1 Tetor, 2021

A është një çmim prestigjioz për shkak të cilësisë së fituesve dhe seriozitetit të procesit përzgjedhës apo është një çmim i rëndësishëm vetëm për shkak të parave? Së paku një shkrimtar në histori e pa të arsyeshme të çonte për skrap medaljen prej ari ndërsa dy të tjerë e kanë refuzuar. Por shumë nga gjenitë e letërsisë botërore nuk e fituan atë çmim kurrë. Këto janë disa fakte që ndoshta nuk i dini nga çmimi Nobel.

Shtëpia e Librit

Alfred Nobel

Industrialisti i armëve, i njohur si shpikësi i dinamitit, Alfred Nobel, vendosi të krijojë një çmim prestigjioz që të mbante emrin e tij për promovimin e vlerave njerëzore. Por kjo ndodhi vetëm pasi ai lexoi një artikull të gabuar në gazetë. Artikulli jepte gabimisht lajmin që Alfred Nobel kishte vdekur. Titulli i artikullit: Vdes tregtari i vdekjes!

Nobeli la një pasuri të madhe të dedikuar për të shpërndarë çmime të majme. Zakonisht fituesit e çmimit të letërsisë marrin, bashkë me medaljen prej ari edhe një shumë që arrin në një milionë dollarë. Kjo e bën këtë çmim të rëndësishëm financiarisht, ndërkohë që vlerat e fituesve janë më pak të matshme se sa vlera e parave.

Shkrimtari italian Luigi Pirandello, fitoi çmimin Nobel më 1934. Por një vit më vonë, ai zgjodhi ta dhurojë medaljen prej ari të Nobelit për qeverinë fashiste italiane, e cila, supozohet, e shkriu për vlerën e saj si metal dhe jo si medalje e Nobelit. Fashistët italianë realizuan me këtë veprim një fitore të madhe propagandistike, në një kohë kur përballeshin me kritika për shkak se pushtuan ushtarakisht Etiopinë, në një përpjekje për të krijuar një perandori.

Por ndërsa Pirandello e shkriu medaljen për shtetin, Jean Paul Sartre u bë i pari dhe i fundit shkrimtar që e refuzoi medaljen, diplomën dhe paratë në vitin 1964. Ai deklaroi kjo ishte rrjedhojë e refuzimit të tij si individ që të “institucionalizohej”. Sartre kishte refuzuar medaljen e “Legjionit të Nderit” nga qeveria e Francës pas Luftës së Dytë Botërore si njohje e kontributit të tij në rezistencën anti-naziste ndërsa i intervistuar nga gazetarët te dera e apartamentit të Simone de Beauvoir, ai deklaroi se i vinte keq që ky refuzim i tij “kishte krijuar përshtypjen e një skandali.”

Shkrimtari rus Boris Pasternak nuk dëshironte ta refuzonte Nobelin në letërsi kur e fitoi më 1958, por rrethanat në të cilat u gjend, e detyruan atë të mos e pranonte. Pasternak fitoi Nobelin pasi kryevepra e tij, Doktor Zhivago pati një kalvar të gjatë drejt publikimit. Ai u publikua në Itali më 1957 pasi ishte trafikuar ilegalisht nga Bashkimi Sovjetik. Si një vepër që fliste për vuajtjet e një poeti mjek gjatë Luftës Civile në Rusi, ajo u ndalua të publikohej në BRSS ndërsa  botimi i saj në Itali dhe çmimi Nobel një vit më vonë, zemëroi Moskën, e cila detyroi Pasternakun të mos e tërhiqte çmimin.

Disa nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të njëzetë në fakt nuk e morën kurrë Nobelin. Franz Kafka nuk e fitoi por fakti është që Kafka u botua masivisht dhe u bë referenca e njeriut nën darën e ingranazheve të burrokracisë vetëm pasi u nda nga jeta.

Leo Tolstoi nuk e fitoi Nobelin pavarësisht se mbetet i shumëlexuar edhe për një shekull pas vdekjes në vitin 1910. Po kështu edhe Henrik Ibsen, i cili vdiq më 1906. Ndryshe nga këta, disa nga shkrimtarët fitues në vitet e hershme të Nobelit i kanë kaluar prej kohësh historisë dhe nuk lexohen më përveçse në qarqet e akademikëve.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>