nga Admin

30 Shtator, 2013

Sergio Bitar, politikani kilian që përjetoi internimin nga regjimi i Pinochet-it, erdhi në Kosovë në PriFest me librin “Isla Dawson 10”, i shndërruar në film, për të treguar përvojat e tij të këqija me diktaturat. Për gazetën “Jeta” në Kosovë thotë se kujtimet duhet të mbeten gjallë, të shkruhen, e të tregohen, për t’u liruar prej tyre

Historia dhe diktaturat në Festivalin e Filmit të Prishtinës në sytë e një politikani kilian

Eldita Tarani, GazetaJNK

Bitar, i internuari në ishullin Dawson (2)Jugosllavia e Titos e kishte ishullin kroat Goli Otok (ishullin e zhveshur) si vend ku dërgonte e ndëshkonte kundërshtarët politikë. Edhe Kili i diktatorit Pinochet në ishullin Dawson çonte të padëgjueshmit. Ky diktator vdiq gjatë procesit gjyqësor kundër tij, njësoj si Slobodan Milosheviqi. Sergio Bitar, politikani kilian që përjetoi internimin nga regjimi i Pinochet-it, erdhi në Kosovë në PriFest me librin “Isla Dawson 10”, i shndërruar në film, për të treguar përvojat e tij të këqija me diktaturat. Për gazetën “Jeta” në Kosovë thotë se kujtimet duhet të mbeten gjallë, të shkruhen, e të tregohen, për t’u liruar prej tyre.

Ka ardhur në Kosovë për të treguar vuajtjen personale të kthyer në art. Sergio Bitar, politikani kilian, pjesë e kabineteve të tri qeverive të vendit të tij dhe ish-ministri i Arsimit dhe Minierave, ka shkruar një libër për përjetimet e tij nën regjimin e diktatorit Pinochet.

Libri më pas është shndërruar në film nga regjisori Miguel Littin, ndërsa ka qenë pretendent për “Oskarin” e filmave më të mirë të huaj në vitin 2009.

Filmi “Isla Dawson 10”, i shkruar në bazë të romanit të Bitar-it është shfaqur të dielën në PriFest, në kategorinë e filmave latinë, ndërsa njërin nga rolet e luan edhe vetë politikani kilian. Në film përshkruhet jeta e rëndë e kundërshtarëve politikë të diktaturës kiliane, të vendosur e të harruar në ishullin Dawson, një ishull i goditur vazhdimisht nga erërat polare dhe ftohtësia ekstreme e motit.

Llogaritet se rreth 80 mijë njerëz përjetuan internimin gjatë epokës së Pinochet-it nga viti 1973 deri në vitin 1990, ndërsa prej 1 mijë e 200 deri në 3 mijë e 200 persona mendohet se janë vrarë, prandaj filmi “Isla Dawson 10”, i afrohet dokumentarit, pasi rrëfen për tragjedinë.

Ne ishullin Dawson ku u internuan opozitaret e kilit
Ne ishullin Dawson ku u internuan opozitaret e kilit

Një ishull të tillë, të quajtur Goli Otok, e kishte zgjedhur si vend ndëshkimi edhe ish-Jugosllavia për kundërshtarët politikë të regjimit të saj.

Bitar, i internuari në ishullin Dawson gjatë të tetëdhjetave nga diktatura kiliane e Pinochet-it, për gazetën “Jeta” në Kosovë thotë se ka ardhur në Prishtinë, për ta njohur më mirë vendin tonë dhe për të gjetur ngjashmëritë e Kosovës me Kilin.

“Kam qenë tejet i motivuar ta njoh Kosovën dhe situatën këtu, sepse ekziston një mangësi lidhjesh në mes të Amerikës Jugore, Kilit në veçanti dhe kësaj pjese të botës. Sa u përket zhvillimit ekonomik dhe çështjeve sociale, Amerika Latine ngjan mjaft me Kosovën. Përveç faktit se Kosova dhe Kili kanë dy kultura të ndryshme, përjetimi i represionit, lufta për liri dhe ndjesia për të pasur dinjitet janë elemente të përbashkëta”, thotë Bitar.

Kosova t’i shkruajë kujtimet e saj

Ai tregon se u lirua nga kujtimet e trishta të internimit, duke shkruar për to, duke i bërë të njohura për pasardhësit dhe të ardhshmit. Këtë e sugjeron për të gjithë ata që kanë kujtime të tilla.

“Ajo që kishte ndodhur në Kili ishte shumë e tmerrshme dhe asnjë kilian nuk mund ta imagjinonte, ose ta priste. Një përvojë e tillë duhej trajtuar, mirëpo nuk duhej harruar. Mënyra se si unë kam vendosur ta trajtoj, është të shkruaj për të. Më ka ndihmuar shumë”, shpjegon Bitar.

Ai tregon se shkrimin e përvojave të hidhura të së kaluarës personale dhe kolektive të atdheut të tij, nuk e ka bërë për hakmarrje, e as për të nxitur ndonjë konflikt të ri.

