nga Admin

5 Shtator, 2014

Shtëpia Botuese “Saras” ka hedhur në treg librin “Intertekstualja dhe disidentja” te “Dimri i vetmisë së madhe” me autor Met Dervishin/ Për herë të parë në studimet shqipe merret në analizë një vepër e plotë, e cila nxjerr në pah disidentin e fshehur në librat e Kadaresë

Kërkesa për të hequr nga qarkullimi “Dimrin e vetmisë së madhe” iu dorëzua, në maj të 1973-it, Komitetit Qendror nga sekretari i Komitetit të Partisë për Tiranën. Arsyet që shtroheshin në të ishin shtrembërimi i historisë së prishjes së Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë, futja e temave të ankthit ekzistencialist, “teoritë bashkëkohore borgjeze të revolucionit seksual”, surealizmi, konflikti mes brezave, alkoolizmi, prostitucioni dhe vese të tjera, si dhe një qëndrim “arkaik” në vend të “patriotizmit socialist”.

kadare 1Në kulmin e lulëzimit të komunizmit në Shqipëri, në kapërcyell të viteve ‘70, Ismail Kadare do të përballej me një nga sfidat më të mëdha që një shkrimtar në ish-vendet komuniste, do ta kishte të vështirë ta realizonte, të kthente në një personazh pikërisht diktatorin e tij. Me intuitën e një shkrimtari që di të futet thellësive, Kadare duket se zbuloi pikën e dobët të Enver Hoxhës, që ishte kulti i tij, duke e çarmatosur me shijen e tij të mrekullueshme tërheqëse e të hollë në letërsi. Hoxha e kishte shprehur prej vitesh dëshirën e tij për të shkruar kujtime, dhe për të botuar lira me emrin e tij, por një roman i cili do ta çonte emrin e tij shumë larg kornizave të Shqipërisë socialiste, ishte padyshim një joshje para së cilës Hoxha do të dorëzohej. Kadare e mori në lëkurë sfidën, për t’u përballur hapur me sistemin, i bindur se letërsia ka qoshka magjike prej së cilave mund të fshihte mesazhe, që tej në Europë, ku librat e tij kishin nisur të lexoheshin do të kuptoheshin lehtë, ndërsa lexuesin e vendit të tij do ta bënte të mendonte. “Dimri i vetmisë së madhe” një nga veprat më të kritikuara në historinë e letrave shqipe, në kohën e botimit të tij të parë, do të ishte fitorja e parë e shkrimtarit ndaj sistemit dhe një shfaqje e hapur e një disidenti i cili ishte aty, në zemër të një prej regjimeve më të egra të ish-kampeve socialiste. Me këtë roman, Kadare do të shfaqë jo vetëm gjenialitetin e një shkrimtari tashmë të konsoliduar, por dhe një opozitar tashmë të hapur ndaj regjimit, gjë që do t’i kushtonte më shumë përqendrim të kritikës zyrtare ndaj veprave të tij. Gati 40 vjet nga botimi i parë i këtij romani, profesori dhe studiuesi i letërsisë, Met Dervishi, i rikthehet këtij libri, për të sjellë për herë të parë një në historinë e studimeve shqipe, analizën e një vepre të plotë. “Intertekstualja dhe disidentja te ‘Dimri i vetmisë së madhe’” quhet libri i cili sapo është hedhur në treg nga shtëpia botuese “Saras”. Një libër i cili vjen pikërisht në kohën e debateve mbi disidencën në letërsinë shqipe, dhe që tregon qartazi se disidentja te një shkrimtar i kalibrit të Kadaresë qëndron pikërisht në librat e tij. Nën kujdesin e prof. Xhevat Lloshit, Dervishi bën një analizë të kujdesshme të romanit, të parë në kontekstin e kohës dhe jashtë saj. Sipas tij, përzgjedhja e “Dimrit të vetmisë së madhe” për të depërtuar në misteret e dispozitivit stilistik të Kadaresë ka shumë arsye. Në krahasim me veprat e tjera të Kadaresë, por dhe në krejt prodhimin letrar nën diktaturë, ky roman ka pasur një fat të veçantë. I botuar për herë të parë në vitin 1973, ai u refuzua nga kodi socrealist, u rrethua për tre vjet me një heshtje kërcënuese së bashku me autorin dhe pastaj u ribotua me titull tjetër tre vjet më vonë, kinse i ripunuar, në të vërtetë i trukuar. “Trukimi stilistik që i ka bërë Kadareja botimit të tij të dytë, do të meritonte një punim tjetër. Të rikthehemi te arsyet e përzgjedhjes së “Dimrit…”:

