nga Admin

20 Shtator, 2013

Marius Dobresku/ Përkthyesi i shkrimtarit Ismail Kadare në gjuhën rumune, tregon kohët e tij me romanin “Darka e gabuar” i cili sapo është botuar në gjuhën rumune nga shtëpia botuese “Humanitas”. Një rrëfim për letërsinë e Kadaresë dhe të shkuarën komuniste të dy vendeve….

Alda Bardhyli (Gazeta SHQIP)

Nicolae Ceaucescu dhe gruaja e tij ElenaPas Luftës së Dytë Botërore komunizmi në Rumani kishte të njëjtin portret si ai në Shqipëri. Në vitet ‘50 Gjykatat Popullore dërguan në ekzekutime me vdekje, burgje apo kampe përqendrimi intelektualë, ish-pronarë tokash…Në vitet 1958, kulti i Stalinit, ndihej në çdo familje rumune. Rrugëtimi i dy vendeve Shqipërisë dhe Rumanisë, pas përfundimit të luftës do të ishte i njëjtë, veçse perdja e hekurt do të binte më shpejt për rumunët…Me një fëmijëri dhe adoleshencë në Rumaninë e Çausheskut, Marius Dobresku do të jetonte kohët e studimeve në një tjetër vend komunist, më i egër se ai nga vinte. Ishin vitet ‘70, kur ai udhëtoi drejt Tiranës për të studiuar Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. E kujton ende zbritjen e avionit në aeroportin pothuajse të zbrazët të Rinasit, ku u detyrua t’i nënshtrohej kontrollit etik (flokët dhe rrobat duhet të ishin sipas stilit që burrat mbanin këtu), mbërritjen në konvikt, apo orët e para në shkollë… Pavarësisht kushteve të vështira me të cilat duhej të përballej në jetesën në Tiranë, Dobresku do të lidhej ngushtë me këtë vend, gjuha e të cilit do të kthehej në një nga pasionet e tij më të mëdha. Falë punës së tij, Dobresku ka bërë që pas Shqipërisë dhe Francës, Rumania është vendi ku vepra e Kadaresë, po botohet e plotë. Pas “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, përkthyer nga Foqion Miçaço (1974), që nga viti 1983, Marius Dobresku, ka përkthyer në rumanisht plot 23 romane dhe novela të Kadaresë, po të shtojmë këtu edhe botimin e këtyre ditëve të fundit romanin: “Darka e gabuar” nga shtëpia botuese “Humanitas”, ku janë botuar edhe pjesa më e madhe e veprës shkrimtarit. Ish-student në Universitetin e Tiranës në vitet 1971-1975, Dobresku përfitoi nga prania e Kadaresë në Fakultetin e Filologjisë si profesor i jashtëm, duke pasur si temë diplome shkrimet e Kadaresë mbi historinë e shqiptarëve, duke krijuar nga ajo kohë një lidhje të posaçme me veprën e tij. Romani “Darka e gabuar” në rumanisht ka hyrë tashmë në tregun e librit dhe premton të jetë një sukses editorial. “Kadare nuk është një shkrimtar që përtypet lehtë, i thjeshtë e që botohet me tirazhe të mëdha. Vepra e tij është e rëndë, hera-herës e errët, që të vë në mendime dhe të bën të meditosh mbi historinë dhe pasojat e saj shkatërruese ndaj individit. Për rrjedhojë, lexuesit e veprës së Kadaresë janë përgjithësisht njerëz të kultivuar, që mund të bëjnë vlerësime, pra është një kategori njerëzish, jo shumë e madhe në numër, por tepër e rëndësishme për çdo shoqëri”, thotë Dobresku.

 

Për publikun rumun romani “Darka e gabuar” merr një domethënie të veçantë: ai sjell në skenën e letërsisë evenimente historike me një jehonë reale në historinë e Rumanisë: Luftën e Dytë Botërore, kurse vendosja e regjimit komunist, mbështetur nga Moska, do të përbënte një hakmarrje të frikshme kundër intelektualëve dhe klasës së pasur.

