Atë Gjergj Fishta – Koka tjetër e shqiponjës

1
2777

Nga: Visar Zhiti
në 140-vjetorin e lindjes

At Gjergj Fishta (foto)Përpara emrit Gjergj Fishta gjithsesi na vjen për mbarë të shtojmë atë fjalëzën e shkurtër dhe parake “Átë”, se vërtet At Gjergj Fishta ka diçka të përhershme prej áti, jo vetëm në letërsinë shqipe, por në vetëdijen e shqiptarit. Ai është përcjellës i amaneteve, i kumteve që vërshojnë nga goja e kombit, nga buzët e plagëve të shekujve dhe u bë dhe vetë zë i madh, i ngritur në lartësitë e një epike madhështore, me fuqinë e Mujsit dhe të Halyllit (kupto: Muji dhe Halili), legjendë moderne ndërkohë, me rrënjë shkëmbi, plot dije dhe urti, me dhembje dhe dufe dhe befas shndërrohet në lirik, me një romantizëm po aq dhe europian, me një gjuhë të begatë dhe onomatopeike dimrash e lumenjsh. Por Átë Gjergji ka dhe zemërim perëndish, që nga dashuria e kthen atë në satir(ik), ndoshta është satiristi më i mirë në Ballkan i kohës së tij. Dhe pikërisht këtu, kur ai është qortues, sikur bëhet i pakohë, madje ngjan fare aktual, sikur sapo e shkroi një satirë të tij dhe kjo e bën të ndjehet i gjallë vazhdimisht.

Átë Gjergj Fishta është dhe veprimtar, patriot i flaktë, edhe nën pushtuesin, aspak bashkëpunëtor me të në dëm të vendit të tij, politikan i atdheut, deputet, akademik i kulturës italiane, duke e parë si kolonë të kulturës europiane. Ai ka qenë i propozuar dhe për çmimin “Nobel”.

Átë Gjergj Fishta është një fenomen në kuptimin metaforik, por dhe të zakonshëm, ai u bë shumë i njohur qysh në gjallje, deri dhe anekdodik. Kur dikush, për shembull, ka nisur të recitojë diçka prej tij, menjëherë të tjerë kanë ditur ta vazhdojnë, madje dukej sikur krijohej kori antik, ti thoshe një varg, tjetri vargun tjetër, kështu ka ndodhur me të, nëpër popull, në teatër, por dhe në autobus, në pllaja, në kuvende burrash, por dhe në burg. Heshtja e dhunshme që e mbuloi gjatë diktaturës, e shoqëruar me denigrime e fyerje si askush, nuk e trandën monumentin e tij, ai, siç thoshin latinët, e sprovoi veten duke mposhtur jo dy vdekjet, por më shumë se aq. Vepra e At Gjergj Fishtës është qëndresë dhe kushtrim lirie, dinjitet kombëtar dhe shkëmb. Peizazhi më i fuqishëm i shpirtit shqiptar. Së bashku me pararendësin e tij Naim Frashëri, që ai e adhuronte, të dy së bashku ata sikur bëjnë dy kokat e shqiponjës në flamurin tonë.

* * *

Sot, më 23 tetor, bëhen plot 140 vjet nga lindja e tij. Natyrisht kritika letrare, studiuesit, shkrimtarët dhe jo vetëm ata, personalitete të vendit e kanë thënë e do të thonë fjalën për të, gurra fishtiane nuk shterr, por për ta përkujtuar ne, kemi zgjedhur një veprim ndryshe, jo studim a vlerësime, por po pranojmë antologjinë e njërit prej lexuesve të tij më pasionantë, Zef Skanjeti, që vazhdimisht e hap veprën e At Gjergj Fishtës, mrekullohet prej saj dhe dëshiron t’i japë lexuesit pjesë, që sipas tij, janë dhe aktuale, nga njëra anë për rëndësinë e kumtit e dritën udhërrëfyese dhe nga ana tjetër si dukuri, pengesa, që duhen qëlluar me shigjetat e mprehta fishtiane.

Thjesht për të ndjerë se sa i madh është, pazgjidhshmërisht me Shqipërinë dhe shqiptarët.

 

Përzgjedhje nga Zef Skanjeti për gazetën:

SHQYPNISË

(1909)

T’ falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!

I lum njimend jam un n’gji tand tue rrnue,

Tue gzue t’pamt tand, tue t’hjekë atë ajr t’kullue

Si Leka i Madhi e Skanderbegu i biri

Kje Lumi vetë, qi mue m’dergoi ksi hiri

Për nën qiell tande t’kthielltë un me u perftue.

Malet e hjedhta e t’blerta me shikjue,

Ku Shqypnija e Burrit s’dron se i qaset niri.