Së pari, ky roman është njëri ndër kulmet e Kadaresë. Në këtë roman kemi kristalizimin e plotë të dispozitivit të tij stilistik, që vepron në tekst me gjithë plotfuqishmërinë e tij sugjestionuese. Fakt është që 20.000 kopjet e këtij botimi të parë janë tërhequr nga lexuesi brenda ditës. Ky ka qenë një rekord i papërsëritshëm.

ismail kadareSë dyti, ndaj këtij romani, fill pas botimit, është orkestruar një fushatë kritike që ka zgjatur disa muaj. Në këtë fushatë, tipike për fushatat e vendeve të ish-Lindjes komuniste kundrejt veprave disidente, janë përfshirë si asnjëherë tjetër në historinë e letrave shqipe nën diktaturë, punëtorë, fshatarë, studentë, ushtarë, oficerë, reparte ushtarake, kritikë, studiues, zyrtarë të lartë, shkurt, i gjithë mekanizmi i propagandës komuniste. Dhe, gjithashtu për herë të parë në historinë e raporteve të pushtetit komunist me letërsinë, në këtë fushatë është përfshirë dhe lideri komunist, Enver Hoxha, duke qenë dhe vetë personazh i këtij romani”, thotë Dervishi, megjithëse sipas tij kjo fushatë do të mjaftonte për t’i vënë këtij romani kurorën e disidencës së letërsisë shqiptare.

Kërkesa për të hequr nga qarkullimi “Dimrin e Vetmisë së Madhe iu dorëzua, në maj të 1973-it, Komitetit Qendror nga Sekretari i Komitetit të Partisë për Tiranën. Arsyet që shtroheshin në të ishin shtrembërimi i historisë së prishjes së Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë, futja e temave të ankthit ekzistencialist, “teoritë bashkëkohore borgjeze të revolucionit seksual”, surealizmi, konflikti mes brezave, alkoolizmi, prostitucioni dhe vese të tjera, si dhe një qëndrim “arkaik” në vend të “patriotizmit socialist”. Të nxitura nga kjo kritikë, polemikat rreth romanit u ndezën për disa muaj rresht. Në një denoncim të mëtejshëm, në maj të vitit 1973, nga Komiteti i Partisë i Rrethit të Elbasanit, temat e “degjenerimit moral të rinisë” dhe “tendencat feministe” konsiderohen si të papërshtatshme për letërsinë shqiptare. Romani mbeti në qarkullim, por spastrimi vazhdoi duke fuqizuar diktaturën e duke u bërë të qartë liberalëve të mos merrnin zemër nga kjo fitore. Kadareja e rishikoi dorëshkrimin, siç iu kërkua, dhe e dorëzoi për diskutim në parti dhe nëpër komisione. Por dhe në rishkrimin e librit, Kadare mundi të sfidonte. Në përgjigjen zyrtare nga Dalan Shapllo, në nëntor të 1973, rishikimet u pranuan, por u konsideruan të pamjaftueshme. U përpilua një listë e re kërkesash, ku u vu në dukje “revizionizmi” i Kadaresë, si dhe mungesa e figurave pozitive midis intelektualëve, nostalgjia e tyre për Rusinë, trajtimi ironik i parimeve të socializmit dhe përkrahja e fshehtë e “liberalizmit”. Përgjigjja zyrtare ishte e thellë dhe e hollësishme e kjo tregon sesa seriozisht merrej letërsia dhe fjala e shkruar në Shqipëri dhe në vendet socialiste në përgjithësi. Dashnor Mamaqi vë në dukje theksimin në mbledhjet me Hrushovin të revizionizmit të tij, në vend që të nxirren në pah çështja politike e drithërave, marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-sovjetike dhe rëndësia e bazës së Vlorës.

Sipas Dervishit, në fillim të viteve ‘90, ky roman do të jetojë periudhën e dytë të heshtjes ndaj tij. “Më vonë, në debatet e gjera për disidencën shqiptare/pafuqinë shqiptare për të prodhuar disidencë, ky roman zë kryet e vendit. Në një ekstrem, për të ripohuar karakterin pllakatesk e propagandistik të saj, nga ekstremi tjetër për të provuar nëpërmjet tij kulturën e simulim-manipulimit, pra, për të vërtetuar dhe nëpërmjet tij që në kulturën shqiptare kemi simulim të disidencës, kur kemi pasur thjesht vepra pllakateske komuniste, por dhe manipulimin publik nëpërmjet këtij simulimi”, thotë ai.

Në këtë kontekst, ky libër mëton t’i japë përgjigje dhe këtij paradoksi. Nga vjen ky? Mos vallë është teksti që e shkakton këtë paradoks receptues? Mirëpo, ndërkaq, si do të shpjegohej  receptimi refuzues dhe fushata kundër botimit të tij të parë?