Marius Dobresku & Ismail Kadare
Marius Dobresku & Ismail Kadare

Por jo vetëm kaq. Pastrimi politik, “i importuar” nga BRSS nga komunistët rumunë, përfshiu familjet fisnike, politikanët, borgjezinë, si dhe klasën e pronarëve të tokave, por edhe intelektualët e thjeshtë, të dënuar për lirinë e shprehjes së opinionit, si dhe për fajin e kundërvënies ndaj regjimit totalitar. Është një paralelizëm që shkon deri në mbivendosje me atë që ka ndodhur në Shqipëri gjatë viteve ’50. Ja përse ky roman i Kadaresë mund të zgjojë kujtime të dhimbshme tek ata që jetuan periudhën komuniste dhe të bëhet një mësim historie për të rinjtë e lindur në vitet e demokracisë… “Darka e gabuar” bën objekt të trillit artistik hyrjen e gjermanëve më 1943 në Gjirokastër, vendosjen e komunizmit, deri te vdekja e Stalinit më 1953. Romani vendos dy njerëz dhe dy kohë në hipostaza të ndryshme: nga njëra anë doktor Gurameton dhe, nga ana tjetër, komandantin e divizionit gjerman, kolonelin Fritz von Schwabe, si dhe Shqipërinë e parë në tri momente: otomane, gjermane dhe atë komuniste. Ndërsa në “komplotin e bluzave të bardha”, të pasqyruar në roman, kashtosen legjendat, ngjarjet, me të gjitha ngjyresat lokale. Kadare u ofron kësisoj lëçitësve një variant tragjikomik të historisë, një version të historisë kundër diktaturave që Shqipëria ka njohur, gjegjësisht asaj: otomane, fashiste dhe komuniste. Një version i mbushur me ironi, humor, tragjizëm dhe çmenduri. Kjo do të ishte një formulë e reduktuar e subjektit, që mund të dilte nga një lundrim i parë mbi tekstin. Por, si për çdo vepër arti, do të ishte e pamjaftueshme për të ngërthyer në pak fjalë një roman që emeton më shumë izotope njëherazi dhe që përmban si përmasë vertikale: thellësinë. “Teksti i Kadaresë është i mbushur me dashuri, me ironi, me situata plot absurd, me komizëm tragjik, me detaje piktoreske, me çmenduri, me dhimbje e nostalgji, me humor, grotesk, hulumtime hamendësirash dhe gjasimesh, me kalime nga përsiatje psikologjike në realitet, nga detaje të parëndësishme, në pamje të parë, në probleme ekzistenciale në jetën e një njeriu apo madje dhe të një kombi. Të gjitha këto nuanca psikologjike dhe gjuhësore jepen mjeshtërisht nga albanologu dhe përkthyesi i shquar, Marius Dobresku, në versionin rumanisht të këtij romani”, thotë Luan Topçiu, kritik i letërsisë dhe njohës i mirë i gjuhës rumune. Për të, është, një rast fatlum kur te një përkthyes i huaj i letërsisë shqipe bashkohen njohja e hollë e gjuhës shqipe, transportimi mjeshtëror në gjuhën mëmë, rumanishten, me pasionin dhe dashurinë ndaj kulturës shqiptare e shqiptarëve si popull, çelësa që garantojnë suksesin te publiku i huaj dhe jetëgjatësinë e veprës. Më poshtë në një intervistë për “Shqip”, Dobresku sjell kohët e tij me këtë vepër…

 

Sapo keni nxjerrë në gjuhën rumune romanin e Kadaresë “Darka e gabuar”, si po pritet nga lexuesi?

“Darka” ka vetëm dy javë që kur ka dalë në librari. Është shumë shpejt të flasim për një sukses editorial. Por shpresoj se ky roman do të zgjojë të njëjtin interes si veprat e tjera të Kadaresë, d.m.th të tërheqë vëmendjen e kritikës dhe të lexuesit në të njëjtin nivel sikurse prozat e tjera që kanë dalë në gjuhën rumune. Sipas meje, “Darka” është një nga romanet “franceze” më të mirë të këtij autori shqiptar.

 

“Darka e gabuar”, është një roman ku gërshetohen ngjarje nga pushimi nazist në Shqipëri deri te vdekja e Stalinit me 1953… Si ka qenë për ju përkthimi i kësaj periudhe. Çfarë solli Lufta e Dytë Botërore dhe vdekja e Stalinit në vendet ish-komuniste si Shqipëria dhe Rumania?

Për një shkrimtar, gazetar ose përkthyes, si puna ime, që ka jetuar në një vend komunist, ato që tregon Kadare në romanin e vet nuk janë aspak gjëra të panjohura. Rumania ka njohur, pas vitit 1944, një regjim komunist jashtëzakonisht të ashpër dhe gjakatar. Ishte periudha e Gheorghe Gheorghiu Dej-it (Gjorgje Gjorgju Dezh), kur ideologët komunistë kanë menduar dhe kanë vënë në praktikë një sistem asgjësimi total të klasave të përmbysura. Në vitet ’50, gjykatat “popullore” kanë dërguar në vdekje, në burg ose në kampe përqendrimi mijëra dhe mijëra ish-politikanë borgjezë, ish-pronarë të mëdhenj dhe intelektualë që nuk qenë dakord me ideologjinë komuniste. Një re të zezë terrori kishte mbuluar qiellin e Rumanisë. Por gjithashtu, nuk duhet harruar faktin se deri në vitin 1958 Rumania ka pasur në territorin e saj trupa dhe këshilltarë sovjetikë. Ashtu siç nuk duhet harruar se Rumania ka i paguar Moskës, 20 vjet rresht, dëmshpërblime për pjesëmarrjen e saj në luftën antisovjetike. Kulti i Stalinit kishte arritur edhe te ne kulmin e tij. Periudha 1944-1964 ka pasur shumë elemente të përbashkëta te ne si tek ju. Por, pas vdekjes së Dej-it dhe ardhjes e Çausheskut në fuqi politika e shtetit ka ndryshuar 100%. Dhe jo se ky i fundit do të ishte shumë më i butë, por sepse paraardhësi i tij kishte bërë të gjitha punët e ndyra, ashtu që Çaushesku mori nga Dej-i një vend “i pastër”.

