nga Admin

22 Janar, 2015

Djali i ish-kryeministrit Mehmet Shehu shkruan një roman për dosjet

 

Bashkim ShehuMe një fëmijëri dhe rini të kaluar në ish-Bllokun komunist, Bashkim Shehu nuk mund ta harrojë të shkuarën. Edhe pse prej vitesh jeton në Spanjë, letërsia e shkruar prej tij vazhdon të eksplorojë të shkuarën. Të hënën, shkrimtari do të jetë në Tiranë, për të prezantuar romanin më të ri “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve“. Hapja e dosjeve është një debat që për më shumë se dy dekada vijon në vend. Për Shehun, “… përmbajtja e dosjeve nuk njihet, është mister, që mund të zgjidhet vetëm duke u njohur përmbajtja e të gjithave njëherësh, në të njëjtin çast dhe si të ishte një dosje e vetme… Përndryshe, ky ‘Fjalor’ do të ishte i panevojshëm”. Në këtë libër, të shkruar në formë fjalori, lexuesit i paraqitet një galeri personazhesh e situatash: një ish-punonjës i çmendur i Arkivit sekret, një gazetar investigativ, një sozi i Enver Hoxhës dhe Pasardhësi i Enver Hoxhës, një projekt për ndërtimin e Bllokut të nëndheshëm, një biznesmen i çuditshëm nga Moska që vjen në Shqipëri për të kërkuar një baba të panjohur, një linjë ndërkombëtare korrupsioni, dy krime seksuale identike dhe të njëkohshme që shoqërojnë zhurmën për këtë linjë korrupsioni, një teori konspirative për një zyrë të fshehtë, reale ose imagjinare, për të cilën thuhet se lëviz çdo fije të ngjarjeve në Shqipëri… Fjalor udhezues per misterin e dosjeve, Bashkim ShehuTë gjitha këto, ndërthurur me motive mitologjike nga më të ndryshmet, lidhen me njëra-tjetrën si shtigjet e një labirinti, në qendrën e të cilit është misteri i dosjeve, shprehje të marrëzisë së kontrollit totalitar. Ky libër është si një labirint me shumë hyrje: mund të lexohet alfabetikisht nga fillimi në fund (si në leximin e kapitujve të njëpasnjëshëm të çdo lloj romani), ose nga fundi në fillim, ose duke filluar nga çdonjëra prej rubrikave që përmban (ose hyrjeve, nga anglishtja entry) dhe duke vazhduar pastaj me një nga rubrikat (hyrjet) e tjera ku të çojnë shenjat përkatëse, e s’andejmi te një tjetër, e kështu me radhë. Sikurse në të gjithë fjalorët, çdo rubrikë (hyrje) është e lidhur me një ose disa të tjera dhe, prandaj, leximi i tij i përngjan vërtitjes në rreth të mbyllur, ashtu si në një labirint. Dhe, sikurse në çdo labirint, shumëkund mund të marrësh një drejtim ose një tjetër (aty ku lidhja është me më shumë se me një tjetër). Shenjat lidhëse janë katërfarësh, po aq sa ngjyrat e letrave të bixhozit dhe në ngjashmëri me to. Rrjedhimisht, janë paraqitur me këto simbole: ♠, ♣, ♥ dhe ♦. Përdorimi i një të tillë simboli është përcaktuar nga lloji përkatës i lidhjes së një rubrike (hyrjeje) me tjetrën ku të çon ai simbol. Kuptimi i llojit të lidhjes midis dy rubrikave (hyrjeve) është po ai që ka dhënë kartomancia (mjeshtëria e parashikimit të së ardhmes me anë të letrave të bixhozit) për çdonjërin prej këtyre simboleve. Kështu, ♠ shënjon vdekjen, ♣ shënjon armiqësinë, ♥ shënjon dashurinë (në përgjithësi, duke përfshirë edhe simpatinë, ose në veçanti dashurinë seksuale, ose thjesht seksin), ♦, që sipas kartomancisë shënjon pasurinë, këtu ka edhe kuptimin e fuqisë në përgjithësi (ose të një pushteti që nuk buron nga pasuria, por që është vetë pasuri). Në disa raste, kur një lidhje ka dy kuptime, ose tre, është shënjuar me dy simbole, ose me tre. Madje, në një rast (që i përgjigjet Xholit në lojën me letra) është shënjuar me të katër simbolet.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>