Ktu trima lejn gjithmonë, pse ti je nana

E armvet n’za, qi shndrisin duert e t’lumit,

Kah des për ty i rrebtë e trim si zana:

Eden n’Balkan ti je; ti prej t’Amshuemit.

 

GJUHA SHQYPE

Porsi kanga e zogut t’verës,

qi vallzon n’blerim të prillit;

porsi i ambli fllad i erës,

qi lmon gjijt e drandofillit;

porsi vala e bregut t’detit,

porsi gjama e rrfés zhgjetare,

porsi ushtima e nji tërmetit,

ngjashtu a gjuha e jonë shqyptare.

Ah! po a e ambël fjala e saj,

porsi gjumi m’nji kërthi,

porsi drita plot uzdajë,

porsi gazi i pamashtri;

edhe ndihet tue kumbue;

porsi fleta e Kerubinit,

ka’i bien qiellvet tue flutrue

n’t’zjarrtat valle t’ameshimit.

……………………………………..

SHQIPNIA E LIRË

(1921)

Do t’valvitet m’Kaçanik

M’Kaçanik, po, do t’valvitet

Kuq e zi Flamuri i shqyptarvet,

Përse toka shqyp ku flitet,

Ajo vetë asht, q’i prej t’parvet

Trashigim na e kemi pasë:

Mbrendë i huej, jo ma s’do t’shklasë,

Posë atëherë kur vjen për mik.

Jo, jo: sot na ktu sundojmë;

Ktu s’hecë fjala e tjetër kuej;

Gjall Lirin’ na nuk e lshojmë

S’njohim mbret as krajl të huej.

Zoti n’qiell e na mbi tokë:

Me gjithkënd vllazen e shokë,

Por se i cili m’cak të vet.

 

DREDHA E DJALLIT

Tek satirat në “Anzat e Parnasit”, përveç të tjerave nënvizojmë fuqinë profetike të mirëfilltë si “Dredha e Djallit”, ku paralajmëron ardhjen e dreqit të kuq (komunizmit) në Shqipëri qysh më 1908, pra 9 vjet përpara se ai të triumfonte në Rusi, më 1917 (Shënim nga Z. S.)

……………………………………

E shka t’lânë kta kater ujq,

Qi i kercnohen shoqi-shojt,

Thonë, do t’dalë nji dreq i kuq,

Qi pa dhimbë do t’i a njesë thojt.

Edhe m’duket se per né,

Mor’ Shqyptarë, ky djáll i zi

Sa mâ para ka me lé,

Pse na dreqnit kem’ kojshi…

Qe, pra, tash se per ç’arsye

Punë n’Shqypni s’jet pa u shperthye,

Due me thânë, pa u partallisun

Çdo pûnë mbarë qi t’jete nisun

E kjo nâmë, ase kjo rrfé,

Ka me ngjatun, thom, nder né

Dersá menden na t’a rrisim

E me dije mos t’a shndrisim;

Dredha e djallit, pse s’âsht tjeter

Si e kam kndue nder libra t’vjeter

Veç padija dhe krenija,

Qi shkojn njitë si trupi e hija.

MOMI

(1902 )

(MOMI – I biri i Nates e i Gjumit, vellai i marrisë, hy prozhmimesh)

…Kushdo fjalet nuk matë ku vrasin,

Ate e ndjeke perhere rreziku;

Pse shqyptaret nje fjale e flasin:

Ç’ ka t’ ban goja, s’ t’ ban anmiku…

…………………………………………….

M’ kambe kryekungujt prej si u vune,

Duel padija n’ krye te vendit;

Njerzt e kenun u poshtnuene,

Mbeten t’urtit jashte kuvendit.

Duel me faqe t’ bardhe tradhtari,

Shpirt e fis qe ka kuleten;

U ndeshkue pa dhimbe shqyptari,

Qi per fis jep gjane e jeten.

Shqypnise zani atehere i humbi,

T’ huejt mbi qafe i a vune thembren,

E e mbloj skami, terri e gjumi,

Djemte e vet ia lnuren zemren.

E shqyptaret, jo veç s’e nisen

Per keto pune perjashta Momin,

Por ma fort madje e konisen,

Msue gjithmone me nderue llomin…

 

KOHA E ARIT NE SHQYPNI

(1907)

…Sot ma shpejt nje thes me pleshta

Ti ban bashke se dy shqyptarë.

Sa jane fise permbi dhe

Me bashkim kta n’drite kane dale:

Ka çite dreqi pushke mbi ne

Mos me u ba dy vete m’nji fjale.

…Sepse ktu kujton seicili

Se ka mend edhe me shitun:

Thue se mendja e holle e kshilli

Vijne prej vedit n’krye t’u rritun.

JO, heu paça ! S’jane mendte fieri

Per me u rrite neper morriza:

S’a ba i dijshem kush pa hiri,

Ndeje peshtete e tu njehe miza…

 

NEN HAJAT TE PARRIZIT (1914)

(Duke u nisur veçanërisht nga kjo “bisedë”, shënim Z.S.)