Gati 30 vjet duke përkthyer Kadarenë (që më 1983-shin), çfarë ka ndryshuar në librat e shkruar prej tij, në dy kohët, para rënies së komunizmit dhe pas tij? Si e shihni letërsinë e tij mes këtyre dy periudhave?

Ka studiues dhe kritikë letrarë, shqiptarë dhe të huaj, që nënvizojnë një dallim thelbësor midis këtyre periudhave krijuese të Kadaresë. Unë nuk jam dakord me këtë klasifikim. Kur iku nga Shqipëria, Ismaili ishte një shkrimtar i formuar, i konstatuar në nivel europian. Gjysma e veprës së tij ishte tashmë e njohur dhe e përkthyer botërisht. Është e vërtetë se, pas vitit 1990, ai hyri në një realitet politik, shoqëror dhe kulturor tjetër. Por ishte një realitet të cilin ai e njihte prej viteve ‘70. Nga ana tjetër, do të ishte normal një ndryshim, sado pak, në këndvështrimin e tij. Rrjedhimisht, ky ndryshim u pa edhe në veprat e krijuara në këtë realitet tjetër. Por, ndikimi i këtij realiteti nuk ishte aq i madh siç thuhet. Proza e tij mbeti e njëjtë, një prozë serioze, solemne, që kap tema madhështore universale. Kryesorja është se ideja-bazë e veprës së tij, qoftë ajo e periudhës “shqiptare”, qoftë e asaj “franceze”, ka mbetur gjithmonë e njëjtë: ndikimi shkatërrues i shtetit, i fuqisë shtetërore mbi fatin e njeriut. Njeriu në kthetrat e këtij mekanizmi torturues. E njëjta ide përshkon edhe veprën e fundit, “Darka e gabuar”.

 

A është gjuha dhe stili, ajo çfarë e bën Kadarenë një shkrimtar të veçantë? Cilin nga librat e tij do të veçonit?

Përkthimi i veprës së Kadaresë më ka futur, dashje-padashje, në laboratorin krijues të këtij autori. Prandaj, në mënyrë paradoksale, e kam shumë të vështirë të flas mbi stilin e tij. Dhe kjo sepse ky element i laboratorit të Ismailit më duket perfekt, pra do të jem shumë subjektiv. Mund të them vetëm një gjë: duke e lexuar Kadarenë, nuk duhet të biem në kurthin e solemnitetit, të seriozitetit të tij, sepse Kadare ka një humor shumë të rafinuar që ia përshkon prozën që nga fillimi e deri në fund. Patjetër se i vlerësoj të gjitha veprat e tij, por më pëlqejnë në mënyrë të veçantë “Prilli i thyer” dhe “Kronikë në gur”.

 

 

Si është për ju një proces pune, sa zgjat dhe cilat janë komunikimet që ju keni me shkrimtarin gjatë këtij procesi?

Puna e përkthimit më duket si një provim matematike. Ka lloj-lloj ushtrimesh që duhen zgjidhur me veglat që i ke në dorë: njohjen e gjuhës amtare, kjo në radhë të parë, dhe pastaj talentin personal. Një përkthim perfekt është atëherë kur vepra e përkthyer nga një gjuhë tjetër tingëllon sikur të ishte shkruar në gjuhën tënde. Kjo është gjëja më kryesore. Sepse leximi i veprës, në këtë rast, rrjedh lirshëm dhe lexuesi nuk pengohet në mangësitë e përkthimit. Ka edhe raste të tjera, kur përkthimi duket më i mirë sesa origjinali, por jo kur vjen fjala për Kadarenë.

 

Bota e librit duket se po përjeton një krizë në të gjithë botën, duke ulur ndjeshëm numrin e botimeve. Megjithatë, Rumania vazhdon të botojë shkrimtarë si Kadare, mendoni se kriza ka të bëjë më shumë me mungesën e vlerave të vërteta letrare që e largojnë lexuesin, përderisa libra të autorëve të tillë si Kadare vazhdojnë të mirëpriten nga botuesit në çdo kohë?

