto shqetesime qe ngrihen ketu per mos shitjen e librit jane te drejta, dhe ka shume faktore qe ndikojne. Une psh jetoj jashte Shqiperise dhe jam e interesuar qe gjithmone te bej kerkim ne internet per te mesuar se cfare librash te reja kane dale neper librari qe ti porosit, dhe ky eshte nje gabim i medias sic u tha dhe me lart qe nuk ben publicitet sa duhet rreth librave te reja. Plus dhe cmimi qe libri shitet eshte shume i “kripur”, si per ata qe jetojne ne Shqiperi dhe per ne qe jemi jashte. Une e di shume mire qe per nje liber une paguaj me shume se dyfishin e cmimit origjinal. Sepse duke e blere tek privati dihet qe ai e dyfishon plus dhe postimi dhe te shkon nje liber XXXX. Mendoj qe shtepite botuese te kene mundesite qe pervec shitjeve te librave qe behen neper librari te kene edhe shitjen e tyre online me te njejtin cmim qe te afrojne edhe emigrantet qe kane deshiren per te lexuar.
    Nje shqetesim tjeter jane edhe librat e huaja qe kane filluar te perkthehen ne mase te madhe ne shqip. Nuk e di se kush dhe si e merr te drejten dikush te perktheje nje liber (ato jane pune te tjera), por te pakten perkthimi te jete ne formen e duhur sepse me ka qelluar qe kam lexuar librat ne te dyja gjuhet si origjinalin dhe ne shqip dhe perkthimi eshte skandaloz. Shpresoj dhe uroj qe dikush vertet te merret seriozisht me kete pune sa nuk eshte vone sepse po largojme shume brezin e ri nga deshira per te lexuar.
    Me respekt Lexuesja,,,

  • Mendoj se arsyet që çojnë në mosshitjen e librave janë të shumta e jo vetëm çmimi i librave.
    Do e filloja me ekonominë në përgjithësi. Në një vend ku një pjesë e mirë e njerëzve janë të pa punë, nuk është e lehtë të blesh libra jashtshkollor. Shumë familje s’kanë mundësi t’u blejnë librat shkollor fëmijëve.
    Në përgjithësi librat janë të shtrenjtë se shtëpitë botuese janë të shtrenjta.
    Për të botuar 300 kopjo paguhet deri në 1000 euro. Pra 3 euro libri. Po t’i heqësh çmimit që ka vendosur krijuesi dhe përqindjen që merr libraria për shitjen e librit, 1 kopjo i kalon të 3 eurot dhe shkon sëpaku në 3.30 eurocent, të barabarta këto me 4.462 Lekë.
    Një libër që shitet për 5.000 Lekë është humbje për krijuesin po të llogarisësh kopjet që do bënte dhuratë, kohën e punës që ka kaluar mbi krijimet, varavingot para dhe mbas botimit, etj etj.
    Një arsye tjetër është keqredaktimi dhe keqbotimi i librave. Shtëpitë botuese përdorin standarte të ndryshme mbi krijues të ndryshëm. Bie fjala, nëse je dikush me mbiemrin Kadare, libri do dal i rregullt në të gjitha detajet, nëse në të kundërt je një i panjohur, mangësitë në libër do jenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga letra, shkronjat, boja herë e zezë e herë e shpëlarë etj etj.
    Ka dhe nga ato shtëpi botuese që premtojnë reklamën e librit në Tv por reklama nuk bëhet kurrë.
    Ka nga ato që marrin pêrsipër shpërndarjen, por libri qelbet nja 3-4 muaj në magazina e duhet trokitur disa herë në portën e shtëpisë botuese e pa ta marrin mundimin të bëjnë shpërndarjen.

    Për mendimin tim, janë shtëpitë botuese fajtoret e para se përse librat nuk shiten.

    Një fakt tjetër janë mediat. Në shtypin e përditshëm sidhe radio-televizionet i bëhet thuajse 24 orë në 24 jehonë politikës dhe fare pakëz, ose aspak kulturës, artit dhe letërsisë.

    Respekte

  • Mes te tjerash dua te theksoj edhe mungesen e reklames perkatese per librat qe ja vlen te blihen e lexohen. Ekziston nje hendek mes reklames per firmat e njohura dhe ato qe vertet kane vlera ne krijimtari, por mbeten ne hije. Per te parat, pa u tharre mire boja e shtypshkronjes dalin shkrimet-reklama te tipit, “roman befasues”, “kryeveper tjeter”, “roman qe do trondite e shkaktoje debate te shumta”, etj, etj, si keto. E njejta lloj reklame e tille shkruhet dhe neper kopertinat e librit nga shtepite botuese. Ne nje kohe kur mbahet heshtje absolute ndaj firmave jo me pak botime e vlera, bile do thosha shpesh me vlera me te larta se te atyre qe e kane monopolizuar artin ne Shqiperi. Mungon kritika, mungon dashamiresia reklamuese e shtepise botuese, promovimi, shperndarja dhe ndjekja e saj neper librari, stendat me shfaqje te librit te ri neper librari, etj etj. Lexuesi ndesh rafteve ngjeshje librash dhe as ka idene e autoreve te tyre, kur fare lehte mund te njihet per jeten dhe krijimtarine e tyre permes stendave te dukshme.

  • Jo vetm qe eshte shtrenjte, por e keqja eshte se ato qe kane leke sot nuk kane lexuar asnje liber, edhe gazetat i degjojne ne televizor. Ato qe duna te blejne libra nuk kane leke……

    • 1.Lexuesi ka humbur rrugen e gjetjes se librit, -numri i vogel i antarve ne biblioteken kombetare e tregon kete. 2.Reklama e librit ka rene ne humnere, -vete fakti se nga rreth 100 tituj te rinj cdo muaj reklamohen as 10 prej tyre ne ndonje media apo shtyp. 3.Edhe ato pak librari qe jane, me ndonje perjashtim te vogel, i kane librat neper rafte me keq se patatet dikur neper magazina.
      Pas ketyre tre faktorve rreshtohen edhe te tjere, si cmimi i larte, xhepi i cpuar, interneti, funksionimi i keq i shperndarjes se librave, etj.

      • Jam shume dakord me te dy parafolesit, po besoj se eshte nje ceshtje me komplekse qe nuk mund te kufizohet vetem ne dy apo tre aspekte. Mbi te gjitha eshte nje situate qe kerkon kohen e vete qe te ribalancohet pasi leximi i librave (nisur edhe nga eksperienca personale) kerkon nje qetesi dhe perqendrim qe realiteti shqiptar shume zor se ta ofron 🙁

  • {"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
    >