Skanderbegu: A thue ka gjase se Shqypnija ka me pase nje Mbret te vetin?

Djalli: Nji? Njiqind ti thuej! Ne Shqypni moj faqja e bardhe, hiqet zi me gjete se kush me ndigjue, ketu asht halli; pse per me urdhnue gjen sa te duesh; çdo çaush beledijet n’ Shqypni kishte me dashte me u ba Mbret, veç per mos me ndigjue…

Shen Pjetri: …Por per inat te djallit e te shqyptarve Zoti ka me e mbajte Shqypnine ne kambe me nder e me lumni…

Skanderbegu : Si jane pra shqyptaret e Shqypnija?

Djalli : Si jane?… Si i don anmiku…

 

 

PALOKE CUCA (Poemë satirike, 1922)

Fragment

Ah, ju grekomanë – do stramastikë qelbsina,

Motit si sot, ju të pabesë gjithmonë,

Me bark n’ Tiranë e kryet kthellë te Athina,

Rrashten të fortë si rrumi nën kumbonë

Që, sikur orli lëshon përmbi stervina,

U lshuet ju mbi financa t’Shtetit tonë

E llapazana t’sterholluem tuj kenë,

Krejt mendsh i muert muhamedanë e t’kshtenë*.

……

*- të krishterë

( Sqarim- me “grekomanë” nuk nënkuptohen ortodoksët.)

“KORRUPSIONI”

nga “Gomari i Babatasit”

Kush zhelan-kush sallahan,

Po yrysh lshue t’gjith m’pilaf,

Ta kanë qitë, po, Shqipnin n’grusht,

E toçë brryl mastikë e n’musht,

T’kanë ba zyret monopol

Ç’prej Koplikut m’Konispol,

Franka ar tue grrye me spol,

Do ministra-e Kryeministra,

Tjert prefekta-e nënprefekta,

Kta n’Botore ata n’Foshnjore,

Disa antarë-disa gjygjtarë:

Kush me da tokën e Shqipnisë…

Ju rrugaça e sallahana,

Vagabonda, shakllabana,

Rriqna t’ndyet, mikrobë të kqi,

Qi të mjerës moj Shqypni

Kthellë hi i keni në mushkni,

Pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

Po der kur, bre batakçi!

Bre coftina kalbë mbi dhe!

Der kur ju t’u u tallë npër ne,

Do t’na qelbni fis e atdhe?…..

Për do “gazetarë”

Edhe kshtu po qep e shkep,

Me nji shqipe per gazep

E si t’ishin ne kllapi,

Pa kqyre cak, pa mbajte hulli,

Pa pase shkrimi as kambe as krye,

N’ mereqep kartat kane zhye,

E t’ kane pjelle-me nder me thane-

Njata artikuj qe ty dhane

S’ t asht der sot me u vu me i kndue.

Se ata, besa – m’ndigjo mue-

Nuk i kane shkrimet zanat:

S’ jane per pendë, por jane per shat.

Jo, po, kshtu asht mor t’u ngjate jeta!

Per me shkrue zotni n’gazeta

Duhet shkruesi t’ jete ma parë

Njeri i ndershem e atdhetar,

T’ jete fisnik, zemer-bujar,

Jo intrigant e ngatrrestar

Edhe kenë mos t’ket hafije

Mandej duhet qe t’ kete dije-

Dije t’hàpt n’ekonomi,

N’histori e ne tregti,

N’politike e ne drejtsi;

Edhe t’dije shk’ asht shkolla e msimi

Shk’ asht lirija e qytetnimi,

T’ jete shqiptar ne shkrim e n’goje,

Fjala n’pende mos t’i ngurroje:

Mbare e mbare punte t’i kallzoje

Me t’ ngushtue me kndue perdhuni

Shka nder shtylla ai rresht vuni,

Tashti, pra nji sallahan,

Vagabond e shakllaban,

Njeri idiote e laraman,

Qe mendon se per taman

Te tane bote rri n’ “sahan”,

Çka mund t’ shkruej, po t’pyes une ty

Ky qi as byk nuk ka ne krye,

Jo ma tru?…

 

Lahuta e Malësisë

Fragmente

(Tek Epika shohim të skalitura si postulate pjesë të historisë së vërtetë të Shqipërisë, të miqve e të armiqve të saj, si edhe fragmente që mund t’i duhen çdo diplomati e diplomateje, kur Poeti shkruan për arsyet pse vriten shqiptarët me njëri-tjetrin. Shënim i Z.S.)

Por kush tha Zot’ Harushes s’Verit

N’dorë tande a mbarë Europa

Dert mos ki per t’drejta t’njerit

Si t’duesh ndaje copa-copa?