“Përkundrazi, kemi një debat që shmang  pavetëdijshëm raportet e drejtpërdrejta me tekstin duke dialoguar kësisoj me dekodimin komunist që iu bë këtij teksti  pas botimit të dytë, në përputhje me qëllimet e propagandës komuniste? Pra, në receptimin pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar, por dhe më vonë, mos vallë kemi të bëjmë, në të vërtetë me një dialog me mënyrën se si e përvetësoi propaganda komuniste këtë tekst për qëllimet e saj?

Fillimisht thamë që joshja ka të bëjë me dispozitivin stilistik të Kadaresë. Por, ky dispozitiv unikal në kohën kur është kristalizuar si i tillë, ka qenë në raporte dekoduese me, përkundrejt metodës zyrtare, socrealizmin.  Që ka pasur problem me dekodimin e dispozitivit stilistik të Kadaresë me metodën askush nuk e vë në dyshim. Dhe në receptimin pas viteve ‘90 e këndej, ka autorë që konsiderojnë disidencën estetike të prozës së Kadaresë. Problemi këtu qëndron që, nëse një dispozitiv stilistik është njëkohësisht një këndvështrim i botës, në ç’raporte ishte/ është ky këndvështrim me këndvështrimin marksist të botës? Dhe, nëse kjo pyetje merr përgjigje pozitive në tekst, disidenca estetike shndërrohet në disidencë politike. Është dhe ky rasti? Dhe, më tej, nëse mundemi t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve me instrumente të stilistikës, stilistika provon vetveten si shkencë e kritikës së tekstit. Në këtë kuptim, “Dimri…”, por dhe tekstet e tjera të Kadaresë, janë një sfidë dhe për stilistikën/ poetikën/ kritikën e tekstit, e cila është e vetmja që mund t’u japë përgjigje shkencore paradokseve të receptimit. Por, dhe e vetmja që mund të japë përgjigje shkencore për individualitetet e letrave shqipe”, thotë Dervishi.

Për herë të parë, “Dimri… në këtë libër shihet nga këndvështrimi i konceptit/koncepteve të Michael Bachtin për dialogjiken/polifoniken në letërsi. Libri ka katër kapituj. Në kapitullin e parë: Receptimi i tekstit autori është mbështetur në teorinë e receptimit të Jauss Hans. Në këtë kapitull ai ka shqyrtuar receptimin e romanit në kohën e botimit, receptimin e tij pas ribotimit si dhe receptimin e tij në vitet pas rënies së diktaturës.

Në kapitullin e dytë: Tekst monologjik apo dialogjik/polifonik ka shqyrtuar dispozitivin stilistik të Kadaresë te “Dimri…”, gjegjësisht përkatësinë e tij stilistike. “Meqë Bachtin e konkretizon konceptin e tij të dialogjikes te Dostojevski, e studiues të tjerë, te Joice etj., ne mëtojmë të kemi provuar që, në dallim nga polifonikja te Dostojevski apo Joice, Kadare është unik në dialogjizmin/polifoninë e tij. Së pari, se në tekstet e Kadaresë, ndryshe nga paraardhësit e tij të mëdhenj, autori tërhiqet në skemën e tij krijuese. Sipas mendimit tonë, të cilin e kemi vërtetuar në tekst, te Kadare horizonti i autorit del në përgënjeshtrim të vetvetes. Ky mekanizëm stilistik te Kadare krijon kushtet për arritjen e nivelit më të lartë të prozës polifonike, kontrapunktin”, thotë Dervishi.

Në kapitullin e tretë: Ideologjemat versus klisheve për herë të parë shqyrtohen ideologjemat e “Dimrit…” në raport me klishetë politike të diktaturës. Ky kapitull, në veçanti, është dhe guri i provës për karakterin disident/socrealist të tekstit. “Gjatë analizës së ideologjemave ne mëtojmë të kemi provuar disidencën politike të tekstit, madje mëtojmë se në tekst kemi një Enver Hoxhë tjetër si personazh kundrejt Enver Hoxhës si diktator (Maska e Kadaresë).

Në kapitullin e katërt dhe të fundit: Hipoteksti/përbindëshi/ djali me yll në ballë, autori shqyrton hipo e hipertekstin, në përputhje me konceptin e Gerard Genette etj. Ky libër nuk është vetëm një studim i hollësishëm mbi një vepër të njohur, por dhe një përballje me elemente të disidencës që studiuesit e huaj e kanë vërejtur herët në letërsinë e Kadaresë, dhe që në Shqipëri  gjithnjë është shmangur të shihet.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>