2 Nëntor, 2013

Disa vite më parë, një biznesmen në Tiranë u interesua për të nxjerrë një titull prone mbi një copë tokë që prej vitesh qe lulishte. E dimë që shumë lulishte janë bërë pallate, por në këtë rast, shanset qenë shumë të pakta që diçka e tillë të ndodhte. Megjithatë, biznesmeni u tregua i gatshëm të investonte për ta siguruar këtë titull pronësie, në dukje i pavlerë.

Sekseri që do të ndërmjetësonte për nxjerrjen e hipotekës qe paksa i habitur. Ç’të hyn në punë të merresh me një tokë që nuk mund të shfrytëzohet?

Përgjigjja qe e thjeshtë! Kolateral.

Plani i biznesmenit qe të nxirrte një titull pronësie. Pastaj këtë titull mendonte ta dorëzonte në bankë, ku do të merrte një kredi. Kuptohet që çdo oficer kredie nuk është aq budalla sa të pranojë si kolateral një pronë të pavlerë. Por dukshëm, kjo mund të zgjidhej duke ndarë ndonjë pjesë të kredisë për bankierin që e jep.

Sot, bankat kanë nxjerrë në shitje prona nga më të ndryshmet nga kreditë e pashlyera. Mes këtyre pronave, e famshme është një sasi toke bujqësore në Berat me vlerë 15 milionë dollarë, një copë tokë në Përmet me disa ndërtesa me vlerë 200 mijë euro, etj. Shkurt, prona që nuk kanë asnjë shans për t’u shitur dhe që asnjë njeri normal nuk do të shkojë për t’i blerë, janë vënë si kolateral, de facto i janë shitur bankës.

Këto mund të duken spekulime të jashtëzakonshme dhe novatore. Në fakt jo, janë shumë të vjetra.

***

Një botë mesjetare plot çudira. Shumë kohë pas pjesës tjetër të Europës, në Rusinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë vijon bujkrobëria. Fshatarët qenë një pronë që në fakt, mund të shiteshin dhe bliheshin, të jepeshin me qera apo të viheshin peng/kolateral kur pronari merrte kredi. Shteti taksonte fermerët siç takson sot shtëpitë. Nuk ka rëndësi nëse shtëpia është e banuar apo jo, nëse je i pasur apo jo, nëse është e prishur apo e sapondërtuar.

Shteti qe indiferent ndaj asaj që ndodhte në realitet. Një herë në shumë vite kryente një regjistrim duke numëruar çifçinjtë dhe në bazë të kësaj, i kërkonte feudalit taksë çdo vit. Shumë shpesh, feudalët paguanin taksa edhe për fshatarët e vdekur, pra kishte një taksë për frymë të vdekura. Por ndërsa për feudalët, frymët e vdekura të fshatarëve qenë një barrë, për një aventurier, ky qe një shans për biznes. Po sikur t’i blejmë këto fshatarët që kanë vdekur? Sigurisht pronarët e tyre duhet të jenë të lumtur që t’i jepnin falas. Ndoshta do të paguanin që dikush tjetër të merrte taksat e tyre mbi supet e veta. Skema është e thjeshtë! Si në rastin e tokave pavlerë shqiptare, shpirtrat e vdekur të bujkrobëve rus do të vendosen si kolateral në një bankë.

fryme-te-vdekura-nikollai-gogolNga kjo skemë lindi romani i madh Frymë të Vdekura të Gogolit, aventurieri e ka emrin Çiçikov. Libri u botua më 1842 dhe u përkthye në Shqip nga Dhimitër Pasko/ aka Mitrush Kuteli në vitin 1962. Botimi fillestar e kishte titullin: Shpirtra të Vdekur. Sot, libri është ende në qarkullim me titullin: “Frymë të Vdekura”.

Ai është një libër i gjallë mbi aventurën drejt pasurisë, një aventurë e përhershme e njerëzimit që në pjesën dërrmuese të rasteve, përfundon keq.

Të vdekurit jo gjithmonë janë pa vlerë. Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur është një dëshmi e kësaj, bashkë me sherrin e vazhdueshëm të frymëve të vdekura të ushtarëve grekë, të cilët duket se janë vënë kolateral te banka e nacionalizmit në Greqi dhe në Shqipëri, gjithmonë në kërkim të pasurimit të shpejtë.

Lexo më shumë:

A është Hunda tregimi më i bukur në historinë e letërsisë?

Dostojevski, shkrimtari që pa ngritjen e shtetit totalitar

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>