Jo, unë mendoj se kriza e librit vjen kryesisht nga shkaqe të jashtme që ndikuan te lexuesi. Shumëfishimi i mjeteve të informacionit, p.sh. Koha gjithnjë e pamjaftueshme e njeriut modern, pastaj. Nëse shekulli i 20 ishte ai i shpejtësisë, shekulli i 21-të është shekulli i internetit, pra i supershpejtësisë. Nuk është një rastësi fakti se ka edhe një krizë të shtypit të shkruar. Sot, kur kemi nevojë për informacion nuk shkojmë në bibliotekë, por hapim internetin. Është diçka e mirë apo e keqe? Unë besoj se nuk mund ta quajmë një gjë të keqe. Është përparim. Dhe përparimi bëhet me sakrifica. Tani sakrifikojmë faqen e shkruar, kushedi çfarë do të sakrifikojmë nesër? Pra romanet e Kadaresë mund t’i lexojmë si në letër, ashtu edhe në internet, sepse vlera letrare të vërteta do të ketë gjithmonë.

 

Çfarë ndodh në botën letrare rumune, cilat janë prirjet e letërsisë në Rumani sot…Si është qasja ndaj letërsisë që vjen nga Shqipëria?

Bota letrare rumune kalon një periudhë të vështirë. Kur kishim pak letërsi të huaj, në kohën e diktaturës, shkrimtarët rumunë kishin një pozitë shoqërore shumë të favorshme. Sot, kur tregu i librit është pushtuar nga letërsia e huaj (dhe kam parasysh letërsinë e mirë, që është me shumicë), kur shtëpitë botuese dynden pas shkrimtarëve nobelistë, autorët tanë janë pak a shumë të kompleksuar. Ka, pa tjetër, disa shkrimtarë të nivelit europian, si p.sh. Mircea Cartarescu (Mirça Kartaresku), ose Vlad Zografi (shkrimtar dhe eseist shumë interesant, me origjinë shqiptare) dhe Andrei Pleşu (Andrei Pleshu), por shumica e veprave nuk janë vlerësuar aq sa duhet nga publiku ynë. Shkrimtarët tanë kalojnë me vështirësi provën e konkurrencës së huaj. Duke iu referuar tani letërsisë shqipe, duhet të them se këtu kjo ka dalë me disa emra. Fatkeqësisht, letërsia shqipe në Rumani nuk imponohet me vlerat e veta, nuk shitet, pra, por botohet falë nismave personale dhe me shpenzimet e vetë autorëve. Në këtë rast, Kadare është, pa dyshim, një përjashtim i bukur.

 

A mendoni se në vende me një të shkuar jo të qetë siç janë dy vendet tona, letërsia vijon të jetë diktim i politikës?

Jo, si te ju, ashtu edhe te ne, në letërsi nuk mund të flasim më për komandë politike, ashtu si dikur. Sepse letërsia dhe politika nuk kanë asgjë të përbashkët. Dhe kjo mund të kuptohet fare mirë po të përmendim këtu “suksesin” që patën në shekujt e kaluar veprat e angazhuara politikisht. Ato zgjojnë interesin e publikut të tanishëm vetëm si dëshmi ose kuriozitete letrare.

 

Pas “Darkës së gabuar”, çfarë do të përktheni nga Kadare?

Pas “Darkës”, radhën e ka “Ura me tri harqe”, vepër shumë e bukur, poetike, e cila do të botohet vitin e ardhshëm te “Humanitas”, shtëpia botuese me të cilën bashkëpunoj tani.

 

Ju i përkisni një brezi studentësh që studiuan në Tiranë, në vitet ‘70… Si e kujtoni Shqipërinë e asaj kohe?

Mund të them vetëm se, me gjithë kushtet e vështira (Rumania kalonte në vitet ‘70 një periudhë liberale mjaft të mirë), nuk kemi mbetur me mbresa të këqija. Kemi pasur shumë shokë dhe kolegë të dashur, me të cilët ndanim kafshatën e gojës dhe shënimet e kursit. Midis tyre ka sot shkrimtarë, studiues, profesorë të njohur, por edhe mësues të dalluar, që e duan gjuhën shqipe dhe ua japin nxënësve të tyre me devotshmëri. Pas ‘90-s jemi takuar disa herë dhe kaluam bukur, duke kompensuar mungesën e një jete studentore të vërtetë në vitet e monizmit. Pa tjetër se ne, studentët rumunë, ishim të ndjekur si gjithë të tjerët, se vajzat shqiptare ishin të paarritshme për ne, se furnizoheshim me vështirësi, por prapë se prapë, ishim të rinj dhe këto ishin atëherë pa rëndësi për ne…

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>