nga Admin

12 Qershor, 2015

leximi per femijet (2)Një studim i ri thotë se 50 për qind më shumë nëna u lexojnë fëmijëve të tyre krahasuar me baballarët dhe një nga pesë nxënës largohet nga shkolla fillore me aftësi të dobëta leximi

Britani

Në Britani, nënat u lexojnë 50 për qind më shumë të vegjëlve të tyre krahasuar me baballarët.

Sondazhi i kryer nga Book Trust, zbuloi se 42 për qind e nënave krahasuar me 29 për qind të baballarëve, u lexonin fëmijëve të tyre nën moshën 1-vjeçare çdo ditë.

Nga ana tjetër, 71 për qind e nënave dhe 62 për qind e baballarëve u lexojnë fëmijëve të tyre 3-vjeçarë çdo ditë.

Kur një fëmijë arrin moshën pesë vjeç, sipas zbulimit të studiuesve, 75 për qind e nënave dhe 60 për qind e baballarëve u lexojnë atyre çdo ditë.

Për baballarët e moshës së re nga 15 deri në 24 vjeç mund të thuhet se vetëm 25 për qind e tyre krahasuar me 61 për qind të nënave të po asaj moshe, u lexojnë fëmijëve çdo ditë.

Studimi u bazua afërsisht në 2500 intervista të marra nëpër shtëpi kudo në Britaninë e Madhe.

Shefja ekzekutive e Book Trust, Diana Gerald, tha se ishte alarmante të shihej se baballarët kanë mbetur pas nënave kur vjen puna për t’u lexuar fëmijëve.

“Tani më shumë se kurrë kemi nevojë që prindërit të marrin përsipër përgjegjësinë e edukimit të fëmijëve të tyre dhe t’u lexojnë atyre, sepse një nga pesë nxënës largohet nga shkolla fillore i paaftë për të lexuar mirë”, – shtoi ajo.

Kërkimi u publikua për të shënuar Javën Kombëtare të Leximit gjatë së cilës Book Trust do të dhurojë 450,000 kopje librash për të inkurajuar leximin te fëmijët.

Java do të pasurohet nga evente të ndryshme që do të mbahen në biblioteka, librari, qendra për fëmijë dhe kopshte.

“Nuk po nxisim vetëm baballarët por të gjithë prindërit, gjyshërit dhe ata që kujdesen për fëmijët që të mbajnë një premtim për t’u lexuar fëmijëve të tyre për të paktën 10 minuta në ditë dhe për t’i ngulitur në mendje disa kujtime të mrekullueshme që nuk do t’i harrojnë lehtë”, – tha Gerald.

Leximi i shpeshtë i ndihmon fëmijët të zhvillojnë aftësitë e tyre gjuhësore, ku edhe bebet mund të kujtojnë meloditë dhe ritmin e këngëve e vjershave.

“Leximi së bashku rrit aftësitë e fëmijëve në letërsi, por kërkimi gjithashtu provon se fëmijët që pëlqejnë shumë të lexojnë, dalin më mirë në shkollë në të gjitha lëndët”, – tha Gerald.

“Nëse një prind i lexon fëmijës së tij çdo ditë, ai do të jetë thuajse 12 muaj përpara grupmoshës së tij kur të fillojë shkollën. Edhe leximi tre deri në pesë herë në javë u jep atyre një përparësi prej gjashtë muajsh sesa ata që lexojnë më rrallë”.

Përse duhet t’u lexoni fëmijëve?

Së pari duhet të dini se sa më shumë t’u lexoni fëmijëve, aq më të afërt bëheni me ta. Teksa fëmija juaj luan, vrapon dhe eksploron vazhdimisht mjedisin e tij, ai do t’ju shohë ju si një shok që bën së bashku me të aventurat e përrallave që ju lexoni përpara gjumit.

Një nga përfitimet më të mëdha të leximit për fëmijët e vegjël dhe parashkollorë është se ata kanë aftësi më të mira mësimi. Studime të shumta kanë treguar se nxënësit që janë të ekspozuar ndaj leximit kanë më shumë gjasa të dalin më mirë në të gjitha fushat e edukimit.

Përmes leximit, fëmijët mësojnë aftësi gjuhësore bazë. Duke ju dëgjuar juve teksa lexoni përralla dhe artikuloni me aq intonacion mendimet dhe ndjenjat e personazheve, fëmija juaj do të bëjë të njëjtën gjë.

Fëmijët nuk kanë lindur me dijen se teksti lexohet nga e majta në të djathtë apo se fjalët janë të ndara nga imazhet. Aftësitë themelore të paraleximit sjellin përfitime të mëdha te fëmijët.

Nëse shpenzoni kohë për t’i lexuar fëmijës suaj, atëherë ai ka më shumë gjasa të dijë ta shprehë veten dhe të lidhet me të tjerët në një mënyrë të shëndetshme.

Kur i lexoni një fëmije, mprihni tek ai aftësinë për të menduar me anë të logjikës. Një tjetër ilustrim i rëndësisë së leximit te fëmijët është aftësia e tyre për të kuptuar konceptet abstrakte duke aplikuar logjikën në skenarë të ndryshme.

I.D

*Burimi: “The Guardian”.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>