Cili zot tha shkjaut: Merr drapnin

korr ku s’mbolle, mbjell n’arë t’hueja

Der ku t’duesh ti mate hapin

Shqiptaria asht n’duer tueja?

……………………………………..

Bini Toskë ju n’pikë të vrapit

mos tu ndalin mal as zall

Naim Frashëri i ra Qitapit

Mos me e lshue Shqipninë për të gjallë

Ju prej Dibret, prej Bishkasit

Çohi djelm si shqipe t’lehta

Ka gjimon asht topi i Knjazit

Për Shipni t’mos u dhimet jeta.

Ma mirë dekë nën dhe me u kja

Se me marre gjallë mbi dhe

Për dhe t’vet kush dekë ka ra

Ai s’ka vdekun, por ka le.

* * *

(Një ligjërim në gojën e Marash Ucit tek “Lahuta…” mund të cilësohet si amanet i Fishtës për brezat, një “shkollë” e vërtetë edukimi, pse jo edhe për sot… Shënim i Z.S.)

Amanet un ‘jam t’u lanë,

Me ruejtë gjanë, me kqyrun sta’n,

Armet e mbushme mos me i dhanë,

Me shokë tuej kurr mos m’u xanë

Mos m’u xanë, as mos m’u nga

Pse n’ditë t’ngushtë këta u gjinden vlla

Si me pushkë ashtu me uha.

T’huejn me fjalë mos t’ a poshtnoni;

Bukën para, por t’ia shtroni

N’Shqiptari si a kenë zakoni

………………………………………

Edhe n’mend kinje nji fjalë:

Zemres s’frytë me i lanun dalë;

Fjalët për pajë kurr mos me i ndalë,

Ujit turbullt mos me i ra,

Mos me i dalun n’va t’pa va;

Me iu ruejtun shakës tërbueme,

Me iu ruejt , po, grues së lshueme;

Vendin tuej me dashtë përore,

Me ruejt besë, mos me çartë ndore.

* * *

Për dëshmorët në Letërsinë Shqipe zor se gjendet ndonjë poezi më e bukur e dinjitoze. Po tek “Lahuta”, tek Kanga Ndermjetesia, një perlë e veçantë për harmoninë fetare të vërtetë në Shqipëri. (Shënim i Z.S.)

 

…O ata t’lumtë qi dhanë jetën,

O ata t’lumtë, qi shkrinë vehten,

………………………………………..

derdhen gjakun tue luftue,

porsi t’Parët u pa’n punue!

Lehtë u kjoft mbi vorr ledina,

but u kjofshin moti e stina,

ak’lli, bora e serotina:

E der t’kndojnë në mal ndo i Zanë,

e der t’ketë n’det ujë e ranë,

der’ sa t’shndrisin diell e hanë,

ata kurr mos u harrojshin,

n’kangë e n’valle, por u kndojshin.

E njaj gjak qi kanë dikue,

ban, o Zot, qi t’jesë tue vlue

për m’ia nxe zemrën Shqiptarit,

për kah vendi e gjuha e t’Parit!

NË VEND TË EPILOGUT:

poezi tonat

 

TRI “LULE” NË VARRIN E POETIT

ATIJ QË MË PASUROI

Jo të gjithëve,

Po atyre që mund ta besojnë,

Po u them një të vertetë:

Po të mos kisha lexuar Fishtën,

ndjenjen e atdhedashurisë

do ta kisha më të zbehtë.

ARMIKU I ANTISHQIPTARËVE

Ca pseudoshqiptarë

E quajtën Fishtën shovinist, reaksionar,

Armik i sërbëve, malazezëve, grekëve, bullgarëve,

Po në të vertetë,

Ai ishte armik vetëm i antishqiptarëve.

NËNA E POETIT

A doni t’ia dinë emrin

Asaj Gruaje të madhe që lindi Poetin?

Kush ka dëshirë ta mësojë

T’i lexojë poezitë e tij

Dhe menjëherë do të bindet se ajo quhet: SHQIPNI.

Zef Skanjeti

SHKODËR, (RI)VARRIMI I GJERGJ FISHTËS

(nga libri “Thesaret e frikës”)

N’varrin e shembun dhe t’harruem u gjetën

copra kocash, mbetun nga mëkati i pakalbun.

Çka mund t’bahet me to, o At’, veçse skeleti i dorës,

që mbi dh? ka shkrue eposin e vdekun të t’gjallëve

e nan dh? eposin e gjallë të t’vdekunve? Baj kryq

dhe dora m’zhvishet, bien mishi, m’bahet skelet

si dora jote e kombit. E mbushim me zanin tand si

shpatën me millin. Se e gdhendëm drunin e fatit tonë.

Ranë bujashka fjalësh n’varrin që s’do të vdesi ma.

Visar Zhiti