“Unë kam menduar që shoqëria duhet të dijë të vërtetën. Një gjë e tillë ka kuptim shumë konstruktiv, jo për të rihapur plagë të dhimbshme të së kaluarës. Jam i bindur se vetëm duke ditur të kaluarën, një shoqëri mund të përgatitet për të ardhmen dhe të mos përsërisë gabimet. Pastaj kjo ndihmon të çlirohemi emocionalisht dhe t’i ikim urrejtjes dhe zemërimit. Po të jetosh me ato kujtime [të dhunshme] nuk mund ta shijosh jetën”, thotë Bitar.

Ai i sugjeron edhe Kosovës ndjekjen e një rruge të tillë, transmetimin e përvojave personale të konfliktit te gjeneratat e reja, për t’ua kujtuar atyre arsyet që çuan te përplasjet e dhunshme, por e pranon se për vendin tonë ende është herët hapja e zemrës për të parë se çfarë plagë ka ajo.

“Kosova së pari duhet të pajtohet me veten, e pastaj me të tjerët, në mënyrë që të arrihet diçka pozitive. Kjo kërkon kohë, por duhet dhe arrihet vetëm duke pasur rregulla demokratike, respekt për të drejtat, respekt për dinjitetin e njerëzve, drejtësi, të vërtetë dhe të ardhme të përbashkët”, vazhdon Bitar.

Ai insiston që kujtimet të shkruhen, të mbeten gjallë, në mënyrë që të mësojmë atë fjalën e urtë që nuk e zbatuam kurrë plotësisht: “T’ua bëjmë të tjerëve vetëm atë që dëshirojmë ata të na e bëjnë neve”.

Festivali PriFest, në të cilin u shfaq filmi “Isla Dawson 10”, për të këqijat e shkaktuara nga regjimi diktatorial i Pinochet-it, përkoi rastësisht me 40-vjetorin e ardhjes së ish-diktatorit në pushtet.

Pinochet, gjenerali dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Kilit, rrëzoi qeverinë e zgjedhur të Salvador Allendes në vitin 1973, duke vendosur diktaturë ushtarake që zgjati deri në vitin 1990.

Në atë kohë, inxhinieri Bitar ishte ministër i Minierave në qeverinë që u rrëzua me dhunë. Ai tregon një episod të mëvonshëm, kur i shoqëruar nga bashkëmendimtarët u përball direkt me të fuqishmin Pinochet.

Kushtetuta e Kilit në atë kohë kishte nene absurde që ia lejonin Pinochet-it zgjatjen e mandatit dhe mosmbetjen pa pozitë politike, kur ai të tërhiqet nga pushteti, tregon Bitar.

Pinochet-in e quajti vrasës

“Në të 80-at, ne realizuam një referendum për të kundërshtuar këto parime qesharake në Kushtetutën e atëhershme. Fituam fushatën kundër tij. Kushtetutës i duheshin bërë ndryshime, por kjo shënoi një tranzicion shumë të ngadalshëm. Pasi ai kishte ende pozitë, unë dhe kolegët e mi, e takuam për së afërmi në Senat dhe filluam të bërtisnim: vrasës, vrasës”, thotë Bitar.

Më pas diktatori iku në Londër, ku u përball me gjykime si i dyshuar për vrasje të ndryshme, të cilat i fitoi. Në vitin 2004, i kërkuar për krime të kryera në atdheun e tij, Pinochet, 89-vjeçar, u ekstradua nga Britania në Kil.

Dy vjet më vonë, Pinochet vdiq ende pa u dënuar, ndërsa proceset gjyqësore kundër tij vazhdonin. Në të njëjtin vit (2006) vdiq edhe Slobodan Milosheviqi në burgun e Tribunalit të Hagës, ende pa u shpallur verdikti kundër tij. Mbase ky është fati i diktatorëve.

Bitar tregon se edhe pas dyzet vjetësh të nisjes së të keqes, Kili nuk e ka marrë veten nga diktatura, ndërsa ende në këtë vend zhvillohen procese gjyqësore kundër bashkëpunëtorëve të Pinochet-it.

Ai thotë se Kosova ka shumë tolerancë dhe mund ta ndërtojë më shpejt demokracinë dhe të përmirësojë kushtet e jetesës për qytetarët e saj.

“Në parim, edhe pse kurrë nuk mund të falim plotësisht, ne jetojmë bashkë, sepse na pret një e ardhme e përbashkët. Nuk mund të ndërtohet shoqëria pa toleruar dallimet tona, këtë Kili e ka mësuar mirë. Të rinjtë e Kosovës sot kanë një pozitë mjaft të privilegjuar, që shumë pak gjenerata e përjetojnë, janë në pozitë për të ndërtuar shtetin e tyre”, flet me optimizëm Sergio Bitar.

“Krijimi është i juaji, askush nuk mund t’ju tregojë se si [ta bëni], por mund të mësoni nga shembujt tjerë”, thotë politikani i kthyer në artist.

Ai pret që Kosova të shkojë në atdheun e tij në Kili, për ta treguar artistikisht, pse jo nëpërmjet një filmi, historinë e saj të dhimbshme.

“Është detyrë e përbashkët që të shkëmbehen përvojat”, përfundon Bitar.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>